FB

April 4, 2024 | 7:16

Funksioni psiko-social i prindërve të fëmijëve me çrregullime të spektrit të autizmit

 

 

Fëmijët me nevoja të veçanta, si autizmi, nuk janë një çudi apo diçka e pazakontë. Ata vetëm duan të jenë si të tjerët, të jenë të pranuar, prandaj duhet t’u falim shumë dashuri dhe empati”. Por çfarë është autizmi? Si ka lindur dhe cilat janë simptomat e tij?

griseldaNga Griselda Shametaj, psikologe klinike

 

Gjatë dhjetëvjeçarit të fundit shifrat kanë treguar një rritje të numrit të fëmijëve të diagnostikuar me autizëm. Studimet e zhvilluara për autizmin nuk kanë përcaktuar ende shkaqet e vërteta, por kanë përcaktuar fushat ku do të gjenden përgjigjet e shkaqeve të autizmit. Këto fusha janë: Gjenet, anomalitë e zhvillimit të trurit, kimia e trurit dhe ndoshta faktorët mjedisorë. Këto fusha nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën.

Autizmi është një temë shumë aktuale, dhe secili nga ne, sot duhet te jetë i informuar për mënyrën se si shfaqet dhe cilat janë pasojat e tij. Autizmi (greq. “Aut”- “vetë” dhe “ism” – e cila tregon “orientimin” është çrregullimi neurobilogjik që veçohet me vështirësi në komunikim, sjellje të përsëritura, ndërveprim shoqëror i ulët, si dhe rreze të kufizuara interesash.

Simptomat e autizmit fillojnë të shfaqen që në fëmijërinë e hershme, para moshës 2-vjeçare dhe karakterizohet me komunikim të dobët, pengesa në planin verbal, paaftësi për aktivitete shoqërore dhe mungesë të interesit për botën përreth.

Sipas DSM – IV – R Autizmi përkufizohet si një çrregullim që karakterizohet nga:

  • Dëmtim cilësor i marrëdhënieve sociale
  • Dëmtim cilësor i komunikimit
  • Karakter të kufizuar dhe stereotipik të sjelljes

Fëmijët me autizëm shpesh përshkruhen si persona të cilët janë në botën e vet. Në muajt e parë të jetës fëmijët autikë janë normal, më pas fillojnë të bëhen të pabindur me personat dhe me stimujt. Shenja e parë e çrregullimit mund të jetë rezistenca ndaj përkëdheljeve, kur fëmija merret në krahë, qan dhe insiston për t’u mos u prekur edhe nëse është i lënduar apo i lodhur. Fëmija autik ka tendencën të mbajë distancë nga prindërit e vet dhe nuk ka marrëdhënie sociale. Nuk shikon njerëz në sy, preferon të luajë i vetëm dhe shpesh është indiferent ndaj ndjenjave të të tjerëve. Një karakteristikë e rëndësishme e këtij çrregullimi është rezistenca ekstreme për çfarëdolloj ndryshimi. Fëmija reagon me zemërim të madh në qoftë se i ndryshojnë zakonet, shprehitë e tij ose ndërhyni në aktivitetet e tij. Në lojë kanë tendencë të zhvillojnë “rituale” shpesh preçize, më pas afeksionohen me objekte dhe koleksione të pazakonta, ose fiksohen me tema apo ide të veçanta. Kjo më pas, e bën atë shumë të vështirë për të kuptuar konceptet e reja.

 

Vonesa e fjalës është shumë e zakonshme

Fëmijët autik nuk kanë aftësi të kuptojnë ose të imitojnë gjuhën. Për këtë motiv, i përgjigjen tingujve në mënyrë të pahijshme. Edhe kur gjuha fitohet, më pas rezulton i papjekur, i privuar nga fantazia, i ngjashëm me atë të një “roboti”. Shpesh fëmija shpik fjalët e “tij/saj”ose përsërit në mënyrë fiksuese atë që dëgjon të thuhet rreth tyre. Fëmija autik mund të ecë në majë të gishtave, kërcet me dhunë gishtat ose sendet për orë të tëra, me veten. Shpesh është hiperaktiv, ulëret papritur, ka lëkundje të sjelljes dhe mund të kryej akte të vetëdëmtimit. Janë të shpeshta edhe frikat e pazakonta dhe vështirësitë në të mësuarit e detyrave manual. Pavarësisht këtyre simptomave të rënda, fëmija autik ka një pamje dhe një koordinim muskular normal. Ndonjëherë zhvillohen në mënyrë mbresëlënëse talente të veçantë; të aftë në futboll, memorie të jashtëzakonshme, aftësi magjepsëse në muzikë, pikture dhe arte te tjera.

 

Llojet e autizmit

Ekzistojnë dy lloje të autizmit, sindroma e Asperger dhe sindroma e Kanerit.

Sindroma e Asperger dallohet me një formë më të lehtë të simptomave të autizmit, ku dhe shanset e shërimit janë më të mëdha.

Ndërsa sindroma e Kanerit veçohet si simptomë shumë e rëndë e autizmit dhe ku mundësia e shërimit është minimale. Është me rëndësi shumë të madhe diagnostifikimi i hershëm i autizmit dhe marrja e masave përkatëse mjekësore dhe edukative. Po ashtu për vetë prindërit, të cilët kanë fëmijë autikë, është me rëndësi njohja me simptomat e autizmit dhe llojet e diferencuara të tij.

Si një nga simptomat e para të autizmit është shmangia e kontaktit me sy, ku fëmija i largohet çdo lloj kontakti me sy, si me fëmijët e tjerë po ashtu edhe me prindërit.

2 

Trajtimi i autizmit

Për momentin, autizmi nuk kurohet por veç trajtohet dhe fëmijët mund të bëjnë progres në pavarësi në jetën e tyre. Trajtimi i hershëm është shumë i rëndësishëm për të ardhmen dhe jetën e fëmijëve me autizëm dhe familjarëve të tyre. Individë të ndryshëm mund të përfitojnë nga variante dhe tipe të ndryshme të ndërhyrjeve. Terapitë mund të jenë të suksesshme për fëmijët me autizëm në mësimin e aftësive dhe një numër i këtyre fëmijëve mund të ndryshojnë në kohë. Këtu është e rëndësishme që të kujtohet se individët e diagnostikuar me autizëm janë të ndryshëm dhe trajtimet apo terapitë mund të jenë specifike. Disa nga trajtimet apo terapitë me kryesore të cilat përdoren për fëmijët e diagnostikuar me autizëm janë:

  1. Analiza e aplikuar për sjelljen,
  2. Sistemi i komunikimit me foto/vizatime
  3. Terapia për të folurin dhe gjuhën
  4. Terapia okupacionale
  5. Fizioterapia
  6. Dietat

 

Ndikimi emocional dhe social mbi prindërit e fëmijëve autikë

Të pasurit e një fëmije me autizëm mund të ketë pasoja të thella tek prindërit. Ndër pasojat e hershme emocionale përfshihen: tronditja, mohimi, dëshpërimi dhe hidhërimi.

Kur një fëmijë është i diagnostikuar me autizëm të dy prindërit përjetojnë mërzitje dhe trishtim

Sipas Powers – Emocionet që përjetojnë prindërit e fëmijëve me autizëm janë:

Tronditja – Shpeshherë është reagimi i parë që shfaqin kur fëmija diagnostikohet me autizëm.

Pamundësia – Pasi fshihet tronditja, prindërit mund të paralizohen nga një emocion i ri, pamundësia

Faji – Një tjetër emocion që shpeshherë duhet ta luftojnë prindërit e fëmijëve me autizëm është faji.

Zemërimi – Zemërimi është pasojë e natyrshme e fajit. Prindërit janë të bindur se për autizmin e fëmijës dikush duhet ta ketë fajin.

Brenga – Ka mundësi që prindërit të provojnë një ndjesi brenge pafund e cila duket sikur ia shkul zemrën.

Mërzitje – Mbi të gjitha mund të ndiejnë një mërzitje shumë të madhe. Pse nga të gjithë njerëzit, ju përzgjodhët të keni fëmijë me autizëm.

Xhelozia – Shpeshherë prindërit e fëmijëve me autizëm vëne re se i kanë mëri prindërit e fëmijëve normalë.

Sigurisht që diagnostikimi i fëmijëve me autizëm sjell dhe pasoja të tjera emocionale tek prindërit. Disa prindër kanë një vetëvlerësim të ulët. Anëtarët e familjeve me fëmije me autizëm janë më pak të pavarur në marrjen e vendimeve dhe kanë më pak vetëbesim krahasuar me ata të familjeve me fëmijë pa probleme.

Fëmija me autizëm mund të ketë ndikim edhe mbi shëndetin mendor dhe fizik të prindërve. Prindërit e fëmijëve me autizëm raportojnë më shumë simptoma stresi dhe depresioni krahasuar me prindërit e fëmijëve të shëndetshëm.

Disa nga problemet më të shpeshta të shëndeti fizik me të cilat përballen prindërit janë lodhja dhe pagjumësia.

Një problem tjetër me të cilin përballen prindërit është paragjykimi një stres me të cilin përballen shumë prindër të fëmijëve autik është edhe trysnia sociale nga ana e komunitetit.

3

Si pasojë e mendimit të të tjerëve për ta si prindër të këqij, që nuk dinë të rrisin fëmijë, tek ta mund të atashohet stigmamtizmi e cila sjell përjetim të rrënduar psikologjik dhe ndjenjën e izolimit social. Marrëdhëniet bashkëshortore mund të përballen me stresin dhe diferencat në opinionin mbi situatat e krijuara. Stilet e prindërimit mund të jenë një tjetër shkak për konfliktet midis prindërve.

Bashkëshortët e fëmijëve me autizëm kanë më pak gëzim martesor dhe kohezion familjar kjo pasi çifti bashkëshortor i kushtojnë më pak kohë njëri tjetrit dhe si rrjedhojë pësojnë një krisje të raportit sipas statistikave të ndryshme 50% e prindërve me fëmijë me aftësi të kufizuara janë ndarë apo divorcuar.

Një tjetër faktor stresues për prindërit e fëmijëve me autizëm janë dhe financat. Ata përballen me vështirësi ekonomike dhe disa nga arsyet kryesore të kësaj përballje janë: Shtimi i shpenzimeve si pasojë e disa kërkesave të veçanta që fëmijët me autizëm kanë, gjithashtu humbja e vendit të punës apo pamundësi për të punuar e njërit prind si pasojë e kujdesit të vazhdueshëm që kërkon fëmija.

Përballja e familjeve me probleme të shumta psiko–sociale dhe ekonomike ka bërë që në shumë raste të prishet ekuilibri dhe të zbehet funksionimi familjar.

Fusha e shërbimeve sociale është mjaft e gjerë. Një nga praktikat e drejtpërdrejta është dhe terapia familjare. Ofrimi i këtij shërbimi ndikon në krijimin e një strukture familjare mbështetëse për anëtarët e saj dhe krijimin e shumë hapësirave të funksionimit social të individëve.

Terapia familjare mund të ndikojë për mirë tek të gjithë anëtarët e familjes. Përsa i përket marrëdhënieve bashkëshortore, terapia në çift shikohet si një rrugë për të mos humbur njëri–tjetrin. Terapia në çift ndikon në reduktimin e stresit dhe i ndihmon të forcojnë raportin midis tyre.

Të rrisësh një fëmijë me aftësi ndryshe nuk është e lehtë… do të thotë të përballesh me vështirësi, të cilat fillojnë nga rritja, edukimi, arsimi e deri te problemet e adoleshencës apo përkujdesjes për fëmijën edhe në moshën e vonë. Por, sa më të kujdesshëm të jeni në vitet e para të jetës së fëmijës suaj, të mos anashkaloni as shenjën më të vogël e cila e bën fëmijën tuaj paksa të ndryshëm nga moshatarët e tij, aq më të mëdha do të jenë mundësitë që ai të mund të bëhet i zoti i vetes një ditë.

 

Disa këshilla që mund të jenë të vlefshme për prindërit janë:

  • Beso tek specialistët e vërtetë,
  • Bëni të ndiejë se familja funksionon,
  • Nxiteni për të luajtur,
  • Flisni për çdo gjë me të,
  • Konsiderojeni si fëmijët e tjerë,
  • Ndihmojeni me gjeste por pa lënë pas dore fjalën,
  • Mos bini pre e sjelljes së tij agresive,
  • Kini durim e mos reshtni kurrë së dhëni dashuri.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top