Këshilla & Arsye

March 26, 2020 | 13:38

Hajrije Sinani Emini: Mbi forcën, mendja! Një tregim këshillues mbi të menduarit e vepruarit, pa lënduar të tjerët

Nga Hajrije Sinani Emini – Psikologe 

Një grua kishte një kopsht shumë të bukur dhe të mirëmbajtur. Ajo i kushtonte shumë kohë kopshtit dhe kujdesej për të me dashuri të madhe. Mirëpo gruaja nisi të shqetësohej kur në kopshtin e saj filluan të hyjnë fëmijët e lagjes. Fëmijët këputnin frytet nga pemët, shkelnin lulet, shkatërronin barin duke luajtur me top, dhe kjo padyshim e zemëroi gruan, sepse kopshti nuk e kishte gjallërinë e mëparshme dhe dukej i shkatërruar dhe i lënë pas dore. Gruaja i shikonte me kujdes, por nuk u tha asgjë. “Duhet ta mendoj mirë atë që duhet të bëj”, – thoshte me vete.  

2Me kalimin e kohës fëmijët e shpeshtuan këtë gjest dhe një ditë prej ditëve gruaja vendosi të ndërmarrë diçka. Ajo doli dhe i thirri fëmijët: “Të dashur fëmijë! Ejani për një çast dhe uluni me mua tek tavolina! Do ju sjell biskota me çokollatë. I kam gatuar sot.” Fëmijët të ngazëllyer shpejtuan dhe i zunë vendet me vrap. Pasi përfunduan biskotat donin të çoheshin por gruaja u tha: “Prisni sepse dua t’ju tregoj diçka.” Ajo filloi t’u tregonte tregime këshilluese nga njerëzit e urtë, urtësi të filozofëve dhe mësime të ndryshme. Fëmijët u bezdisën shumë dhe deshën përsëri të largohen. Por, gruaja e urtë u tha: “Prisni, prisni! Unë ende nuk kam përfunduar. Para se të largoheni kam një detyrë për ju.” Ajo nxori nga xhepi disa fleta ku secilit i dha nga një poezi, e u tha: “Këto t’i mësoni për herën tjetër kur të takohemi dhe përpara se të filloni lojën në kopshtin tim, do t’ju pyes a i keni mësuar poezitë që ua dhashë!”. “Tani më u mbush kupa” – thanë fëmijët me vete! 

Eh sa shumë qenë revoltuar fëmijët me këtë grua, ata donin të pëlcisnin nga inati.“Sikur nuk na mjaftojnë mësimet dhe poezitë e shkollës por edhe këtë patëm mangët!”. “Sa grua e bezdisur paska qenë!“ – tha një tjetër. Të gjithë shprehen mllefin në mënyrën e vet dhe, nga ajo ditë, fëmijët trazovaçë nuk u panë më asnjëherë. Ata madje nuk u sollën rreth shtëpisë së gruas, lëre më të futeshin brenda në kopsht. 

Përpara se gruaja të vepronte në këtë mënyrë, kishte menduar me vete: “nëse i qortoj fëmijët, ata edhe më shumë do tentojnë të hyjnë në kopshtin tim dhe do ta shkatërrojnë edhe më shumë atë, vetëm që të më acarojnë mua, sepse janë fëmijë dhe nuk e kanë ndjesinë e përgjegjësisë së plotë”. Andaj, ajo mendoi në mënyrë strategjike dhe ndryshe nga mënyra afektive e të menduarit të zakonshëm njerëzor.  

Strategjia ishte kjo: 

1.Nëse fëmijët do t’i mësojnë poezitë që do u jap unë, ata do vijnë edhe herët tjera, e unë gjithmonë do u flas mbi edukatën e mirë dhe nga mësimet që do t’i marrin do të përfitojnë shumë dhe do të largohen nga vesi i shkatërrimit të kopshteve të huaja. 

2.Nëse fëmijët janë trazovaçë të vërtetë, atyre nuk do u hyjnë në punë tregimet e mia dhe nuk do i mësojnë poezitë. Kështu që ata kurrë më nuk do sillen rreth kopshtit tim nga frika se mos rastisin në mua e t’u jap orë plotësuese dhe t’i angazhoj me mësime shtesë nga ato të shkollës. 

Sido që të ndodhë, mendonte gruaja, unë do ia arrij qëllimit tim pa lënduar askënd dhe fëmijët nuk do futen më në kopshtin tim. 

  • Përpara se të reagosh ashpër dhe pa menduar mirë, e më vonë sigurisht që mund të pendohesh, ndalu dhe analizoje situatën në të cilën ndodhesh dhe vendos me kujdes si do të reagosh në këtë situatë, në mënyrë që të bëhesh më i vlefshëm, më i respektuar dhe duke e rritur vetëbesimin personal. 
  • Njihe potencialin e vetes që të shpikësh strategji të reja mendimi dhe veprimi, në mënyrë që të mbetesh gjithmonë i kënaqur nga vetja pa lënduar të tjerët. E duke iu përmbajtur etikës morale, padyshim do kemi fitore të dyanshme. 
  • Që objektivi të arrihet qetësisht kërkon shumë më shumë mprehtësi se sa ta arrish atë zhurmshëm. Të mos harrojmë kurrë se njerëzit më inteligjentë në botë janë ata që i zgjidhin problemet e përditshmërisë më shpejt dhe në mënyrë efektive. 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top