Këshilla & Arsye

October 21, 2016 | 10:38

Humori tragjik në familjen Tot, një dramë hungareze me aktorë SHQIPTARË

Nga Orjona TRESA

Gjithçka është një lojë psikologjike.

E parë nga plateja, duket se mizanskena për gjatë 120 minutave është fort e arrirë, plot vërtetësi, aq sa shuplakat që marrim edhe në realitetin që jetojmë. Në të vërtetë ajo është një tragjikomedi, ku jeta e një familjeje shndërrohet në një ferr të vërtetë. Sfidat me të cilat ajo përballet ngjajnë me një kalvar të stërmundimshëm, me gërricje nervash pa fund, nën emocionet po aq të ngarkuara të një ushtaraku me gradën e majorit, që është psikopatisur nga jeta e tij 9-mujore në frontin e një lufte të ashpër. Familja Tot jeton në ankth për fatin e djalit të tyre, që ka ikur ushtar në luftë. Ditën që atyre u vjen për një “vakancë” dy javore komandanti i djalit, nis një kalvar nënshtrimesh përballë kërkesave të pazakonta të tij.

Ngjarja është e vendosur në një qytezë, ku të gjithë të rinjtë janë larguar ose në frontin e luftës, ose për të siguruar një jetë më të mirë. Në qytezë kanë mbetur vetëm njerëz të moshuar. Aty gjendet dhe një prift, i cili dhe vetë vë në dyshim besimin e tij tek Zoti. Megjithatë të gjithë shkojnë të falen tek ai sepse nuk ka tjetër. Po kështu personazh i rëndësishëm në këtë qytezë gjysmë të shkretuar është dhe një mjek, që në të vërtetë është gjysmë pacient dhe gjysmë mjek. Por tek ky shkojnë të diagnostikohen apo të marrin ndonjë recetë me ilaçe sepse nuk ka një mundësi tjetër.

“Familja Tot” vjen si një dëshmi po kaq e vërtetë në lëkurën e një personazhi të tillë si, z.Major, të cilin mund ta ndeshësh jo rrallë në jetën e përditshme. Pjesa ka të bëjë me nënshtrimin e njeriut ndaj pushtetit, që njerëz të ndryshëm nënshtrohen në mënyra të ndryshme për qëllime dhe interesa të ndryshme, dikush bën më pak, dikush bën më shumë rezistencë. Dhe pasi ke parë të paktën gjysmën e shfaqjes me të drejtë mund të ngresh pyetjen: Deri sa është në gjendje të durojë njeriu, për të mos shkelur mbi dinjitetin e tij?

familja-tot

Fotot: Altin R. Çelmeta

Tragjikomedia është shkruar nga Istvan Orkeny, një mjeshtri i groteskut, që njihet dhe si një prej shkrimtarëve më të rëndësishëm të letërsisë hungareze, të shekullit të 20-të. “Famija Tot” është fituese e çmimit “Grand Prize for Black Humor” në Francë.

“Familja Tot” është premiera e dytë që ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar këtë sezon artistik.  Shfaqja me regji nga Andia Xhunga interpretohet nga një kast e zgjedhur aktorësh si: Bujar Asqeriu, Olta Daku, Ndriçim Xhepa, Indrit Çobani, Adelina Muça, Sokol Angjeli, Suela Konjari, Vangjel Toçe dhe Xhevahir Zeneli. Skenografia e realizuar nga Genc Shkodrani dhe kostumet nga Blerina Kokona sjellin imazhin e një familje të vërtetë hungareze të një kohe më të largët.

familja2 familja7 familja9 familja4jpg familja5jpg familja8 familja-10 familja-6

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top