Në jetën e përditshme fjala stres është bërë pothuaj një refren i zakonshëm i bisedave tona. Mjafton të takosh dikë në rrugë, në punë apo në një kafe të shpejtë, dhe shumë shpesh që në fjalinë e dytë të bisedës nis një garë e heshtur, kush do ta tregojë i pari barrën e ditës së tij. Ankesa për punën, lodhja nga ritmi i jetës, pakënaqësitë me njerëzit apo me rrethanat derdhen në bisedë me një natyrshmëri që tashmë na duket krejt e zakonshme.

Në njëfarë mënyre, kjo është bërë një formë shkarkimi. Një nevojë për të lënë diku atë që na rëndon gjatë ditës. Njeriu përballë nesh shpesh shndërrohet në një dëgjues të rastësishëm, në një port ku ankorohen përkohësisht lodhjet tona emocionale. Dhe ndoshta kjo është e kuptueshme. Jeta moderne është e mbushur me ritme të shpejta, me kërkesa të shumta dhe me pritshmëri që shpesh tejkalojnë mundësitë tona. Por ky komunikim i mbushur me ankesa ka edhe një anë tjetër. Ngarkesa emocionale është e transmetueshme. Ajo kalon nga një njëri tek tjetri, shpesh pa e kuptuar. Në punë, një koleg mezi pret të tregojë vështirësitë e ditës; në familje, lodhjen e zyrës e sjellim në tryezën e darkës; në shoqëri, një bisedë e zakonshme kthehet në një listë të gjatë pakënaqësish. Dhe pa e vënë re, stresi fillon të qarkullojë mes nesh si një valë e padukshme që prek këdo. Ka njerëz që e përballojnë këtë mirë. Ata dinë të dëgjojnë pa u zhytur në emocionin e tjetrit, të qëndrojnë empatikë por të ruajnë qetësinë e tyre të brendshme. Por jo gjithmonë është kaq e lehtë. Ka raste kur kjo peshë bëhet e rëndë, kur përtej kufijve të shoqërimit dhe mirëkuptimit, njeriu përfshihet aq shumë sa përfundon duke mbajtur edhe barrën e të tjerëve. Në atë moment, pa dashur, bie në grackën e stresit që nuk është më vetëm i tij. Prandaj, ndoshta është koha ta shohim stresin jo vetëm si një fjalë që përsëritet në biseda, por si një fenomen që kërkon ndërgjegjësim. Të kuptojmë se ngarkesat e përditshmërisë janë reale, por mënyra se si ne i menaxhojmë ato është po aq e rëndësishme sa vetë rrethanat që i krijojnë.
Menaxhimi i vetes fillon nga njohja e vetes. Nga aftësia për të kuptuar kufijtë tanë emocionalë dhe për t’i respektuar ata. Nganjëherë kjo do të thotë të kemi guximin të themi “jo” kur nuk mundemi. Të mos marrim përsipër gjithçka vetëm sepse ndjejmë detyrimin për të qenë të pranishëm kudo. Do të thotë gjithashtu të dimë të shmangim situata ku e dimë se nuk mund të japim asgjë më shumë veç lodhjes sonë. Po aq e rëndësishme është të mos ndjejmë detyrimin të ndajmë të njëjtin mendim me të tjerët vetëm për të ruajtur një harmoni sipërfaqësore. Të kesh një qëndrim tëndin është një formë e shëndetshme autonomie emocionale. Sepse njeriu që di të qëndrojë në mendimin e tij, shpesh di edhe të ruajë qetësinë e tij.
Stresi nuk është vetëm një gjendje personale, por një kulturë e përditshmërisë sonë. Dhe pikërisht për këtë arsye ndërgjegjësimi duhet të fillojë nga individi. Nga mënyra se si ne zgjedhim të reagojmë, të dëgjojmë, të flasim dhe të mbrojmë hapësirën tonë emocionale. Në fund të fundit, qetësia nuk është mungesë problemesh. Është aftësia për të mos lejuar që çdo problem të bëhet një barrë që na përcakton. Dhe ndoshta pikërisht aty fillon një formë e re e komunikimit, jo vetëm për të ndarë lodhjen e ditës, por edhe për të kultivuar qartësi, mirëkuptim dhe një ekuilibër më të vetëdijshëm me veten dhe me të tjerët.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

