Psikofakt

October 8, 2016 | 6:32

I dashur trupi im…

Kështu mund të fillonte një letër, në pamje të parë e çuditshme, që çdo njeri mund t’i shkruante pikërisht trupit të vet. Sepse, është ashtu si është, i rregullt, i bukur e me përpjestime të harmonishme ose, në të kundërt, i çrregullt, i shëmtuar e me mungesë harmonie midis gjymtyrëve, ai është, në fund të fundit, trupi i tij. Kjo letër mund të shkruhej e t’i dërgohej trupit sidomos kur nis stina e nxehtë e njeriu detyrohet të vishet lehtë, pra, t’i tregojë faqe botës disa pjesë të trupit që, në dimër, ua fshihte vështrimeve të të tjerëve. Ah, mund të psherëtijë shumëkush, lum kush ka trup të bukur dhe mjerë kush ka trup të shëmtuar!

Nga Edmond Tupja

Nga Edmond Tupja

Ky qëndrim, që haset jo rrallëherë në shoqërinë shqiptare, por edhe përtej kufijve të vendit, dëshmon se bëhet fjalë për një kompleks, i cili, sidomos në shoqëritë në tranzicion, duhet kapërcyer. Ky kompleks është i vjetër sa vetë bota: kur mban syze të thonë qorr, kur nuk ke më flokë, të thonë tullac, kur ke hundë të madhe, të thonë hundëderr, kur ke fytyrë të gjerë, të thonë surratpatate dhe kjo listë s’do të kishte të mbaruar. Përfytyroni ç’mund të thonë për dikë që është tepër i shëndoshë e i dhjamosur, pra, me obezitet (bullar, bullafiq, trashaluq etj., etj.) ose, në të kundërt, për dikë që është i gjatë e i thatë (skërfyell, gjatovinë, stërhell etj., etj.). Para gati njëzet vitesh, një miku im nga një qytet i vogël i Shqipërisë së Mesme, kur vajti për herë të parë jashtë shtetit – dhe ku se, pikërisht në Nju Jork! –, ndeshi një ditë në Broadway një amerikan të ri, të panjohur sigurisht, rreth 120 kile, dhe e pa duke shqyer sytë, por habia e tij para atij trupi të stërmadh, i vleu këtë përgjigje nga ana e tjetrit: “Don’t look at me in this way, guy, that’s my own body, not yours!”. ( Mos më shiko kështu, djalosh, ky trupi është i imi, jo i yti!). Kumti që përcillte kjo përgjigje ishte fare i qartë: secili nga ne ka një trup, sepse, pa trup nuk vjen dot në këtë jetë, nuk e shijon dot atë, kështu që, është si është trupi ynë, ai është i çmuar për ne, pavarësisht dogmave fetare sipas të cilave trupi është vatër tundimesh mëkatare. Sido që të jetë, trupi na mban në këtë jetë, qoftë ai i bukur apo i shëmtuar, prandaj jemi me fat që e kemi! Rrjedhimisht, duhet të tregohemi të vëmendshëm ndaj tij, se ai na dërgon vazhdimisht sinjale kur nuk është mirë: na i dërgon që të shkojmë te mjeku, të kujdesemi për të! Latinët thoshin: “Mendja e shëndoshë në trup të shëndoshë”. Psikologët e sotëm këshillojnë që herë pas here, madje rregullisht, të dialogojmë në heshtje, por, pse jo, edhe me zë, me trupin tonë, t’i japim kurajë kur është i lodhur ose i pafuqishëm, të kujdesemi për të me të marrë sinjalet e para që ai do të sëmuret dhe ta përgëzojmë kur është mirë me shëndet, ta falënderojmë që nuk na krijon shqetësime. Për të tëra këto arsye, do të ishte mirë që gjithsecili nga ne t’i shkruante ndonjëherë letër trupit të vet, të cilën ta niste pak a shumë kështu: “I dashur trupi im! Më fal që nuk jam treguar i vëmendshëm ndaj teje këto kohët e fundit, por unë të dua, ashtu siç je, me gjithë tiparet e tua, të rregullta ose jo, pa përjashtim, sepse, pa ty, nuk do të isha në këtë jetë, nuk do të njihja as vetveten, pale më të tjerët. Shyqyr që të kam, o trupi im i dashur…”.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top