Në fokus

March 26, 2020 | 20:39

Dr. Bledar Kurti: Asgjëja dhe gjithçkaja që na mëson kjo pandemi e frikshme!

Po qarkullojnë në rrjete sociale anembanë botës shumë mesazhe apo letra reflektimi shpirtëror dhe njerëzor mbi pandeminë e frikshme të shkaktuar nga COVID-19.

Në këto mesazhe, si për shembull ajo e miliarderit dhe manjatit Bill Gates, thuhet se kjo situatë na mësoi se jemi të barabartë, pavarësisht racës, kulturës, besimit, famës, pasurisë, kombësisë etj, pasi virusi po prek si miliarderët ashtu edhe të varfërit, si ata të shteteve moderne ashtu edhe ata të vendeve të varfra, si njerëzit e famshëm ashtu edhe ata që nuk njihen nga njeri.

90721935_514092255958570_4715551319920738304_n

Thuhet në to se kjo situatë na mësoi se paraja nuk të mbron, se ato idhuj si fama dhe ambicia, tashmë janë rrëzuar përpara rëndësisë së shëndetit, solidaritetit njerëzor dhe përkujdesjes.

Se u desh kjo situatë e frikshme të shpenzojmë kohë me familjen e madje edhe të ulemi e të lexojmë apo të merremi me art e muzikë.

Këto e shumë fjalë të tjera të bukura, poetike dhe frymëzuese po qarkullojnë në rrjete sociale, apo brenda mureve të karantinimit, duke mbushur pjesën më të madhe prej nesh me optimizëm dhe kurajë që gjërat do shkojnë mirë dhe e nesërmja do jetë ndryshe. Do jetë ndryshe sepse ne kemi mësuar aq shumë nga kjo situatë e tmerrshme sa që nesër, me të mbaruar ky ferr, ne do jemi të transformuar dhe më të mirë; do e menazhojmë më mirë jetën tonë; do vendosim prioritetet aty ku duhet, dhe mësimet që morëm nga kjo ndodhi nuk kemi për t’i harruar kurrë. Dhe kjo po na mban gjallë dhe të karikuar shpirtërisht dhe emocionalisht në këto ditë karantine.

Por këto nuk janë asgjë më shumë se sa vetëm një autosygjestion dhe një gënjeshtër e madhe, sepse e nesërmja nuk do jetë aspak ndryshe dhe i gjithë njerëzimi do i kthehet asaj që di të bëjë më mirë. Të jetojë sipas natyrës njerëzore, e cila prej 6 mijë vitesh histori të qytetërimit, nuk ka ndryshuar aspak që nga atëherë e deri më tani.

Në vitin 1918, bota u prek nga një pandemi e rëndë gripale e njohur si Gripi Spanjoll. Numri i të prekurve ishte 500 milionë njerëz dhe numri i të vdekurve arriti shirfrën (ende të papërcaktuar saktë deri më tani) prej 50-100 milionë njerëzish.

Njerëzimi asaj kohe sapo kishte dalë nga Lufta e Parë botërore, dhe me ferrin tjetër të një pandemie të atillë që shfarosi gjysmën e Evropës, ëndërroi për një të nesërme më të mirë, ku njerëzit do e vlerësonin më shumë jetën dhe njëri-tjetrin.

A ndodhi kjo? Sigurisht që jo. Njerëzimi bën gjithmonë atë që di të bëjë më mirë ndjekë instinktin njerëzor primitiv, ndaj vetëm 5 vite pas asaj pandemie, në pushtet erdhi HItleri, në Spanjën e pas-gripit spanjoll erdhi Franko, në Itali Musolini, në Rusi erdhi Stalini, nisi holokausti, dhe bota e njerëzimi, i cili nuk zë mend kurrë nga gabimet e historisë, hynë në Luftën e Dytë Botërore, e më vonë në luftra të tjera, duke arrirë shifra të tmerrshme vdekjesh.

Dhe përfundimi? Shekulli i 20-të vrau tre fish më shumë njerëz sa janë vrarë në total në të gjithë historinë e njerëzimit. Kjo na tregon sesa pak mëson njeriu nga tragjeditë, gabimet, dhe krizat e mbijetesës.

Sot në botë, në çdo sekondë, vdesin dy njerëz.

Njëri vdes prej shkaqeve natyrore, tjetri vdes nga varfëria ose mungesa e ilaçeve. Pra çdo sekondë në botë vdes një njeri nga varfëria. Kjo ka ndodhur gjithmonë e kjo do të ndodhë edhe pas pandemisë së ferrtë që po kalojmë tani.

Dhe në atë të nesërmen e ndritur që po e presim të gjithë, të pasurit do vazhdojnë të jetë të pasur dhe të varfërit të varfër. Qeveritë e korruptuara do vazhdojnë të vjedhin e notojë në korrupsion, e popujt do vazhdojnë të vuajnë.

Të njëjtët deputetë dedë e të pashkolluar do kemi në parlament dhe politika njësoj do luftojë në betejat e saj.

Nesër, bluzat tona të bardha, heronjtë e heshtur të vendit tonë, luftëtarët dhe kalorësit e vërtetë të kësaj beteje, të cilët i duartrokasim nëpër ballkone sot njësoj do e kenë rrogën e ulët e do vazhdojnë të largohen në Gjermani. Askush nuk do i bëjë këta heronj deputetë apo ministra. Jo, jo, poste të tilla nuk janë për heronjtë në kohë lufte por vetëm për tradhëtarët në kohë paqe.

Nesër as punonjësit e policisë së shtetit e as forcat tona ushtarake nuk do kenë rritje page pavarësisht se ishin në frontin e parë të kësaj beteje.

Nesër, ata që kanë lexuar gjithmonë libra do vazhdojnë të lexojnë pa patur nevojë për fushata e nisma në Facebook, e ata që bënë sikur lexuan gjatë karantinës s’do kapin më libër me dorë.

Dhe ata që kanë vërtetë kënaqësi të merren me veprimtari krijuese si arti e muzika, sdo e kenë mundësinë më t’i praktikojnë ato, sepse me të mbaruar karantina do rropaten nga mëngjesi në darkë për të siguruar bukën e gojës, e cila, në Shqipëri, tashmë prej disa vitesh, është misioni parësor për mbijetën e çdo prindi, të riu, pensionisti, intelektuali, e kujtdo tjetër.

Të nesërmen e këtij ferri, për pak ditë njerëzimi do ndihet më i lumtur, më mirënjohës, më pranë Zotit, më pranë njëri-tjetrit, por pas atyre ditëve të shkurtra që do kalojnë sa një cekje e qepallave të syrit, kjo situatë do harrohet, sikurse kemi harruar 6 mijë vite përvojë historike, dhe bota, e sidomos Shqipëria do jetë njësoj siç ishte përpara kësaj pandemie vrastare. Në rastin tonë ende e varfër dhe e pashpresë.

Dhe ne do kemi mësuar një asgjë nga e gjithë kjo përvojë e tmerrshme sepse nuk është në natyrën tonë të mësojmë por të harrojmë. Se nuk është në natyrën tonë të jemi mirënjohës për frymën që marrim, për jetën që kemi, dhe falenderues për sado pak të kemi.

Ne nuk na nevojiten situata të tilla të na kujtojnë rëndësinë e jetës dhe prioritetet që duhet të ketë gjithësecili prej nesh, apo edhe përgjegjësitë që kanë qeveritë tona.

Në pandemi a jo në pandemi, të gjithë ne duhet ta duam familjen, të tregojmë respekt për jetën dhe dinjitetin njerëzor, të kemi një frymë komuniteti dhe bashkëpunimi, të përmbushim detyrimet tona qytetare, dhe të jemi gjithnjë e më kërkues për të mirën e përbashkët.

Të kërkojmë nga çdo qeveri, në çdo kohë, një sistem shëndetësor më të mirë, të mbështesim e të ngremë zërin në mbrojtje të prosfesionistëve tanë, të shkencëtarëve që kemi, të bluzave të bardha, e të mos lejojmë që të përfundojnë në qendër të opinionit publik vetëm kur bie tërmet apo vdesin njerëz nga pandemi të tilla.

Të jemi çdo ditë më refuzues ndaj ligjbërësve në Parlament që nuk dinë të shkruajnë e lexojnë as emrin e tyre, ndaj drejtuesve trafikantë droge apo qeniesh njerëzore, e të jemi njëzëri revoltues dhe protestues ndaj largimit të trurit të Shqipërisë.

Të lexojmë e arsimohemi siç duhet pasi është fakt historik se asnjë njeri i sukseshëm ndër mijëra vite qytetërim nuk ka arritur suksesin në asnjë fushë nëse nuk ka patur një bibliotekë apo libra në shtëpi.

Ti shpallim luftë çdo ditë analfabetizmit social, sidomos atë në qeverisje dhe politikëbërje.

Ta respektojmë gjithmonë të afërmin tonë dhe ta duam atdheun duke respektuar ligjet e duke i kërkuar çdo qeverie të respektojë edhe ajo ligjet dhe Kushtetutën e vendit. Këto do shërbejnë si guri i themelit në kohë të vështira.

Të mos jemi torelantë ndaj korrupsionit e ndaj asnjë lloji qeverisje korruptive, pasi siç e pamë gjatë kësaj pandemie, paratë e lukseve dhe të shpërdoruara me papërgjegjshmëri na privuan nga sigurimi i mjeteve më jetike të higjenës dhe atyre shëndetësore.

Na duhet rend e siguri, ligjzbatim dhe përkushtim qeveritar në çdo ditë të zakonshme në mënyrë që të jemi më të sigurtë në situata të jashtëzakonshme.

Nëse ne ndërgjegjësohemi çdo ditë të zakonshme mbi aspektet më të rëndësishme të jetë sonë personale, komunitare apo kombëtare atëherë ne do jemi më të fortë dhe të bashkuar në situata të jashtëzakonshme, pasi do kemi mësuar atë gjithçkanë që duhet ta dijë secili prej nesh: që duhet jemi të përgjegjshëm dhe vetëdijshëm në çdo frymëmarrje.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top