Mirëqenie

December 11, 2020 | 8:15

Fraza të thjeshta që ju japin kurajo / “Sot jam një person më i fortë se dje”!

Përgatiti Esmeralda Birçaj, eksperte e shëndetit mendor

“Unë dua të humbas peshë dhe nuk mundem”.

“A do ta gjej personin e duhur për të pasur një marrëdhënie?”

“Unë dua të filloj një palestër, por kam frikë se do të heq dorë”.

“Ku mund të kapem dhe të marr kurajo tani që jam i stresuar dhe kam probleme?”

great-pose-to-use-for-blog

Nga vetvetja! Të përdorësh forcën tënde të brendshme dhe të lëvizësh përpara për të menaxhuar vështirësinë tënde dhe për të arritur qëllimin tënd.

Të gjithë kemi një monolog të brendshëm, zërin brenda nesh që na flet dhe na drejton në jetën tonë të përditshme. Monologu ynë i brendshëm është biseda që bëjmë me veten tonë për të zgjedhur gjëra të vogla ose të mëdha në jetën tonë: nëse dua kafe të ftohtë ose të nxehtë, nëse duhet të ha pulë me sallatë ose burger me patate të skuqura, nëse duhet të dal për kafe ose nëse duhet të martohem ose të divorcohem, etj. Monologu i brendshëm na kujton vlerat tona dhe na ndihmon të gjejmë kuptim në jetë. Monologu ynë i brendshëm gjithashtu përcakton se si ndjehemi. Pra, kur kemi zakon të flasim keq me veten, kur shohim vetëm të metat tona dhe shkurajojmë dhe zvogëlojmë veten, atëherë humbasim guximin dhe heqim dorë, ndjejmë trishtim, ankth dhe kemi ndjesinë se nuk do të kemi sukses.

Ja se si mund t’i japim vetes guxim në kohë të vështira dhe të marrim forcë nga brenda:

1. Unë mund të mësoj diçka nga kjo situatë dhe të bëhem një person më i fortë.

2. Kjo është një mundësi për të provuar diçka të re.

3. Unë kam fuqinë të ndryshoj mendim.

4. Fakti që u përpoqa ta bëj këtë gjë tregon se kam guximin dhe jam krenar/e për veten dhe përpjekjen time.

5. Unë jam një person e/i fortë dhe e/i aftë dhe do të kem sukses.

6. Megjithëse nuk arrita rezultatin që doja, mësova shumë për veten time dhe vazhdoj të punoj shumë.

7. Unë do të bëj çmos që të kem sukses.

8. Unë nuk mund të kontrolloj se si mendojnë, çfarë bëjnë dhe çfarë thonë të tjerët. Por unë mund të kontrolloj se si reagoj.

9. Nesër është një ditë e re dhe do provoj përsëri.

10. Kam akoma një rrugë përpara, por kam besim te vetja dhe te pikat e forta.

8-things-all-punctual-women-do

11. Sot unë jam një person më e/i fortë se dje.

12. Jam krenar/e për veten time për…

13. Unë zgjedh të shoh diçka të bukur në kohën time.

14. Ndihem mirënjohës/e për…

15. E trajtoj veten time dhe ata përreth me mirësi.

16. Unë kënaqem me gëzimet e vogla të jetës.

17. Askush nuk mund të më bëjë të ndihem keq pa vullnetin tim.

18. Sot zgjedh të ndihem mirë, pavarësisht se çfarë ndodh.

19. Unë tregoj dashuri dhe mirësi ndaj vetes.

20. Qëllimi im për sot është të ndihem e/i lumtur.

21. Kam pikat e forta dhe të dobëta si të gjithë të tjerët, por në të njëjtën kohë jam një person unik/e dhe i/e veçantë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top