Psikofakt

January 9, 2017 | 11:14

Ikja pa zhurmë e endacakut të pafajshëm…!

Në edicionet e lajmeve të mbrëmjes, përmes kronikave të zeza, disa televizione transmetuan një lajm të shkurtër, që bënte fjalë për vdekjen e një endacaku 54-vjeçar në qytetin e vogël bregdetar të Sarandës.

 Nga: ILIR ÇUMANI DREJTOR I PËRGJITHSHËM I INSTITUTIT KOMBËTAR I INTEGRIMIT TË JETIMËVE SHQIPTARË


Nga: ILIR ÇUMANI
DREJTOR I PËRGJITHSHËM I INSTITUTIT KOMBËTAR I INTEGRIMIT TË JETIMËVE SHQIPTARË

 

Sipas lajmit që u transmetua, u tha se vdekja i kishte ardhë, si shkak i të ftohtit të acartë dhe kushteve tejet të vështira në të cilat ai jetonte.

Mediat, duke mos qenë të saktë me burimin e lajmit, e komunikuan ndryshe emrin e viktimës, që në fakt,  emri i tij i vërtetë është Leonard Arapi. Kaq u tha për fatkeqin, për të cilin drama e jetës së të ndjerit i kalon caqet e një dhimbjeje njerëzore, ngase historia e jetës së tij lidhet pazgjidhshmërisht me dhjetra e qindra ngjarje tragjike bonjakësh.

Si për ironi, këto foto të vetme të jetës së tij (të cilat shoqërojnë radhët që po shkruaj), kanë fiksuar në celuloid momentet më kulmore, që fati i trishtë i’a serviri jetimit të gjorë, që në asnjë çast të vetëm nuk do ti falte buzëqeshje.

Përmes këtyre fotove, dokumentohet qartazi klithma e dramacitetit e njeriut të vetmuar dhe të shumëvuajtur, që nuk njohu dashuri, nuk ndjeu ngrohtësi, nuk provoi mirësi, nga lindja e deri në vdekje.

Nardi erdhi në jetë në një prag dimri të ftohtë si ky, të vitit 1962, i braktisur në një dhomë të maternitetit të Tiranës. I braktisur nga një nënë, që nuk dihet se cila ishte, por që nuk do ta kishte fatin të gëzonte foshnjën e saj.

Nuk dihen arsyhet e kësaj braktisje, por një gjë ishte i sigurtë: për foshnjën e pa fat, do të niste kalvari i gjatë i sakrificave dhe privacioneve sfilitëse e torturuese,  duke u endur dyerve dhe korridoreve të zhurmëshme të institucioneve të jetimoreve të kohës, pa ditur pse-në e shumë pikëpyetjeve të asaj braktisjeje, që do ta mundonte gjatë gjithë jetës së tij.

1Leonardi, mes shumë bashkëmoshatarëve të të njëjtit fat, po rritej dita ditës nga disa gra dhe punonjëse të dhembshura, që në punën e tyre të përditshme i’a kishin përkushtuar kujdesit dhe mirërritjes së këtyre fëmijëve të pafajshëm.

Shkollën fillore dhe 8 vjeçare e kreu në Shtëpinë e Fëmijës në Sarandë. Ishte një fëmijë shumë i zgjuar, i dashur dhe i shoqërueshëm me shokët dhe me shoqet, të cilët aty në jetimore i konsideronte të gjithë motra e vëllezër. Më pas do të mësonte profesionin e gurëgdhëndësit në një shkollë profesionale në Korçë, profesion që e përvetësoi dhe e bëri mjeshtër të zot në këtë zanat.

Mirëpo, ndërrimi i sistemit e gjeti të riun jetim Leonard Arapin të papërgatitur, në mes të katër rrugëve, pa shtëpi, pa punë, pa të ardhura, pa asnjë mbështetje. Jeta e vuri përballë një sprove edhe më të vështirë. Tash e tutje, i duhej të përballej i vetëm me të gjitha vështirësitë dhe problemet për të mbijetuar.

Në kaosin e tranzicionit shqiptar, viktimat e para ishin pikërisht ata, jetimët, të cilët nuk do të gjenin ashtu si dikur në zyrat e shtetit dashamirësinë e institucioneve, që duhet të përgjigjeshin për nevojat dhe zgjidhjen e halleve dhe problemeve që kishin.

Mes tyre, nuk bënte përjashtim edhe Leonardi, i cili e ndjente në lëkurën e tij ftohtësinë e hipokrizisë, shpërfilljen, injorimin, përbuzjen e zyrtarëve të shtetit kur  trokiste derë më derë dhe kërkonte punë apo një strehë ku të fuste kokën.

Kudo që shkonte, i përplasej dera në fytyrë. Ehhh, kjo botë e egër me shpirtra të tharë, nuk e ka për turp të shoh jetimin kokëulur dhe të poshtëruar, kishte menduar sa e sa herë me vete, Leonardi. Duke humbur shpresat për ndihmë, mes përpjekjeve raskapitëse e torturuese për mbijetesë, ai vendosi të mbyllet në vetvete dhe i nënështrohet mjerisht fatit, duke zgjedhur të bëjë jetën e një endacaku vetmitar.

Gjendja e mjeruar sociale dhe kequshqyerja, dalëngadalë do ta invalidizonte duke e bërë pacient të përjetshëm dhe që do të vuante më pas disa sëmundje njëra pas tjetrës. Prej vitesh jetonte në rrënojat e një ndërtese si invalid, ku ç’farë binte jashtë, hynte brenda.

I pafuqishëm për t’ia dalë mbanë, i pa asistuar nga shteti për të përfituar së paku një ndihmë ekonomike, ai zgjodhi këtë mënyrë jetese, ngase Nardi për karakterin dhe edukimin që kishte, kurrë nuk do pranonte ti nënshtrohej rrugëve të pandershme; vjedhjeve, mashtrimit, trafikut, prostitucionit, drogës….

Leonardin e njohin të gjithë në qytetin e Sarandës.Të gjithë bashkëqytetarët ndjenin dhembshuri e respekt për të,  secili prej tyre, sipas mundësive e ndihmonin me ushqim e veshmbathje.

Vetëm ata që e kishin dhe e kanë për detyrë të interesoheshin dhe kujdeseshin për të, ishin zyrtarët e shtetit dhe të pushtetit lokal, atje në Sarandë, të cilët, për fat të keq tregoheshin indiferentë, gjithmonë e më shumë të huaj për të.

Ashtu si për çdo jetim të këtij qyteti, Sokolin, Linditën, Shpëtimin, Mirandën, Kristaqin, Majlindën, Petritin, Arbenin. etj, këta zyrtarë lokal  gjithmonë e kanë bërë një vesh shurdh e një sy qorr edhe për fatkeqin jetim, sepse për ta, Leonard Arapi nuk ka ekzistuar dhe nuk ekzistonte asnjëherë.

Edhe pse Ligji “Për Statusin e Jetimit” u jep përparësi  të gjithë jetimëve që të ndihmohen dhe përkrahen nga shteti me strehim dhe punësim, ky ligj, kurrë nuk ka gjetur zbatim nga agjensitë e ligjitzbatues të përfaqësuar nga njerëzit e shtetit dhe të pushtetit.

Për sa kohë politika do tregohet e ftohtë,  e pa dhembshur,  arrogante, hipokrite dhe demagoge me shtresat në nevojë, për aq kohë do të kemi viktima ta pafajshme si jetimi Leonard Arapi, të cilët zgjedhin në mënyrë të parevokueshme, por pa dëshirën e tyre të ikin për fare nga kjo botë, pa zhurmë, duke na lënë pas në mënyrë kolektive njollën e zezë të një krimi të shëmtuar social dhe antihuman.

Ikja i Tij, në heshtje dhe pa bezdisur askënd është protesta më e lexueshme kundër një rregjimi pa sistem vlerash, e një administrate shtetërore luksokrate, e ndërtuar mbi  një padrejtësi dhe hendeku social, kundër kulltukofagëve shpirtëzinj dhe pa sentiment njerëzor ,që përdorin dhe keqpërdorin pushtetin, duke jetuar në luks të shfrenuar mbi fatkeqësinë e shumicës, të më të dobtëve të shoqërisë.

Ikja e Leonardit është protesta më e paqtë, që na bën të ndjehemi me turp dhe të shohim veten në pasqyrë të gjithë së bashku, por njëkohësisht, sa nuk është vonë,  të mundemi të reflektojmë si shoqëri ndaj atyre që kanë në dorë fatet tona…

Deri atëherë, u prehsh në paqe o engjëll i mirë i Zotit, dëshmitar i vuajtjes dhe i dhimbjes Njerëzore…!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top