Europa është vënë në alarm prej javësh nga varianti indian i koronavirusit që po përhapet me shpejtësi. Vendi ynë ende nuk ka identifikuar praninë e këtij virusi, por risku është prezent.
Në një intervistë dhënë për televizionin “Klan” kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, thotë se të pavaksinuarit janë grupi më i rriskuar për t’u prekur prej këtij mutacioni si dhe për ta shpërndarë atë në popullatë.
“E veçanta e kësaj periudhe me këtë lloj virusi është fakti i infektimit të personave që nuk janë vaksinuar, por edhe atyre që kanë aplikuar një dozë deri më tani. Ndërsa vaksinimi me të dyja dozat e ka ulur me një përqindje shumë herë më të lartë përhapjen e këtij varianti”, tha Brataj.
Edhe më herët, ministrja e Shëndetësisë Manastirliu ndërsa foli për lehtësimin e masave antiCOVID ngriti alertin nga varianti “Delta”, duke bërë thirrje për vigjilencë.
“Ne do të vijojmë, siç kemi bërë nga dita e pare e epidemisë në vend, të ndjekim rekomandimet e ekspertëve. Po vijojmë më lehtësimin gradual të masave anti-COVID. Nga sot zgjatet ora policore deri në orën 24:00, si edhe lejohet pjesëmarrja e publikut, spektatorëve apo tifozëve në aktivitetet sportive, sociale, kulturore apo konferencat. Por, ka një alert që ekspertët tanë referojnë dhe doja ta sillja në vëmendjen tuaj dhe të gjithë qytetarëve: Është alerti për shkak të variantit ‘Delta’ (Delta Plus), i cili është identifikuar edhe në vendet e rajonit dhe nga OBSH-ja vlerësohet si variant shqetësues për impaktin në shëndetin publik dhe për këtë arsye kërkohet kujdes maksimal”, theksoi Manastirliu.
Sipas ministres, është e rëndësishme që gjatë këtij procesi të kemi një mbulesë të mirë vaksinale të grupmoshave.
“Ne do të ulim fashën dhe do të vijojmë gjithashtu me ditët e hapura të vaksinimit edhe në muajin korrik dhe gusht. Kemi në fokus vaksinimin, pasi është e vetmja armë jetëshpëtuese. Ndaj, të gjithë atyre që u jepet mundësia për t’u vaksinuar, ta shfrytëzojnë dhe të mos ketë asnjë neglizhencë”.
Burimi / PanoramaOnline
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.