Nuk është i fortë ai që ka muskuj. Forca e vërtetë qëndron te shpirti që di të përballojë sfidat pa u larguar, tek ai që është i aftë t’i largohet gjërave që i bëjnë keq, pra që tashmë nuk bën më për të. Jeta është e vështirë dhe duhet kuraja e njerëzve të matur, të cilët ia dalin të pushtojnë “tokën” e frikërave.
Frika dhe kuraja krijojnë një binom të veçantë. Çfarëdolloj veprimi i guximshëm përfshin në mënyrë të pashmangshme kapërcimin e barrierave të frikës. E pra, ky ankth paralizues, që rrjedh nga amigdala, rojtari ynë primitiv i fshehur në intimitetin e trurit, mund të na dhurojë strategji të mrekullueshme. Druajtja për të vepruar apo edhe guximi për të tejkaluar veten ushqehen nga e njëjta gjë: frika.
Doktor Stanley Jack Rachman, profesor dhe shkencëtar në Universitetin “British Columbia” në Kanada, është një nga specialistët më të zotë të shqetësimeve të ankthit. Në librin e tij “Fear and Courage” (Frikë dhe kurajë) na shpjegon se kuraja, në të vërtetë është një cilësi e mendjes. Të gjithë e zotërojmë, është e lindur.
Megjithatë, jo gjithmonë ia dalim të aktivizojmë atë mekanizëm të brendshëm që ka zënë rrënjë në pjesën më intime të qenies sonë. Pikërisht aty, ku një zë na pëshpërit vazhdimisht: “bëje, vazhdo përpara!”. Ju shpjegojmë se si të veproni…
Frika: një shoqëruese besnike
Shumë prej nesh e kalojnë një pjesë të mirë të jetës së tyre të mbuluar nga mjegulla e një iluzioni të rremë. Askush nuk na përgatit ndaj fatkeqësive, në fakt, ndonjëherë besojmë se ato nuk ekzistojnë; besojmë se rreziqet, kërcënimet dhe fatkeqësitë janë vetëm pjesë e televizorit. Ato luftëra që ekzistojnë nuk janë tonat, ato dhimbje të të tjerëve, të cilat na bëjnë të ndjejmë keqardhje për disa sekonda më pas zhduken.
Ky lloj vetëmashtrimi nuk është gjë tjetër veçse një mekanizëm mbrojtës. Megjithatë, në çastin kur ekuilibri shkatërrohet dhe jeta na tregon anën e saj kërcënuese, truri ynë reagon. Frika është mekanizmi më i fuqishëm i mbijetesës që ka qenia njerëzore. Është e tillë për një arsye: na vendos në gjendje alarmi përballë një kërcënimi, në mënyrë që të reagojmë, që të mbijetojmë.
E kështu, të paaftë për ta menaxhuar, e bëjmë atë një shoqëruese besnike. Refuzojmë të bëjmë çfarëdolloj gjëje pa të. I japim aq shumë fuqi, saqë e zmadhojmë gjithnjë e më, duke humbur kështu aftësinë për të vepruar sipas vullnetit. Pak nga pak, i hapim vend ankthit, tmerrit se “çfarë do të ndodhë” dhe katastrofës duke menduar “çdo gjë që do të ndodhë, do të jetë gjithnjë dhe më e keqe”.
Ndaj është e nevojshme të keni të qarta disa aspekte. Kurajë nuk do të thotë mungesë frike. Do të thotë të ecim përpara, pavarësisht frikës.
Kuraja: si të rizgjoni luanin që fle brenda jush
Le të kujtojmë për një moment personazhin e luanit të fjetur në librin “Magjistari i Ozit” të Lyman Frank. Qëllimi i tij ishte që të bënte një udhëtim së bashku me shokët e tij, për të shprehur një dëshirën. Në një mënyrë, simbolizon atë shembull që vendoset në thellësi të qenies sonë.
“Njeri kurajoz nuk është ai që nuk ka frikë,
por ai që e mposht frikën e tij”
NELSON MANDELA
Shumë prej nesh janë luanë të fjetur. Jemi të gjithë të programuar për të përballuar vështirësitë, sepse është një karakteristikë e njerëzve. Megjithatë, ndonjëherë, kemi nevojë të zgjohemi. Sepse, në fund të fundit, jemi qenie të lindura në rrethana përgjithmonë kërcenuese dhe e kemi harruar sesa të aftë jemi. Për t’jua kujtuar, po ju propozojmë të reflektoni mbi strategjitë e mëposhtme.
Pesë shtyllat e kurajës
Kur flasim për kurajë dhe forcë, pothuajse në mënyrë automatike mendojmë për një njeri me paraqitje imponuese dhe shikim kërcënues. Megjithatë, nëse mendojmë mirë, njerëzit më të guximshëm, në histori dhe për shoqërinë, ishin njerëz normalë, shumë larg këtij imazhi. Mendojmë për Nelson Mandela, për Ana Frankun ose, pse jo për shumë njerëz të familjes sonë, të cilët i admirojmë pikërisht për këtë: për kurajën e tyre. Ndaj le të shohim se cilat janë karakteristikat e tyre:
• Nëse duhet të bëni diçka dhe keni frikë, bëjeni me frikë. Ky është pranimi që vendoset në mendjen dhe në zemrën e personave të guximshëm.
• Njerëzit kurajozë dëgjojnë intuitën dhe veprojnë në mënyrë konkrete: me pasion, guxim dhe vendosmëri.
• Një zemër kurajoze e di që jeta shkon përtej frikës. Kuraja kërkon pushtimin e kufijve të rinj.
• Deri në ditën kur do të marrim këtë rezultat, nuk do të jemi të sigurt për guximin tonë. Deri atëherë, nuk duhet të na vijë turp nga lotët që derdhim. Do të jetë një mënyrë për të çliruar tensionet, për të ndërtuar një fortesë.
• Ndonjëherë, inati vepron si një prelud i kurajës. Kur mendja sheh vetëm padrejtësi, e shtyn vullnetin, nëpërmjet inatit që të veprojë. Na bën ta braktisim zonën e rehatisë.
Për ta përfunduar, e dimë se, ndonjëherë jeta është e rëndë, e vështirë. Askush nuk i zgjedh vuajtjet e tij, as jetesën në situata të caktuara. Megjithatë, lind nga zemra jonë vendimi për të përballuar vështirësitë në mënyrën e vetme të mundshme: me KURAJË.
Përgatiti: Manjola EREQI | Burimi: PsicoNews
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.