Mirëqenie

July 25, 2018 | 12:49

Kjo është mënyra e duhur e përdorimit të kremit të diellit

Njerëzit marrin më pak se gjysmën e mbrojtjes nga locionet mbrojtëse nga dielli krahasuar me atë që pritet, por problemi, nuk është locioni por aplikimi i tij.

Shkencëtarët e kolegjit mbretëror të Londrës, thonë se në teori, përdorimi i një locioni mbrojtës me faktor 15, është i mjaftueshëm për të parandaluar djegien nga dielli. Por, në realitet, njerëzve u nevojiten locione me faktor 30 apo 50 që të jenë të sigurt, thonë autorët e studimit, që kanë kryer eksperimente me vullnetarë në laboratorin e tyre.

Locioni me faktor 50, i aplikuar në mënyrën e duhur, garanton 40 % të mbrojtjes së pritshme. Studiuesit kanë shqyrtuar se sa mbrohen njerëzit duke u lyer me sasi të ndryshme locioni me faktorë të ndryshëm mbrojtës nga dielli.

Kremi mbrojtës duhet të aplikohet në një shtresë mjaftueshëm të trashë, që shumë nga ne nuk e bëjnë. Dhe klasifikimi i locioneve bazohet në prezumimin se 2 mg locion duhet të mbulojnë 1 centimetër katror të lëkurës. Kjo do të thotë që një person duhet të përdorë të paktën gjashtë lugë çaji të plota me locion, ose 36 mg, për të mbuluar trupin e një të rrituri mesatar. Zona si anët e qafës dhe veshët, zakonisht nuk lyhen, por edhe për to duhet treguar kujdes.

Dermatologët këshillojnë që kremi i plazhit të aplikohet 15 deri në 30 minuta para ekspozimit në diell, në mënyrë që ai të mund të thahet. Dhe procesi duhet përsëritur çdo dy orë si edhe menjëherë pas daljes nga deti. Disa locione thuhet se janë rezistente ndaj ujit duke pretenduar se garantojnë të njëjtën mbrojtje edhe pas zhytjes.

Sidoqoftë, mbi 85 % e produktit mund të hiqet pas tharjes me peshqir ndaj duhet aplikuar lyerja pas notit, djersitjes apo ndonjë aktiviteti tjetër. Një tjetër faktor i rëndësishëm është edhe reflektimi i rrezeve të diellit, që mund të rrisin ndjeshëm fuqinë e rrezatimit; kështu për shembull në borë, reflektimi shkakton një rritje prej 85 % ndërsa rëra dhe uji, respektivisht e rrisin rrezatimin me 17 dhe 5 %.

 

Burimi / TopChannel

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top