Elena Ferrante e zhyt bisturinë e saj këtë herë mes hipokrizive të borgjezisë moderne. Me librin më të fundit, ajo nxjerr në pah mashtrimin dhe vetëmashtrimin që përdorin njerëzit për të përligjur veprimet e veta. E është kjo periudhë delikate e jetës, për të cilën shkrimtarja e njohur italiane, e cila boton në pseudonim, shtron në psikikën e moshës problematikat dhe revolucionin e një brezi që mes paqartësive, vuajnë dhe krizën e identitetit.
Xhovana është një vajzë në prag të adoleshencës, pikërisht në atë kapërcyell të jetës mes fëmijërisë dhe moshës së rritur. Fytyra e saj e bukur prej fëmije po shndërrohet dalëngadalë dhe po merr tiparet e një adoleshenteje të shëmtuar dhe të egër. Por a është vërtet kështu? Dhe në cilën pasqyrë duhet të shihet për të gjetur dhe për të shpëtuar veten? Xhovana kërkon pasqyrimin e saj në dy faqe të një qyteti që e kanë frikë dhe e urrejnë njëra-tjetrën: Napoli i sipërm, i veshur me një maskë elegance dhe Napoli i poshtëm, vendi i vulgaritetit dhe lapërdhive. Ajo kapërcen sa nga njëra anë e qytetit në tjetrën, në kërkim të së vërtetës, por asnjëra anë nuk duket t’i japë përgjigje apo shpëtim. Në kërkimin e saj të dëshpëruar, Xhovana do të zbulojë jetën e dyfishtë të prindërve të saj, mashtrimet dhe gënjeshtrat e tyre, të cilat do ta hedhin vajzën në qorrsokakë të tjerë.
Për të përballuar jetën dhe përditshmërinë, njerëzit gënjejnë, mbi të gjitha gënjejnë veten. Në çastet kur faji dhe turpi i kanosen ndërgjegjes, kur këto ndjenja tronditin bindjet tona më të thellë për imazhin që kemi për veten, gënjeshtrat apo “përrallat e bukura” duket se na vijnë në ndihmë për të na mbrojtur nga përballja me realitetin. Rinia e trazuar, lidhjet familjare të rreme dhe mbytëse, dashuria, e vërteta lakuriqe, tradhtia, dhe jo vetëm ajo bashkëshortore, miqësitë e sëmura, krizat e identitetit përbëjnë brumin mbi të cilin Ferrante sfidon mitin e familjes së lumtur dhe na shoqëron në këtë udhëtim të vështirë rritjeje.
“Jeta e gënjeshtërt e të rriturve” ka të bëjë para së gjithash me adoleshencën – një periudhë kur mashtrimi dhe vetëmashtrimi janë në shkallën e tyre më të lartë dhe, të rritesh, do të thotë t’i nxjerrësh të palarat në shesh vetes dhe të tjerëve. Por jo vetëm kaq. Personazhet e Elena Ferrante-s jetojnë me emocione të jashtëzakonshme, pasione përpirëse dhe, sado ata bëjnë çmos të fshehin gënjeshtra të dhimbshme, jeta u nxjerr në pah të vërteta tronditëse.
Kritika
Struktura e thellë e psikikës së personazheve është e njëjta: dashuria mbetet në qendër të jetës së këtyre vajzave më shumë se ç’duhet; dashuria ngatërrohet me seksin; dëshira më shumë sesa i verbon personazhet, u rrëmben aftësinë e gjykimit dhe e vë këtë në shërbim të saj. New York Times
Personazhet më të gjalla të Ferrante-s janë gjithnjë të hapura ndaj ndikimit reciprok. Ata ndryshojnë dhe zhvendosen pikërisht aty, në fletë, kundër vullnetit të tyre, mu përpara syve tanë. The National Book Review
Pastërtia e adoleshencës spërkatet vazhdimisht me gjak, spermë, intimitet të tradhtuar, papërshtatshmëri shoqërore dhe kulturore, një “dhembje e trazuar pa shëlbim” që, faqe pas faqeje, gërmon gropën që do ta ndihmojë Xhovanën të rritet. Il Fatto Quotidiano
Nuk ka asnjë dyshim, botimi i romanit “Jeta e gënjeshtërt e të rriturve” do të jetë ngjarja letrare e vitit.
Elle Magazine
Ferrante vë përballë njëra-tjetrës klasin dhe vlerën, fenë dhe besimin, besnikërinë dhe sekretet, seksualitetin dhe virgjërinë si mënyra për të humbur dhe për të fituar pushtet. The Book Reporter
Elena Ferrante është autore e shumë romaneve të suksesshme, tashmë e njohur në gjithë botën. Shumë prej librave të saj kanë shërbyer si bazë për vepra të mira kinematografike. Botime Pegi ka sjellë prej saj sagën e njohur napolitane me vëllimet: “Mikesha gjeniale” (2016), “Mbiemri i ri” (2017), “Histori arratie dhe qëndrese” (2017) dhe “Historia e vajzës së humbur” (2018), vëllim me të cilin Elena Ferrante ishte finaliste në Man Booker International Prize, 2016. Në vjeshtën e vitit 2018 u transmetua në Itali, në Rai 1 dhe TIMVISION, si dhe në Shtetet e Bashkuara në HBO, sezoni i parë i serialit të bazuar në romanin “Mikesha gjeniale”, me regji të Saverio Costanzo-s. Elena Ferrante vijon ende të shkruajë me pseudonim dhe preferon më tepër anonimatin sesa bujën.
Fragment nga libri
… Më duket vetja e shëmtuar, e ligë, por prapë kërkoj të më falin dashuri…
… Ndonjëherë, kur rrëmbehej së tepërmi pas diçkaje, kuturiste në një përrua të trazuar ligjërimesh sqimatare dhe emocionesh të pafre. Kurse herë të tjera i binte shkurt, me fjali të prera, kaq të sakta e me peshë, sa askush s’i kthente më fjalë. Ishin dy etër mjaft ndryshe nga ai që doja unë…
… Dashuria është e pistë si xhamat e dritareve të haleve…
… Rashë në pikëllim, në ditët që vijuan, ligështia u përtëri, lehtësohesha disi vetëm kur fërkohesha me vrull mes këmbëve për t’u trallisur nga kënaqësia. Por sa poshtëruese ishte ajo harresë e vetvetes, më pas ndihesha edhe më e pakënaqur se më parë, ndonjëherë madje edhe e neveritur…
… Sapo isha te një miku im mjek këtu në rrugën Kerbaker, është thjesht një acarim i lëkurës.
– Nga se shkaktohet?
– Kur të detyrojnë të bësh gjëra që nuk do, por prapë bindesh, bëhesh keq nga koka, nga gjithçka.
– Bindja mos është ndonjë sëmundje lëkure?
SKEDA
Titulli: Jeta e gënjeshtërt e të rriturve
Autorja: Elena Ferrante
Përktheu: Agim Doksani
Zhanri: Roman
Ky botim realizohet falë mbështetjes së Ministrisë Italiane të Punëve të Jashtme dhe të Bashkëpunimit Ndërkombëtar.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.