Lifestyle

August 1, 2016 | 8:39

Fotot në rrjetet sociale, ndjesi shijimi për jetën

Nga: Isida Lalaj Psikologe Këshillimi

Nga: Isida Lalaj
Psikologe Këshillimi

Kujtime nga pushimet të pasqyruara në foto, video etj… Pse kemi këtë tendencë? Ka lidhje me kujtesën apo jemi më të çliruar dhe na pëlqen t’i bëjmë të pavdekshme këto kujtime?

Ju bëni gati valixhen, për të tjerat mendojmë ne! Një slogan që të vret për mirë veshin, në periudhën më të bukur dhe të nxehtë të vitit, pushimet. Eh…, sa kohë duhet të presim për të bekuarat pushime, pas një viti, për dikë të lodhshëm, për dikë stresues e mbase edhe për atë dikë që ka pushuar gjithë vitin dhe ka nevojë të marrë veten nga gjithë ai pushim. Të gjithë, të entuziazmuar në përgatitjen e valixheve. Përveç entuziazmit, na përfshin edhe një lloj ankthi, të cilin do ta quaja “Ankthi: Mos kam harruar gjë?” dhe më keq akoma…“Mos kam harruar aparatin fotografik apo videokamerën?”. Është pothuajse një mani të fotografosh pushimet, momentet e tyre, atë që jo pak njerëz e konsiderojnë periudhën më të bukur të vitit. Mendja çlirohet gjatë atyre ditëve, trupi gjithashtu dhe në këtë gjendje lirie çdo gjë, çdo detaj, bëhet më i bukur. Të pëlqen të fotografosh një guaskë, një peshk shumëngjyrësh që shëtit në këmbët e tua, një re hileqare që mbulon diellin që ti po shijon kaq shumë duke menduar për ngjyrën çokollatë që do të marrësh. Kohët e fundit të pëlqen të fotografosh edhe ushqimin, librat që ke zgjedhur të lexosh, një shoqe që kalon me qenin e saj aty rastësisht… dhe të gjitha këto detaje, në një ditë të zakonshme pune e stresi nuk do t’i perceptoje dot si kaq të bukura. Vetëm në ditët e ëmbla të pushimeve i shijon plotësisht, ndaj dhe këtë ndjesi shijimi dhe euforie për jetën, për natyrën dhe për njerëzit që na rrethojnë, dëshirojmë ta bëjmë të pavdekshme nëpërmjet një stopimi, me anë të një fotografie. Por dëshiron të memorizosh edhe veten, buzëqeshjen tënde të lirë të një dite pushim dhe pa ngarkesa negative, me flokët dhe look-un jo shumë të rregullt, por që ndihesh bukur gjithsesi. Ndihesh bukur sepse je bukur, je në periudhën tënde, në atë periudhë që ia kushton vetes, relaksit tënd dhe rikuperimit për periudhën me impenjime që të pret. E di që ajo fotografi përmban një katarsis brenda teje dhe mendon se me kalimin e kohës shumatorja e këtyre kujtimeve të stampuara do të jetë albumi i jetës tënde, autobiografia jote. Dhe, pasi ka kaluar ankthi për të mos harruar asgjë që të duhet për pushimet e tua të çmuara, pasi ikën në plazhin apo malin që ke zgjedhur, mendo të kalosh bukur, për të tjerat mendon aparati fotografik!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top