Dëshmi

September 8, 2020 | 8:18

Ilir Çumani: Kujtime që zgjojnë ndjenjat, mallin. Një ditë nga takimi me Randon, shokun e fëmijërisë dhe Evllohinë, kujdestaren e devotshme

 

Pas 38 vjetësh, takohem i përmalluar me shokun tim të fëmijërisë Rando Hodo. Me Randon kemi kaluar vitet më të bukura, por edhe më të vështira atje, në Shtëpinë e Fëmijës në Sarandë. Në foton bardhezi, kemi dalë me një nga punonjëset zemërdhembshura të Shtëpisë së Fëmijës në Sarandë, që u kujdes aq shumë për Randon, për mua dhe shumë fëmijë të tjerë jetimë në atë institucion.

1Evlloqia Boçi quhej. Ishte një grua që jetonte në vështirësi të madhe ekonomike e sociale, me shumë halle e sakrifica rriti dhe edukoi edhe tre fëmijët e saj biologjikë, Landin, Kastriotin dhe Elin, e cila është edhe në këtë foto bardhezi.

Fëmijët e saj, nuk i ndau dhe nuk i dalloi kurrë nga ne, ish-fëmijët e familjes së madhe. Mbaj mend, pasi përfundonte orarin e punës gjatë turnit të tretë në Shtëpinë e Fëmijës, nuk shkonte në shtëpi, të bënte zgjimin e fëmijëve të saj, t’u përgatiste mëngjesin (ata e përgatisnin vetë ngrënien e mëngjesit), dhe t’i përcillte për në shkollë, por herët, në agun e mëngjesit, ngjitej në kodrat e qytetit dhe mblidhte bimët a çajit të malit, lakra të egra, të cilat ua përgatiste për drekë fëmijëve që i konsumonin sapo ata ktheheshin nga shkolla. I gatuante me shumë mjeshtëri, i regjte mirë me pak uthull e vaj ulliri, aq sa unë dhe Rando shkonim shpesh në shtëpinë e saj dhe lëpinim gishtat pasi e konsumonim pjatën me lakra të egra që ajo na e servirte me shumë bujari.

2

Sot, ajo jeton pleqërinë e bardhë në Greqi, në moshën 88-vjeçare, pranë fëmijëve të saj. Sa mall kemi ne ish-fëmijët e Shtëpisë së Fëmijës në Sarandë, të rritur nga duart e saj. Sa respekt e mirënjohje pa kufi kemi për këtë grua simbol të mirësisë dhe humanizmit!

Këto dhe shumë kujtime të tjera i sollëm me Randon gjatë këtij takimi të përmallshëm. Rando ka krijuar një familje të shëndoshë dhe të mrekullueshme në Kuçovë. Ka një vajzë të martuar në Gjermani dhe një djalë të mrekullueshëm në shkollë, me rezultate të shkëlqyera. Gëzohem pa masë Rando! Mbi të gjitha, gëzohem dhe lumturohem se ke ditur t’ia dalësh mbanë e ta fitosh betejën me JETËN, duke e ndërtuar siç edhe e ke merituar… Latinët e Vjetër thonë: “….Jeta u përket guximtarëve…”.  Dhe ti ke guxuar mjaft mirë. Bekime Vëlla… Bekime!

P.S: Si për çudi, emri Evllohi, ka kuptimin e fjalës: #BEKIM. Vallë rastësi ishte fakti që në ato kohë të vështira për ne fëmijët miturakë pa familje të kishim kaq pranë si një engjëll mbrojtjeje këtë GRUA të dhembshur dhe e mbushur me kaq dashuri….!?

3

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top