“Lotët e mi” titullohet kënga përfaqësuese e Xhesika Polo në festivalin Kënga Magjike, që ka lënë një impakt të konsiderueshëm tek audienca. Këngëtarja ndau më shumë detaje mbi produksionin e saj muzikor në ‘Abc e Pasdites’ me Ermal Peçin, që e konsideroi të preferuarin deri më tani dhe ndoshta më cilësorin. Një bashkëpunim mes vëllai të saj Marko Polo dhe këngëtarit Alban Ramosaj, historia e “Lotët e mi” ka nisur një vit më parë, dhe siç tregon edhe Xhesika, nuk është punuar për të qënë ekskluzivisht pjesë e Kënga Magjike.
“U bë kënga deri pa refren, isha në koncert kthehem në darkë dhe më thotë Marko ‘këndoje pak këtë’. Më tregoi një version që këndonte Albani, ky është refreni i këngës i thashë. E kam kënduar në 3 të natës pasi kisha mbaruar koncertin. Isha e dërrmuar. Por është ajo ndjesia e parë që nuk përsëritet dhe ajo u mbajt.” – rrëfeu mbi proçesin e punë këngëtarja.
Por duke parë reagimin e audiencës dhe masivitetin në pëlqime dhe shpërndarje, Polo nuk ngurroi të shprehte dëshirën e saj për një renditje të mirë në finalen e Kënga Magjike. Ndonëse pranoi se qëllimi i saj nuk është i tillë, pritshmëritë ekzistojnë.
“Është ky tregu jonë i shëmtuar që na komplekson, sikur po ta komplimentojmë kolegun.. është një lloj kompleksi që dhe mua më është krijuar në një farë mënyrë sidomos nga Kënga Magjike… Nëse gjykojnë objektivisht, si material muzikor, duke hequr çdo lloj gjëje, më kë qejf mua si Xhes apo jo, unë mendoj se kjo këngë meriton shumë. Meritokracia nuk është në ditët e saj më të mira, por kolegët e kanë treguar se kanë ditur të më vlerësojnë. Nëse publikut i pëlqen kënga, unë e kam fituar çmimin. Nëse kolegëve i pëlqen kënga, u lutem të më votojnë pa asnjë kompleks, apo pa nevojë për të bërë qoka.”
Pas një pune të fortë e rigoroze, shohim një ndryshim në paraqitjen e jashtme të Xhesikës e cila pranoi se ishte pikërisht nga stresi i përjetuar, e që ndër të tjera tha:
“Kam pasur pak stres, ka reflektuar te mosushqyerja. E ndjeja dhe për veten time që duhet të humbja 2-3 kile. Unë gjithmonë i kam bërë gjërat për veten time, nuk më ka ndikuar opinioni publik.”
Burimi/abcnews.al
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.