Dëshmi

July 5, 2018 | 12:09

Hiljana Biba, 18-vjeçarja që sfidon bashkëmoshatarët: Koha ime janë piktura, shkrimet dhe vullnetarizmi

Nga Orjona TRESA

Matura ishte fundi i një kapitulli për t’i hapur krahët universitetit. E ka shijuar dhe me bindje pohon se ka qenë një periudhë sa e vështirë po aq e bukur në përpjekje për t’u plotësuar. Ndonëse me ngarkesa dhe tema projektesh në studim, ajo ka gjetur kohë për t’i dhënë dritë pasioneve të saj. Dhe nuk janë as një e as dy, ndoshta as tri në udhëtimin e saj. Ka pafund skeda idesh e projektesh, si zgjatim i një misioni që për të ka nisur që herët të formohet në unin e saj.

hiljana-biba1Edhe pse e re në moshë, Hiljana Biba përgjatë viteve të shkollimit, e ka ndjekur veten mes hapash të rëndësishëm në ambicien e një vajze të re. E ka nisur me lëvrimin e pikturës, të cilën e ka në gjak, për të vijuar me letërsinë, në prozë e poezi, ka shkruar dhe një roman për moshën e saj, adoleshencën, ndërsa aty vijnë mesazhet e një përditshmërie të vrullshme. Një tjetër ngacmim i ka marrë gjurmë këtij udhëtimi, i cili i përket një dimensioni human e shpirtëror.

INTERVISTA

Si u gjete në art, marr parasysh krijimtarinë artistike në letërsi, pikturë?

Mund të them se e kam në gjak. Sidomos për sa i përket pikturës, duke qenë se nëna ime ka qenë piktore. Gjithnjë më ka tërhequr estetika, e bukura, ndaj mendoj se këto kanë qenë shtysat kryesore.

Çfarë do të thotë për një nxënëse 18-vjeçare të ketë botuar disa shkrime, një roman…?

Patjetër është një projekt në dobinë time, një eksperiencë e re. Më ka ofruar mundësi të reja, dhe pse kam bërë shumë përpjekje e sakrifica.

Sa e lehtë ka qenë për ty, duke parë që në tregun e ashpër të të bërit letërsi në vendin tonë, ka dyfish vështirësi edhe për të shpenzuar para në botimin e krijimtarisë? Si ia keni dalë, kush ju ka mbështetur?

Shumë e vështirë, por jo e pamundur. Hapësirat për të gjetur përkrahje janë të pakta, duke nisur që nga shkolla. Skepticizmi nuk mungon, për më botimet kushtojnë. E kam gjetur mbështetjen kryesisht te vetja ime, familja dhe miqtë e mi.

Ju jeni e re për të bërë zë në rrugët e artit që t’i performon, sipas këndvështrimit tim do shumë punë, vullnet, shfletime, leksione të gjata, sakrifica e me radhë. Si e gjen kohën për të analizuar përmbajtje që ndoshta për moshën, në diferencë me vitet që do të vijnë pas, kërkojnë një sy kritik për t’u trajtuar. Keni ju një redaktor letrar apo një këshillues letrar që ju ndihmon?

Sigurisht. Kam punuar me një shkrimtar dhe dy mësuese letërsie. Sakrifica patjetër ka pasur. Mund të përmend rastin e sezonit të provimeve, kur vetëm pas darke përfundoja me mësimet, e në mesnatë punoja me librin. Të nesërmen duhet të shkoja në shkollë me pak orë gjumë.

Kush ju ka vlerësuar në krijimtari?

Vlerësimin kryesor e kam marrë nga gazetarët, media, kritikë arti, nga shoqëria ime e nga familja sigurisht.

libri-me-quajne-xhuliaRomani juaj i parë, si adoleshente, çfarë ka si qëllim të përçojë? Vjen ai me mesazhi të qartë, apo është një rrëfim normal?

Ka patjetër një mesazh, madje disa që i drejtohen marrëdhënies prind-fëmijë, bullizmit, mentalitetin shqiptar e jo vetëm. Mesazhi që unë do të veçoja ka të bëjë me faktin se çdo gjë kalon, asgjë s’është e përjetshme.

Po piktura, është një fushë që ju e trashëgoni si gen artistik apo ëshët shfaqur dhe ajo ndër pasionet tuaja?

E trashëgoj si gen dhe në saj të seminareve e kurseve që kam kryer.

Cili është zhanri më i preferuar?

Portretet në stilin e Rilindjes, megjithatë dhe panoramat.

Keni hapur dhe një shoqatë bamirësie, gati-gati më duket më shumë si një trend i kohëve që jetojmë. Unë personalisht e shoh si varfëri ekonomike të standardit jetik në vend. Po ju nga se niseni?

I drejtë mendimi juaj. Unë nisem nga besimi e dëshira ime e pashterur për të ndihmuar, për të qenë të drejtë, jo të barabartë.

Cili është fokusi i këtij vullnetarizmi?

Kryesisht të pastrehët, por ndihmojmë edhe qendra të kujdesit njerëzor.

Ju keni lindur në Greqi dhe keni ardhur vonë, në periudhën e gjimnazit, mesa shfletova. Çfarë të bën përshtypje më shumë në Shqipëri dhe si do ta cilësoje brezin që përfaqëson?

hiljanaKam ardhur diku rreth moshës pesëvjeçare në fakt, por lëvizjet e mija jashtë vendit më kanë lënë hapësirë të bëjë një krahasim. Brezi im ka shumë potencial, talente, por ndoshta shikohen e vlerësohen me një skepticizëm të tepruar, duke nisur që në shkollë. Duket sikur artistët shfaqen vetëm në moshë madhore, ndërsa jashtë vendit ndodh e kundërta, artistët kultivohen që të vegjël.

Diçka e bukur që presim nga ty këtë verë?

Për momentin po merrem me përkthimin e librit dhe aktivitet në shoqatë. Po përgatitem dhe për një ekspozitë jashtë vendit.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top