Në fokus

January 23, 2018 | 8:10

Fushata “Parandalo Kancerin e Qafës së Mitrës”, çfarë nuk dini për sëmundjen dhe si kurohet ajo?

 

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka ndërmarrë një fushatë nga data 22 deri më 28 janar për ndërgjegjësimin ndaj kontrollit dhe parandalimit të kancerit në qafën e mitrës.

Çfarë është kanceri i qafës së mitrës?

Kanceri i qafës së mitrës është një tumor që formohet në qafën e mitrës. Qafa e mitrës ndodhet në fundin e mitrës dhe e lidh atë me vaginën. Kanceri i qafës së mitrës ndodh kur qelizat e qafës së mitrës fillojnë të rriten në mënyrë jo normale dhe të pakontrolluar.

Sa i shpeshtë është kanceri i qafës së mitrës?

Kanceri i qafës së mitrës është një nga kanceret më të shpeshta tek femrat dhe takohet sidomos tek femrat rreth moshës 40 vjeç. Kanceri i qafës së mitrës është i dyti mbas kancerit të gjirit, por ka një vdekshmëri më të lartë. Në pjesën më të madhe të rasteve, kanceri i qafës së mitrës kapet në faza shumë të avancuara.

Çdo vit rreth 500.000 gra në botë preken nga kanceri i qafës së mitrës dhe gjysma e tyre vdesin nga kjo sëmundje.

Në BOTË çdo 2 minuta një grua vdes nga kanceri i qafës së mitrës.

Në EUROPË çdo 18 minuta një grua vdes nga kanceri i qafës së mitrës.

Në SHQIPËRI kanceri i qafës së mitrës është kanceri që haset më shpesh tek femrat mbas kancerit të gjirit.

Në SHQIPËRI rastet me kancer të qafës së mitrës kanë ardhur duke u rritur, ndërsa vdekshmëria prej tij është dyfishuar.

Cili është shkaktari kryesor i kancerit të qafës së mitrës?

Shkaktari kryesor i kancerit të qafës së mitrës është Virusi i Papilomës Njerëzore ose shkurt HPV. Ka më shumë se 100 tipe të virusit të HPV, por një pjesë prej tyre janë viruse me rrezik të lartë dhe shkaktarë të kancerit të qafës së mitrës. HPV është një virus që mbetet i fshehur në organizëm pa dhënë asnjë shenjë sëmundjeje. HPV përhapet nëpërmjet kontakteve seksuale. Infeksioni nga HPV është më i zakonshëm në grup moshat e reja të cilat janë seksualisht aktive.

Sa kohë do kanceri i qafës së mitrës të zhvillohet?

Nga momenti i shfaqjes së qelizave jo normale në qafën e mitrës deri në shfaqjen e plotë të kancerit të qafës së mitrës duhen shumë vjet, rreth 10 deri në 20 vjet. Fatmirësisht koha e gjatë e zhvillimit të këtij lloj kanceri i jep mundësinë një femre ta kapi në kohë atë, nëse kontrollohet rregullisht.

Cilat femra rrezikohen prej kancerit të qafës së mitrës?

Çdo femër mund të preket nga kanceri i qafës së mitrës. Por një femër është më e rrezikuar për t’u prekur nëse:

Ka filluar herët aktivitetin seksual

Ka partnerë seksual të shumtë

Ka partnerë të cilët kanë pasur shumë partnere seksuale

Ka një infeksion nga virusi i Papilomës njerëzore-HPV

Nëna, motra apo gjyshja e saj ka pasur kancer të qafës së mitrës

Ka apo ka pasur një infeksion seksualisht të transmetueshëm përfshi HIV/AIDS

Pi duhan

Ka pasur shtatzëni të shumta

Ka imunitet të ulët

Si mund të mbrohem unë nga kanceri i qafës së mitrës?

Rreziku për kancerin e qafës së mitrës zvogëlohet nëse ju:

VAKSINOHENI me vaksinën kundër virusit, HPV që shkakton kancerin e qafës së mitrës

Bëni rregullisht Pap Testin

Të dyja së bashku, vaksinimi dhe bërja e Pap Testit rregullisht, ju mbrojnë nga kanceri i qafës së mitrës.

Çfarë është vaksina kundër HPV-së?

Falë arritjeve të shkencës, sot është prodhuar një vaksinë e cila të mbron nga infektimi me virusin HPV. Vaksina siguron një mbrojtje të lartë për dy tipet e virusit që janë shkaktarët më të shpeshtë të kancerit të qafës së mitrës.

A ka vaksinë në SHQIPËRI?

Fatmirësisht, vaksina sot gjendet edhe në Shqipëri, në farmaci.

Në çfarë moshe rekomandohet vaksina?

Vaksina rekomandohet të bëhet përpara fillimit të aktivitetit seksual, pra përpara infektimit me virusin HPV. Mosha e rekomanduar është ajo midis moshës 9-26 vjeç. Por edhe të gjitha femrat mbi këtë moshë mund të vaksinohen nëse janë akoma të painfektuara në momentin e bërjes së vaksinës. Vaksinimi e ul rrezikun e kancerit të mitrës por nuk e eliminon nevojën e bërjes së Pap Testit. Të dyja së bashku, vaksinimi dhe bërja rregullisht e Pap Testit ju mbrojnë nga kanceri i qafës së mitrës.

Çfarë është Pap Testi?

Pap Testi është një test i shpejtë dhe i thjeshtë që bëhet për të parë qelizat e qafës së mitrës. Ky test mund të tregojë nëse ju keni një infeksion në qafën e mitrës, qeliza jo normale apo kancer të qafës së mitrës.

pap_testSi bëhet një Pap Test?

Ndërkohë që gruaja shtrihet tek shtrati i vizitës, mjeku merr një sasi qelizash prej qafës së mitrës me një furçë të vogël që është posaçërisht për këtë. Materiali më pas dërgohet në laborator për t’u parë. Pap Testi është një test i thjeshtë, i shpejtë, dhe që zgjat vetëm pak minuta. Pap Testi është i padhembshëm prandaj nuk ka nevojë për asnjë ilaç qetësues. Pap testi mund të kryhet në një klinikë apo spital.

Përse është kaq i rëndësishëm Pap Testi?

Sepse bërja e rregullt e Pap Testit zbulon qelizat jo normale në fazat e hershme pa dhënë akoma kancer të qafës së mitrës. Pjesa më e madhe e kancereve të qafës së mitrës mund të kapen në kohë atëherë kur trajtimi bëhet më i lehtë dhe shanset për kurimin e tij janë shumë më të mëdha.

Të gjitha gratë duhet ta bëjnë Pap Testin?

Është e rëndësishme që të gjitha gratë ta bëjnë rregullisht Pap Testin, si pjesë e kujdesit të zakonshëm për shëndetin. Rekomandohet që të gjitha femrat tre vjet pasi kanë filluar aktivitetin seksual duhet të kryejnë Pap Testin rregullisht. Gratë që kanë hequr mitrën duhet të konsultohen me mjekun nëse mund të kryejnë rregullisht Pap Testin.

Kërkohet ndonjë gjë e veçantë para se të kryesh Pap Testin?

Rreth 2 ditë para testit, shmangni dushet vaginale, përdorimin e suposteve vaginale, kremrave spermicid, sprajtit dedorant vaginal. Nuk duhet të kryeni marrëdhënie seksuale 2 ditë para Pap Testit. Një grua duhet ta kryejë Pap testin jo në periudhën menstruale, por disa ditë larg menstruacioneve.

Kur merret përgjigja e Pap Testit?

Përgjigja merret mbas disa ditësh. Është e rëndësishme për një grua të diskutojë rezultatet e Pap testit të saj me mjekun. Nëse rezultati i Pap Testit është normal, rreziku për kancer të qafës së mitrës është i ulët. Por edhe nëse rezultati i Pap Testit është normal, ju duhet të vazhdoni rregullisht bërjen e Pap Testit.

PAP TESTI ËSHTË TEST I THJESHTË, I SHPEJTË, I PADHIMBSHËM, QË ZGJAT VETËM PAK MINUTA DHE QË JU SHPËTON JETËN!

 

Burimi: Instituti i Shëndetit Publik

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top