FB

April 7, 2021 | 10:00

Grindjet, stresi…“telashet” në çift që solli izolimi

Pamundësia për të vazhduar jetën normalisht, frika emocionale dhe fizike, mungesa e punës dhe tensioni financiar, distancimi social i gjithë periudhës së koronavirusit ka çuar në një jetë të re, ku na është dashur të përshtatemi me një rutinë të çuditshme që padyshim na ka gjetur të papërgatitur. E gjithë kjo ka prekur marrëdhëniet në çift.

Nga Melisa SHEHU, Psikologe Këshillimi, Terapiste ABA

Koronavirusi na ka bërë të kalojmë shumë më tepër kohë së bashku, potencialisht mund të jetë një hap i shëndetshëm për ju dhe partnerin tuaj. Por mund të jetë dhe një periudhë jo e mirë për marrëdhënien tuaj në çift. Lajmi i keq është se çiftet tani edhe pse në kushte presioni, duhet të zgjidhin ato çështje që ata mund të kenë shmangur.

Shpërthimi i Covid-19 mund të jetë një provë presioni ndaj martesës, ku kriza e shëndetit mund të “dëmtojë” në mënyrë të pakthyeshme marrëdhënien intime. E rëndësishme është të kuptoni që ky është një moment i vështirë për të gjithë dhe nuk duhet që stresi i përkohshëm i koronavirusit të shkatërrojë një marrëdhënie në çift që ia vlen ta mbash gjallë.

Koha e shtuar së bashku po nxjerr në pah probleme të mëdha, që mbase nuk e dinit që ekzistonin në marrëdhënien tuaj. Çiftet gjatë kësaj periudhe kanë pasur më shumë kohë për të njohur partnerët dhe për të qenë krejt vetvetja. Kjo mbase nuk është shumë e pranuar dhe pëlqyer nga partneri tjetër, por duhet të pranoni atë që nuk e ndryshoni dot, të përmirësoni ato që mundeni dhe të gjeni mënyrën më të mirë që ta bëjë marrëdhënien në çift të funksionojë më mirë pavarësisht rrethanave.

Në këtë periudhë duhet të pranoni edhe të jeni të vetëdijshëm për nevojat tuaja si individë dhe nevojat si çift. Fokusohuni në komunikimin tuaj. Frika, stresi dhe ankthi i çon njerëzit të bëjnë më shumë argumente dhe nëse dëshiron të jesh afër partnerit dhe së bashku të mësoni të menaxhoni stresin, nuk mund të jesh kritik, por pozitiv, mirëkuptues dhe vlerësues ndaj tij. Reflektoni para se të reagoni dhe jini mirënjohës për marrëdhënien tuaj. Kur çiftet grinden zhvillojnë strategjitë dhe stilet e përballimit, ndaj është e rëndësishme të dini se të dy palët, brenda arsyes, keni të drejtë. Secili person meriton të dëgjohet dhe të ndihet i kuptuar.

Është e rëndësishme gjithashtu të zhvilloni aktivitetet tuaja vetëm. Nëse partneri juaj ka nevojë për hapësirë, jepjani atë, kjo do t’ju ndihmojë të jeni më të qetë në kohën kur qëndroni bashkë. Mos e kurseni dashurinë për njëri-tjetrin, çdo ditë duhet të jetë një mundësi e re për një kujtim të bukur, sido qofshin rrethanat. Mënyrat e reja krijuese së bashku ju ndihmojnë të rizbuloni dashurinë tuaj.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 156

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top