FB

March 3, 2022 | 8:15

I rrituri, duke kontrolluar frikën e tij krijon kushte për të mbrojtur fëmijën nga situata të ndryshme, si bullizmi elektronik

Në ditët e sotme nuk i ndalon dot fëmijët, qoftë edhe gjashtë vjeç të shohin në internet programe nga më të ndryshmet. Aq më shumë një adoleshent nuk e ndalon dot të shohë çfarë të dojë. Ata kanë më shumë njohuri se sa të rriturit në sferën elektronike. Ata me lehtësinë më të madhe mund të hyjnë e navigojnë e mund të shohin e të shuajnë kuriozitetet e tyre.

Nga Lira Gjika

Problemi qëndron te ne të rriturit që jemi të papërgatitur dhe me shumë paragjykime për të menaxhuar këtë situatë dhe për të qenë krah fëmijëve tanë dhe të mos i lënë ata vetëm në “udhëkryqe” me të cilat përballen dhe për fat të keq shpesh janë vetëm. Ashtu si ne kur ishim fëmijë, nuk kemi marrë leje për të bërë disa veprime, madje i kemi fshehur me shume kurajo dhe zgjuarsi, po ashtu edhe fëmijët e sotëm bëjnë dhe do të bëjnë të njëjtën gjë, nëse do të ndihen të frikësuar dhe të etiketuar nga prindërit dhe mësuesit.

Gjithashtu, duhet patur parasysh se brezi nga brezi ndryshon, nuk kanë të njëjtat mënyra të pranuari dhe gjykuari të realitetit dhe problemeve. Domethënë prindërit e adoleshentëve të sotëm kur kanë qenë adoleshentë nuk kanë patur këto mënyra të menduari dhe këto probleme që i kanë sot fëmijët e tyre. Adoleshentët e brezave të ndryshëm nuk janë të ngjashëm, sepse çdo brez është produkt i kohës së tij dhe i nivelit ekonomiko-kulturor të mjedisit ku bën pjesë. Adoleshentët e kohës së sotme jetojnë në një kohë që mjetet elektronike dhe informatika janë gjëra të zakonshme. Ata janë të aftë të navigojnë në internet dhe të komunikojnë në mënyrë virtuale që për brezin e prindërve është një gjë e pa kuptimtë dhe shpesh provokon nervozizëm.

Në kohën e prindërve informacioni nuk vinte nga interneti dhe rrjetet sociale. Komunikimi online as nuk ekzistonte. Vetë  prindërit, e adoleshentëve të sotëm e kanë mësuar kompjuterin privatisht jo në shkollë. Kompjuteri ende nuk ishte bërë orendi shtëpiake, interneti ishte ende një fjalë e panjohur, aq më tepër rrjetet sociale, që nuk i dinte njeri. Me vërshimin e mjeteve elektronike dhe komunikimit virtual, situata ka ndryshuar në një mënyrë drastike. Tani edhe shkolla mund të  realizohet online, gjithashtu edhe prindërit e adoleshentëve për herë të parë po punojnë online. Të gjithë, të rritur e fëmijë, jemi në komunikim online. Sot të rinjtë nëpërmjet internetit janë në kontakt me të rejat e fundit dhe jo vetëm në shkencë, art apo kulturë, por edhe me gjithfarë informacionesh që hidhen në rrjet, duke filluar nga pedofilia apo pseudo-lojëra, që janë për të shfrytëzuar nëpërmjet padijes kush bie në këto rrjete.

Rrjetet e ofrojnë informacionin më shpejt seç mundet t’ua ofroj shkolla. Kështu, nëpërmjet informacionit, duket se formimi i tyre është shumë herë më i zhvilluar, por kjo nuk është e vërtetë. Është e vërtetë, informacioni është shumë i rëndësishëm, por është gjysma e punës. Ai duhet përpunuar dhe kthyer në vlera. Këtu qëndron detyra e të rriturit. Shkolla dhe familja, të cilat janë dy institucionet më të rëndësishme për fëmijën dhe edukimin, duhet të jenë të vëmendshme dhe me shumë përgjegjësi të udhëheqin edukimin drejt vlerave, respektit për jetën, veten dhe zhvillimin e inteligjencës drejt shkencës dhe jo drejt abuzimit.

Edukimi po u zhvillua nëpërmjet vlerave të vërteta e ndihmon fëmijën të shmang të qenit një objekt i situatave emocionale të pa organizuara. Nuk është problem se çfarë sheh fëmija në internet, por ngarkesa emocionale e të rriturve në momentin e reagimit dhe më pas, sa të vetëdijshëm do të jenë që të menaxhojnë situatën jo duke urdhëruar e etiketuar, por me dialog. I rrituri, prind apo mësues me autoritet pasi dëgjon fëmijën me kujdes, jep argumentet e tij, pse duhet shmangur një X informacion apo lojë.  Duke shmangur paragjykimin, sharjet dhe etiketimet dhe duke krijuar kushte për dialog, fëmija apo adoleshenti mund të flasë dhe të ndihet i dëgjuar.

I rrituri duke kontrolluar frikën e tij, krijon kushte për të marrë vesh të vërtetën. Kështu do të dijë të drejtojë dhe mbrojë fëmijën nga situata të ndryshme që hasin fëmijët, si bullizmi elektronik apo shfrytëzim dhe vjedhje nëpërmjet lojërave pirate. Fëmijët edhe pse shpesh kundërshtojnë janë të vëmendshëm ndaj fjalës së të rriturit.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top