Mirëqenie

September 17, 2020 | 8:12

Kiço Noti: Lunxhëria, traditë dhe shije në çdo tryezë shqiptare, por jo vetëm!

Nga Orjona Tresa

“T’ia njohë mundin punës”. Është kjo motoja që e ka shoqëruar prej herës kur nisi të fitojë të ardhurat e para, por si i rritur tashmë dhe i përgjegjshëm deri në fund për t’ia dalë mbanë iniciativës që kishte ndërmarrë. Shumë sakrifica, vërtet. Përulje dhe përkushtim pa kushte. Ndjenja e gjithëpërfshirjes e kishte vënë përballë sfidave të reja, ndërsa në vazhdimësi kërkonte të jepte një kontribut të pamatë.

Kiço Noti, Administrator i Trahana Lunxhëria

Kiço Noti, Administrator i Trahana Lunxhëria

Nuk i pëlqente aspak ta gjente çdo gjë gati, dhe as t’ia ofronin në këmbim. Donte vetëm atë çka dilte prej mundit të vetë. Dhe padyshim, merita është kur derdh djersën tënde, gjë që kohë më pas, kur të arrish atë që ke kërkuar në jetë, do ta vlerësosh me gjithçka mundesh.

Ky është rasti i Kiço Notit, një njeri mbi të gjitha, përveçse i njohur si tregtar e investitor, i cili edhe pse mbi supe ka 72 vite jetë, punon si një 40-vjeçar, është vital dhe i palodhur. Gjithçka nisi nga një model që e kishte para syve gjatë gjithë kohës. Modeli i qenësishëm, ndoshta pak i heshtur, ashtu siç ndodh me shembëlltyrën që e ke aty rreth e qark, i vjedh gjithçka të mirë dhe ende nuk e ke kuptuar se je dyzimi i saj.

Kështu edhe me Kiçon, që mësimet e para i mori në heshtje nga nëna e tij, e ndjera Froso. Ishte pikërisht ajo që i injektoi në vena pasionin më të madh në jetë: këmbënguljen për të arritur qëllimet e mira me punën e pastër, të ndershme. Sepse një nënë di si t’ia japë një fëmije më të mirën e mundshme. Mes këtyre imazheve me gjurmë të pashlyeshme u rrit Kiço Noti, ndaj dhe sot e kujton mësuesen e tij të parë, nënën e tij, jo vetëm me dhembshuri, por plot me respekt e krenari.

Por po aq merita, virtyte njerëzore prej nikoqireje të mirë ia njeh dhe ishbashkëshortes së ndjerë, Madalenës. Falë përkushtimit së saj, ai arriti të bëhej bashkudhëtari i një biznesi të suksesshëm, por mbi të gjitha, një bashkëshort e baba i denjë për dy fëmijët e tyre, si dhe gjyshi ideal për dy nipat nga djali. Sot Kiço Noti ka shumë mesazhe për të na dhënë, por ajo që na bën bashkë ne në këtë intervistë, është të qenit sipërmarrës i një prej produkteve me emër, siç është “Trahana Lunxhëria”. Dhe si shumë gjëra të mëdha që kanë mundur të kthehen ne ‘brand’, edhe kjo stampë nisi nga rastësia.

Nisma, bazuar mbi prodhimin tradicional, filloi gati 30 vjet më parë, atëherë kur nëna dhe gruaja e tij prodhuan me duart e tyre një sasi trahanaje që i kalonte nevojat familjare. Ishin jo pak por 3 kuintalë. Aspak nuk menduan që mund ta tregtonin, por thjesht ta shpërndanin humanisht tek të afërmit por dhe te të panjohur, siç bënin zakonisht. Por ndryshe nga parashikimet, produkt kishte shumë më tepër se kaq. Ndaj Kiço, si tregtar me nuhatje, me ndihmën e bashkëshortes u vunë në punë për ta paketuar e shpërndarë në të gjithë Shqipërinë, me një kosto minimale. Dhe që prej asaj kohe, produkti eci aq mirë në treg sa që, trahana Lunxhëria nuk ka nevojë as sot e kësaj dite për reklamë.

Tanimë shija dhe përfitimet e saj të ushqyeshme kërkohen si vlerë e asaj tradite shekullore lunxhiote. Madje rrugëton nëpër kontinente, për t’u ndalur aty ku ka shqiptarë të malluar për ushqimet e vendlindjes.

“E kemi nisur me prodhimin artizanal më së pari. Nuk ishin kushtet teknologjike që janë sot. Pra, trahananë e bënim me dorë. Një produkt tradicional me vlera ushqyese dhe i shijshëm. Nëna dhe bashkëshortja punonin me duart e tyre brumin e zënë me miell gruri të agimit dhe kos dele nga malet. Vazhdojmë ta ruajmë si recetë, por me një teknologji të avancuar, për të cilën na ndihmon një mulli bluajtës me çekiç”, na thotë Kiço Noti.

Për këtë produkt dhe njëherësh biznes të pastër, Kiço rrëfen mes emocionesh se ka vuajtur shpirtërisht dhe fizikisht. Mundimit për të punuar me ndërgjegje, ashtu siç bleta mbledh nektarin lule më lule, i është dashur të kapërcejë pengesa të forta. Këtë udhëtim nuk mundi ta çojë deri në fund me të ëmën apo bashkëshorten, të cilat u ndanë nga kjo jetë në mes të mundit që ngritën së bashku. Ky do të jetë dhe thelbi i një rrëfimi më të vonë që Kiço Noti ka menduar ta shtrojë gjerë e gjatë në një libër autobiografik.

Përtej peripecive, Kiço vazhdon një aktivitet të ngjeshur. Ka zyrën e tij ku menaxhon 100% tregun vendas. Përveç trahanasë lunxhiote ai ka investuar për të furnizuar tregun me të tjera produkte të shëndetshme siç janë: trahanaja e ëmbël, rosnica, miell orizi, pluhur sheqeri, niseshte, dhe shumë shpejt edhe petkat, një shportë e kompletuar e zahireve për dimrin e ftohtë.

Trahana Lunxhëria në regjimin ushqimor të çerdheve dhe kopshteve

Një sfidë të cilën e pranoi me krenari, sepse për fëmijët ka dobësinë më të madhe. Kiço Noti ndihet me fat që nga futja në program e kësaj recete ushqimore, trahana Lunxhëri mori pikët maksimale. Sot ajo shkon në të gjitha çerdhet dhe kopshtet e Tiranës, madje me një kosto të rishikuar ekonomike. Por humanizmit dhe fisnikërisë në këtë fushë, Kiço Noti ia ka dalë dhe me fushata e misioni të tjera vullnetare. Është donator për fëmijët jetimë, për ngjarje të jashtëzakonshme që ndodhin në vend, tërmete, përmbytje, zjarre, financues i segmenteve gjelbëruese në bashkëpunim me Bashkisë e Tiranës.

I pasionuar pas pemëve ai ka mbjellë 50 rrënjë fidanishte, rreth 15 të tilla përballë me kishën ortodokse. Aty për nder të Madalenës, ka ndërtuar edhe një stol me emrin e saj.

Medalje nderi për “Adopto një çerdhe”

Kiço Notin e lëvdojnë për zemrën që ka. Në rrugën ku ai jeton ka kontribuar për shtrimin e saj sipas standardeve, ka vendosur fidanë për gjelbërimin e zonës e me radhë. Por ajo që bën të veçantë këtë njeri, është pajtimi me nismën e Bashkisë së Tiranës, “Adopto një çerdhe”, ku mori përsipër të investonte në rikonstruksionin e plotë të çerdhes 26. Në njësinë 3, këtë meritë ia njohin të gjithë, ndërsa Kiço thotë se deri sa të mundet humanizmi do të jetë pjesë e pandashme e tij.

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 149

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top