Studim

April 10, 2020 | 8:03

Genta Ruçi: Qëndrimi në shtëpi është momenti më i mirë për t’u mësuar fëmijëve aftësimin praktik

 

Në këto ditë aspak të zakonshme për secilin prej nesh, është e nevojshme t’u kushtohet vëmendje përjetimeve emocionale të fëmijëve e veçanërisht fëmijëve me Aftësi Ndryshe. Jemi përballë një situate të pazakontë dhe të panjohur, përballë “kushteve” që duhet të ndjekim me përpikmëri dhe që na ndajnë nga përditshmëria jonë, nga njerëzit tanë më të dashur, nga ajo që quajmë “të zakontë”.

Msc.Genta Ruçi, Psikologe Shkollore, dhe për fëmijë me Çrregullim të Spektrit Autik

Msc.Genta Ruçi, Psikologe Shkollore, dhe për fëmijë me Çrregullim të Spektrit Autik

Ndodhemi vazhdimisht nën trysninë e informacioneve të shumta, të frikshme dhe të ndikuar nga përjetime emocionale, të cilave nuk u vendosim dot emër. Përballë një situate të tillë, ndjesitë dhe reagimet e fëmijëve janë nga më të ndryshmet. Disa prej tyre e shprehin me mungesë vëmendje, përqendrimi, ankth, zemërim, problematika me gjumin, me të ngrënit, me sjelljet etj. Po për fëmijët me Aftësi Ndryshe situata paraqitet edhe më e ndërlikuar. Duhet marrë parasysh fakti se vështirësitë në përshtatje janë më të mëdha dhe ndryshimi i rutinës mund të shoqërohet me shumë pasoja në sjellje për këta fëmijë, ndaj është e domosdoshme që t’u gjendemi pranë prindërve të tyre dhe t’i orientojmë në vazhdimin e punës edhe në kushte shtëpie. 

Më poshtë do listoj disa mënyra të thjeshta dhe praktike se si mund të punohet me fëmijët dhe si mund t’ua bëjmë më të lehtë e të pranueshme situatën:

1.Siguroni vëmendjen dhe përqendrimin e fëmijës nëpërmjet lojërave të thjeshta, realizimit të një puzzle, imitimit me kuba,  lojërave ndërtuese.

2.Vizatoni dhe ngjyrosni figura sipas modelit dhe realizoni ushtrime për aftësimin grafik.

3.Përdorni libra me figura, libra të vjetër, revista, materiale ku mund të gjeni sa më shumë figura, për të emërtuar, për të treguar funksionet e objekteve, për të kategorizuar. 

4.Nxitini në komunikim, duke realizuar pyetje me ku, kur, kush, ç’bën, etj… dhe për çdo përgjigje të saktë fëmija merr një shpërblim.

5.Angazhojini me aktivitete në shtëpi, orientojeni nëpër dhoma, të gjejë objektin e fshehur nëpër vende të ndryshme. Të listojë objekte që shikojmë në një dhomë dhe objektet që shikojmë në një dhomë tjetër. Gjithçka mund të përdoret në funksion të komunikimit dhe në mënyrë argëtuese. 

6.Realizoni vakte (emërtoni përbërësit) dhe punë të thjeshta në shtëpi së bashku. Lejoni fëmijët të kryejnë në mënyrë të pavarur disa veprime të thjeshta në kuzhinë.

7.Duke qenë se nxitimi për të shkuar në shkollë nuk është, përdoreni këtë kohë si nxitje që fëmija të realizojë në mënyrë të pavarur kujdesin ndaj vetes, veshjen, ushqyerjen, sistemimin e sendeve personale etj.

8.Sipas aftësive akademike që fëmija zotëron, realizoni në shtëpi disa ushtrime të thjeshta në përputhje me lëndët mësimore.

9.Në përputhje me zhvillimin e çdo fëmije, përdorni si teknikë relaksuese dhe muzikën (të mësojë një këngë, të ndjekë ritmin) apo disa aktivitete fizike. 

10.Është shumë e rëndësishme t’i mbajmë fëmijët sa më larg pajisjeve elektronike dhe medias, dhe të realizojmë sa më shumë veprimtari së bashku. 

Përforconi vazhdimisht arritjet dhe sjelljet e përshtatshme, dhe inkurajoni Aftësimin Praktik.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top