Lifestyle

November 9, 2020 | 8:50

“Jeta e gënjeshtërt e të rriturve”, mbi adoleshencën, një periudhë kur mashtrimi dhe vetëmashtrimi janë në shkallën e tyre më të lartë

Elena Ferrante e zhyt bisturinë e saj këtë herë mes hipokrizive të borgjezisë moderne. Me librin më të fundit, ajo nxjerr në pah mashtrimin dhe vetëmashtrimin që përdorin njerëzit për të përligjur veprimet e veta. E është kjo periudhë delikate e jetës, për të cilën shkrimtarja e njohur italiane, e cila boton në pseudonim, shtron në psikikën e moshës problematikat dhe revolucionin e një brezi që mes paqartësive, vuajnë dhe krizën e identitetit.

1

Xhovana është një vajzë në prag të adoleshencës, pikërisht në atë kapërcyell të jetës mes fëmijërisë dhe moshës së rritur. Fytyra e saj e bukur prej fëmije po shndërrohet dalëngadalë dhe po merr tiparet e një adoleshenteje të shëmtuar dhe të egër. Por a është vërtet kështu? Dhe në cilën pasqyrë duhet të shihet për të gjetur dhe për të shpëtuar veten? Xhovana kërkon pasqyrimin e saj në dy faqe të një qyteti që e kanë frikë dhe e urrejnë njëra-tjetrën: Napoli i sipërm, i veshur me një maskë elegance dhe Napoli i poshtëm, vendi i vulgaritetit dhe lapërdhive. Ajo kapërcen sa nga njëra anë e qytetit në tjetrën, në kërkim të së vërtetës, por asnjëra anë nuk duket t’i japë përgjigje apo shpëtim. Në kërkimin e saj të dëshpëruar, Xhovana do të zbulojë jetën e dyfishtë të prindërve të saj, mashtrimet dhe gënjeshtrat e tyre, të cilat do ta hedhin vajzën në qorrsokakë të tjerë.

Për të përballuar jetën dhe përditshmërinë, njerëzit gënjejnë, mbi të gjitha gënjejnë veten. Në çastet kur faji dhe turpi i kanosen ndërgjegjes, kur këto ndjenja tronditin bindjet tona më të thellë për imazhin që kemi për veten, gënjeshtrat apo “përrallat e bukura” duket se na vijnë në ndihmë për të na mbrojtur nga përballja me realitetin. Rinia e trazuar, lidhjet familjare të rreme dhe mbytëse, dashuria, e vërteta lakuriqe, tradhtia, dhe jo vetëm ajo bashkëshortore, miqësitë e sëmura, krizat e identitetit përbëjnë brumin mbi të cilin Ferrante sfidon mitin e familjes së lumtur dhe na shoqëron në këtë udhëtim të vështirë rritjeje.

“Jeta e gënjeshtërt e të rriturve” ka të bëjë para së gjithash me adoleshencën – një periudhë kur mashtrimi dhe vetëmashtrimi janë në shkallën e tyre më të lartë dhe, të rritesh, do të thotë t’i nxjerrësh të palarat në shesh vetes dhe të tjerëve. Por jo vetëm kaq. Personazhet e Elena Ferrante-s jetojnë me emocione të jashtëzakonshme, pasione përpirëse dhe, sado ata bëjnë çmos të fshehin gënjeshtra të dhimbshme, jeta u nxjerr në pah të vërteta tronditëse.

Kritika

Struktura e thellë e psikikës së personazheve është e njëjta: dashuria mbetet në qendër të jetës së këtyre vajzave më shumë se ç’duhet; dashuria ngatërrohet me seksin; dëshira më shumë sesa i verbon personazhet, u rrëmben aftësinë e gjykimit dhe e vë këtë në shërbim të saj. New York Times

Personazhet më të gjalla të Ferrante-s janë gjithnjë të hapura ndaj ndikimit reciprok. Ata ndryshojnë dhe zhvendosen pikërisht aty, në fletë, kundër vullnetit të tyre, mu përpara syve tanë. The National Book Review

Pastërtia e adoleshencës spërkatet vazhdimisht me gjak, spermë, intimitet të tradhtuar, papërshtatshmëri shoqërore dhe kulturore, një “dhembje e trazuar pa shëlbim” që, faqe pas faqeje, gërmon gropën që do ta ndihmojë Xhovanën të rritet. Il Fatto Quotidiano

Nuk ka asnjë dyshim, botimi i romanit “Jeta e gënjeshtërt e të rriturve” do të jetë ngjarja letrare e vitit.

Elle Magazine

Ferrante vë përballë njëra-tjetrës klasin dhe vlerën, fenë dhe besimin, besnikërinë dhe sekretet, seksualitetin dhe virgjërinë si mënyra për të humbur dhe për të fituar pushtet. The Book Reporter

Elena Ferrante

Elena Ferrante

Elena Ferrante është autore e shumë romaneve të suksesshme, tashmë e njohur në gjithë botën. Shumë prej librave të saj kanë shërbyer si bazë për vepra të mira kinematografike. Botime Pegi ka sjellë prej saj sagën e njohur napolitane me vëllimet: “Mikesha gjeniale” (2016), “Mbiemri i ri” (2017), “Histori arratie dhe qëndrese” (2017) dhe “Historia e vajzës së humbur” (2018), vëllim me të cilin Elena Ferrante ishte finaliste në Man Booker International Prize, 2016. Në vjeshtën e vitit 2018 u transmetua në Itali, në Rai 1 dhe TIMVISION, si dhe në Shtetet e Bashkuara në HBO, sezoni i parë i serialit të bazuar në romanin “Mikesha gjeniale”, me regji të Saverio Costanzo-s. Elena Ferrante vijon ende të shkruajë me pseudonim dhe preferon më tepër anonimatin sesa bujën.

Fragment nga libri

… Më duket vetja e shëmtuar, e ligë, por prapë kërkoj të më falin dashuri…

… Ndonjëherë, kur rrëmbehej së tepërmi pas diçkaje, kuturiste në një përrua të trazuar ligjërimesh sqimatare dhe emocionesh të pafre. Kurse herë të tjera i binte shkurt, me fjali të prera, kaq të sakta e me peshë, sa askush s’i kthente më fjalë. Ishin dy etër mjaft ndryshe nga ai që doja unë…

… Dashuria është e pistë si xhamat e dritareve të haleve…

… Rashë në pikëllim, në ditët që vijuan, ligështia u përtëri, lehtësohesha disi vetëm kur fërkohesha me vrull mes këmbëve për t’u trallisur nga kënaqësia. Por sa poshtëruese ishte ajo harresë e vetvetes, më pas ndihesha edhe më e pakënaqur se më parë, ndonjëherë madje edhe e neveritur…

… Sapo isha te një miku im mjek këtu në rrugën Kerbaker, është thjesht një acarim i lëkurës.

– Nga se shkaktohet?

– Kur të detyrojnë të bësh gjëra që nuk do, por prapë bindesh, bëhesh keq nga koka, nga gjithçka.

– Bindja mos është ndonjë sëmundje lëkure?

SKEDA

Titulli: Jeta e gënjeshtërt e të rriturve

Autorja: Elena Ferrante

Përktheu: Agim Doksani

Zhanri: Roman

Ky botim realizohet falë mbështetjes së Ministrisë Italiane të Punëve të Jashtme dhe të Bashkëpunimit Ndërkombëtar.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top