Këshilla & Arsye

December 15, 2017 | 9:11

Hapat për të gjetur lumturinë

Si të jeni të lumtur? Është pyetja e shekullit, shumë herë e mbetur pa përgjigje. Edhe pse lumturia është ndjenja më e dëshiruar nga njerëzimi, pak njerëz ia dalin ta kenë atë. Megjithatë mund të jeni të lumtur në jetë, madje pa shpenzuar fare lekë. Lumturia është një zgjedhje. Po, e kuptuat mirë. Jeni ju që zgjidhni të jeni të lumtur dhe me fakte empirike do ju tregojmë që kjo është e vërtetë.

Para se të nisni këtë rrugëtim drejt lumturisë, mos harroni se koha që kalojmë në këtë jetë është e limituar dhe me vlerë të madhe. Filloni ta konsideroni çdo ditë si një dhuratë, të cilën do të ishte e pavlerë ta shpërdoronit duke ndjekur nga pas trishtimin. Ndaj, duke marrë hov nga kjo e vërtetë, le të nisemi së bashku në aventurën drejt zbulimit sesi të jeni të lumtur…

girl-blowing-bubbles

1.SJELLJA | Një nga rregullat më të rëndësishme për të qenë të lumtur është sjellja që keni përkundrejt jetës. Nëse përqendroheni te gjërat që nuk keni, nuk do t’ia dilni asnjëherë të jeni të lumtur. Pavarësisht vështirësive, duhet ta shihni gotën e jetës gjysmë plot. Shembuj mjaft të jashtëzakonshëm janë njerëzit që kanë kaluar sëmundje apo aksidente mjaft të rënda e megjithatë kanë vendosur të ecin përpara, duke u kapur pas thërrmijave që u ka dhuruar jeta. Vetëm për respekt ndaj tyre, nëse keni shëndet të mirë, duhet ta konsideroni veten me fat e duhet të jeni të lumtur. Çdo ngjarje e jetës ka anën e saj negative e pozitive. Jeni ju që vendosni se cilës prej të dyjave t’u jepni më shumë rëndësi. Është kuptimi që ju vetë i jepni rrethanave të jetës, ai që ndikon gjendjen tuaj shpirtërore. Kërkoni gjithmonë aspektin pozitiv të situatës dhe nëse nuk ia dilni ta gjeni atë, do të thotë që nuk e keni kërkuar mjaftueshëm. Përveç rasteve tragjike të jetës, si vdekja apo sëmundja në moshë të parakoshme, çdo situatë ka anën e saj pozitive; duhet vetëm ta kapni atë. Jeni vetë ju kapitenët e mendjes suaj, ndaj nuk duhet të lejoni që mendimet negative t’ju dominojnë.

2.JETONI ÇASTIN | Një nga sekretet më të rëndësishme për të zbuluar sesi të jeni të lumtur, është të jetoni të tashmen. Janë bërë shumë filma e studime mbi këtë temë. Jeta është këtu, është tani. Nuk është as nesër, as dje, as vitin e ardhshëm. Gjithçka që ju nevojitet, mund ta gjeni në të tashmen. Koha që keni në dispozicion në këtë tokë është kohë që mbaron: e vetmja gjë që nuk do të merrni më pas është koha. Nuk duhet ta shpërdoroni atë duke e mbushur kokën me paranoja dhe mendime që me shumë gjasa nuk do të ndodhin kurrë. Shumica e njerëzve i kalojnë orët e ditës duke u ankuar për të kaluarën dhe duke iu trembur së ardhmes, ndërkohë që harrojnë të jetojnë të tashmen dhe jeta u rrëshket nga duart. E gjithë kjo krijon keqardhje për të kaluarën dhe ankth për të ardhmen. Çdo fazë e jetës ka aspektet e saj pozitive e negative, të cilat duhet t’i jetoni pa frikë. Vetëm duke jetuar të tashmen, mund të ndërtoni një të ardhme të qëndrueshme dhe të lumtur. Jeta është e bërë nga hapa të vegjël të përditshëm, të cilët duhen plotësuar lumturin në këndvështrim të gjerë. Përqendrohuni tek e sotmja, në atë që mund të bëni tani për të përmirësuar të nesërmen.

3.QËLLIMET | Cili prej nesh nuk ka një qëllim në jetë? Edhe pse mund t’ju duket e çuditshme, pjesa më e madhe e njerëzve jeton pa një objektiv të caktuar. Të zhytur nga problemet e përditshmërisë, të gjithë ne humbasin orientimin dhe ecim para për inerci. Në këtë kontekst, duhet të ndalim sa më shpejt, të dalim para pasqyrës dhe të pyesim veten: çfarë dua nga jeta? Edhe nëse kanë kaluar vite që e keni mbyllur sirtarin e ëndrrave, ka ardhur momenti ta hapni dhe të shihni brenda tij. Një nga nevojat më të rëndësishme të jetës është të ndjeni se keni një qëllim për të arritur. Ka ardhur momenti të dëgjoni këtë nevojë dhe ta bëni qëllimin e ditëve tuaja. Mund të kaloni vite duke u përpjekur të realizoni qëllimin tuaj, ndoshta nuk do ta arrini asnjëherë, por vetëm fakti se keni luftuar për ta arritur atë, do t’ju dhurojë një ndjenjë lumturie të madhe. Jepini një kuptim jetës suaj!

4.TRUPI | Mendje e shëndoshë në trup të shëndoshë, thotë një fjalë e urtë. Nëse nuk kujdeseni për trupin, nuk mund të shëroni shpirtin. Të shëroni trupin është shumë më e lehtë sesa të shëroni shpirtin. Në fakt, duhet të filloni pikërisht nga ky i fundit. Një dietë e shëndetshme ushqimore dhe aktiviteti fizik i moderuar është pikënisja e çdo rrugëtimi drejt arritjes së lumturisë. Është shumë më e lehtë nga sa mendoni. Filloni të evitoni shpifësirat e supermarketeve; në vend të ushqimeve të koncentruara, që nuk janë aspak cilë- sore, përdorni produkte të freskëta. Lehtësia që do të ndjeni, do t’ju ndihmojë të ngriheni nga krevati për të shëtitur sa më shumë në natyrë. Dëgjojeni trupin tuaj! Shpesh, trishtimi vjen edhe për shkak të margjinalizimit social. Aktiviteti fizik dhe sportet ju ndihmojnë të lidheni me të tjerët, të ndani përvoja dhe momente harmonie. Mos lini pas dore nevojën për të shijuar ajrin dhe natyrën, si dhe efektin e diellit në humorin tuaj. Përdoreni sa më pak televizorin dhe kompjuterin (të paktën dy orë në ditë) dhe pjesën tjetër të ditës kushtojani jetës, asaj të vërtetës.

5.IMAZHI PËR VETEN | Nëse doni të jeni të palumtur, kërkojuni të tjerëve se çfarë mendojnë për ju. Është mënyra më e mirë për të krijuar një imazh të shtrembëruar për veten. Vetëm ju e njihni vlerën e vërtetë tuajën. Pjesa më e madhe e njerëzve nuk e kanë arritur lumturinë, dhe për këtë arsye duan t’i shfryjnë zhgënjimet e tyre me pjesën tjetër të botës. Do të ketë gjithmonë njerëz që mundohen të shkarkojnë vuajtjet e tyre tek të tjerët. Shumë njerëz bëjnë një jetë të palumtur, pasi nuk kanë konsideratë të lartë për veten. Në fund, nuk e pranojnë dhe nuk e duan veten. Nëse nuk keni një ide të mirë për veten, si mund të keni jetë të lumtur? Është thjesht e pamundur. Mos nxirrni në pah difektet, por vetëm virtytet e person alitetit tuaj. Ne jemi ajo q ë mendojm ë p ër veten. Filloni ta konsideroni veten p ër at ë q ë jeni: qenie unike q ë keni t ë drejt ë t ë jeni t ë lumtur.

6. FALJA | Të gjithëve na kanë lënduar, ndaj për t’u bërë më të mirë, duhet të falni. Edhe pse keni pësuar padrejtësi të mëdha, mos e ushqeni mendjen me mendime urrejtjeje dhe mërie. Jeta është NJË dhe E VETME: mbusheni atë me mirënjohje, dhembshuri dhe falje. Nëse filloni të urreni gjithë botën, do të urreni edhe të afërmit, dhe mbi të gjitha, veten tuaj. Nuk mund të jeni të lumtur me ndjenjat negative, që kanë zënë vend në kokën tuaj. Mundohuni të falni dhe do ta shihni efektin që dhuron falja. Mëria dhe urrejtja i bëjnë keq vetes suaj, jo atij që ju ka lënduar.

7.JEPNI | Jetojmë në kohëra të vështira, çdokush i rrethuar nga problemet e veta dhe mendojmë se jemi të vetmit që vuajmë në këtë tokë. Në këtë mënyrë vetëizolohemi. Mundohuni ta ndryshoni këtë këndvështrim, filloni të jepni. Jo lekë, por mbi të gjitha kohën e çmuar. Kushtojuni vullnetarizmit, ndihmojini ata që kanë probleme më të mëdha se tuajat. Nëse besoni se të ndihmosh të tjerët është e nevojshme vetëm për të tjerët, gaboni rëndë. Mundohuni të bëni një veprim të mirë, edhe të vogël, dhe provoni sesi do të ndjeheni. Pa dyshim do të ndiheni më mirë. Sa më shumë lumturi e harmoni u dhuroni të tjerëve, aq më shumë merrni në këmbim.

8.HUMORI | Një nga keqardhjet më të mëdha të njerëzve në prag të vdekjes, është se i kanë dhënë shumë rëndësi ngjarjeve të jetës. Jetojeni jetën për atë që është: një qëndrim i rëndësishëm dhe i shkurtër mbi tokë. Mos e koklavitni më shumë jetën, mos humbisni rastin të shihni anën komike të gjërave që ju ndodhin në jetë. Qeshni dhe bëjini njerëzit për të qeshur. Mundohuni ta filloni ditën duke qeshur, jepini mundësinë mendjes të hapet ndaj gëzimit. Çfarëdolloj gjëje t’ju ndodhë në jetë, mos i jepni shumë rëndësi. Mos u shqetësoni për gjërat e vogla. Kujtoni se pjesa më e madhe e shqetësimeve janë gjëra të vogla.

9.MARRËDHËNIET | Si do të sillenit nëse dita e nesërme është dita e fundit e jetës dhe i vetmi rast kur mund të takoheni me të afërmit tuaj? Ja, mbajeni vazhdimisht në mendje këtë gjë, lidhuni me të tjerët në këtë mënyrë. Jo për ters, por e vërteta është që një ditë, një gjë e tillë do të ndodhë realisht. Jetojeni jetën sikur nesër do t’ju duhet të vdisni, dhe mendoni sikur nuk do të vdisni kurrë. Është një shprehje shumë e vërtetë kjo. Ne, qeniet njerëzore, jemi kafshë sociale. Nuk jemi bërë për të jetuar vetëm. Lumturia e një njeriu matet nga niveli i ndërveprimeve shoqërore që ai ka. Nuk duhet të njihni me çdo kusht njerëzit e gjithë botës; kultivimi i shoqërive të pakta, por cilësore është shumë i rëndësishëm. 10BESIMI | Në këtë rast nuk bëhet fjalë për besimin fetar. Bëhet fjalë për shpresën. Besoni apo jo në Zot, mos u fiksoni në idenë e trishtë se vdekja është fundi i gjithçkaje. Ajo që bëjmë sot, do të ketë ndikim edhe më pas. Të besoni nuk ju kushton gjë, në këmbim do të fitoni lumturi e harmoni. Nëse i zbatoni 10 rregullat e lumturisë, ndoshta do të arrini të kuptoni sekretin sesi të jeni të lumtur. Është më e thjeshtë nga sa besoni. Është një proces i gjatë dhe i vazhdueshëm, por në vetvete jo edhe aq i vështirë. Mos ia hiqni vetes mundësinë për të qenë të lumtur, pasi do të shpërdoronit një mundësi shumë të rëndësishme.

Përgatiti: Manjola EREQI

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top