Këshilla & Arsye

March 26, 2020 | 8:07

Kiduina Zaka: Të menduarit pozitiv mund ta bëjë më të lehtë periudhën e karantinimit

 

*Kiduina Zaka, psikologe

Tashmë u bënë ditë të tëra që shumë prej nesh qëndrojnë të mbyllur në shtëpi. Në këtë mënyrë ka ndryshuar rutina jonë e përditshme, oraret sipas të cilave funksiononim dhe gama e aktiviteteve me të cilat merreshim. Në këto ditë, të gjithë jemi të bombarduar nga informacione lidhur me gjendjen në të cilën ndodhet bota dhe shpejtësinë me të cilën po përhapet ky virus. Të gjitha kanalet e komunikimit me botën jashtë (rrjetet sociale, TV) flasin pikërisht për këtë temë: sa ka arritur numri i të prekurve, cilat ishin viktimat e radhës, sa agresiv është virusi, si mund ta shmangim atë? Për shkak të këtyre ndryshimeve kaq të mëdha dhe të shpejta, në përpjekje për të siguruar mirëqenien tonë fizike, harrojmë të përpiqemi për mirëqenien tonë psikologjike. 

1

Shumë prej jush mund të thonë: “Ju psikologët e keni shumë të thjeshtë të thoni, ‘bëj këtë e bëj atë’ që mos të jeni të stresuar, por unë vërtet NUK MUNDEM MË”. Më lejoni t’ju them që PO, mundeni dhe e keni ju në dorë se si ta përballoni situatën në të cilën ndodheni. Gjithçka lidhet me mënyrën tuaj të të menduarit. 

Situata në të cilën ndodhemi është faktike. Nuk është moment për të bërë panik apo për tu ankuar se ç’është e gjithë kjo që po na ndodh. Sigurisht situata ka vështirësitë e saj, por a është kjo e vetmja anë e medaljes? Unë mendoj që jo. Të gjithë jemi fokusuar te faktet dhe informacionet e trishta që na paraqiten, tek energjia negative që na përcjell e gjithë kjo. E kështu dëmtojmë shëndetin tonë mendor. Përse të mos përpiqemi të gjejmë anët pozitive të gjtthë këtij kaosi dhe ngërçi në të cilën ndodhet shoqëria?

Të gjithëve na ka ndodhur t’i themi vetes se sa shumë nevojë kemi thjesht të shtrihemi në shtrat e të mos bëjmë asgjë tjetër. Apo sikur të kisha pak më shumë kohë për të kaluar me fëmijët. Në vend të të mëshuarit kaq shumë të idesë që nuk mund të rri i mbyllur në shtëpi, le të përpiqemi të gjejmë mënyra sa më efikase për të realizuar ato për të cilat më parë nuk kishim kohë sepse bota vraponte e ne vraponim po ashtu.

Ndryshimi i mënyrës së të menduarit do të na udhëhiqte drejt ndryshimit të sjelljeve tona, gjë e cila do të reflektohej në ndryshim të reagimeve fiziologjike të organizmit. Është i gjithi një cikël. Thënë më qartë, mendimin “Kjo situatë është e padurueshme, nuk mund të qëndroj i/e mbyllur”, mund ta zëvendësojmë me “Sa mirë që kam kaq shumë kohë në dispozicion”. E më pas kalojmë në ndryshimin e sjelljes, bëj gjëra për të cilat më parë nuk kisha kohë mjaftueshëm: lexoj libra, eksperimentoj me receta të reja gatimi, bisedoj më shumë me familjarët, bëj maska për fytyrën dhe flokët, mësoj të bëj punë dore, përpiqem të krijoj lojëra kreative për fëmijët e mi dhe të luaj me ta, komunikoj në rrjete sociale me gjithë të afërmit dhe shoqërinë me të cilët nuk komunikoja sepse nuk kisha kohë, pikturoj, bëj ushtrime fizike, kujdesem për kopshtin tim etj. Të gjitha këto e shumë të tjera që nuk i kam përmendur, bëjnë të mundur që truri të çliroj ato që quhen hormone të lumturisë. Në këtë mënyrë kemi bërë të mundur që mendimin e parë aq stresues ta ndryshojmë në “Qëndrimi në shtëpi po më jep mundësinë të bëj shumë gjëra për të cilat kam pasur dëshirë por s’kam pasur kohë”. E kështu kemi nisur një tjetër cikël të mënyrës së të menduarit.

Mos harroni, gjithçka varet nga ju. E keni ju në dorë nëse e shikoni gotën gjysmë bosh apo gjysmë plot.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top