Në fokus

October 8, 2020 | 8:04

Kanceri i gjirit, një sfidë që mund të fitohet

1 në 8 gra preket. Statistikat njehsojnë rritje nga viti në vit. Në Shqipëri, por dhe në mbarë botën është shtuar numri i diagnostikimeve, pacienteve. Nga ana tjetër, edhe ndërgjegjësimi ka dhënë frytet e veta. Është bërë i mundur parandalimi apo edhe kurimi në fazat e hershme. Shiriti rozë dhe ndërtesa të ndriçuara për sfida të reja janë simbolika e këtij sensibilizimi. Tetori është muaji i ndërgjegjësimit ndaj neoplazmës më të shpeshtë në gjininë femërore.

Nga Orjona TRESA

Jeta është gjëja më e shtrenjtë që kemi!

Kanceri i gjirit është një betejë. Jo vetëm për atë që e ka kaluar në trupin e vet, por edhe për familjarët, të cilët bashkëvuajnë me personin e sëmurë. Carcinoma Mammae është një sëmundje që prek përgjithësisht gratë, gjininë më të brishtë. Statistikat referojnë shtim të rasteve, ndërsa edhe në popullatë ndihet masivisht përhapja e këtij fakti. Nuk ka ditë të mos dëgjosh në rrethe shoqërore, në punë apo gjetkë për përhapjen e kancerit të gjirit sikur të ishte një epidemi.

Por nga se shkaktohet?

Mjekët listojnë disa shkaktarë, stresi është i pari fare, ndërsa rendisin më pas ndotjen kimike të hershme të terrenit të jetuar, kequshqyerjen dhe rrezatimet nga teknologjia. U bë një vit që kjo sëmundje e vështirë zgjodhi nënën time, familjen tonë, që me gjithë sfidat e jetës, iu desh të përballej me më të vështirën. Ishte si një rrufe në qiell të pastër. Pse na zgjodhi ne? Pjesa e parë e betejës ishte mosbesimi, mospranimi i të vërtetës, i asaj të vërtete që rendëm pas mjekëve të ndryshëm për ta faktuar dhe bindur, e që në fund rezultoi: Po, është kancer malinj. Trysnia nga hapat e shpejtë që duhej të ndërmerrnim, frika nga dështimi, dhimbja shpirtërore, dukej sikur na mbyste përpara një misioni të rëndësishëm për vazhdimësinë.

Kuraja është arma e gjithëpushteshme në trupin e njeriut. Është forca që gjithkush e ka brenda vetes dhe duhet ta shfrytëzojë. Është impulsi për jetën. Jeta është gjëja më e shtrenjtë që kemi! Nëna ime zgjodhi të përballet, të pranojë të gjitha stadet e rrezikut që i kanoseshin, t’i kapërcente ato pengesa të zorshme, të lodhshme, të frikshme të sulmeve çdo tri javë e më pas çdo javë me kimioterapi, helme të forta në trup, për të luftuar qelizat kanceroze që mund të kishin mbetur. Zgjodhi të duronte dhe sfidonte natyrën e saj frikësuese para shumë analizave të shoqëruara me shpime të shpeshta venoze vetëm në njërin krah, t’i përmbahej protokollit të plotë të kontrolleve rrezatuesediagnostikuese pa munguar në asnjë seancë, të sfidonte temperaturat e nxehta të kësaj vere, të cilat e gjenin në orët e mesditës rrugës për në Spitalin Onkologjik.

Të priste e të mos dorëzohej para mungesës së kimiove shpëtuese, kohëpritjes për shkak të numrit të lartë të pacientëve, e të ruante ekuilibrin emocional për veten dhe të gjithë ne. Por jo vetëm kaq, ajo u bë një shembull edhe për dhjetëra gra që ndeshte në dyert e onkologjikut, të pezmatuara e me lot në sy për çfarë u kishte ngjarë. Shumë e shumë të reja që frikshëm faktuan në sytë tanë një betejë që nuk zgjedh moshë. Beteja vazhdon. Jemi ende në gjysmën e rrugës.

Rezultatet sipas protokollit ia shtuan kohëtrajtimin e sëmundjes. Nuk ka më “kur do të mbarojë e gjitha kjo”, por “sa më mbarë të shkojë”. Pranimi i sëmundjes është fitorja e parë. Lufta e saj është vazhdimi i trofeve, e nëse bëhesh shembull edhe për sfidante të tjera, atëherë i ke shërbyer një kauze me devotshmëri të plotë, pa u ndalur dhe pa u tërhequr në asnjë hap, bashkërisht me të!

10 masa paraprake që mund të zvogëlojnë rrezikun për kancer gjiri:

  1. Kryeni aktivitet të rregullt fizik. Tridhjetë minuta në ditë do të ishte ideale
  2. Monitoroni peshën e trupit tuaj
  3. Merrni kalcium dhe vitaminë D. Kur moti është në favor, ekspozohuni në rrezet e diellit, por jo direkt, për të paktën 30 minuta në ditë
  4. Konsumoni fruta dhe perime në çdo vakt
  5. Pini disa litra ujë në ditë
  6. Konsumoni drithëra: 25-30 gramë në ditë
  7. Kontrolloni tabelat ushqyese të produkteve të blera
  8. Konsumoni herë pas here vetëm ushqime me një përmbajtje të lartë energjike
  9. Kufizoni konsumin e alkoolit
  10. Kryeni kontrolle periodike me mjete specifike, si masë parandaluese.

 

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 148

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top