Mirëqenie

April 17, 2020 | 8:02

Imo Alikaj: Për familjet e karantinës 2020! Që çdo gjë të duket e bukur së bashku!

 

 

Duke ndjekur rrjetet sociale, ndjej shumë krenari për të gjitha familjet dhe prindërit. Veçanërisht në ditë si këto, ku izolimi po na e bën çdo ditë e më të vështirë, ju e tregoni veten se jeni prindër fantastikë. Kam parë përpjekjet e gjithsecilit për të ndenjur cilësisht pranë familjes suaj dhe veçanërisht pranë fëmijëve, duke i bërë ata të ndjejnë dashurinë, sigurinë dhe vëmendjen tuaj.

Duke qenë kaq larg fizikisht, dhe duke marrë kaq shumë prej jush, dua t’ju jap edhe unë shumë pak nga vetja. Ide shumë origjinale dhe shumë të thjeshta për t’i bërë në shtëpi me fëmijët tuaj. Mos harroni, bëjeni çdo gjë bashkë, vetëm kështu ato bëhen thellësisht të bukura.

Msc. Imo Alikaj Psikologe Klinike Psikotraumatologe EMDR

Msc. Imo Alikaj
Psikologe Klinike
Psikotraumatologe EMDR

1.Shikoni albumet fotografike të familjes

Është një mënyrë e mirë për t’i treguar fëmijëve copëza nga jeta juaj, e gjyshërve si dhe historinë e tij që prej lindjes. Ata janë kuriozë dhe u pëlqen shumë t’ju dëgjojnë. Mund të filloni duke thënë “Këtu është gjyshja jote. E shikon? Ajo i ka flokët e thinjura këtu, por…”. Pasi të ndani diçka për gjyshërit, mund të ftoni edhe fëmjën në bashkëbisedim “Të kujtohet çfarë bëmë herën e fundit kur i vizituam gjyshërit?”

2.Organizoni një Dance Party

Volumi i lartë i muzikës dhe të gjithë në pistën e kërcimit; do të jetë një mënyrë fantastike për t’u argëtuar, por edhe për të shkarkuar të gjithë tensionin e izolimit në shtëpi.

3.Shkruani letra për personat që nuk mund t’i takoni

Do të jetë një formë shumë e mirë për të folur për gjithçka që bëni me dikë që do të donit të flisnit, por që ende nuk jeni gati për ta bërë apo nuk keni mundësi për ta bërë. Mjafton vetëm një copëz letre dhe një laps dhe mund të ndjesh menjëherë “magjinë” e shkarkimit. Inkurajojini edhe fëmijët tuaj të shkruajnë, kur ata munden; mund t’i shkruajnë tezes, dajës, mësueses, gjyshes, shokëve. Por mos harroni t’i ruani dhe t’ua jepni letrat të gjithëve, pasi kjo situatë të përfundojë. Do të qeshni pafund kur t’i lexoni bashkë.

4.Bëni një piknik në një nga mjediset e shtëpisë

Nëse doni të argëtoheni nën shoqërinë e njëri-tjetrit do të jetë fantastike kjo eksperiencë. Zgjidheni bashkë vendin ku dëshironi të shkoni. Duke respektuar njëri-tjetrin dhe dëshirat apo preferencat e gjithsecilit, mund të vendosni të shkoni në një nga këndet më të bukura të shtëpisë. Caktoni orën kur do të shkoni, sa do të qëndroni atje, përgatisni bashkë ushqimet që do të merrni me vete, mund të bëni edhe një plan çfarë aktiviteti do të bëni atje dhe të merrni çfarë ju duhet për këtë. Imagjinojeni vërtet si të tillë, dhe merrni gjithçka që ju duhet me vete. Bëni një marrëveshje; nëse keni harruar diçka pa e marrë, nuk do të shkoni ta merrni që ta zëvendësoni. Ju duhet të futeni në rol dhe të silleni sikur jeni në një vend larg shtëpisë. Më besoni, kështu do të kënaqeni më shumë se gjithë piknikët që keni bërë. Edhe unë u kënaqa pa fund, si asnjëherë tjetër, edhe pse kisha harruar të merrja topin për të luajtur. Në fillim motra ime u mërzit shumë, por më pas e gjetëm një zgjidhje; krijuam një top me një nga bluzat që kishim marrë me vete në rast se do të kishim ftohtë.

1

5.Trajnoni kafshët shtëpiake

Nëse keni një qen apo një mace dhe ka ende disa gjëra që nuk ia keni mësuar sepse nuk keni pasur kohë apo nuk keni punuar shumë me të. Ky është momenti perfekt. Filloni; do të shihni që keni kaq shumë për të mësuar të gjithë bashkë. E dini? Ne njerëzit fillojmë t’i trajnojmë kafshët duke pretenduar që jemi vetëm ne që do u mësojmë atyre disa gjëra. Por në të vërtetë edhe ato na mësojnë ne kaq shumë. Provojeni!

6.Bëni një kuti sensoriale

Nëse nuk e dini për çfarë ju shërben, do të doja t’ju thoja që përveç argëtimit do t’iu ndihmojë shumë edhe për shkarkimin emocional. Për këtë nuk ka nevojë të keni kutinë e rërës kinetike. Mjafton të shkoni në kuzhinë dhe keni materiale pa fund aty. Unë e di që keni blerë kaq shumë makarona, oriz, fasule, thjerrëza. Dhe është pikërisht momenti që përpara se t’i shijoni ato duke i ngrënë, shijojini duke i prekur. Mami mos më shih shtrembër, ato mund të lahen përpara se t’i gatuani. Hajde, hidhini në kuti dhe futini duart aty të gjithë bashkë, ka lojëra pa fund për të bërë aty.

7.Video-call me familjarët

Keni të tjerë të dashur jashtë familjes suaj? Caktoni një orar për t’u takuar me ta virtualisht.

8.Riorganizimi i rrobave. Pranvera erdhi!

E di që të palosësh dhe të sistemosh rrobat mund të mos jetë aspak argëtuese, por ndonjëherë disa gjëra duhen bërë. Përgatisni veshjet dhe kombinimet tuaja më të bukura që t’i keni gati kur t’i riktheheni rutinës suaj të vjetër. Mund të bëni edhe një sfilatë me to! Fëmijët kënaqen pafund, duke veshur dhe duke provuar veshjet e një stine tjetër.

9.Ditari i karantinës

Caktoni një bllok apo një fletore kur të shkruani të gjithë dhe të tregoni çfarë ndodh ditë pas dite. Jo vetëm që do të mbetet një super kujtim për ditët që keni qëndruar të gjithë së bashku, por do të jetë gjithashtu një kohë cilësore dhe konstruktive e komunikimit familjar. Nuk mund të thoni që nuk është një ide e bukur.

10.Googëlloni për ide të tjera 

Mos u ndikoni nga ata që ju thonë kjo nuk ishte ideja jote, ti e pe atë diku tjetër. E dini çfarë? Të gjitha këto që kam listuar më sipër, sigurisht që nuk i kam shpikur unë. Në një farë mënyre edhe unë i kam googëlluar. Edhe ju mund ta bëni për të kërkuar ide të reja, mjafton që ato të jenë argëtuese dhe edukative për të gjithë familjen.

Shkencëtarët thonë që kjo periudhë izolimi ka një anë shumë të bukur dhe shumë pozitive; po e lejon tokën që për herë të parë ajo të marr frymë lirshëm. Ju mund të bëni që çdo familje të marrë frymë gjithashtu.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top