Marrëdhënie

August 27, 2016 | 7:00

Seksualiteti nuk njeh moshë

Dr. Evin Dani

Dr. Evin Dani

Është një ndër andrologët e vetëm në këtë profesion në kryeqytet. Dr. Evin Dani thotë se “kur një çift konstaton probleme… edhe mashkulli i drejtohet gjinekologut!”. Disa e quajnë “doktori i burrave”, ndërsa zyrtarisht në pankartën që ndodhet në murin jashtë zyrës së tij në Poliklinikën e Specialiteteve Nr.3 në Tiranë, ku gjen gjithmonë radhë të gjata me meshkuj, por edhe me bashkëshortet apo të dashurat që i shoqërojnë “turpshëm” partnerët, shkruhet: “Steriliteti mashkullor”.

“Psikologjia” realizoi një intervistë me Dr.Danin lidhur me seksualitetin mbi moshën 40-vjeçare… Sipas tij, “marrëdhëniet seksuale janë një instinkt natyror, shumë të dëshiruara dhe pasionante, në përgjithësi për moshat e reja. Në moshat mbi 40 vjeç, apo duke u thelluar akoma më shumë në mosha të thyera, konsiderohet si një gjë jo e njerëzishme dhe mbahet qëndrim kritik ndaj tyre, apo ndoshta edhe trajtohet si diçka jo e zakonshme ose si diçka imorale. Ky botëkuptim ka qenë më i shprehur në komunitetet patriarkale ose, siç themi ne, në zonat rurale. Vitet e fundit ky koncept ka filluar të ndryshojë, sepse, përpos zhvillimeve të mëdha shoqërore apo social-ekonomike, kanë ndodhur edhe ndryshime në perceptimin mbi seksualitetin. Një nga momentet që duhet përmendur lidhur me këto ndryshime ka qenë edhe shpikja e Viagrës dhe përdorimi i internetit apo digjitalizimi i jetës. Nëpërmjet tyre, meshkujt u bënë më të interesuar dhe më aktivë edhe për jetën seksuale”.

Sipas një studimi të bërë nga Mark Clements në vitin 1996, ku u përfshinë 1604 persona midis moshës 50-97 vjeç dhe u pyetën për aktivitetin e tyre seksual, rezultoi se 52% e meshkujve dhe 30% e femrave kishin ende aktivitet seksual.

Ata kryenin marrëdhënie seksuale me një shpeshtësi mesatare 2 deri 3 herë në muaj. Individët pohuan se kënaqësinë dhe pasionin për të kryer aktivitetin seksual e kishin njësoj si në moshën e re, madje disa prej tyre ndiheshin shumë më mirë se në atë kohë. Në 10 akte seksuale ata kishin një orgazëm të plotë në 80% për burrat dhe në 50% te gratë. Në vitin 2009, pas një studimi të Jacoby, pasi u intervistuan 1292 persona të moshave 50 deri 80 vjeç, u konfirmua një aktivitet seksual 2 herë në muaj. 70% e këtyre individëve referuan se kishin të njëjtën cilësi të aktivitetit të tyre seksual si në moshën e re.

Ndërsa sipas Dr.Danit, në një vëzhgim të tijin klinik, vihet re se “gjatë vitit 2013, për rritjen e aktivitetit të tyre seksual, janë konsultuar 982 meshkuj të moshës nga 50-88 vjeç.

Aktiviteti i tyre seksual ka qenë mesatarisht 1 herë në 7 deri në 10 ditë, për personin 87-vjeçar, kurse për meshkujt në moshë më të re, shtatë prej tyre të moshës 50-60 vjeç, kryenin marrëdhënie seksuale 4 herë në javë. Pra, mesatarja e tyre ishte një herë në javë, kurse dy ekstremet: personi i moshës 78 vjeç kishte aktivitet seksual një herë në 10 ditë, ndërsa 7 persona të moshës 50-58 vjeç e kishin 1 herë në dy ditë. Karakteristike e kësaj moshe është se këta persona ishin të interesuar për të kryer marrëdhënie seksuale me partnerë në moshë më të re, gjë që nuk vihet re te femrat. Vihet re se te kjo grup-moshë, qëndrimi dhe dëshira për të pasur aktivitet seksual te meshkujt është i ndryshëm nga ai i femrave. Studimet tregojnë që femrat, për sa i përket aktivitetit të tyre seksual, janë më pak aktive sesa meshkujt. Nga 50 deri 54 vjeç, 30% e femrave nuk ishin më aktive në marrëdhëniet seksuale. Mbi këtë moshë përqindja rritet shumë. Në moshën 60-vjeçare, 60% e femrave nuk kryenin marrëdhënie seksuale, deri sa zhduket fare dëshira mbi moshën 70 vjeç. Sigurisht, në këtë drejtim, një rol luan edhe gjendja në të cilën kalon gruaja, për shkak të ndryshimeve në menopauzë. Gjithashtu, në uljen e aktivitetit seksual te kjo moshë, duhet të përmendim jo vetëm faktorin psikologjik, por edhe faktorët organikë, si një sërë sëmundjesh, p.sh. diabeti, hipertensioni, obeziteti, duhanpirja, andropauza apo një sërë sëmundjesh të tjera, të cilat janë karakteristike në këtë moshë”. Sot, në diskutimet e shumta të specialistëve andrologë gjithmonë e më shumë flitet për të mbajtur e ruajtur të gjallë aktivitetin seksual në këtë moshë. Diskutime të shumta bëhen për ndërhyrjet në prostatë, në mënyrë që të ruhet aktiviteti seksual, ndërhyrjes operatore të kësaj sëmundjeje apo gjetjen e një skeme të përshtatshme për preparatet që përdoren për kurimin e hipertensionit, në mënyrë që të parandalojmë çrregullimet seksuale që mund të japin këto preparate, si efekt sekondar. Qëllimi kryesor është që dhe kjo moshë të ruajë aktivitetin seksual, në funksion të rritjes së cilësisë së jetës.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top