Princesha e Uellsit, pas spekulimeve të shumta për shëndetin e saj, ka vendosur të ndërhyjë: jo me foto por me një videomesazh.
Ku është Kate Middleton? Si po kalon vërtet Kate? Këto janë dy nga pyetjet që po qarkullojnë prej ditësh në media dhe rrjete sociale. Më 22 mars, Princesha e Uellsit vendosi të thyejë heshtjen e saj duke publikuar një video në të cilën flet. Jo më foto, nisur nga kaosi i fundit që shkaktoi në mediat ndërkombëtare, por një film në të cilin mund të dëgjohet zëri i saj.
Princesha e Uellsit dha një lajm që pothuajse askush nuk e priste, ose më saktë, askush nuk donte ta dëgjonte: “Kam një tumor”, ka zbuluar Kate pa specifikuar llojin e kancerit për të cilin ka nisur trajtimin parandalues. Ndërsa ajo i njoftoi Britanisë së Madhe dhe mbarë botës se ishte e sëmurë, Kate u shfaq e qetë edhe nëse trishtimi, pikëllimi dhe dhimbja dalloheshin lehtësisht në fytyrën e saj.
Zëri është i fortë, por delikat. Sa delikate dhe pranverore është drita dhe mjedisi që e rrethon. Me një bukuri pothuajse eterike, Kate u foli subjekteve të saj me qetësinë që pritej nga një sundimtar. Qetësi e cila, megjithatë, i la vendin vendosmërisë kur kërkoi privatësi për veten dhe sëmundjen e saj. Një mënyrë e qartë për t’i dhënë fund thashethemeve rreth saj dhe atyre për të dashuruarit dhe tradhtitë e supozuara të William. Një paralajmërim që synon të mbrojë qetësinë e George, Charlotte dhe Louis.
“Shpresojmë që ta kuptoni se si familje tani kemi nevojë për pak kohë, hapësirë dhe privatësi derisa unë të përfundoj trajtimin tim. Puna ime më ka sjellë gjithmonë një ndjenjë të thellë gëzimi dhe mezi pres të kthehem kur të mundem, por tani për tani duhet të fokusohem në rikuperimin e plotë. Në këtë kohë mendoj edhe për të gjithë ata të cilëve u është prekur jeta nga kanceri. Për të gjithë ata që merren me këtë sëmundje, në çfarëdo forme, ju lutemi mos e humbni besimin apo shpresën. Ti nuk je vetëm“.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.