Pika referimi

May 2, 2018 | 15:12

“Hieronymi, Arbëreshi i Italisë”, pak fjalë pas prezantimit të një dokumentari

Jeronimi nuk jetoi në epokën e kibernetikës, dhe as në atë të “internetit pa kufij” përndryshe me siguri do të kishte zënë faqet e para të mediave sociale, të cilat do të ishin marrë gjatë me jetën e tij sentimentale. Fjala vjen, një debat i mundshëm do kishte të bënte me “Këngët e Milosaos”. Përse e shkroi, në çfarë kushtesh depresivo-emotive dhe kujt ia kushtoi?

Leonard Veizi, shkrimtar, gazetar

Leonard Veizi, shkrimtar, gazetar

Por në fakt, Jeronim De Rada u lind më shumë se 200 vite më parë, në një fshat arbëresh të quajtur Maki, për të cilin thuhet se origjinën e kanë nga Mati, por që flisnin një dialekt të vjetër toskë. Dhe për më tepër, Jeronimi në familjen e tij ishte edukuar me një frymë fetare e konservatore, sa që dhe jeta e shfrenuar në Napolin e atyre viteve nuk e tunduan dot. Kështu që mundësia që ai të ishte në një qendër thashethemesh, sigurisht do të ishte “0”.

Jetues mes dy kulturave, dy kombeve e për më tepër mes dy gjuhëve, shqip dhe italisht, atij iu renditën aq ide brilante në kokë, sa dhe jeta e gjatë prej 89 vitesh nuk do mund t’ia shteronin dot. Ishin ide të mëdha për moshën e tij ende të re.

555x341894519_er-640x480-jpg

Shëndetlig, por me një fuqi të madhe, ai kërkoi t’i shkonte deri në fund projektit të tij madhor: zhvillimin e gjuhës, që do të çonte më pas në formimin e një shteti të qëndrueshëm shqiptar. Në të vërtetë, edhe pse i cilësuar si njëri prej ideatorëve më të mëdhenj letrarë e kombëtarë, Jeronim De Rada nuk e njihte vendin e tij të origjinës, madje nuk e pa kurrë atë në 89 vitet e jetës së tij. E megjithatë, kjo nuk ia lëkundi besimin se projekti për të cilin ai kishte filluar të punonte çdo ditë do të mund ta zhvillonte vetëdijen dhe krijimin e një populli kulturor si kusht për krijimin e vetë shtetit.

shtepi

Të gjitha këto dhe shumë më tepër se kaq, bëhen akoma më tërheqëse nëse përmblidhen në një seancë të vetme të quajtur: dokumentar.

Pikërisht “Hieronymi, Arbëreshi i Italisë”, është një dokumentar që i kushtohet Jeronim De Radës, me autore, gazetaren e mirënjohur Beti Njuma. Ai u shfaq premierë në sallën UNESCO të Muzeut Historik Kombëtar e ku si pjesëmarrës ishin të ftuar edhe nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Jeronim De Rada” në Tiranë. Sipas autores së dokumentarit, kjo mënyrë prezantimi kishte të bënte me dëshirën e saj që “Hieronymi, Arbëreshi i Italisë” fillimisht të shfaqej për një brez të ri më pak të rrahur nga imazhi i figurave të tilla, se sa për qarqet letrare apo akademike të cilët e njohin prej kohësh veprimtarinë e këtij mendimtari të shquar të Rilindjes sonë Kombëtare.

1

Dr. Dorian Koçi, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, në fjalën e tij të përshëndetjes para se dokumentari të shfaqej për të pranishmit, do të vlerësonte autoren Beti Njuma, si një studiuese që i ka dhuruar historiografisë shqiptare 15-20 realizime cilësore, e ku shumica e tyre kishte të bënte me shtetformimin. Për sa i përket figurës së Jeronim De Radës, Dr. Dorian Koçi do të shtonte se: Letërsia para Rilindjes Kombëtare në pjesën më të madhe të saj ishte një letërsi me tematikë fetare ndërsa De Rada është shkrimtari i parë që në mënyrën të dukshme e të vetëdijshme,me veprat e tij artistikeshkëputet prej saj.

2

Vetë autorja Beti Njuma do të shprehej se,synimi i dokumentarit nuk ishte vetëm vepra e De Radës me të cilën nis dhe letërsia moderne shqiptare, por të shpërfaqej dhe jeta e tij në çdo dimension njerëzor.

Dokumentari “Hieronymi, Arbëreshi i Italisë” erdhi për publikun me pamje ekskluzive të operatorit Vladimir Grori, regjistruar në vendlindjen e poetit, fshatin e vogël Maki i Kozencës, fare pranë me Shën Mitër Korona. Pjesë e dokumentarit, që vinin me trajtimin e jetës dhe veprës së themeluesit të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, ishin dhe zëra të njohur të kulturës sonë si studiuesit: Matteo Mandala, Klara Kodra, Moikom Zeqo, Lili Sula, Francesco Altimari e Shaban Sinani.

Nëpërmjet tyre dhe të vetë narratores Beti Njuma, brenda një kufiri kohor prej 60 minutash, u transmetua e plotë gjithçka mund të thuhej e të mbetej në kujtesë për një figurë të ndritur si ajo e Jeronim De Radës. E ndërkaq një kolonë muzikore me këngë arbëreshe shoqëronin sfondin me imazhet e Shën Mitrit e Maqit, dy fshatrave të njohura arbëreshe të Jugut të Italisë, si dhe të vetë shtëpisë së vjetër e të plasaritur të Jeronim De Radës.

Ka qenë mjaft e gjerë krijimtaria poetike e De Radës. Biografia e tij liston deri në 43 vepra, të gjitha të ndryshme nga njëra-tjetra për nga gjinia. Ai nisi të botojë që herët, por krijimi që i solli famën si poet me talent të shquar, është poema lirike-epike “Këngët e Milosaos”, e cilësuar si e vepra e parë e letërsisë sonë me vlera të mëdha artistike. Më pas ai do të vazhdonte me botimet: “Një pasqyrë e jetës njerëzore”, “Serafina Topia”, “Skënderbeu i pafan”, etj.

jeronimderada-e1479547929995Por Jeronim De Rada kaloi një jetë të vështirë. U përball me fatkeqësi të rënda familjare ku shënohet si më tragjikja,vdekja e gruas dhe e djemve. Por duket se as këto fatkeqësi nuk e mposhtën poetin, i cili vazhdoi deri në fund të jetës me projektin e tij madhor të zhvillimit gjuhësor të shqipes. E megjithatë po kaq tragjike ishte edhe vdekja e tij, në varfëri dhe vetmi të plotë.

Të gjitha këto, dokumentari “Hieronymi, Arbëreshi i Italisë”, realizuar nga Beti Njuma, do t’i sillte të zbërthyera më së miri, duke ngritur edhe një herë Jeronim De Radën në piedestalin e ideatorëve më të mëdhenj letrarë e kombëtarë të Rilindjes Shqiptare.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top