Në fokus

August 27, 2016 | 7:35

Gënjeshtrat monotoni e kohës që jetojmë

Nga: Isida Lalaj Psikologe Këshillimi

Nga: Isida Lalaj
Psikologe Këshillimi

Gënjeshtra është një fenomen i vjetër në shoqërinë njerëzore të të gjitha kohërave. Është një fenomen mbarëbotëror, kështu që nuk do ta lidhja vetëm me realitetin shqiptar. Të gënjesh, sot është monotoni. Por realiteti ynë i vogël, për shkak të manisë për pushtet, para, apo lavdi e mirëqenie, bie në sy sepse individët po përpiqen të jenë dikush tjetër, duke dalë nga kornizat vetjake, vetëm për të arritur elementët e sipërpërmendur. Më interesantja arrihet kur njerëzit fillojnë të besojnë gënjeshtrat që kanë sajuar vetë. Kjo ndodh sidomos kur gënjeshtra ndërtohet si një varg të tillash, madje kalon në një fabul a histori të tërë. Në një aspekt, të gjithë gënjejmë. Gënjeshtrat janë të zakonshme në shoqërinë njerëzore. Më e rrallë është të sajosh një varg gënjeshtrash të lidhura e që pasojnë njëra-tjetrën dhe të vazhdosh të jetosh me to së paku për disa kohë. Një gënjeshtër e vetme është një akt i vetëm, por të sajosh një varg mashtrimesh ke nevojë për fantazi, mani lavdie e një grup a kast mbështetës. Edhe në këtë fushë jo vetëm politikanët, por dhe mjaft njerëz të zakonshëm moralisht e profesionalisht angazhohen në gënjeshtra, mashtrime. Dikush më diabolik, njeri i vetmuar, që jeton gjithë jetën pa asnjë raport shoqëror e as seksual, gjen mbështetje në median “mishngrënëse”, që ushqehet me sensacionin dhe sajon lloj-lloj historish për çdo njeri të njohur, hyn në detaje të jetës personale a familjare, dashurore a politike. Dhe të gjitha këto janë raste jo politikanësh, të cilat jepen për të kuptuar se fenomeni është më i gjerë, njerëzor dhe politikani shpesh është pjesë e kësaj edhe thjesht si qenie njerëzore. Si pjesë të detyrës së tyre, si përfaqësues të popullit, në një demokraci funksionale ata argumentojnë se, edhe nëse nuk realizohen premtimet, së paku qëllimi i mirë është kryesori dhe nuk është keq që populli të mbahet me shpresa të bukura.

• Ka psikologë që, duke mos e humbur shpresën, mendojnë se nëse zgjedhësit kanë ide të qarta dhe të dhëna të sakta, të bollshme e logjikë reale për të mbështetur kërkesat e tyre, mund të arrijnë t’i bëjnë politikanët e politikë-bërësit, të bëjnë çfarë dëshirojnë ata.

• Të tjerë mendojnë se zgjedhësit gjithnjë do të kenë pak ose aspak influencë te politikanët. Kjo, sepse politikanët e zgjedhur e zyrtarët e lartë që rrjedhin soje, kanë mjaft ide të mira vetë, por shpesh nuk i marrin vendimet të bazuara në të dhëna apo sipas nevojave të zgjedhësve a të zhvillimit të vendit.

• Në raste të tjera më negative, ata nuk merren fare me problemet, impresionohen më shumë nga nevojat dhe historitë personale të njerëzve sesa nga faktet a të dhënat.

• Tendenca e njerëzve për të gënjyer sa herë që krijohet mundësia, mund të jetë çështje zakoni ose leverdie. Një studim na zbulon se kjo sjellje u kushton kompanive amerikane rreth 3.5 miliardë dollarë në vit. Jetojmë në një fluks të pandërprerë të informacioneve të rreme. Pikasja e një të pavërtete në ditët tona është bërë më e vështirë se një përllogaritje shkencore. Një studim i “Association of Certified Fraud Examiners” tregon tendencën në rritje të njerëzve për të gënjyer dhe për gjurmët negative që lë në shoqëri kjo sjellje e përgjithshme. E vërteta e vetme është se ne të gjithë gënjejmë. Jetojmë në një kohë kur sajesat dhe mashtrimet po tolerohen gjithnjë e më shumë dhe nuk përbëjnë më raste të izoluara. E, kur bëhet fjalë për biznesin e kompanitë e mëdha, gënjeshtrat kushtojnë shumë shtrenjtë. Duhet të kemi parasysh se një gënjeshtër në vetvete nuk ka asnjë fuqi, por e merr atë vetëm kur dikush vendos t’i besojë. Nuk është i pabesueshëm numri i madh i gënjeshtrave sesa fakti që ato janë bërë pjesë e përditshmërisë sonë. Pesha e rëndë e gënjeshtrave nuk ndihet vetëm në fushën ekonomike, por është një çmim i rëndë për t’u paguar edhe në aspektin emocional e psikologjik. Në fund, të gjithë do të paguajmë për të pavërtetat tona.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top