“Na e mbushi shtëpinë me shkarravina, pale mërzitet po s’ja pëlqeve”. Këto biseda janë të zakonshme nga nënat dhe gjyshet.
Prindër! Të rritur! Kini kujdes kur i quani shkarravina vizatimet e fëmijëve. Përpiquni të kuptoni, që fëmija juaj nuk bën shkarravina. Fëmija po përpiqet të bashkojë, shqisat, memorjen, zhdërvjelltësinë e dorës dhe fantazinë e tij, për të realizuar atë që ka parë, di dhe ka mësuar. Fëmija dëshiron të bëjë gjëra me dorën e tij. Mirëpo i rrituri, nuk ka kohë të vlerësojë përpjekjet titanike të fëmijës. Mbase nuk ka faj (i rrituri), pasi kjo sjellje i është regjistruar në memorje, në pjesën e saj të pavetëdijëshme, të cilën njeriu e ka shumë të vështirë ta konstatojë dhe kontrollojë. Këto mënyra të sjelluri vijnë nga koha kur ai ishte fëmijë dhe të rriturit pranë tij u sollën në të njëjtën mënyrë me të. E megjithatë njeriu ka edhe mekanizma vullneti, të cilat e ndihmojnë të korigjojë dhe të bëjë gjënë e duhur. Këtë gjë duhet të bëjnë edhe prindërit, t’i shikojnë “shkarravinat” e fëmijëve të tyre, si “pasqyrë” të perpjekjeve, që fëmija bën për të rritur e zhvilluar veten, për të njohur botën dhe për të përdorur dijet, apo të diturat sa herë t’i duken sa më saktë e bukur. Ky është një proces i gjatë, i vështirë dhe pa praninë dhe miratimin e të rriturit bëhet edhe më i vështirë, bëhet edhe më i gjatë…
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.