FB

September 19, 2023 | 7:45

Instagram: mik apo armik i shëndetit mendor?

Në epokën dixhitale në të cilën jetojmë, rrjetet sociale e kanë vendosur veten në shtresat më intime të jetës sonë, duke ndikuar në mënyrën se si ne e perceptojmë veten dhe të tjerët. Në këtë panoramë, Instagrami shquhet si një platformë magjepsëse dhe tërheqëse, ku imazhet flasin më shumë se fjalët dhe çdo foto mund të tregojë një histori. Megjithatë, pas sipërfaqes vezulluese të fotografive të përsosura fshihen çështje delikate, por domethënëse që ndikojnë në shëndetin tonë mendor dhe vetëvlerësimin.

Cilat janë rreziqet e Instagramit?

Disa vite më parë, kompania e njohur tashmë si Meta – pronare e platformave sociale si Facebook, Instagram dhe WhatsApp – hodhi dritë mbi çështjet shqetësuese që lidhen me përdorimin e Instagramit, falë kërkimeve të kryera brenda zyrave të saj. Ky hulumtim ka nxjerrë në pah ndikimin e rëndësishëm që Instagram mund të ketë tek përdoruesit adoleshentë, duke ngritur pyetje të rëndësishme për shëndetin mendor.

Hulumtimet kanë zbuluar se një numër i konsiderueshëm i vajzave adoleshente, deri në një të tretën e tyre, kanë zhvilluar çrregullime të perceptimit të trupit , të shoqëruara me ankth dhe depresion , si pasojë e imazheve që shikojnë në Instagram. Sidomos ata që tregojnë jetë perfekte, situata të lakmueshme dhe trupa të skalitur.

Ky fenomen mund të ketë pasoja të rënda, pasi dihet se pakënaqësia e trupit mund të përshpejtojë çrregullimet e të ngrënit dhe sjelljet vetëizoluese . Të gjitha temat që nuk bëjnë gjë tjetër veçse ngrenë një sinjal alarmi për cenueshmërinë e adoleshentëve përballë presionit të vazhdueshëm për t’u përshtatur me standardet shpesh joreale estetike dhe jetësore të propozuara nga platforma.

 

Pse krijojmë varësi nga Instagrami?

Një nga arsyet kryesore pse Instagram na bënë të ndihemi të varur është i lidhur me mekanizmin e tij psikologjik që garanton një rrjedhë të vazhdueshme të përmbajtjes së re. Kjo risi e vazhdueshme tërheq vëmendjen tonë, duke na penguar të devijojmë mendimet tona nga mediat sociale. Pritshmëria për të zbuluar diçka të re, interesante apo edhe befasuese sa herë që hapim Instagramin na bën të kthehemi shpesh.

Kjo sjellje nxitet nga intoleranca jonë në rritje ndaj mërzisë . Në një epokë ku vëmendja është bërë një burim i çmuar, rënia e lehtë e interesit për atë që po bëjmë mund të shkaktojë impulsin automatik për të kapur telefonin dhe për të riaktivizuar menjëherë nivelin tonë të angazhimit. Më pas, cikli përsëritet : ne hapim Instagramin, lëvizim nëpër imazhe, marrim pak kënaqësi dhe mërzia shtyhet prapa.

Një faktor tjetër vendimtar që kontribuon në varësinë nga Instagrami është nevoja për lidhje sociale. Një studim i kryer nga New York Times zbuloi se 78% e njerëzve të anketuar ndajnë foto në Instagram kryesisht për të qëndruar të lidhur me të tjerët. Platforma bëhet një mjet për të mbajtur marrëdhënie, qoftë edhe ato sipërfaqësore, dhe për të ndarë momente të jetës sonë. Mundësia për të zgjedhur atë që u tregojmë të tjerëve dhe për të eliminuar aspektet që nuk na pëlqejnë kontribuon në ndërtimin e një imazhi të idealizuar për veten, duke nxitur ankthin për të marrë miratimin dhe komentet pozitive. Në thelb, ne e tregojmë jetën tonë ashtu siç do të donim, jo siç është në të vërtetë.

 

 

 

 

Përgatiti Kleona Malkollar / Revista Psikologjia

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top