Jam një 50-vjeçar që ka humbur vendin e punës. Doja t’ju pyesja, a ka një mënyrë për të eliminuar peshën që më rëndon në kokë e më bën nervoz kur kërkoj të përballem me sfida të reja. Jam kryefamiljar dhe kam përgjegjësinë për 3 persona: gruan dhe dy fëmijët adoleshentë. Kjo përgjegjësi ma bën shumë të vështirë qëndrimin si i papunë. Sot kam kuptuar se situata është shumë e vështirë për të rigjetur një impenjim të ri, sidomos për moshën time. Por edhe të jesh pjesë e një grupi duhet të jesh me mendje të lirë dhe mundësisht i qetë, gjë që në kushtet që ndodhem nuk e kam të tillë. Si mund të gjej paqe dhe t’i jap zgjidhje rastit?
Përgjigje: Na vjen keq të dëgjojmë për vështirësitë që po kaloni. Ndjenja e përgjegjësisë dhe presioni për të mbështetur familjen në këto momente janë shumë të rëndësishme, por ka disa hapa që mund t’ju vijnë në ndihmë për të përballuar situatën me më shumë qetësi dhe qartësi mendore. Hapi i parë që duhet të bëni është të përballeni për ta menaxhuar situatën. Teknikat e relaksimit, si frymëmarrja e thellë, meditimi apo ushtrimet fizike të lehta, mund t’u ndihmojnë të qetësoni mendjen. Edhe të kaloni kohë në natyrë apo të merrni pjesë në aktivitete të këndshme për ju mund t’ju japë një ndjesi qetësie. Një zgjidhje e dytë është biseda me dikë të besuar, një familjar jashtë rrethit të ngushtë, një mik apo shok të besuar. Të ndash emocionet me dikë të afërt mund të të ndihmojë të lehtësoni barrën. Ndonjëherë, thjesht të flasësh për ndjenjat e tua mund të të ofrojë qartësi dhe të të largojë pak peshën nga mendja juaj.
Hapi i tretë është të vendosni objektiva të vegjël. Ndarja e qëllimeve të mëdha në hapa më të vegjël dhe të arritshëm ju ndihmon të përqendroheni në hapa konkretë për zgjidhjen e situatës. Mund të përfshijë përmirësimin e aftësive përmes kurseve online, krijimin e një rutine për kërkimin e punës, ose edhe kërkimin e mundësive alternative në fusha të ndryshme. Gjithashtu, fokusohuni në pikat tuaja të forta. Mos e shihni moshën si një pengesë, por si një përparësi. Përvoja që keni fituar ndër vite është e paçmueshme. Mendojeni se mund të përdorni këtë përvojë në një mënyrë të re, ndoshta edhe duke ndryshuar drejtim karriere ose duke shfrytëzuar aftësitë që keni në mënyrë kreative.
Padyshim që një alternativë mbështetëse është edhe mbështetja profesionale. Që do të thotë, konsideroni në këto kohë rolin e një këshilluesi karriere, i cili mund t’ju ndihmojë të krijoni një strategji të re për punësim ose për ndryshimin e karrierës. Gjithashtu, psikologët ose terapeutët mund të të ndihmojnë me menaxhimin e stresit dhe përmirësimin e mirëqenies mendore.
Zgjidhja e kësaj situate do të kërkojë kohë, por përqendrimi në hapat e vegjël, kujdesi për mirëqenien tuaj mendore dhe ndarja e përgjegjësisë me familjen mund t’ju japë më shumë paqe dhe qetësi.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.