FB

November 25, 2021 | 8:35

“Klara dhe Dielli” / Një elegji e re, e mrekullueshme, mbi vlerën e dashurisë dhe të sakrificës

Nga autori i romanit “Dita e mbetur”, një tjetër roman i mrekullueshëm – i pari pas fitimit të çmimit Nobel në Letërsi – mbi natyrën e mahnitshme dhe misterioze të zemrës së njeriut.

 

Historia ndodh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në një të ardhme distopike, në të cilën disa fëmijë janë manipuluar gjenetikisht (ndryshe, “fuqizuar”) për të përmirësuar aftësitë e tyre akademike. Duke qenë se shkollimi bëhet krejtësisht në shtëpi, on-line përmes oblungave, mjete të teknologjisë së lartë dhe mësuesve përtej ekranit, mundësitë e fëmijëve për socializim janë shumë të kufizuara, ndaj prindërit u blejnë fëmijëve Shokë Artificialë, ShA, androidë. Ulur në vitrinë, nën rrezet e ëmbla të Diellit, Klara vëzhgon botën jashtë dhe pret që dikush ta blejë e ta shpjerë në shtëpi. Në të vërtetë, Klara është një ShA, një Shok Artificial, një makineri humanoide, me aftësi të jashtëzakonshme vëzhgimi, që këqyr me vëmendje sjelljen e njerëzve që hyjnë e dalin në dyqan apo të atyre që kalojnë në rrugë. Xhosi është vajza e vogël, së cilës i premton që do t’ia kushtojë gjithë dhuntitë e saj të pazakonta si android B2. Do t’i bëjë shoqëri, do ta mbrojë nga sëmundjet dhe trishtimi, e do të përballojë për të grackën më të madhe: të mësojë të fshehtat e mijëra dhomave të zemrës së saj njerëzore.

1

“Klara dhe Dielli” është një roman emocionues që hedh vështrimin drejt një bote në ndryshim e sipër përmes syve të një rrëfimtari të paharrueshëm, për të na dhuruar një elegji të re e të mrekullueshme mbi vlerën e dashurisë dhe të sakrificës.

Kritika

Kujtesa me gjithë barrat dhe përputhjet e veta kanë qenë temat kryesore të Ishiguro-s. Me romanin “Klara dhe Dielli” ai ka arritur ta zotërojë me mjeshtëri temën e ngjashme të vjetrimit e të atrofizimit. Si mund të jetohet në një botë, zakonet dhe idetë e së cilës të kanë lënë pas? Çfarë ndodh me njerëzit që duhen lënë mënjanë me qëllim që të tjerët të ecin përpara? The New York Times

Ky libër – i mrekullueshëm – duket fort i ngjashëm me “Mos më lër të shkoj”, teksa eksploron se ç’do të thotë të mos jesh krejtësisht-njerëzor, duke marrë fuqinë e vet nga hijet më të errëta të luginës misterioze. The Guardian

Ky roman i mrekullueshëm i fituesit të çmimit Nobel është një rrëfim intrigues për inteligjencën artificiale dhe rolin e saj në të ardhmen tonë… një reflektim ngjethës mbi dashurinë dhe vetminë. The Associated Press

Te “Klara dhe Dielli” të bën përshtypje zëri përndjekës i rrëfimit – një perspektivë naive, e pafajshme, pa egoizëm mbi sjelljen e çuditshme të njerëzve të fiksuar dhe të shënjuar nga pushteti, statusi shoqëror dhe frika. Komiteti i Çmimit Booker

Një kryevepër me një bukuri të rrallë, me një kontroll të rreptë dhe, si gjithnjë, me një prozë të thjeshtë e të qartë. Sunday Times

Një rrëfenjë trazuese e një bote të vetmuar dhe në agoni, që është krejtësisht e mundshme. Kirkus Review

kazuo-copy

Sër Kazuo Ishiguro është shkrimtar britanik me origjinë japoneze dhe Laureat i çmimit Nobel në Letërsi për vitin 2017. Ishiguro konsiderohet sot si një nga shkrimtarët bashkëkohorë më të lëvduar të botës anglishtfolëse: ai është kandiduar katër herë për Man Booker Prize, duke e fituar çmimin në vitin 1989 pikërisht me romanin “Dita e mbetur”. Një tjetër roman i tij “Mos më lër të shkoj”, i ribotuar nga Botimet Pegi në vitin 2017, u shpall nga revista Time si romani më i mirë i vitit 2005 dhe u përfshi në listën e 100 romaneve më të mira të gjuhës angleze (nga viti 1923 deri në 2005). Ishiguro është autor i tetë romaneve. Akademia suedeze e vlerësoi Ishiguron me çmimin Nobel në letërsi në vitin 2017, duke e përshkruar si një shkrimtar “i cili, në romane me një forcë të madhe emocionale, ka zbuluar humnerën që fshihet nën ndjesinë tonë të gënjeshtërt të lidhjes me botën.”

Botime Pegi ka botuar deri më tani pesë prej librave të tij “Mos më lër të shkoj”, “Dita e mbetur” “Gjiganti i fjetur”, “Artist i botës fluturake” dhe “Klara dhe Dielli”.

 

Fragmente nga libri

1)Po mirë, zëre se u fute në njërën prej këtyre dhomave, – tha, – dhe zbulove një tjetër dhomë brenda saj. E brenda kësaj dhome, një tjetër sërish. Dhoma brenda dhomave pareshtur. A mund të ndodhë po kështu me zemrën e Xhosit? Sado të endeshe nëpër këto dhoma, a nuk do të gjeje prapë dhoma të tjera, ku nuk je futur ende?

2)Shpresa, – tha. – Kjo e mallkuar, që nuk na lë kurrë të qetë.

3)Ndoshta gjithë qeniet njerëzore ndihen të vetmuara. Ose të paktën, mund të ndodhë të vuajnë për shkak të vetmisë.

4)Klara, nuk po të kërkojmë të mësosh Xhosin tjetër. Po të kërkojmë të bëhesh Xhosi. Xhosi që pe atje lart, siç e vure re, është e zbrazët. Nëse vjen një ditë – shpresoj që jo, por nëse ndodh – duam që ti ta banosh atë Xhosin atje lart, me gjithçka ke mësuar.

5)Siç e thashë, qenë të gjitha mësime me vlerë për mua. Jo vetëm mësova që “tjetërsimet” ishin karakteristikë e Xhosit e që duhej të mësoja t’u përshtatesha, por nisa të kuptoja që nuk bëhej fjalë për një veçanti të sajën; se njerëzit shpesh ndienin nevojën t’u paraqisnin të tjerëve një aspekt të caktuar të vetes – si në vitrinën e një dyqani – e që, me të kaluar momenti, ktheheshin në vetvete dhe çka ishte ekspozuar, nuk duhej marrë më aq seriozisht.

0

Titulli: Klara dhe Dielli

Autor: Kazuo Ishiguro

Përktheu: Gentiana Kasemi

Zhanri: Roman

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top