FB

April 4, 2024 | 7:20

Lediona Braho: Autizmi, ndihmojeni fëmijën t’i japë botës një kuptim

 

Lediona Braho, psikologe klinike

Lediona Braho, psikologe klinike

Të dashur prindër!

Kam kënaqësinë t’ju shkruaj, sepse ndiej se kam dy gjëra me rëndësi për t’ju thënë. Në punën time, takoj prindër me fëmijë me Autizëm, që marrin kujdes ditor në çerdhe publike. Më saktë, jo vetëm kujdes, por edhe edukim. Ata mësojnë përditë aftësi të reja dhe zhvillohen fizikisht, mendërisht, emocionalisht, nga ana gjuhësore dhe sociale, si dhe mësojnë shprehi të kujdesit për veten. Madje, disa nga arsyet pse vijnë në çerdhe, janë integrimi, përfshirja dhe përgjithësimi i aftësive diskrete të mësuara në terapi, në një mjedis natyral. Shtëpia, qendra e kujdesit ditor/çerdhja, kopshti, shkolla dhe vende të tjera ku fëmija shpenzon kohë nga koha e tij ditore – të gjitha këto janë mjedise natyrore. Prej dekadash, është kapërcyer paradigma e veçimit të fëmijëve me nevoja ndryshe, ndaj nuk është nevoja të ndalemi për të argumentuar dobinë e përfshirjes së këtyre fëmijëve në komunitet. Letra ime synon të mëtojë diçka tjetër.

Ndërtojmë ura, jo mure

Përditë, unë vërej se shumë prej jush bisedojnë pak me fëmijën. Mund të ndodhë që fëmija të ketë vështirësi në të ngrënë. Kur pyes si ushqehet në shtëpi, ju thoni se e keni gjetur zgjidhjen: i jepni fëmijës një iPad ose telefonin tuaj inteligjent, që ta mbajë në dorë se vetëm kështu “mund t’ia heqësh mendjen nga ushqimi”. Mund të ndodhë që fëmija juaj të ketë vështirësi gjuhësore: nuk kupton atë që i thuhet, nuk flet fare ose flet, por nuk e kupton asnjë person jashtë familjes, vokalizon ose belbëzon kur është në moshën që duhet të flasë, ka vështirësi me shqiptimin, ngatërron dy gjuhë, nuk bën pyetje, e kështu me radhë. Pra, qartazi, fëmija ka vështirësi gjuhësore, që mund të jenë në kuptimin e gjuhës, në të folurit e gjuhës ose në të dyja bashkë. Kur pyes si mund të veprojmë, ju thoni se do të prisni. Për çfarë? Derisa të rritet, derisa të shkojë në kopsht, në shkollë dhe të ndeshet me vështirësi edhe më të mëdha? Mund të ndodhë që fëmija juaj të jetë diagnostikuar ose të shfaqë simptoma të Autizmit. Ai ka vështirësi të caktuara, të cilat variojnë nga fëmija në fëmijë (dy fëmijë me Autizëm nuk janë njësoj). Kur pyes si mund ta ndihmojmë t’i mësojmë aftësitë që i nevojiten, disa e mohojnë ndihmën, ndërsa disa të tjerë shmangen. Sigurisht, ka në radhët tuaja, nga ata që e kuptojnë vështirësinë e fëmijës dhe që në krye të herës vijnë për të kërkuar ndihmë. “Fëmija im ka simptoma Autizmi, duam të socializohet!” Ky është hapi i parë i një dialogu konstruktiv me ju dhe pikërisht këtu fillon e ngrihet puna jonë e përbashkët dhe premtuese.

Unë mund t’ju tregoj disa gjëra mbi fëmijët me Autizëm, por sot dëshiroj të jap një mesazh, i cili e kapërcen moshën e fëmijërisë së hershme. Mesazhi im lidhet me komunikimin prind-fëmijë. Do të pyesni: çfarë mund të komunikoj me fëmijën tim, kur shumicën e kohës ai duket jokomunikues? Ose çfarë mund t’i them, kur ai nuk mund të flasë për gjërat që i ndodhin, për mendimet dhe ndjenjat e tij? Le ta shohim së bashku.

Aftësia për të komunikuar nuk lind, por mësohet

Ne të gjithë tregojmë për përvojat tona: për ngjarjet që na kanë ndodhur dhe mënyrat sesi jemi ndjerë. Ky proces quhet “rrëfimi vetjak” (mund ta gjeni në literaturë edhe me termin: narrativë personale). Edhe fëmijët me Autizëm përpiqen t’i rrëfejnë përvojat e tyre. Mirëpo, rrëfimi vetjak është një proces i vështirë për ta. Lajmi i mirë është se ju mund t’i ndihmoni fëmijët tuaj që t’i përmirësojnë aftësitë e tyre të komunikimit!

Së pari, është me rëndësi të dini se rrëfimi vetjak është një pjesë vitale e zhvillimit të fëmijës. Kërkimet kanë treguar se kjo aftësi formohet në sajë të dialogut me prindër. Kur prindërit e pyesin fëmijën e tyre parashkollor vazhdimisht dhe i kërkojnë t’u tregojë çfarë i ka ndodhur, fëmija aftësohet për të treguar. Së dyti, ju kujtojmë se shumica e fëmijëve e zhvillojnë këtë aftësi, pa i kushtuar ndonjë vëmendje të veçantë. Mirëpo, ka fëmijë të cilët kanë nevojë për ndihmë dhe fëmijët me Autizëm janë në radhët e tyre. Kërkimet kanë treguar se njerëzit me Autizëm kanë narrativa më pak cilësore sesa ata me zhvillim tipik. Disa prej tyre i tregojnë të shkurtra, disa jokoherente, të tjerë fokusohen vetëm te nevojat e tyre pa marrë parasysh të tjerët.

Dy studiues, të cilët zbatuan një program-pilot me familje me fëmijë me Autizëm, iu dhanë prindërve të tyre disa udhëzime*. Prindërit duhet të flisnin me fëmijët shpesh dhe në mënyrë të vazhdueshme, të kalonin shumë kohë duke folur për çdo çështje dhe t’u jepnin kohë fëmijëve për t’u përgjigjur. Ata duhet t’u kërkonin fëmijëve të përshkruanin sesi ishin ndjerë kur kishin përjetuar një ngjarje, t’u bënin pyetje të hapura (çfarë, kur, ku, si, pse) dhe jo të mbyllura (po/jo), të dëgjonin me vëmendje fjalët e tyre, të inkurajonin shpjegimin e përgjigjeve të thjeshta dhe të përsërisnin atë që fëmijët thoshnin. Prindërit e përfshirë në program i regjistruan bisedat e tyre me fëmijët, për një vit rresht dhe më pas u ftuan të diskutonin mbi përvojat që kishin pasur. Rezultati ishte befasues: shumica e prindërve kishin përmirësuar dukshëm mënyrën sesi bisedonin me fëmijët. Një muaj më vonë, fëmijët e tyre mund të krijonin rrëfime më komplekse.

Ky program është vetëm maja e ajsbergut të kërkimeve mbi rëndësinë e komunikimit prind-fëmijë. Nëse fëmijët mësojnë të rrëfejnë përvojat vetjake, ata do t’ia dalin të kërkojnë ndihmë, të kenë arritje në shkollë dhe të krijojnë marrëdhënie të shëndetshme gjatë kursit të jetës. E mira është se kjo aftësi nuk është e lindur, por fitohet gjatë jetës nëse përdorni strategjitë e duhura. Komunikimi është strategjia më e mirë, prandaj, a mundeni që sot të filloni t’u tregoni sa më shumë fëmijëve tuaj, që edhe ata të fillojnë t’i japin botës një kuptim?

Miqësisht,

Lediona Braho

* Fëmijët e tyre mund të flisnin. Nëse fëmija juaj nuk flet, ai duhet të trajtohet nga një specialist i të folurit.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top