FB

March 3, 2022 | 8:20

Nga Edmond Tupja / Një jetë ka burri, atë të gruas dhe anasjelltas!

Para shumë dekadash, këngëtari francez Jean Ferrat, i frymëzuar nga poeti Louis Aragon, bashkatdhetari i tij, ka kompozuar e interpretuar një këngë me titull “La feme est l’avenir de l’homme”, i cili, në gjuhën shqipe mund e duhet përkthyer, sipas meje të paktën, në dy mënyra: “Gruaja është e ardhmja e burrit” (pra, e të shoqit) dhe “Gruaja është e ardhmja e njeriut” (pra, e njerëzimit, si metonimi).

Sidoqoftë, ky titull ka vërtet vlerën e një aforizmi për çdo burrë (që i përket, natyrisht, njerëzimit) të pajisur me një minimum ndjeshmërie e dhembshurie për bashkëshorten, nënën e motrën e tij, të cilat, si femra, sjellin në jetë fëmijë, vajza apo djem qofshin, falë të cilëve njerëzimi vazhdon jetën në planetin tonë.

Po t’i këqyrim me vëmendje vargjet e mëposhtme të këngës së Jean Ferrat-it, do të kuptojmë se ato janë një program i tërë shpirtëror për ndryshimin e gjendjes së gruas sot edhe në Shqipërinë tonë mashkulliste, pra tejet problematike, lidhur me trajtimin e gruas: “Ne duhet të rimësojmë si të jetojmë, /Të shkruajmë së bashku një libër të ri, / Të rizbulojmë të gjitha mundësitë. / Pasi çdo gjë ta ndajmë më në fund së bashku, / Gjithçka do të ndryshojë në gjirin e çiftit / Në mënyrë të pakthyeshme.

Në këtë këndvështrim, duhet hequr dorë nga të kundruarit e 8 Marsit si “festa e grave”, thjesht si një ditë kur gruas shqiptare i sjellin në shtëpi lule e dhurata, traditë kjo e trashëguar që nga koha e diktaturës komuniste, kur gratë mblidheshin në lokale dhe gëzonin e zbaviteshin midis tyre duke ngrënë e kërcyer. Jo, kjo datë duhet konsideruar si një ditë protestash nga vetë gratë e vajzat shqiptare dhe nga organizatat feministe (a ka të tilla vallë në vendin tonë?); në këtë frymë duhet vepruar në të gjitha nivelet e shoqërisë që nga strukturat qeveritare (në veçanti Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes së Çështjeve Sociale, si edhe Ministria e Arsimit), deri tek hallkat e ndryshme të shoqërisë civile,madje, detyrimisht, deri në gjirin e familjeve qytetare e sidomos fshatare, d.m.th. në çdo fshat dhe jo vetëm në kryeqytet e tek-tuk në disa qytete.

Por le të kthehemi tek titulli i këngës së lartpërmendur të komentuar shkurtas: “Gruaja është e ardhmja e burrit” (pra, e të shoqit) ose “Gruaja është e ardhmja e njeriut” (pra, e njerëzimit). Aktualisht, ende në tërë vendet e botës, pra edhe në Shqipëri, gruaja vuan nga diskriminimet e ndryshme që i bëhen haptas ose tërthorazi, vuan në familje, në punë e në shoqëri. Kështu, pra, edhe si bashkëshorte, edhe si nënë, edhe si e punësuar, ajo vazhdon të jetë viktimë padrejtësish me zanafillë skllavërinë e shekujve të kaluar, prandaj ka ardhur koha që titulli i këngës së Jean Ferrat-it të rishkruhet duke i ndërruar vetëm një fjalë: “Gruaja është e tashmja e burrit” dhe“Gruaja është e tashmja e njeriut”!

Përse kështu? Thjesht fare: Sepse gruaja dhe burri krijojnë familje për të jetuar bashkë, prandaj edhe quhen bashkëshortë, d.m.th. dy njerëz që ndajnë të njëjtin short, pra të njëjtin fat, duke qenë kështu, së pari, e tashmja dhe, së dyti, e ardhmja e njëri-tjetrit, çka mund ta përkthejmë apo ta interpretojmë si vijon: Një jetë ka burri, atë të gruas, dhe anasjelltas!

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 165

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
Boana Shenjtolli: 0694767053
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top