FB

March 31, 2021 | 10:00

Si të gjeni harmoninë me motrat dhe vëllezërit

Keqkuptimet, mungesa e dialogut, rivaliteti mund të përkeqësojnë marrëdhëniet mes motrave dhe vëllezërve. Si mund ta kapërceni këtë vështirësi dhe të rigjeni një ekuilibër? Ndiqni këshillat e ekspertëve…

vellezer

Problemet mes motrave dhe vëllezërve, nëse nuk përballen, shpesh vazhdojnë edhe në moshën madhore. Karakteret e ndryshëm, xhelozitë e vjetra, diferenca e moshës dhe e këndvështrimit për jetën mund të rrezikojnë edhe një lidhje të rëndësishme si ajo mes tyre. Të jeni të një gjaku nuk do të thotë të keni të njëjtat objektiva dhe interesa… Me pak fjalë, nuk do të thotë të jeni identikë me njëri-tjetrin. Të pranoni diferencat e vëllait apo motrës është hapi i parë për të (ri)ndërtuar një marrëdhënie të gëzueshme. Si të gjeni bashkëpunimin dhe harmoninë? Lexoni këshillat tona.

 

1. (Ri)vendosni dialogun mes jush

Ka vëllezër që janë shumë të bashkuar mes tyre dhe të tjerët që nuk shohin dot njëri-tjetrin me sy. Por ndër këto dy mundësi, ekziston dhe një e tretë: një lidhje që parashikon një jetë jo domosdoshmërisht bashkë, por me premtimin e pashprehur për të ndihmuar në rast vështirësie. Për të ruajtur ekuilibrin dhe për të arritur një formë harmonie me vëllezërit dhe motrat duhet të mundoheni të vendosni një dialog me njëri-tjetrin. Kthjelloni mendjen sesi do të donit të menaxhonit situatat që ju përfshijnë të gjithëve, në mënyrë që të evitoni keqkuptimet. Veç kësaj, mundohuni të shprehni objektivat tuaja dhe të shpreheni sinqerisht për vështirësitë me të cilat përballeni.

 

2. Gjeni ekuilibrin

Cilat janë nevojat tuaja? Çfarë prisni nga vëllai ose motra juaj? Qartësohuni me veten dhe mundohuni të bëni një pakt të përbashkët. Gjeni një marrëveshje që u vjen për shtat të dyja palëve, pasi kjo gjë do t’ju lejojë që të arrini një ekuilibër të kënaqshëm.

 siblings

3. Ruani premtimin mbi angazhimet e marra

Me të arritur një marrëveshje me vëllain për mënyrën se si të menaxhoni situatat, mundohuni të respektoni premtimin që keni dhënë. Por nëse kuptoni që vëllai nuk i përmbush detyrat e tij, mundohuni të riorganizoni kohën tuaj për të vepruar në pavarësi, por pa u ankuar. Merrni parasysh qëndrimin e tij dhe veproni sipas rrethanave.

 

Përgatiti: Manjola EREQI   |   Burimi: ItaNews

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top