FB

January 12, 2023 | 8:35

Gjuha, letërsia dhe kultura / Nevoja për thellimin në përvetësimin e gjuhës amtare

Zhvillimi i individit është një proces kompleks që nis në periudhën prenatale dhe vazhdon përgjatë gjithë hapësirës jetësore të tij. Zhvillimi ndodh në disa dimensione siç janë: zhvillimi fizik, motorik, konjitiv, perceptues, social, emocional, moral, gjuhësor, etj. Të gjitha këto dimensione janë të ndërthurura dhe ndihmojnë zhvillimin e njëri-tjetrit. Zhvillimi mund të ndodhë vetvetiu, si pasojë e maturimit, që është procesi i rritjes, i kontrolluar gjenetikisht. Në anën tjetër gjithashtu, ai ndikohet nga praktikat e përshtatshme të mirërritjes dhe stilit të jetesës, të cilat mund ta nxisin dhe përshpejtojnë, ashtu sikurse praktikat dhe stilet e jetesës të papërshtatshme mund ta pengojnë apo ngadalësojnë atë.

ilia-larti

Nga Prof.Assoc.proc.Doc.Dr. Ilia S. Larti

Psikologë dhe teoricienë të ndryshëm të fushës së zhvillimit mbështetur në studime vit pas viti kanë mbështetur njërën apo tjetrën prej këtyre përfundimeve të zhvillimit si: Natyrën (prirja e trashëguar gjenetike për zhvillim) apo mirërritjen (kushtet mjedisore që influencojnë zhvillimin), si faktorë kryesorë ndikues të procesit të zhvillimit. Ata që besojnë në prirjet natyrore kanë tendencën të presin që fëmijët të arrijnë faza të caktuara zhvillimi në të njëjtën kohë për shkak të maturimit. Në të kundërt, ata që besojnë në mirërritjen – inputin mjedisor, theksojnë ndikimet e jashtme mjedisore mbi individin.

Kohët e fundit studiuesit gjithnjë e më shumë po bashkojnë idetë e tyre në një mendim të vetëm, që i ndërthur të dyja, e cila mbështet idenë se në të vërtetë, të dy këta faktorë janë të lidhur ngushtësisht me njëri-tjetrin. Ky mendim e ri sjell idenë se, realisht është natyra e cila përmes mirërritjes, sjell zhvillimin e shëndetshëm të individit. Pra, ky mendim i ri sqaron se, prirjet gjenetike stimulohen nën disa kushte optimale mjedisore për të arritur nivele më optimale zhvillimi.

k-7

Mirërritja ndikon zhvillimin nëpërmjet sferave të ndryshme: fizike – duke ofruar ushqim të shëndetshëm, aktivitet fizik apo duke shmangur stresin. Konjitive – duke ofruar eksperienca informale dhe udhëzime formale stimuluese të proceseve. Konjitive dhe sociale – duke ofruar modelet e ndërveprimit të të rriturve dhe marrëdhëniet me bashkëmoshatarët. Kjo kumtesë, ka në fokusin qendror- zhvillimin gjuhësor, si dimension i sferës konjitive.  Kështu në këtë sens argumentohet pikërisht në kuadrin e këtij mendimi të kombinuar midis natyrës dhe mirërritjes duke vënë theksin në idenë se, zhvillimi i fëmijëve mund të stimulohet, nxitet dhe përshpejtohet nëpërmjet teknikave të përshtatshme të mirërritjes. Më specifikisht, në këtë leksion do të përcillet mendimi sesi mund të përmirësohet përvetësimi i aftësive gjuhësore nga një prej faktorëve që e ndikojnë dhe nxisin atë, siç është leximi për fëmijët dhe nga të rriturit, apo siç njihet ndryshe edhe leximi me zë apo leximi i përbashkët, pasi fëmijët kanë arritur një fazë të caktuar të zhvillimit të tyre natyral. Për të plotësuar argumentet e qasjes së ndikimit të natyrës në zhvillim, në këtë leksion, mosha në të cilën është vendosur të studiohet zhvillimi gjuhësor është mosha parashkollore. Kjo moshë përkon me fëmijërinë e hershme, nga mosha 2 deri në 6 vjeç. Mosha parashkollore quhet mosha përpara fillimit të shkollimit formal, ku fëmijët mund të marrin një program edukimi të organizuar (programi parashkollor-kopshtet). Gjithashtu, shumica e studimeve mbi të mirat e leximit të librave, janë zhvilluar me fëmijë që janë të paktën 2 vjeç për arsyet që do të shpjegohen edhe më tej në këtë disertacion. Është e pashmangshme të mos evidentohet ndikimi që zhvillimi gjuhësor ka nga natyra, pasi fillimisht duhet që individi të ketë funksionale qendrat e të folurit të lokalizuara në zonën e Brokës në lobin frontal si dhe të ketë një aparat të foluri të zhvilluar plotësisht dhe pa defekte. Vetëm pasi është plotësuar kushti biologjik i këtij zhvillimi, mundet që zhvillimi gjuhësor të mbështetet nga mirërritja dhe mjedisi social. Individët duhet të dëgjojnë gjuhën e folur që të mund të mësojnë e të imitojnë atë. Zhvillimi gjuhësor, në të vërtetë, është zhvillimi i shumë pjesëzave të një sistemi gjuhësor që duhet të evoluojë dhe të punojë në një rend për të përmbushur “rezultatin” e të folurit human. Pra, gjuha, më specifikisht gjuha e folur, mund të thuhet se mësohet nga ndërveprimi me të rriturit që kujdesen për individin (prindërit apo kujdestarët parësorë). Eksperienca e vazhdueshme, kontakti sa më i hershëm me tingujt dhe ushtrimi i shprehive gjuhësore nevojiten për të mësuar gjuhën që fëmija do të flasë.

k-5Gjuha e folur është një rrjet kompleks i dijeve dhe lëvizjeve të koordinuara, pavarësisht se shpesh konsiderohet një aftësi. Ajo i lejon individët të komunikojnë me njëri-tjetrin duke folur dhe dëgjuar. Ky kompleksitet i procesit e bën gjuhën të ndërfutet në shumë disiplina. Për të vlerësuar sesi mësohet kjo aftësi komplekse studiuesit, sot, bashkojnë qasjen natyrore me qasjen e mirërritjes, të cilat ende lënë vend për pikëpyetje, në një tjetër rrymë të zhvillimit gjuhësor. Kjo rrymë e re mbështet idenë se praktika, përdorimi i gjuhës, imitimi dhe korrektimi i gabimeve sa herë që fëmija ndërvepron me të rriturit, sigurojnë përvetësimin gjuhësor në të gjithë komponentët e tij. Fonologjia, morfologjia, semantika, sintaksa dhe pragmatika e një gjuhe nuk mund të mësohen dhe as të ruhen në kujtesë pa u ushtruar në një ndërveprim të vazhdueshëm dhe pa u mbajtur ndezur motori i përdorimit të gjuhës.

 

Njohja konceptualitetit dhe përkufizimit për zhvillimin e gjuhës

Çfarë është zhvillimi gjuhësor?

Zhvillimi gjuhësor është një proçes i hershëm në jetën e çdo individi, nëpërmjet të cilit çdo individ arrin të kuptojë dhe të përdorë gjuhën për të komunikuar që në fëmijërinë e hershme.

Çfarë nënkupton zhvillimi i gjuhës në moshë të hershme?

Periudha moshore nga 0-6 vjeç është periudha më e rëndësishme që fëmija zhvillon gjuhën e tij. Janë 2 zona përgjegjëse në trurin tonë për zhvillimin gjuhësor, zona Broca dhe Wernicke, të cilat i korrespondojnë zhvillimit të gjuhës receptive (të kuptuarit të gjuhës, atë çfarë thonë të tjerët) dhe gjuhës ekspresive, (aftësia për ta përdorur gjuhën për të komunikuar). Është e rëndësishme që të ndërtohen baza të forta gjuhësore tek fëmija gjatë kësaj periudhe moshore.

Kur fillon i foluri tek fëmijët dhe sa zgjat zhvillimi i tij?

Periudha më e rëndësishme është 0-6 vjeç. Fëmijët fillojnë me gugatjet në muajt e parë të jetës, pastaj kemi belbëzimet nga 6 muaj deri në 1 vjeç, kur fillojnë fjalët e para. Veçojmë moshën 3-vjeçare që ndodh shpërthimi i parë gjuhësor dhe moshën 6 vjeç që fëmija ka formuar gjithë bagazhin e tij gjuhësor.

Cilat janë fazat që kalon zhvillimi gjuhësor?

Janë disa faza, faza paragjuhësore kur fëmija belbëzon, artikulon tinguj të ndryshëm dhe më pas fillon me rrokjet.

Faza me një fjalë, kur fillojnë fjalët e para, mama, baba.

Faza me dy fjalë, mami ujë, mami topi.

Faza e fjalive të para, fëmijët krijojnë fjali të thjeshta dhe bëjnë pyetje të shumta.

Faza telegrafike, në këtë fazë fëmijët kanë ndërtuar një fjalor të gjerë me fjalë dhe i përdorin ato me qëllim.

Dhe faza e fundit, faza e rrjedhshmërisë, fëmijët dëshirojnë të flasin më shumë, shprehin mendimet dhe idet e tyre.

Cilët janë faktorët që ndikojnë në zhvillimin e gjuhës tek fëmijët?

Ka një sërë faktorësh që ndikojnë, ambienti familjar, ai kulturor dhe shoqëror janë shumë të rëndësishme. Zhvillimi konjitiv dhe maturimi i trurit është një faktor individual, i cili është i ndryshëm tek çdo fëmijë. Në mënyrë të përmbledhur, çelësat kyç të zhvillimit gjuhësor janë: edukimi i shëndetshëm, ngrohtësia dhe afrimiteti në shoqëri.

Gjuha e folur është një rrjet kompleks i dijeve dhe lëvizjeve të koordinuara, pavarësisht se shpesh konsiderohet një aftësi. Ajo i lejon individët të komunikojnë me njëri-tjetrin duke folur dhe dëgjuar. Ky kompleksitet i procesit e bën gjuhën të ndërfutet në shumë disiplina. Për të vlerësuar sesi mësohet kjo aftësi komplekse studiuesit, sot, bashkojnë qasjen natyrore me qasjen e mirërritjes, të cilat ende lënë vend për pikëpyetje, në një tjetër rrymë të zhvillimit gjuhësor. Kjo rrymë e re mbështet idenë se praktika, përdorimi i gjuhës, imitimi dhe korrektimi i gabimeve sa herë që fëmija ndërvepron me të rriturit, sigurojnë përvetësimin gjuhësor në të gjithë komponentët e tij. Fonologjia, morfologjia, semantika, sintaksa dhe pragmatika e një gjuhe nuk mund të mësohen dhe as të ruhen në kujtesë pa u ushtruar në një ndërveprim të vazhdueshëm dhe pa u mbajtur ndezur motori i përdorimit të gjuhës.

k-6

Procesi i zhvillimit gjuhësor të fëmijës fillon me një fazë paralinguistike, e cila është një fazë biologjike, e lindur. Në këtë fazë, fëmija dëgjohet të belbëzojë tingujt e parë. Tingujt e lëshuar nga foshnja gjatë kësaj faze janë bashkëtingëllore të buzëzuara të cilat ndodhin si pasojë e dy faktorëve: buzët përtace të një foshnje dhe gjirit të nënës. Kështu fëmijët fillojnë me tingujt me gojë të mbyllur [mmm], [bbb], [ppp] dhe e hapin gojën plotësisht në zanoren e zëshme [a] për të prodhuar tingujt dhe fjalët e para [ma-ma], [ba-ba].

Kështu, pas tingujve të rastësishëm e të pavullnetshëm, për të iniciuar krijimin dhe më pas vijuar me pasurimin e leksikut, një fëmijë do të ketë nevojë të dëgjojë fjalët e gjuhës që do të mësojë të flasë. Belbëzimet, rrokjet, fjalëformimet e para të fëmijëve përforcohen nga reagimet entuziaste të prindërve të tyre dhe kujdestarëve parësorë dhe kështu, fëmijët i përsërisin këto fjalë për të rimarrë përforcimet e pëlqyera. Në këtë formë, fëmija ecën me hapa të vegjël e të sigurt drejt gjuhës së tij të parë. Përveç kësaj, fëmijët prezantohen me gjuhën që do të duhet të imitojnë më vonë edhe duke dëgjuar tingujt përreth dhe duke komunikuar me të rriturit, fillimisht dhe kryesisht, që në foshnjëri, me prindërit apo kujdestarët e tyre parësorë. Më pas, duke e zgjeruar më tej komunikimin e përditshëm në moshën e fëmijërisë të hershme me të tjerë të rritur, edukatorë, mësues, të afërm dhe bashkëmoshatarë. Kështu, ditë pas dite, kohë pas kohe, vit pas viti, fëmija regjistron në kujtesë fjalët që dëgjon dhe i përdor ato në kontekste të ngjashme komunikimi.

Fëmijët përvetësojnë gjuhën e folur dhe madje edhe shkrim-këndimin përmes kontekstit linguistik të lojës. Lojërat e hershme simbolike lehtësojnë shfaqjen e këtyre aftësive përmes të kuptuarit konceptual të simboleve që përfaqësojnë kuptimin. Kur prindërit përdorin kontekstin e lojës si një mundësi për të inkurajuar përdorimin e gjuhës te fëmijët e tyre 3-4 vjeç dhe shtrijnë aftësitë e tyre gjuhësore duke përdorur fjalë më të sofistikuara, vërehet se fjalori i fëmijëve të tyre rritet ndjeshëm. Një model tjetër, formal, dhe më i strukturuar e letrar, i vlerësuar si gramatikisht më i saktë dhe leksikisht më i plotë, që fëmijët mund të mësojnë fjalë e shprehi të reja, është duke dëgjuar t’u lexohen libra nga të rriturit që kujdesen për ta. Studimet kanë treguar se fëmijët që përfshihen në lexim të përbashkët me prindërit e tyre zhvillojnë një leksik më të pasur dhe kanë një përshpejtim në zhvillimin e tyre gjuhësor. Megjithatë, ky proces kërkon disa kushte dhe një kohë specifike për t’u zhvilluar. Ekziston një periudhë specifike kur fëmijët kanë aftësi të përthithin dhe përvetësojnë gjuhën e ambientit të tyre në një shpejtësi dhe kapacitet mbresëlënës. Kjo është mosha pas krijimit të një bagazhi me fjalët e para deri rreth klasës së parë.

Përkufizim / Gjuhë: Sistem i veçantë tingujsh, fjalësh, trajtash e rregullash për formimin e fjalëve e për lidhjen e tyre në fjali, i cili është mjeti themelor e më i rëndësishëm që u shërben njerëzve për të mbrujtur e për të shprehur mendimet dhe për t’u marrë vesh njëri me tjetrin në shoqëri. Një sistem i tillë, që është krijuar e zhvilluar historikisht nga një popull dhe që përbën një nga tiparet themelore të një kombësie a të një kombi. Tërësia e fjalëve, e mjeteve gramatikore etj., që përdoren në të folur e në të shkruar sipas kërkesave e veçorive të një norme, të një fushe a të një gjinie. Gjuhë e shkruar (e folur, bisedore, popullore).

Gjuha e fëmijëve / Tërësia e mjeteve për të kumtuar ide, mendime ose ndjenja duke përdorur shenja të caktuara, tinguj, lëvizje ose mjete të tjera shprehëse, që marrin një kuptim konvencional. Gjuha e gjesteve (e gishtave).

Gjuha është tërësia e mjeteve për të kumtuar ide, mendime dhe ndjenja, duke përdorur  tingujt e të folurit (fonemat) dhe morfemat, lëvizjet ose mjete të tjera shprehëse, që  marrin një kuptim konvencional. Gjuha është sistemi kompleks i komunikimit të njerëzve me anën e të cilit u dërgojmë (dhe marrim), mesazhe të të tjerëve dhe të vetvetes. Pra falë gjuhës mund të bisedojmë për të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen.

 

Përvetësimi i teorive të zhvillimit gjuhësor

Teoritë tradicionale të zhvillimit konjitiv

Një teori zhvillimi përshkruan ndryshimet përgjatë hapësirës kohore në një ose më shumë fusha të sjelljes ose aktivitetit psikologjik si, mendimit, gjuhës, sjelljes sociale ose perceptimit. Ekzistojnë ide të ndryshme mbi mënyrën sesi fëmijët mësojnë të flasin dhe të kuptojnë gjuhën. Studiuesit vazhdojnë të studiojnë sesi ky proces mahnitës ndodh kaq shpejt në vitet e para të jetës.

Teoritë tradicionale të zhvillimit konjitiv grupohen në katër kategori:

a.nativiste, postulon se fëmijët kanë një sistem konjitiv të lindur, i cili shpaloset përmes ndërveprimeve me botën.

b.bihejvioriste, mbështetet te mekanizmat e bashkëshoqërimit dhe përgjithësimit të stimujve për të shpjeguar të mësuarit duke iu shmangur diskutimeve mbi përfaqësimet mendore.

c.konstruktivizmit piazhetian dhe mbështetet në idenë e përfaqësimeve mendore komplekse të mësuara përmes ndërveprimeve të fëmijës me botën dhe stadet konjitive të karakterizuara nga forma të ndryshme të përfaqësimeve dhe veprimeve logjike. Një tjetër qasje konstruktiviste, quajtur ndryshe interaksionizëm, është teoria e Vygotskyit, sipas të cilit konjicionet zhvillohen përmes ndërveprimit të fëmijës me sistemin kulturor dhe gjuhësor.

Studiuesi Noam Chomsky i shqyrtoi çështjet që lidheshin me mësimin e gjuhës nga një perspektivë racionale. Ai propozoi se gjuha përbëhet nga dy elementë: kompetenca (sistemi i rregullave që zotërohet nga folësi i gjuhës amtare, njohuria për gjuhën) dhe (përdorimi aktual i gjuhës nga folësi; sjelljet e shumta verbale me të performanca gjithë paqëndrueshmëritë dhe gabimet).

Sipas këndvështrimit të Chomsky-t roli i gjuhëtarit është të studiojë kompetencën linguistike. Sipas tij, mësimi i gjuhës është biologjikisht dhe gjenetikisht i paraprogramuar, dhe nuk varet nga aftësitë intelektuale të fëmijës ose stimujt e mjedisit. Ai konkludoi se fëmijët do të mësonin gjuhën e tyre të parë ose të dytë me sukses edhe nëse nuk do të kushtohej një kujdes i veçantë për t’ua mësuar atë apo për të monitoruar progresin e tyre. Po sipas tij, të gjithë fëmijët kanë të “instaluar” Aparatin e Përvetësimit të Gjuhës. Truri njerëzor sipas tij është i përgatitur prej natyrës për të mësuar gjuhën. Ai besonte se është e pamundur që fëmijët të mësojnë diçka kaq komplekse sa gjuha njerëzore, me këtë ritëm, nëse nuk do të ekzistonte, siç në realitet ekziston, një strukturë gramatikore në qendrat e trurit.

Mësimi i gjuhës mund të shihet si një tranzicion i gjendjes së mendjes në lindje, gjendja fillestare konjitive në një gjendje më të qëndrueshme që korrespondon me njohjen e gjuhës amë.

k-3

Teoria bihejvioriste e zhvillimit gjuhësor

Bihejviorizmi është rryma që ka në kryefjalë të mësuarit përmes sjelljes, imitimit, praktikimit të shprehive. Nëse rastësisht do të pyesnim njerëzit në një park rreth mënyrës sesi e mësojnë fëmijët gjuhën, shanset që shumica e tyre të përgjigjen “duke imituar” janë shumë të larta. Sigurisht që imitimi luan një rol shumë të rëndësishëm. Fëmijët mësojnë gjuhën që dëgjojnë në mjedisin ku rriten dhe jo një gjuhë tjetër çfarëdo. Skinner-i u përpoq të zhvillonte modelin klasik bihejviorist të mësimit të gjuhës në librin e tij të famshëm “Sjellja Verbale”. Sipas Skinner-it, një fëmijë përvetëson sjelljen verbale kur vokalizimet relativisht të pamodeluara, të përforcuara në mënyrë selektive, marrin gradualisht forma, të cilat prodhojnë pasojat e përshtatshme në një komunitet të caktuar verbal. Si përfaqësues i perspektivës bihejvioriste, Skinner-i e hodhi poshtë konceptin e gjuhës (langue) duke e konsideruar atë si një koncept abstrakt dhe përcaktoi se i vetmi koncept që mund të shqyrtohet shkencërisht është fjala (parole).

Skinner-i i shihte fëmijët si “enë bosh” në të cilën mund të “hidhej” gjuha. Ai shtroi idenë se fëmijët e mësojnë gjuhën nga mjedisi i tyre dhe pasojat e veprimeve të tyre (një pikëpamje natyrale e gjuhës). Skinner pohonte se një fëmijë e mëson gjuhën përmes përforcimeve pozitive. Shpjegimi i tij mbi zhvillimin e të folurit ishte se prindërit priren t’i shpërblejnë vokalizimet e foshnjave të tyre duke u kushtuar një vëmendje të veçantë. Kjo rrit shpeshtësinë e përsëritjes së tyre. Gjithashtu, ai pohonte se fëmija nuk do të ketë progres në vokalizime nëse prindërit nuk do të krijojnë sjelljen gjuhësore të fëmijës. Ndonjëherë, aksidentalisht fëmijët prodhojnë tinguj më të njohur si p.sh., ‘babbaba’ dhe prindërit mund të reagojnë të gëzuar duke menduar se fëmija është duke thënë fjalën “baba”. Reagimi i prindërve përforcon tingujt që fëmija sapo ka nxjerrë.

Një tjetër karakteristikë e teorisë së Skinner-it lidhet me idenë e tij se fëmijët imitojnë tingujt e të folurit dhe fjalët e shqiptuara nga prindërit apo kujdestarët e tyre. Këtu përfshihet koncepti i “sjelljes jehonë”, që është rasti më i thjeshtë ku sjellja verbale është nën kontrollin e stimulit verbal.

Mësimi i gjuhës ndodh duke u shpërblyer për këtë imitim. Kjo është mënyra sesi fëmijët mësojnë fjalët e reja. Megjithatë, kjo teori tregon se pa përforcim të imitimit, nuk ndodh mësimi dhe kjo pikëpamje nuk është plotësisht e mbështetur.

Fëmijët nxjerrin, përveç fjalëve të reja, edhe rregullat e sintaksës nga një fjalim përmes të mësuarit vëzhgues. Më pas, ata i përdorin këto rregulla në fjali që nuk i kanë dëgjuar ndonjëherë më parë. Formësimi në mënyrën e prezantuar nga Skinner-i është një proces i gjatë, ndërsa zhvillimi gjuhësor i një fëmije sidomos gjatë vitit të dytë dhe të tretë të jetës është i shpejtë.

k-8

Teoria konstruktiviste e zhvillimit gjuhësor

Disa teoricienë konstruktivistë pranojnë se aftësia për të zhvilluar njohuritë gramatikore buron nga mënyra sesi mendja njerëzore analizon dhe organizon informacionin dhe nuk është domosdoshmërish e lindur. Ajo që i bashkon konstruktivistët është mendimi se fëmijët përfshihen aktivisht në ndërtimin e njohurive të tyre sipas ndikimeve që mjedisi ushtron mbi ta. Piaget, si një konstruktivist me orientim biologjik, pohonte se fëmijët zhvillojnë aftësitë sipas një kornize të paracaktuar. Ndërsa fëmija kalon në stadin tjetër të zhvillimit, biologjikisht të përcaktuar, ai është gati të mësojë konceptin tjetër në çdo pikë të konfliktit konjitiv (të ngritur nga eksperienca e fëmijës) qoftë përmes asimilimit të informacionit në kornizën ekzistuese ose akomodimit të informacionit në një skemë të re.

Piaget shpjegon se egocentrizmi ndikon dhe shërben si një shtysë e rëndësishme për mësimin e hershëm të gjuhës dhe është një faktor kritik në zhvillimin konjitiv me diferencim.

Piaget pranon se strukturat e pranishme në një fëmijë të moshës 14-16 muajsh janë bazat intelektuale mbi të cilat zhvillohet gjuha, ai mohon që këto struktura të jenë të lindura.

Sipas Piaget, të folurit fitohet sapo vendosen simbolet; kjo sepse përdorimi i shenjave, si ai i simboleve, përfshin një aftësi, e cila është krejt e re në lidhje me sjelljen sensoromotore dhe konsiston në përfaqësimin e një gjëje me anë të një tjetre Piaget shton gjithashtu, se imitimi i funksioneve semiotike (aftësia për të përfaqësuar diçka nëpërmjet një shenje ose një simboli ose një objekti tjetër) ndodh në një fazë më të vonuar, kur modeli nuk është më prezent.

Fjalori i fëmijës rritet ndërsa ai luan lojëra në të cilat nevojiten fjalët specifike. P.sh. për t’iu referuar saktësisht konceptit “Më lart!” që do të ndihmonte dikë që hedh topin, ngjitet, apo lëkundet në lisharëse të përmirësohej. Po ashtu, fjalor specifik dhe shpesh të avancuar kanë lojërat e roleve ku fëmijët “luajnë” mësuesin, shitësin, mjekun, etj. Kjo lidhet me konceptin e të folurit të socializuar, pra, përbëhet nga mjedisi social në të cilin fëmijët ndodhen çdo ditë, dhe ku kujdestarët e tyre përshtatin sjelljen e tyre me nevojat e fëmijës.

Në fillimet e veta, Bruner ishte i interesuar në konceptin e kulturës, mënyrën sesi kultura ndikonte në formësimin e mendjes. Kultura është konteksti në të cilin anëtarët kuptojnë dhe vlerësojnë dukuritë dhe ngjarjet. Si e tillë, ajo është një pengesë për orvatjet e mendjes sonë, po ashtu sikurse gjuha jonë amtare kufizon mënyrën sesi ne mendojmë dhe komunikojmë.

Bruner ka pranuar në mënyrë të vazhdueshme se kultura ndërton mendjen, por në fillim theksi ishte në çështjen se çfarë përmbajtje ose çfarë mjetesh ndërtojnë mendjen në mënyrën më funksionale dhe kjo çështje përfshin përpjekjen për mënyra efektive të komunikimit në një përmbajtje të dhënë për nxënësin.

Një nga idetë e tij më të rëndësishme është se nxënësit ndërtojnë teoritë e tyre psikologjike si dhe këndvështrimet e tyre për botën kur përfshihen në aktivitete edukative.

Mbështetur në këndvështrimin e Bruner-it, kur fëmijët përfshihen në një ndërveprim tipik në klasë, duke pasur në qendër, përmbajtjen, nxënësin, mësuesin, në këtë kontekst dallohen së paku tre nivele të eksperiencave të të mësuarit që zënë vend në mendjen e nxënësit:

Niveli i parë është padyshim përvetësimi i asaj që konsiderohet si dije dhe aftësi e vlefshme në kulturën apo shoqërinë ku rritet nxënësi.

Niveli i dytë është njohja e kuptimeve të besimeve, qëllimeve dhe dëshirave të njerëzve të tjerë. Në një nivel sipërfaqësor, të gjithë mësuesit e dinë se nxënësit nxjerrin këshilla të vlefshme nga vërejtjet e tyre për rezultate më të larta. Nxënësit kuptojnë në tonin, shprehjet dhe gjestet e mësuesve, shumë mesazhe me anë të të cilave ata mësojnë sesi veprojnë njerëzit dhe shoqëria, si dhe çfarë pritet nga sjelljet e tyre.

Niveli i tretë është kuptimi që studentët arrijnë përmes komunikimit me mësuesit dhe nxënësit e tjerë, mbi karakteristikat e të mësuarit të tyre, të mbajturit mend, të menduarit dhe të hamendësuarit.

k-2

Teoria interaksioniste (ndërveprimi) e zhvillimit gjuhësor:

Interaksionizëm (ndërveprim) do të thotë që gjuha krijohet nga ndërveprimet sociale, nga ndërveprimi i fëmijës me të rriturin. Për shembull, të rriturit e thjeshtojnë natyrshëm gjuhën me fëmijët e tyre jo sepse ata mendojnë: “unë duhet ta mësoj fëmijën të flasë”, por sepse fëmija kupton dhe reagon ndaj asaj që i rrituri thotë. I rrituri është i ndjeshëm ndaj efektivitetit të komunikimit.

Një prej përfaqësuesve të kësaj qasje është Lev Vygotsky. Sipas tij, zhvillimi i mendimit është i përcaktuar nga gjuha, për shembull mjetet linguistike të mendimit dhe nga eksperiencat socio-kulturore të fëmijës. Pra, mendimi verbal nuk është një formë e lindur natyrore e sjelljes, por përcaktohet nga procesi historik-kulturor dhe ka karakteristika dhe ligje specifike, të cilat nuk mund të gjenden në format natyrale të mendimit dhe të folurit. Gjithashtu, Vygotsky teorizoi se një fëmijë mëson më mirë kur ndërvepron me ata që ndodhen përreth tij për të zgjidhur një problem. Në fillim i rrituri ndërvepron me fëmijën duke i dhënë ndihmesën e nevojshme për të zgjidhur problemin, më pas fëmija bëhet vetë i aftë për të zgjidhur problemin e tij. Kjo është e vërtetë për gjuhën; ndërsa i rrituri flet me fëmijën ky i fundit mëson t’i përgjigjet. Për t’u përsëritur elementet social-kulturore do të duhet që fëmija të imitojë të rriturit dhe sjelljet që vëzhgon përreth. Për të imituar, megjithatë, është e domosdoshme pasja e aftësisë për të kaluar nga diçka që dihet në diçka të re. Fëmija është i suksesshëm vetëm në zgjidhjen e problemeve që janë të të njëjtit nivel vështirësie me ato që do të mund të zgjidhte vetëm.

Zona në të cilën fëmija zhvillon një veprim apo një detyrë, siguruar dhe ndihmuar nga personi me më shumë dije apo aftësi, në teorinë social-kulturore të Vygotsky-t njihet si “Zona e Zhvillimit të Përafërt” (ZZhP). Kjo zonë përkufizohet si “distanca midis nivelit aktual të zhvillimit, i cili përcaktohet nga zgjidhja e pavarur e problemeve dhe nivelit potencial të zhvillimit, i cili përcaktohet nga zgjidhja e problemeve nën drejtimin e të rriturit ose në bashkëpunim me moshatarët më të zotë”. Zona e Zhvillimi të Përafërt përcakton funksionet që nuk janë maturuar, por janë në proces maturimi te fëmija.

Vygotsky, gjithashtu, prezantoi konceptin e skelës – një strukturë mbajtëse që shërben si shkallë për të kaluar nivelet e zhvillimit. Skela është një koncept metaforik i përdorur për të përshkruar mbështetjen ndërvepruese verbale të siguruar nga të rriturit për të orientuar fëmijën drejt ZZhP dhe për të bërë të mundur që ata të marrin përsipër një detyrë që nuk do të mundësohej pa ndihmë. Koncepti i skelës është i përkohshëm dhe mund të vihet në vend, të forcohet, ose të bjerë pak nga pak, ose të hiqet plotësisht, ndërsa fëmija zhvillon njohuri dhe aftësi dhe është gati për të vepruar në mënyrë të pavarur dhe të sigurt.

Skela është metafora që bazohet në premisën vigotskiane të mësimit si një proces social i ndërtuar dhe shpesh i përshtatshëm për të përshkruar ndërhyrjen e mësueses dhe mbështetjen në kontekste të tjera të të mësuarit.

 

Cilësojnë zhvillimin gjuhësor për moshat parashkollore:

Sipas studiuesve të fushës së psikologjisë së zhvillimit, mosha nga 2 vjeç deri në 6 vjeç njihet si mosha e fëmijërisë së hershme ose mosha parashkollore. Ashtu sikurse foshnjat, parashkollorët rriten shpejt, si në aspektin fizik edhe në atë konjitiv. Veçanërisht i dukshëm gjatë viteve të fëmijërisë së hershme është fakti që zhvillimi është i integruar: ndryshimet biologjike, psikologjike, sociale dhe emocionale që ndodhin në këtë kohë janë të ndërlidhura.

Zhvillimi konjitiv në moshën parashkollore

Parashkollorët përbëjnë shembuj të pazakontë të mënyrës sesi ata vetë luajnë një rol aktiv në zhvillimin e tyre konjitiv, veçanërisht në përpjekjet e tyre për të kuptuar, shpjeguar, organizuar, manipuluar, ndërtuar dhe parashikuar. Fëmijët shohin modele të objekteve dhe ngjarjeve në botë dhe më pas përpiqen që t’i organizojnë ato në modele për të shpjeguar botën. Por në të njëjtën kohë, parashkollorët kanë kufizime konjitive. Fëmijët kanë vështirësi të kontrollojnë vëmendjen dhe funksionet e kujtesës, fokusohen në një aspekt të eksperiencës në një moment të caktuar.

Piaget i referohej zhvillimit konjitiv që ndodh midis moshës 2 dhe 7 vjeç si stadi paraoperacional. Në këtë stad, fëmijët rrisin përdorimin e gjuhës dhe simboleve të tjera, imitimin e sjelljeve të të rriturve dhe lojën e tyre. Fëmijët e vegjël krijojnë trillime me fjalët. Ata luajnë lojërat simbolike, mësojnë të përdorin simbolet dhe shenjat, imitojnë, përdorin lojën simbolike, vizatimet, etj. Ai e përshkroi stadin paraoperacional në termat e asaj që fëmijët nuk mund të bëjnë dot. Ai përdori termin operacionale për t’iu referuar aftësive të kthyeshmërisë, veprimeve mendore dhe fizike që shkojnë në drejtime të ndryshme.

Sipas Piaget, fëmijët në këtë stad përdorin të menduarin magjik, i cili bazohet në aftësitë e tyre shqisore dhe perceptive dhe që janë lehtësisht të çorientuara. Fëmijët, kur përfshihen në të menduarin magjik, mund të flasin me prindërit e tyre në telefon, t’u kërkojnë një dhuratë dhe të presin që ajo të vijë përmes telefonit.

Kapaciteti për të qenë egocentrik është i dukshëm tek të gjithë stadet e zhvillimit konjitiv, por ai është më i dukshëm gjatë viteve parashkollore. Parashkollorët mësojnë të rregullojnë tonin e zërit, intensitetit, shpejtësinë për t’u përshtatur me ato të dëgjuesve.

Dy dhe trevjeçarët arrijnë të modifikojnë të folurin e tyre në përpjekje për të komunikuar më qartësisht me fëmijët e tjerë.

Parashkollorët, shfaqin interes të madh për të mësuar. Kjo do t’i çojë në një proces të përshpejtuar të zhvillimit konjitiv. Për shembull, ata do të arrijnë zhvillim të shpejtë të të folurit dhe të njohjes së tekstit, të cilat janë paraprijëse të zhvillimit të aftësive lexuese në fëmijët e vegjël. Fëmijët me kujtesë pune më të zhvilluar do të jenë më të aftë të zhvillojnë gjuhën dhe leximin dhe ta kontrollojnë atë në një nivel sa më të lartë.

Neurobiologjia e gjuhës / Zhvillimi i trurit dhe sistemit nervor gjatë fëmijërisë së hershme vazhdon të jetë mjaft i shpejtë. Sa më mirë të zhvillohet truri dhe sistemi nervor, aq më shumë komplekse janë aftësitë konjitive dhe sjellore të fëmijëve. Lateralizimi (ndarja e trurit në hemisferën e majtë dhe të djathtë) i referohet lokalizimit të funksioneve dhe aftësive të ndryshme në njërën ose të dyja hemisferat.

Kryesisht, gjuha, shkrimi, logjika, matematika mendohet se ndodhen në hemisferën e majtë, ndërsa, kreativiteti, fantazia, aftësitë artistike dhe muzikore ndodhen në hemisferën e djathtë. Pavarësisht, se hemisferat kanë funksione të ndara, këto pjesë të trurit gjithmonë i koordinojnë funksionet dhe punën së bashku. Dy hemisferat e trurit zhvillohen me ritme të ndryshme, ku hemisfera e majtë zhvillohet më plotësisht në fëmijërinë e hershme (2 deri në 6 vjeç) dhe hemisfera e djathtë zhvillohet më plotësisht në fëmijërinë e mesme (mosha 7 deri në 11 vjeç). Hemisfera e majtë dominon më herët dhe më gjatë, kjo shpjegon edhe faktin se pse fëmijët mësojnë gjuhën shumë herët dhe shpejt. Një tjetër aspekt i zhvillimit të trurit është dhe preferenca për përdorimin e njërës dorë më shumë sesa tjetrën. Kjo preferencë përcaktohet në fëmijërinë e mesme. Rreth 90% e popullsisë përdorin dorën e djathtë për të shkruar dhe punuar dhe pjesa tjetër e popullsisë janë mëngjarashë ose kanë preferencë për të përdorur të dyja duart (të majtën dhe të djathtën) njësoj.

Sistemi nervor, po ashtu, pëson një sërë ndryshimesh në fëmijërinë e hershme. Shumica e neuroneve të fëmijës ose të qelizave nervore, formohen që në periudhën prenatale. Megjithatë, qelizat glia (qelizat që mbështesin sistemin nervor, duke rrethuar neuronet), të cilat ushqejnë, izolojnë dhe heqin mbetjet nga neuronet pa transmetuar vet informacion, zhvillohen më shpejt gjatë foshnjërisë dhe fëmijërisë së hershme. Mielinizimi, mbështjellja e neuroneve me membranën mielin, që rrethon, izolon dhe rrit efiçencën e neuroneve, gjithashtu krijohet më shpejt në vitet e para të jetës. Zhvillimi paslindjes, i qelizave gliale dhe membranës mielin shpjegon se pse fëmijët më të rritur kryejnë sjellje që fëmijët e vegjël nuk janë në gjendje t’i bëjnë. 

k-1

Funksionimi neurobiologjik i gjuhës: Aftësitë e gjuhës së folur përbëjnë themelet për zhvillimin e mëtejshëm të aftësive të leximit dhe të shkrimit. Studime të ndryshme diferencojnë aftësitë e të folurit nga aftësitë gjuhësore kur i referohen zhvillimit të leximit dhe shkrimit. Mësimi i leximit në një sistem alfabetik kërkon zhvillimin e hartave konjitive midis tingujve të të folurit dhe shkronjave, i ashtuquajturi parim i alfabetit, dhe kjo varet nga aftësitë e të folurit. Njohuritë më të gjera të gjuhës kërkojnë kuptimin e fjalëve dhe fjalive, për t’i integruar këto në tekste dhe për të mundësuar ndërhyrjet që shkojnë përtej fjalëve të shtypura.

Sistemi nervor funksionon i tëri si një makineri, pjesët e së cilës, janë të gjitha njësoj të rëndësishme për mirëfunksionimin e plotë të saj. Ky sistem funksionon si një qark, në të cilin neuronet lidhen përmes sinapseve dhe krijojnë një rrjetë të komplikuar nëpër të cilën kalon informacioni i ndijuar për tu perceptuar në sistemin qendror, në tru. Deri vonë, njohja e neurobiologjisë së gjuhës është gjeneruar duke studiuar mosfunksionimet si pasojë e dëmtimeve në tru. Kjo metodë studimi ka çuar në pikëpamjen se funksionet kryesore të gjuhës ishin të lokalizuara në hemisferën e majtë dhe se ka dy zona të mëdha në tru, zona e Brokes dhe zona e Vernikes, të cilat janë përgjegjëse për shumicën e funksioneve gjuhësore. Dëmtimi i tyre do të sillte defiçenca gjuhësore: zona e Brokes në prodhimin e gjuhës, zona e Vernikes në perceptimin e gjuhës, kuptimin e fjalëve dhe fjalive. Pra, nga kjo pikëpamje zona e Brokes ishte përgjegjëse për zbatimin e gjuhës dhe zona e Vernikes për perceptimin dhe kuptimin e saj.

Gjuha kërkon që informacioni të mësohet dhe të ruhet në kujtesë: Kujtesa, për më tepër, është një rezultat i këtyre modifikimeve sinaptike. Të nxënit dhe kujtesa janë pjesë e brendshme e të njëjtit rrjet neural dhe jo funksione të ndara të strukturave të trurit. Thënë ndryshe, strukturat e trurit që aktivizohen në të nxënit e një stimuli apo detyre specifike aktivizohen gjithashtu për të kujtuar këtë stimul apo detyrë. Squire dhe Kandel (1999),  shtuan gjithashtu se njerëzit dhe kafshë të tjera të zhvilluara kanë evoluar një sistem të sofistikuar për të mbështetur të nxënit dhe kujtesën e informacionit linguistik dhe jolinguistik. Ky sistem përfshin strukturat e mesme të lobit temporal (strukturën limbike dhe hipokampusin) të cilat janë të përfshira në kujtesën deklarative/eksplicite dhe strukturat cerebrale të përfshira në kujtesën procedurale/implicite. 

Treguesit e trurit për përpunimin e gjuhës: Neurozhvillimi çon në organizimin dhe funksionimin e gjuhës të prodhuar në trurin e të rriturve. Në nivelin përfundimtar të këtij zhvillimi do të plotësohet: a.procesimi fonetik/fonologjik, i cili lidhet specifikisht me perceptimin e të folurit, 

b.procesimi morfosintaktik, i cili fokusohet në përfshirjen e korteksit të përparmë

c.procesimi semantik/i diskursit, i cili fokusohet në kuptueshmëri.

Procesimi fonetik/fonologjik | Analizat e imazheve të perceptimit të të folurit kanë identifikuar një numër marrëdhëniesh ndërmjet strukturave dhe funksioneve të trurit që lidhen me perceptimin e gjuhës. Të tilla janë korteksi parësor dëgjimor dhe korteksi dytësor dëgjimor, të cilat ndihmojnë në procesimin fonetik/fonologjik duke u aktivizuar në sasi të ndryshme për lloje të ndryshme procesimi. Sistemi neurobiologjik i maturuar, që aktivizohet për procesimin fonologjik, përfshin zonat e pasme të trurit për perceptimin e të folurit dhe ndërlidhjen me sistemin motorik. Këto zona kryejnë funksione të ndryshme për hemisferën e majtë dhe atë të djathtë.

Procesimi morfosintaktik | Studimet neurobiologjike tregojnë se pjesët e përparme të trurit luajnë një rol kryesor në procesimin morfosintaktik. Disa studiues mbështesin idenë se ky aktivizim i pjesëve të përparme përfaqëson proceset e ndërtimit të strukturës, ndërsa të tjerë mbështesin idenë tjetër se ky aktivizim reflekton integrimin e sintaksës dhe semantikës.

Studimet imazherike dhe neurofiziologjike tregojnë se, janë pjesët ballore të hemisferës së majtë, përfshi zonën e Brokes dhe strukturat subkortikale të ganglias që aktivizohen në procesimin morfosintaktik.

Procesimi semantik/i diskursit | Studimet klinike kanë treguar se pjesët e pasme të trurit, veçanërisht zona e Vernikes, janë kontribuuesit kryesorë të procesimit semantik dhe të diskursit. Megjithatë, studimet e kohëve të fundit me të rritur të popullatës joklinike, tregojnë se në këtë proces janë të përfshira edhe zona të përparme të trurit. Studimet imazherike kanë treguar se zona të ndryshme ballore dhe të pasme të korteksit aktivizohen gjatë procesimit semantik dhe se ky aktivizim është sistematik dhe i parashikueshëm nga pikëpamja e karakteristikave semantike dhe sensoromotore. Disa zona të hemisferës së majtë përpunojnë karakteristikat semantike të një fjale, ndërsa hemisfera e djathtë aktivizohet për përpunimin pragmatik të diskursit.

 

Cilësimi i Etapave të zhvillimit gjuhësor

Zhvillimi fonologjik: Para se të fillojnë të flasin foshnjat prodhojnë lloje të ndryshme tingujsh. Në muajin e parë të jetës komunikimi nuk ngjason me gjuhën e folur: tingujt e përdorur janë të qarat, kolla, dihatjet ose gromësimat. Rreth 2-3 muajsh, fëmijët vokalizojnë tingujt e parë të cilët janë zanore të gjuhës dhe, aty rreth moshës 6-7 muajsh, shumica e foshnjave bashkojnë disa tinguj zanorë dhe bashkëtingëllorë, të cilët megjithëse nuk kanë ndonjë kuptim të plotë, ngjasojnë me tingujt e rrokjeve të fjalëve të përdorura nga të rriturit; ma, ba, da, etj. Kjo është faza e belbëzimit, në të cilën prej muajit të 6 deri në muajin e 12 foshnjat do të prodhojnë tinguj të të gjitha gjuhëve të botës. Linguisti Rus, Roman Jakobson shpjegoi se vokalizimet më të hershme të foshnjave në të gjithë botën janë zanoret e pabuzorëzuara të hapura, [a]. Më tej, ata fillojnë të eksperimentojnë me tinguj të tjerë, të lehtë, bashkëtingëllorë. Të përbëra nga bashkëtingëlloret buzore [b], [p], [m] dhe zanoret e pabuzorëzuara të hapura, fëmijët krijojnë belbëzimet e tyre të para [ma-ma], [ba-ba], [pa-pa], të cilat përforcohen nga prindërit të cilët reagojnë të lumtur ndaj këtyre “thirrjeve”. Në të vërtetë fëmijët nuk e dinë se çfarë po thonë dhe as nuk janë duke shprehur ndonjë dashuri të veçantë për nënat apo baballarët e tyre. Fjala “mama”, për fëmijën në këtë moshë nuk do të thotë “Të dua nënë, që sakrifikon për mua dhe më do kaq shumë’, fjala “mama”, në këtë rast, do të thotë “ushqim”. Pra, në rastin e tingullit në formë fjale [ma], lidhja mes tingullit [ma] të prodhuar nga fëmija dhe fjalës së vërtetë [mama] kuptohet se vokalizimi i pakuptimtë i fëmijës mund të transformohet në një fjalë me kuptim me një lehtësi të madhe. Gjatë periudhës para-linguistike, fëmijët vijojnë të jenë të ekspozuar ndaj gjuhës së të rriturve dhe fillojnë të formojnë përfaqësimet dhe skemat që do të mundësojnë ata të kuptojnë dhe prodhojnë gjuhën e tyre. Për më shumë ata dëgjojnë belbëzimet e tyre, të cilat sipas Vihman140 shërbejnë si bazë për të lidhur lëvizjet e tyre artikuluese me sinjalin akustik të prodhuar si rezultat. Prindërit do të përforcojnë tingujt që foshnjat belbëzojnë dhe kështu, në moshën 7 muajsh, ato do të bëhen të vetëdijshme për kuptimet e tyre dhe do t’i përsërisin sërish. 

Nga belbëzimet te fjalët: Fëmijët, tipikisht, prodhojnë fjalën e tyre të parë rreth moshës 1 vjeç, dhe fjalët dhe belbëzimet bashkekzistojnë edhe për disa muaj të tjerë më vonë. Ata shumë shpejt arrijnë në një repertor prej 25-50 fjalësh. Studimet longitudinale mbi belbëzimin dhe fjalët e para tregojnë se modelet individuale të prodhuara si forma tingujsh apo forma rrokjesh dhe gjatësia e vokalizimit shpesh rrisin progresin deri te fjalët e para të fëmijës. Koha e udhëtimit të fëmijës nga shqiptimi i fjalës së parë me kuptim deri në krijimin e një fjalori me rreth 50 fjalë karakterizohet nga një “inventar fonetik” i strukturave të thjeshta dhe të vogla një-rrokësh, me bashkëtingëllore dhe zanore. Inventarët fonetikë janë analiza të pavarura të të folurit të dyvjeçarëve pa iu referuar modeleve të të rriturve. Ato tregojnë se te foshnjat janë prezent disa elementë bazikë të sistemit të të rriturve, megjithëse sistemi i fëmijës nuk është i plotë. Nga studimi i strukturave fonetike të prodhuara nga 13 fëmijë të moshave 18, 21, 24 dhe 27 muajsh, Zmarich dhe Bonifacio arritën në përfundimin se inventarët fonetikë rriten sistematikisht në përmasa dhe kompleksitet. Fëmijët do të shfaqin vështirësi në shqiptimin e tingujve fërkues si [s], [z], [r] ose [l]. Me kalimin e kohës, ata do të shtojnë fjalë si top, pop, mirë, keq, dhe bashkëtingëllore si [v], [r], [ç], të cilat janë tinguj që do të kërkojnë edhe disa kohë më shumë për të arritur shqiptimin e rregullt. 

Zhvillimi fonologjik përtej fjalës së parë: Përfundimi i fazës të fjalës së parë, rreth muajit të 18 të lindjes, shënohet nga një rritje shumë e shpejtë e numrit të fjalëve në fjalor. Kjo fazë pasohet nga fjalitë/frazat me dy fjalë. Rreth muajit të 24 (2 vjeç), një fëmijë tipik ka një fjalor që prodhon rreth 250 – 350 fjalë dhe do të fillojë të ndërtojë fjali shumë-fjalëshe. Në këtë periudhë, sistemi fonologjik i një fëmije mund të përshkruhet në dy mënyra: nëpërmjet një analize “të pavarur”, me fokus në prodhimtarinë e fëmijës pa iu referuar modelit të të rriturve, ose nëpërmjet një analize “marrëdhënore”, që krahason prodhimtarinë e fëmijës me modelin e të rriturit. Tipikisht, nga mosha 18 deri në 28 muajsh, fëmijët zhvendosen nga periudha e fjalës së parë në atë që quhet “vrulli i fjalorit”. Në këtë pikë, përvetësimi i leksikut, befas, bëhet më i shpejtë, duke shtuar nga një fjalë të re në disa ditë deri në disa fjalë për çdo ditë. Gjithashtu, përvetësimi i leksikut bëhet edhe më sistematik. Fjalët marrin kuptimin e tyre konvencional, marrin shqiptimin e duhur dhe lidhen me njëra tjetrën në një mënyrë sistematike. Fëmijët në këtë moshë fillojnë të përdorin të folurin telegrafik përdorimi i frazave me dy fjalë. Këto fraza janë të përbëra nga emra dhe folje, por duke përjashtuar fjalët funksionale, shumësin dhe kohët e ndryshme. Të folurit fillon në disa aspekte me foshnjat, dhe zgjerohet e bëhet më fin në pubertet dhe adoleshencë. Një folës i rritur mund të prodhojë shtatë deri në tetë rrokje në sekondë dhe çdo rrokje mund të përmbajë dy ose më shumë fonema. 

Përzgjedhja e leksikut në të folurin e hershëm: Belbëzimet janë vërejtur se transformohen në një të folur me kuptim duke krijuar themelet e elementeve të para leksikore. Studimet mbi fonologjinë dhe leksikun tregojnë se fëmijë të ndryshëm shfaqin modele të përzgjedhjes dhe shmangies së leksikut të cilat i bazojnë në preferencat dhe aftësitë e tyre fonologjike. Ata zgjedhin, sipas mundësive, bashkëtingëllore fishkëllore (mbylltore të shurdhëta – alveolare dhe paraqiellzore) si [s] dhe [sh] siç përshkruhet nga Ferguson dhe Farwell. Evidencat eksperimentale për fenomenin e përzgjedhjes dhe shmangies së leksikut vijnë nga një sërë studimesh mbi mësimin e fjalëve të reja të realizuara nga Leonard dhe kolegët e tij. Këto studime tregojnë se fëmijët e vegjël janë më të predispozuar për të prodhuar fjalë të reja të cilat kanë karakteristika të përbashkëta dhe të qëndrueshme me fonologjinë e tyre ekzistuese “fjalë të brendshme” sesa fjalë me karakteristika fonologjike që nuk janë të pranishme në fonologjinë e tij “fjalë të jashtme”. Këto studime provojnë influencën e fonologjisë në përvetësimin e leksikut gjatë periudhës së parë, të 50 deri në 100 fjalëve të para. 

Modelet leksiko-fonologjike përtej periudhës së fjalëve të para: Marrëdhënia midis fonologjisë dhe zhvillimit të leksikut vazhdon edhe pas fazës së 50 fjalëve të para. Ndërsa fjalori i fëmijës zgjerohet, influenca e përzgjedhjes së leksikut duket se bie. Marrëdhënia fonologji-përvetësim tregon se fjalori nuk zhduket por merr një formë tjetër. Pas fazës së 50 fjalëve të para, Stoel-Gammon dhe Sosa, në punën e tyre, vërejtën një marrëdhënie të fortë mes numrit të fjalëve në fjalorin e prodhuar nga fëmija dhe kompleksitetit të inventarit të tyre fonologjik.

Fëmijët me fjalor më të pasur priren të kenë një inventar më të gjerë tingujsh të të folurit dhe strukturave të rrokjeve sesa fëmijët që prodhojnë më pak fjalë. Fëmijët priren të përsërisin fjalët që dëgjojnë nga prindërit e tyre gjatë komunikimit të përditshëm, në çdo kohë, por të rriturit nuk kanë gjithnjë të folur të strukturuar e të pasuruar me fjalë të reja. Ata kufizohen në disa fjalë që i përdorin rëndom dhe nuk i zëvendësojnë me sinonime të tyret, siç mund të gjenden në librat letrarë. Madje, disa fjalë mund të mbeten të fshehura e të mos hasen në komunikimin e përditshëm si pasojë e mungesës së ngjarjeve specifike që lidhen me to. Nëse një prind kur kthehet në shtëpi flet për punën e tij/saj apo e pyet fëmijën si i shkoi dita në kopsht, të dy palët do të përdorin në këtë diskutim bagazhin e leksikut që disponojnë pa u përpjekur ta zgjerojnë atë. Hart dhe Risley zbuluan ndryshime të dukshme në sasinë dhe cilësinë e të folurit nga njëra familje në tjetrën. Ky ndryshim ndikohej nga niveli social-ekonomik i familjeve. Gjetjet e studimit të tyre treguan se fëmijët përdornin 86-98% fjalë të njëjta me prindërit e tyre. Ata llogaritën se, me këtë ritëm, një fëmijë katër vjeçar nga një familje intelektuale do të kishte afërsisht dyfishin e fjalorit të një fëmije të së njëjtës moshë nga një familje punëtore. Mosha parashkollore, mbështetur mbi këtë skemë të zgjerimit të inventarëve fonologjikë dhe leksikut, do të ketë ndikim në të ardhmen akademike të fëmijës. Për rrjedhojë, është me rëndësi që ai të ndihmohet të zotërojë fjalor dhe teknika gjuhësore të prezantuara nëpërmjet librave. Kjo, do ta ndihmojë, gjithashtu, të zhvillojë metoda të të mësuarit. Në po të njëjtën kohë, fëmija mëson mënyrën sesi të shprehet dhe të artikulojë mendimet dhe ndjesitë, gjë e cila ndikon edhe më vonë në vazhdimësinë dhe ecurinë e tij në sferat emocionale, ndërpersonale, akademike, etj. 

Synimi bisedues-Pragmatika: Qëllimi final i mësimit dhe përvetësimit të gjuhës është, padyshim, përdorimi i saj në biseda me të ngjashmit. Kjo do të thotë se gjuha ka një përdorim social që përfshin jo vetëm fjalët si zgjedhje të veçanta por edhe mesazhin që do të dërgohet. Përdorimi i shprehive pragmatike do të thotë të flitet me një ton dhe volum të caktuar në një distancë të përshtatshme me dëgjuesin. Shprehitë pragmatike të fëmijëve zhvillohen përgjatë kohës, nga fëmijëria e hershme në moshën e rritur. Këto aftësi fitohen nga eksperiencat jetësore dhe formësohen nga kultura e fëmijës. Rol të rëndësishëm në zhvillimin e këtyre aftësive luajnë edhe të gjithë të rriturit e pranishëm në jetën e fëmijës, të cilët ndikojnë duke monitoruar gjuhën e fëmijës dhe duke shpjeguar forma të pranueshme të shprehjeve në kontekste të ndryshme. Hap pas hapi, fëmijët mësojnë fjalët dhe frazat në kontekstin e kulturës dhe gjuhës së tyre. Sipas modelit social-pragmatik, kur fëmijët dëgjojnë një fjalë të re, ata interesohen fillimisht të zbulojnë se ç’kuptim ka ajo në mendjen e folësit. Kështu, argumentohet se, duke qenë të ndjeshëm ndaj kontekstit të komunikimit, elementëve të sjelljes dhe njohurive të folësit, fëmijët mund të ngushtojnë kuptimin e qëllimeve të folësit dhe për rrjedhojë kuptimet e mundshme të fjalës/ve të përdorur/a.

k-4

Vlerësojnë komponentët përbërës të gjuhës

Si një sistem kompleks, gjuha mund të shpjegohet më mirë duke e ndarë në komponentët e saj funksionalë.

A.Gjuha mund të ndahet në tri komponentë, që jo domosdoshmërish janë të barabartë:

a.forma; b.përmbajtja; c.përdorimi;

Forma përfshin: sintaksën, morfologjinë, fonologjinë, komponentët që lidhin tingujt me simbolet sipas një rendi.

Përmbajtja përfshin kuptimin ose semantikën: Përdorimi njihet si pragmatika. Këta pesë komponentë, gjuhëtarët i kanë përkufizuar si pesë komponentët bazikë (1.sintaksa, 2.fonologjia, 3.morfologjia, 4.semantika dhe 5.pragmatika) që gjenden në gjuhë të ndryshme.

Për të komunikuar idetë ne përdorim disa forma të caktuara që përfshinë njësitë e përshtatshme të tingullit (fonologjia), fjalët e përshtatshme dhe fjalët e vendosura në fillim dhe në fund (morfologjia) sipas një rendi të përshtatshëm (sintaksa) për të shprehur qartësisht mendimin. Mënyra sesi ne e përdorim gjuhën dhe shprehim idetë është nëpërmjet kodimit të tyre (semantika); që përfshin, përdorimin e një simboli, një tingulli, një fjale e kështu me radhë, për të përshkruar një ngjarje, objekt ose marrëdhënie.

Si folës, ne i përdorim këta komponentë për të arritur qëllimin final të komunikimit si: dhënien e informacionit, kryerja e përshëndetjes, dhënien e  përgjigjes (pragmatika).

Fonologjia: Fonologjia është ai aspekt i gjuhës që merret me rregullat që drejtojnë strukturën, shpërndarjen dhe rendin e tingujve të të folurit si dhe rrokjet. Çdo gjuhë përdor një shumëllojshmëri tingujsh ose fonemash. Një fonemë është një njësi e vogël gjuhësore e tingullit që mund të sinjalizojë një diferencë në kuptim. Gjuha standarde shqipe ka: 36 tinguj themelorë ose fonema, 7 zanore dhe 29 bashkëtingëllore.

Në nyjëtimin e tingujve të shqipes standarde marrin pjesë: mushkëritë nga del rryma e ajrit, tejzat e zërit që dridhen ose jo gjatë kalimit të ajrit, qiellza e butë që ngrihet dhe ulet, gjuha dhe buzët që zënë pozicione të ndryshme.

Tingujt klasifikohen sipas rolit që luajnë këto organe të nyjëtimit të tyre. Tingujt e gjuhës standarde shqipe klasifikohen sipas mënyrës së formimit duke vënë në punë mushkëritë, buzët, qiellzën, kordat zanore dhe gjuha. Kështu, zanoret ndahen në të pabuzorëzuara dhe të buzorëzuara. Ato janë të hapura, gjysmë të hapura ose të mbyllura dhe sipas ngritjes së gjuhës drejt qiellzës ato janë të përparme, qendrore ose të prapme. Ndërkohë, bashkëtingëlloret ndahen në: mbylltore, shtegore, hundore, anësore, dridhëse – sipas mënyrë së kapërcimit të pengesës. Ndërsa, sipas vendit të formimit, bashkëtingëlloret e shqipes ndahen në: buzore, dhëmbore, alveolare, paraqiellzore, qiellzore dhe prapaqiellzore. Rregullat fonologjike rregullojnë shpërndarjen dhe renditjen e fonemave brenda një gjuhe. Ky organizim nuk është i njëjtë si në një fjalim, i cili, në të vërtetë, është një veprim mekanik i prodhimit të fonemave. Nëse rregullat fonologjike do të mungonin, shpërndarja dhe renditja e fonemave do të ishte e rastësishme.

Morfologjia: Morfologjia është dega e gramatikës që merret me studimin e formave dhe strukturën e brendshme të fjalëve. Fjalët përbëhen nga një ose më shumë njësi të vogla, të cilat njihen si morfema. Në hierarkinë e rrafsheve gjuhësore, rrafshi i morfemës qëndron një shkallë më poshtë se rrafshi i fjalës, si element përbërës i saj. Një morfemë është njësia më e vogël gramatikore që ka kuptim dhe është e pandashme. Për shembull, gur, po, borë, lule, etj., janë fjalë të përbëra nga një morfemë: fjalë rrënjë (ose rrënjore). Në gjuhën shqipe, morfemat janë rrënjore dhe ndajshtesore. Për shembull, fjala shqipe përfundimtar përbëhet nga katër morfema: fund që është morfema rrënjore, rrënja e fjalës dhe për, -im dhe -tar që janë ndajshtesa që kanë secila kuptimin e vet, pra morfema ndajshtesore. Ndërsa fjalët: punëtor, barkas, mbiemër, kodim, janë fjalë me dy morfema, të përbëra nga rrënjët përkatëse dhe ndajshtesat – tor, -as, mbi-, -im. Përveç këtyre ka edhe disa morfema në gjuhën shqipe që quhen nyja: i, e, të, së. Nyjat qëndrojnë përpara disa fjalëve ose formave të fjalëve dhe shkruhen të ndara prej tyre: i ati, e ëma, i mirë, i keq, të dy, e saj, të vajzës, etj.

Sintaksa: Forma ose struktura e një fjalie rregullohet nëpërmjet rregullave të sintaksës. Këto rregulla specifikojnë fjalët, shprehjet dhe rendin e fjalive të thjeshta apo pjesëzave të fjalive. Rregullat sintaksore përfshijnë gjithashtu, organizimin e fjalisë dhe marrëdhënien midis fjalëve, klasave të fjalëve dhe elementët e tjerë të fjalisë. Sintaksa specifikon se cili kombinim i fjalëve është i pranueshëm dhe gramatikisht i saktë në ligjëratë dhe cili jo. Sintaksa është shkencë e ligjërimit dhe si çdo shkencë, kërkon të shpjegojë dhe përshkruajë. Ajo studion se pse disa kombinime fjalësh janë të rregullta, disa të tjera jo, duke e dalluar sintaksën si atë pjesë të gjuhësisë që interesohet për bashkimet e mundshme të fjalëve dhe për ligjësitë që drejtojnë këto bashkime. Pra, duke studiuar rregullat e lidhjeve të fjalëve në sintagma e më pas në fjali e në periudha, ajo merret me njësi më të mëdha se fjala. Sintaksa lidhet ngushtë me logjikën që merret me studimin e ligjësive të të menduarit dhe me psikologjinë që studion proceset e formimit të mendimit. Ajo përbën ndarjen e dytë dhe të madhe të gramatikës. Njësitë e saj janë gjymtyra e fjalisë, sintagma dhe fjalia. Fjalitë janë fjalë (Iku!) ose bashkime fjalësh (Një tjetër vit iku.) që lidhen ndërmjet tyre sipas disa rregullave gramatikore dhe që bëjnë të njohur diçka, që kumtojnë diçka dhe mbarojnë me një pushim të gjatë. Në gjuhën shqipe ka fjali të thjeshta ose të përbëra. Fjalitë janë të organizuara sipas funksionit të tyre të përgjithshëm, deklarativ, për shembull, fjalitë dëftore dhe format pyetëse të pyetjeve. Elementët kryesorë të fjalisë janë emri dhe shprehjet foljore, secila e përbërë nga një sërë klasash të fjalëve (si emrat, foljet, mbiemrat, etj.). Çdo fjali duhet të përmbajë një frazë emërore dhe një shprehje foljore.

Karakteristikat e detyrueshme të frazës emërore dhe shprehjeve foljore janë përkatësisht një emër dhe një folje. Në frazat emërore dhe foljore, klasa të caktuara të fjalëve kombinohen në një model të parashikueshëm. Për shembull, pjesëzat si i, e, dhe të vendosen përpara emrave për t’u dhënë një kuptim pronor, apo nyja një vendoset për ta bërë emrin të pashquar dhe ndajfoljet mund të modifikojnë foljet. Kështu, fjalitë formohen nga bashkimi i frazave emërore dhe atyre foljore ose duke përmbajtur vetëm njërën nga këto. Folja përbën bërthamën ose bazën e fjalisë. Ajo tregon një veprim a një gjendje. Ndërsa rendi më i zakonshëm i përbërësve të fjalisë në gjuhën shqipe është: kryefjalë + folje + kundrinor ose kallëzuesor, ose rrethanor ose disa prej tyre.

Sintaksa mund të konceptualizohet si një diagram në formën e pemës. Secila sintagmë (frazë emërore apo foljore) e përfshirë në një fjali përmban disa klasa të fjalëve. Në një frazë të caktuar, disa klasa fjalësh mund të hiqen ose të shtohen. Përderisa ka një emër dhe një folje, fjalia është e mundshme. Fëmijët nuk mësojnë përmendësh diagramet; ata mësojnë rregullat për mënyrat sesi t’i ndërtojnë ato. Në gjuhën shqipe, nyjat shndërrohen në tregues gramatikorë të kategorisë së shquarsisë dhe vetëm konvencionalisht përdoret termi nyjë. Kjo e bën diagramin edhe më të degëzuar. Si përdorues të gjuhës, ndonjëherë hasim vështirësi kur duhet të ndjekim rregullat gjuhësore. Kjo zakonisht ndodh në shkrim.

Gjuha e folur është më informale sesa ajo e shkruar dhe më pak e kontrolluar nga rregullat: Rregullat e drejtshkrimit të gjuhës shqipe janë miratuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë në vitet 1970. Në gjuhën shqipe, fjalitë janë të thjeshta ose të përbëra për nga ndërtimi; për nga qëllimi i komunikimit ato mund të jenë dëftore, pyetëse, nxitëse dhe dëshirore dhe për nga forma e fjalisë, ato mund të jenë veprore ose pësore, pohore ose mohore dhe thirrmore ose asnjanëse. Njohja e sintaksës na lejon të njohim që dy fjalitë, Djali gjuajti topin. dhe Topi u gjuajt nga djali., ndërsa kanë një rend të ndryshëm të fjalëve dhe nivelit të kompleksitetit, kanë të njëjtin kuptim.

Semantika: Semantika është sistemi i rregullave që rregullojnë kuptimin dhe përmbajtjen e fjalëve dhe kombinimin e tyre. Ajo është disiplina gjuhësore që studion kuptimin e një gjuhe dhe studimin e planit të përmbajtjes së gjuhës. Tërësia e fjalëve të një gjuhe përbën leksikun e saj, rrafshin gjuhësor që përfshin njësitë me funksion emërtues, të cilat shërbejnë si material ndërtimi për njësitë e rrafsheve më të larta, rrafshit leksikor. Disa njësi fjalësh janë reciprokisht të veçanta dhe të ndara si burrë dhe grua, një qenie humane zakonisht nuk klasifikohet në të dyja këto kategori. Disa njësi të tjera fjalësh mund të mbivendosen si femër, grua dhe zonjë. Jo të gjitha femrat janë gra dhe akoma më pak nga këto janë zonja. Kjo fjalë ose simbol i përdorur nuk përfaqëson realitetin në vetvete por idetë ose konceptet tona rreth realitetit. Në këtë rast është e rëndësishme të bëhet një dallim midis dy njohurive: njohurisë së botës dhe njohurisë së fjalës. Njohuria e botës i referohet kuptimit që buron nga formimi dhe eksperienca e një personi dhe kujtesa e ngjarjeve të veçanta. Ndërsa, njohuria e fjalës përmban përkufizimin e fjalës dhe simbolit duke qenë se është fillimisht verbale. Njohuria e fjalës formon fjalorin ose enciklopedinë mendore të çdo personi. Të dyja llojet e dijeve janë të lidhura me njëra tjetrën.

Dija për botën bazohet në njohjen për fjalët. Fjalët në vetvete përfaqësojnë sende. Raporti midis fjalëve dhe sendeve është një raport referimi (një lidhje), fjalët u referohen sendeve, që ndryshe quhen referentë. Referimi ka të bëjë me ekzistencën ose realitetin, ku kalohet nga përvoja e drejtpërdrejtë e sendeve në botën fizike. Lidhja mes koncepteve dhe sendeve është e brendshme, kurse lidhja e fjalëve me konceptet është arbitrare. Marrëdhënia e këtyre tri elementeve formon një trekëndësh që njihet me emrin trekëndëshi semantik. Njohuria për fjalët si një koncept i përgjithshëm që formohet nga një sërë ngjarjesh dhe përvojash. Kështu, koncepti për qenin është formuar nga një sërë takimesh me raca të ndryshme të qenve, të cilat janë përgjithësuar dhe diferencuar nga konteksti për t’u përdorur gjerësisht. Me shtimin e eksperiencës, njohuria bëhet më pak e varur nga ngjarjet në vetvete. Rezultantja e koncepteve të përgjithësuara formojnë bazën për semantikën apo njohurinë për fjalën. Ndërsa rritemi, konceptet për botën mund të formohen edhe pa eksperiencën e drejtpërdrejtë me ngjarjet. Kuptimi për gjuhën bazohet në atë që ne si individë dimë. Kjo njohuri reflekton jo vetëm individin por edhe interpretimet e kulturës që bëjnë pjesë në këtë njohuri. Për shembull, konceptet zanë, centaur, etj., që nuk mund t’i lidhim me një objekt fizik (referent), i njohim me një ekzistencë të përfytyruar. Krahas referimit, elementet leksikore (fjalët) kanë edhe kuptim. Me “kuptim” kuptohet vendi i fjalës në një sistem marrëdhëniesh, në të cilat ajo hyn me fjalët e tjera të fjalorit. Ato nuk kanë vetëm kuptimin e parë të referentit apo njohuritë interpretuese të kulturës. Ato bëjnë pjesë në një fushë kuptimore dhe një fushë leksikore. P.sh, fjala zjarr ka disa kuptime:

  1. Dru ose qymyr që digjen: (ndez zjarrin, rrotull zjarrit, ka rënë zjarr)
  2. Temperaturë: (ka zjarr)
  3. Zbrazje e një arme: (zjarr!, armë zjarri)
  4. Flakë: (zjarr kashte)
  5. Ndjenjë e fuqishme: (flet me zjarr, dashuron me zjarr)

Çdo kuptim fjale përmban dy pjesë:

1.Karakteristikat e semantikës dhe kufizimet e përzgjedhjes që vijnë nga koncepti kryesor. 2.Karakteristikat e semantikës janë aspekte të kuptimit që karakterizojnë botën. P.sh, karakteristikat e semantikës për nënë përfshijnë prind dhe femër. Një nga këto karakteristika ndahet me babain, kurse tjetra me gruan, por asnjëra nga këto fjalë nuk i përmban të dyja karakteristikat. Kufizimet e përzgjedhjes bazohen në disa karakteristika kryesore dhe ndalojnë kombinime të disa fjalëve, pasi ato janë pakuptim ose të tepërta. Për shembull, nëna mashkull është pakuptim ndërsa, nëna femër është e tepërt. Krahas kuptimit objektiv, është edhe kuptimi subjektiv i karakteristikave apo ndjenjave. Pavarësisht se njohuria semantike për qenin është e njëjtë, por një person mund të jetë përballur me qen të mëdhenj dhe të egër më shumë se dikush tjetër dhe për këtë arsye mund të jetë më i frikësuar.

Gjatë gjithë jetës, përdoruesit e gjuhës mësojnë karakteristika të reja, fshijnë karakteristikat e vjetra dhe riorganizojnë pjesën tjetër për të theksuar kuptimet e fjalëve. Kuptimet e fjalëve janë vetëm një pjesë e semantikës, megjithatë, nuk janë aq të rëndësishme sa marrëdhëniet ndërmjet simboleve. Një marrëdhënie e rëndësishme është ajo e karakteristikave të përbashkëta ose të ndryshme që ato kanë. Sa më shumë karakteristika të përbashkëta kanë dy apo më shumë fjalë, aq më shumë të ngjashme janë ato me njëra tjetrën. Fjalët me karakteristika thuajse të njëjta njihen si sinonime. Sinonimet janë fjalë që kanë të njëjtin kuptim ose kuptim të përafërt: shoh “më kap syri” (shoh mirë; nuk sheh syri sheh mendja), shikoj “hedh sytë në një drejtim” (shiko këtu, shikoj përreth), vështroj “shikoj me vëmendje” (e vështroj në sy, pa vështro a ka ardhur njeri).

Sinonimia në komunikim gjithashtu, mund të jetë e shtrirë dhe e papërcaktuar. Në komunikimin e folur mund të ndodhë të përsëritet po ajo fjalë, aty ku gjuha e shkruar do të gjente sinonimin e përshtatshëm, ose përdoret një fjalë e cila nuk është rregullisht në atë varg sinonimik. Shembuj të përsëritjes janë: rri të rrimë, kush mori, mori, i humburi i të humburve, apo shprehje të figurshmërisë, të cilat përforcojnë sinoniminë: Mjaltë (i ëmbël), Pus (i errët), Korb (i zi), Akull (i ftohtë),etj. Ndërsa, antonimet janë fjalët me kuptim të kundërt. Antonimet janë rrjedhojë e kundërvënies së dukurive, të objekteve që qëndrojnë në pole të kundërta. Për shembull, kundërvënia e dy cilësive: i ri – i vjetër, e dy veprimeve: marr – jap, flas – hesht, e dy dukurive: fitore – humbje. Në gjuhën shqipe antonimet janë dyllojëshe: antonime leksikore (fjalë që kundërvihen njëra tjetrës nga kuptimi) dhe antonime gramatikore (fjalë që krahas kundërvënies kuptimore kanë një ngjashmëri të pjesshme në formë). Përkatësisht, shembuj janë: i ftohtë -i ngrohtë, ngrihem – ulem (antonime leksikore) dhe i ditur – i paditur, mbitoka – nëntoka (antonime gramatikore).

Modeli i marrëdhëniejeve mes fjalëve janë edhe homonimet. Homonime quhen fjalët që shkruhen ose shqiptohen njësoj, por kanë kuptime të ndryshme. Për shembull, akrep (kafshë / i orës), bari (i gjelbër / i kopesë), mbledhje (e punës / në matematikë). Njohuria e karakteristikave të semantikës i mundëson përdoruesit të gjuhës një fjalor të pasur të fjalëve dhe kuptimeve alternative. Në një farë mase, kjo njohuri është më shumë e rëndësishme sesa numri në total i fjalëve në fjalorin e një përdoruesi gjuhe. Rrafshi leksikor lidhet ngushtë me rrafshin fonetik dhe me rrafshin gramatikor, pasi fjala ndërtohet prej fonemash dhe, nga ana tjetër, shërben si material ndërtimi për sintaksën. Kuptimet e fjalive janë më shumë të rëndësishme sesa kuptimet e vetë fjalës pasi fjalitë përfaqësojnë një kuptimi më të madh sesa shuma e fjalëve në të. Një fjali përfaqëson jo vetëm fjalët që formojnë fjalinë, por edhe marrëdhënien midis atyre fjalëve. Përdoruesit e maturuar të gjuhës përgjithësisht kujtojnë kuptimin e fjalisë së tërë më mirë sesa formën specifike të fjalisë.

Pragmatika: Pragmatika është studimi i gjuhës në kontekst dhe përqendrohet në gjuhën si një mjet komunikimi që përdoret për arritur qëllimin social. Me fjalë të tjera, pragmatika e vendos theksin në mënyrën sesi gjuha përdoret për të komunikuar më tepër sesa në mënyrën sesi gjuha është strukturuar. Fjala pragmatikë vjen nga greqishtja dhe lidhet me faktet, me gjërat. Ajo studion marrëdhëniet ndërmjet gjuhës dhe atij që e përdor.

Pragmatika përbëhet nga: 

Qëllimet e komunikimit dhe mënyrat e njohura për kryerjen e tij 

Parimet apo rregullat e dialogimit 

Llojet e diskursit, të tilla si tregimet dhe barsoletat dhe ndërtimi i tyre

Pragmatika e suksesshme kërkon kuptimin e kulturës dhe individëve, pa u thelluar në komponentët e tjerë të gjuhës. Në një komunikim të vlefshëm, të folurit përfshin personat dhe rrethanat e përshtatshme, është i kompletuar dhe zbatohet me korrektësi nga të gjithë pjesëmarrësit duke përmbushur qëllimet e gjithsecilit. “Të lutem më jep një bukë” është e vlefshme vetëm kur i drejtohesh një personi që mund të të japë një bukë në dyqanin e bukës.

Pragmatika, sipas Mey, interesohet për procesin e prodhimit të gjuhës dhe për prodhuesin, jo për produktin përfundimtar. Ajo sheh veprimin. Pragmatika lidhet ngushtë me semantikën duke qenë se kjo e fundit studion kuptimin ndërkohë që pragmatika studion përdorimin. Semantika është pjesë e pragmatikës, pra e dijeve tona për botën dhe përdorimin e gjuhës. Të kuptuarit arrihet duke bashkuar zbatimin e dijeve semantike dhe pragmatike, të cilat së bashku përbëjnë nivelin konceptual. Madje, për shumë gjuhëtarë, pragmatika nuk përbën një fushë të veçantë të përshkrimit të gjuhës, po një ndarje të semantikës. Këta mëtojnë se ndarja në semantikë dhe në pragmatikë është e gabuar, sepse nuk është e mundur të bëhet një studim i drejtë i semantikës duke injoruar faktorët pragmatikë. Rregullat e pragmatikës drejtojnë një sërë ndërveprimesh dialoguese: organizimin vijues dhe koherencën e dialogëve, korrigjimin e gabimeve, rolin dhe qëllimet.

Organizimi dhe koherenca e dialogëve përfshijnë mbajtjen e radhës në një bisedë; hapjen, ruajtjen dhe mbylljen e bisedës; krijimin dhe ruajtjen e një çështje duke dhënë kontributet përkatëse në të. Korrigjimi përfshin dhënien dhe marrjen e reagimeve dhe korrigjimin e gabimeve në një bisedë. Dëgjuesi përpiqet të mbajë folësin të informuar për statusin dhe komunikimin. Nëse dëgjuesi nuk e kupton ose është konfuz, ai/ajo mund ta pyesë atë ose të shfaqë një fytyrë të habitur. Shprehitë e rolit përfshijnë krijimin dhe ruajtjen e një roli dhe ndryshimin e kodeve gjuhësore për secilin rol. Në disa biseda, mund të jemi dominant, për shembull me një fëmijë të vogël dhe në disa të tjera të mos jemi në këtë rol, si për shembull me prindërit. Kështu, e rregullojmë gjuhën në mënyrë të përshtatshme me rolin. Sipas Grice, biseda drejtohet nga “parimi i bashkëveprimit”. Pjesëmarrësit në një bisedë bashkëveprojnë me njëri-tjetrin. Katër maksimat e parimit të bashkëveprimit lidhen me: a.sasinë, b.cilësinë, c.pritshmërinë dhe d.mënyrën. Sasia është dhënia e informacionit si kontribut nga secili pjesëmarrës aq sa kërkohet. Asnjë pjesëmarrës nuk duhet të japë më shumë apo më pak informacion. Cilësia e secilit kontribut duhet të udhëhiqet nga vërtetësia dhe të bazohet në fakte të mjaftueshme. Pjesëmarrësit nuk duhet të thonë ato që i mendojnë të rreme dhe të tjera për të cilat nuk kanë fakte. Maksima e përkitshmërisë tregon se një kontribut duhet t’i përkasë çështjes së bisedës.

Së fundmi, çdo pjesëmarrës duhet të jetë i drejtpërdrejtë, të mos zgjatet dhe të shmangë paqartësitë. Të folurit mund të jetë përshkrues ose jopërshkrues. Ne japim informacione për të përshkruar një ngjarje apo një situatë. Ai është doktor. Lulet janë të bukura. Nga ana tjetër ne bëjmë kërkesa, urdhra, pyetje, thirrje, etj., të cilat bëjnë pjesë në të folurit jopërshkrues.

Tri kategoritë e rregullave pragmatike lidhen me:  Përzgjedhjen e formës së përshtatshme gjuhësore

Përdorimin e formave gjuhësore në përputhje me rregullat e supozuara; Përdorimin e formave rituale

Përzgjedhja e formës midis “Më jep një biskotë.” dhe “A mund të më jepni një biskotë, ju lutem.” ndikohet nga variablat kontekstualë dhe qëllimi i folësit. Njëra mund të funksionojë me një shok, ndërsa tjera me mësuesin.

Karakteristikat e dëgjuesit që mund të ndikojnë sjelljet e folësit janë gjinia, mosha, raca, stili, dialekti, statusi social dhe roli. Apo raste të tjera të përdorimit të formës që sipas rregullave gramatikore nuk është një përdorim i saktë i gjuhës. Për shembull, në gjuhën shqipe ne themi: “Ju jeni e fundit në radhë?. Përemri në shumës “ju”, si rregull, nuk duhet të marrë një përcaktor në njëjës “e fundit”, por kjo ndodh kur ne i drejtohemi një të panjohure me respekt. Të folurit mund të jetë direkt ose indirekt, që reflektohet në formën sintaksore. “Përgjigju telefonit!” është një urdhër direkt ose një kërkesë për të zbatuar veprimin. Nga ana tjetër, një formë sintaksore indirekte nuk reflekton qëllim. Për shembull, “A mund t’i përgjigjeni telefonit?” është një mënyrë indirekte e kërkesës. Ajo që pritet është që dëgjuesi t’i përgjigjet telefonit, jo t’i përgjigjet pyetjes me “po”. Të folurit mund të jetë i fjalë-për-fjalshëm dhe jo i fjalë-për-fjalshëm, ose mund t’i ketë të dyja. Në të folurin e fjalë-për-fjalshëm, folësi nënkupton atë që thotë. Për shembull, pas një ecje shumë të gjatë, folësi mund të thotë “Më dhëmbin shumë këmbët” dhe padyshim që është kështu. Në të folurin jo të fjalë-për-fjalshëm ligjërimi nuk nënkupton atë që folësi ka thënë. Për shembull, kur personi që ka ecur aq shumë, zbulon se mjeti që do ta çojë në shtëpi nuk ka ardhur ai mund të thotë me sarkazëm “Ajo që dua në këtë moment është të vazhdoj të eci për në shtëpi”. Të dy kuptimet, mund të dëgjohen në të njëjtën shprehje “Më pëlqen shumë të shkoj në punë”. Makineria e ndërveprimeve sociale “vajiset” nga sekuencat rituale si: “Si jeni?” dhe “Ç’kemi?”. Këto forma të parashikuara lehtësojnë ndërveprimet sociale dhe pjesëmarrjen e individëve. Të gjithë mund të kenë rastisur të kenë pasur momente shumë të vështira dhe të jenë përgjigjur “Jam mirë. Po ti si je?” – është një përgjigje që është kthyer në një ritual në përshëndetjet e zakonshme. Pragmatika studiohet në dy nivele: Niveli i mikropragmatikës përqendrohet në dukuritë e veçuara, që bashkëveprojnë në komunikim. Ndërsa, niveli i makropragmatikës rrok tablonë më të përgjithshme. Shembujt që i përkojnë janë: referimi, dëftimi, akti i të folurit si njësi studimi themelore dhe biseda si objekt i plotë studimi në kontekst dhe në shoqëri.

Në përfundim, pragmatika tregon se mësimi i gjuhës është një çështje shoqërore, ndryshe nga psikologët që e trajtojnë mësimin e gjuhës si çështje të zhvillimit të individit. Sipas pragmatikës, aftësitë e lindura të njeriut shtjellohen gjatë rritjes, por nën veprimin e faktorëve shoqërorë si familja, shkolla, mjetet e ndikimit masiv. Kohët e fundit është vënë theksi edhe në faktorët e grupit, në të cilin rritet fëmija. Stimuli për të zhvilluar përdorimin e gjuhës është më tepër shoqëror sesa psikologjik. Kështu, gjuha mësohet duke u përfshirë në “lojërat me gjuhën” dhe në këtë mënyrë, rregullat bëhen të perceptueshme dhe përvetësohen.

Nxitësit e zhvillimit gjuhësor në moshën parashkollore

Debati mbi zhvillimin gjuhësor është i gjerë dhe zgjat prej shumë kohësh. Këtu përfshihen teoricienët që argumentojnë se inputi gjuhësor thjesht bën të mundur që njohuritë gramatikore, tashmë të gatshme gjenetikisht, të shpërthejnë, si dhe ata që argumentojnë se njohja gramatikore rezulton nga mënyra sesi mendja njerëzore analizon dhe organizon informacionin dhe nuk është e lindur. Johnston evidentoi një numër faktorësh përcaktues të zhvillimit gjuhësor të ndarë në 5 fusha të cilët ajo i shoqëroi me shembuj nga dy zbulimet kryesore për secilën fushë Sociale:

a)foshnjat kuptojnë qëllimin komunikues të folësit dhe e përdorin këtë informacion për të drejtuar mësimin e tyre gjuhësor;

b)mjedisi verbal ndikon mësimin gjuhësor.

1.Perceptive:

  1. a) shprehitë perceptuese të foshnjës përcaktojnë fazën e mësimit;
  2. b) perceptueshmëria lidhet me mësimin e formave gjuhësore.

2.Proceset konjitive:

a)frekuenca ndikon shkallën e mësimit;

b)bashkëpunimet mes fushave të ndryshme të gjuhës mund të ndodhin kur fjalia që “duhet” shprehur kërkon më shumë burime mendore nga sa zotëron fëmija Konceptuale:

a termat racionale lidhen me moshën mendore;

b)aftësitë gjuhësore ndikohen nga njohja e fjalëve.

3.Linguistike:

a)prapashtesat e foljeve janë ndihmesë për kuptimin e foljes;

b)fjalori aktual ndikon mësimet e reja.

Pra, fëmijët arrijnë të mësojnë gjuhën nëpërmjet mekanizmave perceptive që funksionojnë në një mënyrë të veçantë dhe kërkojnë vëmendje dhe kapacitet të kujtesës. Këto sisteme konjitive do të ndikojnë ato që vërehen në inputin gjuhësor, dhe mund të luajnë një rol qendror në procesin e mësimit. Po ashtu, eksperiencat e para të fëmijëve me materialet dhe botën sociale sigurojnë bazën për interpretimin e gjuhës që ata dëgjojnë. Më pas, ata do të përdorin ndihmësit gjuhësorë. Një nga aktivitetet që do të përmblidhte të pesë këto elementë nxitës të zhvillimit do të ishte leximi i përbashkët si një aktivitet social, që kërkon aftësi perceptuese, konjitive, konceptuale dhe linguistike.

Mjedisi letrar dhe zhvillimi gjuhësor

Mjedisi letrar familjar| Mjedisi familjar i krijuar në shtëpi për mirërritjen e fëmijëve është i një rëndësie thelbësore. Fëmijët e vegjël përdorin të gjitha shqisat e tyre, shikimin, prekjen, dëgjimin, nuhatjen, shijimin, teksa ndërveprojnë me mjedisin përreth dhe mësojnë në të. Kompleksiteti i mjedisit familjar kombinuar me këtë eksperiencë multishqisore mundëson kategorizimin e mjediseve familjare. Për këtë arsye, është e rëndësishme që dimensionet e mjediseve familjare të maten dhe të përdoren si indikatorë zhvillimi në studimet për fëmijët. Pikërisht, në këtë mjedis ndodhin të gjitha aktivitetet zhvilluese (ose penguese të zhvillimit – kur mjedisi ka probleme), të cilat afektojnë atë që Vygostky e quajti ZZhP (qasja interaksioniste). Një nga komponentët më të rëndësishëm të një mjedisi mbështetës është praktika prindërore për t’u lexuar fëmijëve me zë që nga mosha e hershme. Të gjithë aktivitetet lexuese si dhe aktivitete të tjera ndërvepruese me fëmijët si tregimi i përrallave, këndimi i këngëve, lojërat me shkronja e me fjalë, po ashtu edhe besimet dhe sjelljet e prindërve ndaj leximit dhe të dhënat e tyre demografike përbëjnë Mjedisin Letrar Familjar (MLF). Studimet kanë treguar se ka një marrëdhënie pozitive ndërmjet mjedisit letrar familjar dhe aftësive gjuhësore të fëmijëve. Hart dhe Risley analizuan ndryshimet e mirëqenies, klasën punëtore dhe familjet me prindër me intelektualë. Ata raportuan se ndryshimi në sasinë e të folurit në familje është shumë i madh dhe ky ndryshim i shtohet avantazheve ose disavantazheve të shumta për fëmijët në eksperiencat gjuhësore përpara se ata të fillojnë shkollën. Një nga zbulimet e tjera më të rëndësishme të tyre ishte gjetja se sasia e diskutimeve (bisedave) që ndodh në familje, veçanërisht bisedat shoqërore, kishin një lidhje të rëndësishme me ndryshimet e mëdha në shtimin e fjalorit të një fëmije dhe arritjeve të tij. Gonzales dhe kolegët e tij studiuan marrëdhënien mes MLF dhe besimeve të prindërve si parashikues të fjalorit të kuptuar dhe atij të shprehur në fëmijët parashkollorë. Ata arritën në përfundimin sesa më i zhvilluar MLF aq më pozitive ishin besimet e prindërve. Këto të fundit, nga ana tjetër, lidheshin me rezultate më të larta të fjalorit shprehës të fëmijës. Një tjetër element i rëndësishëm i MLF është edhe të shkuarit në bibliotekë ose librari me fëmijën. Sénéchal dhe koleget e saj arritën në përfundimin se fëmijët që vizitonin librari ose bibliotekë me prindërit kërkonin t’u lexohej më shpesh prej tyre. Gjithashtu, u gjet një korrelacion domethënës pozitiv mes ekspozimit të fëmijëve ndaj librave dhe nivelit të fjalorit të tyre. Ato konkluduan se ekspozimi ndaj librave përbën një parashikues unik për fjalorin e fëmijëve parashkollorë.

Leximi i përsëritur i librave me tregime e përralla do të përmirësojë fjalorin e fëmijës dhe do t’i lejojë ata të bëjnë lidhjen mes fjalëve të shkruara dhe fjalëve të folura. Është e rëndësishme që prindërit të lexojnë me fëmijët e tyre dhe jo për fëmijët e tyre, çka do të thotë se ata duhet t’i përfshijnë fëmijët aktivisht në procesin e leximit dhe jo t’i lënë ata thjesht si dëgjues pasivë.

F.Ambient letrar i përshtatshëm. Sipas Sénéchal dhe LeFevre, ka dy mënyra sesi mund të ndërtohet një ambient letrar i përshtatshëm për zhvillimin e aftësive të shkrimit dhe leximit në shtëpi

1.informal- ekspozimi ndaj librave

2.formal -diskutimi dhe përqendrimi eksplicit mbi materialet e shkruara (librat, tekstet) të prindërve dhe fëmijëve. Mjedisi letrar në institucion Të njëjtin funksion të mjedisit letrar familjar e ka edhe mjedisi letrar në institucion. Institucionet e mirërritjes dhe arsimit parashkollor në Shqipëri janë kopshtet. Në kopsht, ku në të vërtetë fëmijët kalojnë pjesën më të madhe të ditës së tyre, mjedisi letrar dhe specifikisht leximi është gjithashtu i rëndësishëm. Studiuesit kanë provuar se edhe duke u lexuar me zë fëmijëve në klasa apo ambiente grupi, mund të kontribuohet në përshpejtimin e zhvillimit të tyre gjuhësor. Institucioni mundet gjithashtu të plotësojë mangësitë e mjedisit letrar në familje. Megjithëse leximi në grup nuk mund të ketë të njëjtin impakt me leximin një- me-një (prind-fëmijë), ai sërish është një mënyrë për t’u mësuar fëmijëve fjalor të ri.

Siç zbuluan Hart dhe Risley, tu mësosh fëmijëve gjuhën dhe fjalorin në moshë të hershme i ndihmon ata të krijojnë aftësi të cilat do të vazhdojnë t’i zhvillojnë gjatë jetës. Në studimin e tyre në vitin 2006, Wasik dhe koleget e saj, zbuluan se gjithashtu ndërveprimi i mësueseve me fëmijët gjatë leximit dhe jashtë tij, ndihmonte në zhvillimin e aftësive të tyre gjuhësore. Në këtë aspekt, përzgjedhja e materialit për lexim ka një rëndësi thelbësore. Fëmijët do të mësojnë nga leximi, jo vetëm fjalët, shprehjet dhe format gramatikore, por edhe formulimet pragmatike dhe kulturore si dhe nxitjen e  dashurisë dhe vlerësimit për letërsinë e mirë. Pra, kjo gjë, do tu mbetet atyre në kujtesë për t’u përdorur ndoshta më vonë në zhvillimin e tyre akademik.

1.Besimi i prindërve ndaj leximit: Besimi i prindërve ndaj leximit i referohet perceptimit të prindërve se leximi luan një rol të rëndësishëm në mirërritjen e fëmijës dhe në zhvillimin e tij gjuhësor dhe akademik. Besimi i prindërve ndaj leximit shërben si një piketë, duke shpjeguar ndryshimet e konsiderueshme në aktivitetet që prindërit përdorin për të promovuar zhvillimin e gjuhës dhe aftësive të shkrim-këndimit të fëmijës. Së bashku, besimet dhe sjelljet përbëjnë një kompleksitet të procesit socializues prind-fëmijë.

Prindërit që vlerësojnë dhe që kanë besime pozitive për leximin i përfshijnë fëmijët e tyre në më shumë aktivitete të leximit dhe shkrimit. Kjo tregon se besimet janë ngushtësisht të lidhura me sjelljet dhe aktivitetet letrare që prindërit kryejnë me fëmijët e tyre.

2.Leximi i përbashkët: Të lexuarit është një aktivitet i këndshëm për parashkollorët për sa kohë prindërit apo kujdestarët e tyre parësorë ua prezantojnë librin në një mënyrë të këndshme dhe me dashuri. Leximi i përbashkët, ka të bëjë me ndërveprimin që ndodh mes një të rrituri dhe një fëmije kur lexojnë ose shohin një libër së bashku. Ky ndërveprim mund të përfshijë një të rritur dhe një fëmijë, ose një ose më shumë të rritur dhe një grup fëmijësh. Ndërveprimi mund të ndodhë në çfarëdo situate, për shembull, në kopshtin e fëmijëve, në një klasë parashkollorësh, në klinikë apo në shtëpinë e fëmijës. Leximi i përbashkët i librave është një aktivitet që do të ndihmojë fëmijët të familjarizohen me tingujt dhe gramatikën e gjuhës së tyre, rregullat e pragmatikës së gjuhës, dhe do t’i prezantojë ata me modele të organizimit të njohjes së  historive dhe tregimtarisë në kulturën e tyre

Leximi i një tregimi, përralle apo libri për fëmijë çdo natë, përpara kohës së gjumit, do të ndihmojë fëmijët të zhvillojnë imagjinatën, dhe të mësojnë informacione të reja. Gjithashtu, do të ndihmojë aftësimin e fëmijëve për të lexuar, pasi sa më shumë të shohin shkronjat aq më shumë mundësi kanë për t’i identifikuar ato kur t’i hasin në tekste të tjera. Leximi, gjithashtu, do t’u mësojë fëmijëve të njohin librin si një objekt argëtues dhe interesant.

Të tjera aftësi verbale do të zotërohen nga fëmijët që do të mësojnë të lexojnë lehtësisht përfshijnë aftësitë gjuhësore akademike siç është dhënia e përcaktimeve të fjalëve dhe koncepteve apo tregimi i historive bashkëkohore. Këto shprehi të fëmijëve tregojnë se ata janë përfshirë në praktika kulturore që lidhen me shkrim-këndimin.

T’u lexohen libra e tu recitohen vargje fëmijët, ju krijon mundësinë që ata të mësojnë fjalë të reja, pa u ndikuar nga metoda e leximit. Çka sugjeron se thjesht sasia e leximit, qoftë edhe jo në mënyrë ndërvepruese, do të ndihmojë fëmijët të zhvillojnë fjalorin e tyre.

Specifikisht, leximi ndikon në zhvillimin gjuhësor të fëmijëve, duke zhvilluar kështu nivelin e fjalorit të tyre.

Ngjarjet në libra janë të pasuruara me fjalor të larmishëm. Fëmijët janë të prirur të ruajnë në kujtesën e tyre fjalët e reja që dëgjojnë dhe t’i përdorin ato në situata të ngjashme kur diskutojnë me më të rriturit. Nëpërmjet rimës dhe rrjedhshmërisë së gjuhës së përdorur në tregimet dhe përrallat e shkruara apo të përshtatura për fëmijë, këto fjalë, madje edhe fraza të tëra bëhen më të lehta për t’u memorizuar.

Fëmijëtsa më shumë të dëgjojnë një lexim të mirë aq më shumë mësojnë sintaksën dhe shqiptimin e duhur të fjalëve dhe fjalive. Fjalët dhe fjalitë që vijnë nga një zë njerëzor, i gjallë e i pranishëm fizikisht, kuptohen dhe përvetësohen edhe më lehtë sesa ato që burojnë nga një televizion apo radio.

Dhënia e intonacionit të duhur nëpër mjet formave të ndryshme të fjalive, pyetëse, habitore, dëftore, si dhe shoqërimi me emocione dhe mimika i pjesës që po lexohet do ta bëjë tregimin edhe më të gjallë, për rrjedhojë fjalët dhe fjalitë do të mësohen dhe memorizohen më lehtësisht.

Leximi i përsëritur i së njëjtës histori apo të njëjtit libër do të përforcojë kuptimin e fjalëve, çka do të zgjerojë fjalorin e përgjithshëm. Sa më shumë të lexohet një histori, dhe të përsëriten fjalët, aq më shumë fjalë të reja do të regjistrojë fëmija në fjalorin e vet. Ai gjithashtu, do të mund të shihet duke “lexuar” me zë nga kujtesa dhe do të përdorë fjalë që janë përtej nivelit të fjalorit të tij.

Nivelet e fjalorit të fillimit për një fëmijë janë të rëndësishme për progresin e leximit në shkollën fillore e më tej. Gjetjet e tyre thekson rolin e fortë dhe të qëndrueshëm të fjalorit si një parashikues i kuptimit të leximit përgjatë kalimit nga njëra klasë në tjetrën. 

3.Aspekte të tjera të leximit të përbashkët:

Nëpërmjet librave, fëmijët prezantohen me aktivitete sociale që ndoshta ende nuk u është dhënë rasti t’i provojnë si përvoja personale. Atyre mund t’u lexohen tregime dhe histori që kanë në përmbajtje tema si: si të krijosh miqësi të reja, si të ndash gjërat e tua me të tjerët, si të dëgjosh më të rriturit, si të mirëpresësh vëllain apo motrën e vogël që po lind, etj. Po ashtu, përmes leximit të librave dhe tregimeve fëmijët mund të njihen edhe me situata dhe emocione të pakëndshme si: vdekja, divorci apo largimi i përkohshëm i prindërve nga shtëpia, largimi nga qyteti i shokut/shoqes më të mirë, etj. Ngjarje të panumërta, që përbëjnë fabulat e përrallave dhe tregimeve, që prindërit zgjedhin t’u lexojnë fëmijëve, i mësojnë fëmijët të ndërtojnë strategji për të menaxhuar probleme dhe situata të ndryshme që mund të hasin në jetë.  Kohë vetëm për vetëm me fëmijën;

-Të lexuarit shërben që fëmija të shoqërizojë leximin me një eksperiencë pozitive dhe të formojë qëndrimet e saj ndaj të lexuarit si aktivitet. Pasioni i fëmijës për librat do të zbresë më pas nga faqet e shtypura (të para si objekt) për librin në tërësi si një mjet për të mësuar. Kështu, dëshira për librin do të shndërrohet në një uri për njohuri dhe arritje intelektuale.

-Fëmija duke lexuar libra, do të mësojë të diferencojë fonemat, fjalë të ndryshme, tingujt e rrokjeve dhe tingujt e shkronjave. Kjo njohje fonologjike është një shprehi që fëmijët duhet ta mësojnë përpara se ata të mësojnë të lexojnë. Fëmijët me njohje më të lartë fonologjike mësojnë të lexojnë më shpejt se të tjerët, edhe duke marrë parasysh Koeficientin e Inteligjencës.

-Leximi do t’i prezantojë fëmijët me fjalë që nuk do të mund të përdoren në bashkëbisedimet e përditshme, duke arritur që të krijojë një fjalor që ka një korrelacion me kuptueshmërinë tërësore të materialit të lexuar. Përveç njohjes fonologjike, një fjalor i gjerë do të bëjë që fëmija të mësojë më shpejt të lexojë dhe gjithashtu të bëhet një lexues më i aftë. Aty nga klasa e katërt, fëmijët me fjalor më të gjerë kanë kuptueshmëri më të madhe të pjesëve të lexuara dhe për rrjedhojë më shumë avantazh në mësime. Ky ritëm i përparuar vazhdon edhe në gjimnaz.

4.Zhvillim i imagjinatës dhe zgjidhja e problemeve: Librat mund të shërbejnë edhe si një mjet efektiv për të stimuluar dhe promovuar kreativitetin e fëmijëve. Duke lexuar libra me ilustrime pa shumë tekst të shkruar, fëmijët mësojnë të përdorin imagjinatën e tyre aktive dhe të (ri)krijojnë përfaqësime mendore të historisë që shohin. Shpesh fëmijët i lidhin figurat me eksperiencat e tyre jetësore ose imazhet dhe skenat familjare.

Rritje e kuriozitetit: Fëmijët janë të mbushur me “pse?”. Ata do të duan të mësojnë gjithnjë e më shumë sapo të kuptojnë se ata mund të marrin shpjegime. Sa më shumë të ngacmohen ata me informacione të reja, aq më shumë do të duan të shpjegojnë fenomenet natyrore, sjelljen dhe ndjenjat njerëzore, e do të duan të njihen gjithnjë e më shumë me vende dhe personazhe të tjera. Kështu, fëmija do të fillojë të kërkojë gjithnjë e më shumë “pse?” pas çdo “sepse”-je që do të marrë.

Zgjerim të njohurive të përgjithshme. Librat përmbajnë informacione të fushave të ndryshme. Temat që mund të lexohen në historitë e librave janë të pafundme. Fëmijët mund të vizitojnë vende të reja, qytete që nuk i kanë parë, të bëjnë udhëtime në kohë të ndryshme duke përjetuar pallatet mbretërore të lashtësisë, luftërat, kultura të ndryshme, madje edhe të udhëtojnë në hapësirë, të njohin kafshë që nuk i kanë parë ndonjëherë apo të cilat janë zhdukur. Duke qenë se sasia e njohurive individuale është një komponent i inteligjencës, mund të thuhet se sa më shumë t’u lexohet fëmijëve aq më inteligjentë do të rriten ata. Në këtë kontekst, shtimi i fjalorit do të pasurohet dhe praktikohet ditë pas dite nëse çdo libër ndiqet nga një diskutim më i gjerë rreth tij. Kjo është gjithashtu edhe një rrugë e sigurt për të mësuar konceptet, pasi prindi dhe mësuesi do të jetë aty për të shpjeguar fjalët e reja dhe për të nxitur mësimin e koncepteve, sjelljeve dhe përballimin e situatave, etj. 

5.Vlerësim estetik i artit dhe i të bukurës | Fëmijët arrijnë të vlerësojnë të bukurën dhe artin nëpërmjet ilustrimeve që gjenden në librat e tyre. Ndjeshmëria estetike është e rëndësishme sepse është një formë parësore e eksperiencës në të cilën varen të gjitha konjicionet, gjykimet dhe veprimet. Ajo është një pushtet fondamental dhe i veçantë i krijimit të imazheve nga imagjinata. Sa më shumë të mësojnë fëmijët rreth botës, aq më shumë zbulojnë ata rreth vetes së tyre: kush janë, cilat janë vlerat e tyre dhe cilat janë qëndrimet e tyre. Këto mendime personale janë mjaftueshëm për t’i bërë librat e mirë një pjesë të rëndësishme të shtëpisë dhe shkollës së fëmijëve

 

Përshkrimi i Dialekteve, brenda gjuhëve dhe ndikimi i tyre në zhvillimin e gjuhës 

Disa të dhëna mbi, dialektet në Vendin tonë, si burime baze të formimit të një gjuhe kombëtare.

Pas viteve “90”, për tu përmendur është organizimi i dy konferencave ndërkombëtare. E para “Gjuha letrare kombëtare dhe bota shqiptare sot” dhe e dyta “Shqipja standarde dhe shoqëria shqiptare sot”.sh, pohohet se “populli shqiptar ka tashmë një gjuhë letrare të njësuar”. Gjuha letrare kombëtare e njësuar (gjuha standarde), mbështetej kryesisht në variantin letrar të jugut, sidomos në sistemin fonetik por në të janë integruar edhe elemente të variantit letrar të veriut. Pas Kongresit të Drejtshkrimit, janë botuar një varg vepra të rëndësishme, që përcaktojnë normat e gjuhës standarde, siç janë “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe” (1973), “Fjalori i gjuhës së sotme letrare (1980), Fjalori i shqipes së sotme (1984), Fjalori Drejtshkrimor i gjuhës shqipe (1976), Gramatika e gjuhës së sotme shqipe, I Morfologjia (1995), II Sintaksa (1997). Dialekti gegë ose gegërishtja (Geg. gegnisht) është njëri nga dy dialektet e gjuhës shqipe, që flitet nga shqiptarët gegë në veri të Shqipërisë, në Kosovë, në Maqedoni, në Turqi si dhe në Serbi dhe Mal të Zi.

a.Gegërishtja në vetvete ka 2 nëndialekte. Dy nëndialektet e gegërishtes gjeografikisht ndahen te lumi i ShkumbinGegërishtja veriore shtrihet në të djathtë të Matit: në Mirditë, në Pukë, në Lumë, në Has, në Malësinë e Gjakovës, në Kosovë, në Maqedoninë Veriperëndimore, në  Dukagjin, në Malësi të Madhe (në të dy anët e kufirit), në Shkodër e në rrethinat e saj, në krahinën e Krajës dhe të Ulqinit; ndërsa gegërishtja jugore shtrihet në të majte të Matit: nëe zonat e Elbasanit, të Durrësit, të Tiranës, të Krujës, të Matit, të Lurës, të Peshkopisë e të Maqedonisë Perëndimore, prej Dibre deri në Shkup e Kumanovë. “Kufiri natyror” në mes të gegërishtes dhe toskërishtes është Lumi Shkumbin në Shqipëri, që përshkon Shqipërinë e mesme nga lindja në perëndim.

Gegë është po ashtu klasifikim nënetnik i shqiptarëve dhe përfshin banorët e viseve mbi Shkumbin, cekur më lart, ose folësit e gegërishtes. Trojet e banuara nga gegët janë njohur historikisht si Gegëri, sidomos gjatë shek. XIX dhe kohës së Lidhjes së Prizrenit. Gegnishtja nuk zotëron status zyrtar si gjuhë e shkruar e gjuhës shqipe.

b.Toskë ose toskërisht, është njëri nga dy dialektet e gjuhës shqipe, që flitet në jug të Shqipërisë, në një pjesë të vogël të Maqedonisë, në Greqi dhe në Italinë jugore nga arbëreshët. Kufiri në mes të gegërishtes dhe toskërishtes është Lumi Shkumbin që përshkon Shqipërinë e Mesme nga lindja në perëndim. Toskërishtja në vetvete ka 3 nëndialekte, si toskërishtja veriore, labërishtja dhe çamërishtja.

Mësimdhënësi dhe vëmendja e tij mbi Dialektin që përdorin nxënësit, studentët

Dialekti është një variacion i një gjuhe të folur nga një grup etnik, shoqëror ose rajonal. Rregullat për një gjuhë përcaktojnë se si duhet të shqiptohen fjalët, se si duhet të vendosen së bashku pjesët bazë të ligjëratës për të vendosur fjalitë. Dialektet duhet të ndryshojnë në rregullat e tyre në këto aspekte, por është e rëndësishme të kujtojmë se këto ndryshime nuk janë gabime. Çdo dialekt brenda një gjuhe është po aq logjik, kompleks dhe i drejtuar nga rregullat, sa dhe forma standarde e gjuhës (shpesh e quajtur gjuha standard apo gjuha letrare). Ndërkohë që dialektet e ndryshme mund të jenë të barabarta logjikisht, komplekse dhe të drejtuar nga rregullat, mësuesit a duhet ta bëjnë të nxënit për fëmijët duke i mësuar ata në dialektin e shumicës së nxënësve? Për ta bërë këtë duhet të tregojmë respekt për gjuhën e fëmijës. Por fëmijës do t’i rrëmbehet mundësia për të mësuar gjuhën standard të kulturës. Qëndrimi më i mirë mund të jetë fokusimi në të kuptuarit e fëmijës dhe pranimin e dialektit si një sistem gjuhe i vlefshëm dhe i saktë, por të mësohet gjuha letrare apo standarde si një alternativë.

Një ndihmesë të madhe për të kuptuar drejt dhe mirë informacionet, historitë, poezitë, këngët etje., në dialekte të ndryshme luan dhe leximi i librave. Librat përmbajnë fjalë të dialekteve të ndryshme nga vendi ku fëmija, jeton dhe rritet. Gjithashtu, librat përmbajnë fjalë që janë “të vjetra” që mund të mos përdoren më në të folurin e ditëve të sotme. Fëmijët nuk do të dinin për shtëpitë (muret), me qerpiç, dhomën me minder e me sofër, e gjëra të tjera si këto, nëse nuk do tu lexoheshin përrallëza të një kohe të shkuar.

 

Përfundime

Gjuha është mjeti kryesor i komunikimit si dhe një nga elementët kryesorë që ndikon, në një mënyrë apo në një tjetër, në çdo aspekt të jetës dhe zhvillimit të individit. Ajo ndikohet nga shumë faktorë të jashtëm dhe të brendshëm, siç janë: faktorët e jashtëm si ambienti dhe aktiviteti social, aktiviteti shkollor, kultura së cilës i takon, të lexuarit e informacioneve dhe teksteve të ndryshëm letrarë dhe shkencorë, mësimi i gjuhëve të huaja dhe njohja e kulturave të tjera dhe faktorët e brendshëm si inteligjenca gjuhësore, matematikore, emocionale, etj. Imitimi dhe përforcimi luajnë një rol të rëndësishëm në zhvillimin gjuhësor. Padyshim, që nuk është e rastësishme që fëmijët flasin të njëjtën gjuhë të prindërve të tyre dhe me dialektin dhe theksin që edhe ata e flasin. Kështu, fëmijët përforcohen për fjalët dhe fjalitë që imitojnë, por ata gjithashtu përforcohen edhe për përdorimin e formave të reja gramatikore. Sa më shumë zgjerohet fjalori i fëmijëve, aq më i lehtë bëhet mësimi i fjalëve të reja.

Gjuha është rezultati i aftësisë së fëmijëve për të përdorur simbolet. Ndërsa truri i tyre zhvillohet dhe fitojnë aftësinë për të menduarin përfaqësues, fëmijët gjithashtu mësojnë dhe përmirësojnë aftësitë gjuhësore. Parashkollorët mësojnë shumë fjalë të reja. Prindërit, motrat dhe/ose vëllezërit, bashkëmoshatarët, mësuesit, bibliotekat dhe media ofrojnë mundësi për parashkollorët që të rrisin fjalorin e tyre. Në këtë mënyrë, mësimi i gjuhës ndodh brenda një konteksti social dhe kulturor. Aktorët socializues ofrojnë më shumë sesa vetëm fjalë dhe kuptime. Këta aktorë iu mësojnë fëmijëve sesi të mendojnë dhe veprojnë në mënyra shoqërisht të pranueshme. Fëmijët mësojnë, gjithashtu, rreth shoqërisë ndërsa mësojnë gjuhën. Vlerat, normat, zakonet, rregullat informale dhe formale të sjelljeve transmetohen nga mënyra sesi prindërit dhe të tjerët tregojnë përdorimin e fjalëve.

Rekomandime

Aktivitetet letrare të parashikuara në programin edukativ të fëmijëve rekomandohet të shpeshtohen dhe të ruajnë cilësi dhe intensitet në përputhje me moshën e fëmijëve në grup. Aktualisht programet e edukimit kanë kufizim në komponentët e tyre letrarë, për këtë arsye rekomandohet që këta komponentë të shtohen dhe të bëhen të detyrueshme. Kjo do të bënte që fëmijët të merrnin njohuri gjuhësore dhe të ndihmoheshin në stimulimin dhe përshpejtimin e zhvillimit të tyre gjuhësor. Po ashtu, në këtë formë ata marrin njohuritë e para të shkrim-këndimit çka do t’u shërbejë në të ardhmen e tyre akademike.

Së fundi, rekomandohet të zhvillohen më shumë seanca të leximit të përbashkët në grupet e fëmijëve në kopsht e më lart. Do të ishte me vend që krahas shtimit të sasisë dhe cilësisë të materialeve të lexuara, stafi mësimor të zbatojë teknika të përshtatshme dhe përfshirëse për të ofruar një lexim të përbashkët që nxit më së miri zhvillimin e aftësive narrative.

Programi i edukimit rekomandohet të pasurohet me komponentë që nxisin zhvillimin gjuhësor.

Mbështetur në shtjellimet e këtij materiali dalin mjaft rekomandime të rëndësishme sidomos për institucionet që të bëjnë ndryshimet e nevojshme në programin e zhvillimit dhe edukimit në të gjitha nivelet e sistemit shkollor parauniversitar duke filluar që nga kopshtet. Në këtë kontekst, rekomandojmë të thellohen studimet të mëtejshme në mënyrën e përvetësimit të gjuhës për fëmijët që kanë gjuhë të parë gjuhën shqipe.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top