FB

August 23, 2021 | 8:35

Klasifikimi i vetëvrasjeve, arsyet, motivet, masat parandaluese…

 

 

Nëpërmjet këtij materiali synoj që t’i përcjell lexuesit disa njohuri mbi aktin e vetëvrasjeve, që tashmë është një plagë që po shkakton dhembje shumë të mëdha e që prej kohësh është një problem shqetësues, por dhe si ta parandalojmë e minimizojmë këtë akt të dënueshëm nga ana shoqërore, fetare dhe ligjore? Do të mundohem të përcjell edhe mendime nga mjaft sociologë e psikologë, studiues, hulumtues, por dhe angazhimin, nga mjaft organizata të ndryshme joqeveritare, institucione shtetërore-qeveritare. Ku  edhe pse kanë punuar e punojnë  fatkeqësisht rezultatet apo efektiviteti i tyre ka qenë jo në lartësinë e duhur duke ju referuar statistikave të fenomenit të vetëvrasjes.

dr-ilia-larti

Nga Prof.Assoc.proc.Doc.Dr.Ilia S.Larti

 

Nëpërmjet kësaj kumtese do të mund të kuptoni dhe njiheni:

I-Motivet e vetëvrasjes

II-Vetëvrasjet aktive dhe pasive

III- Faktorët dhe zgjidhjen e dilemave që në mjaft raste ndikojnë në vetëvrasjen e të rinjve

IV-Disa nga mjetet me të cilat realizohen vetvrasjet

V- Vlerësojnë parandalimin e vetëvrasjes. 

VI-Njohin disa përfundime, rekomandime  dhe detyra

E shoh me vend që, para se të trajtoj materialin për të qenë sa më i kuptueshëm dhe i drejtpërdrejtë me lexuesit po përcjell përmbajtjen e disa fjalë kyçe si:

Vetëvrasja: Me këtë term kuptojmë, veprimin e një personi për të shkaktuar vdekjen e vet, për t’i shpëtuar një situate të pa të padëshirueshme e gjykuar si e pa shpresë… dhe me të mbyll vujtjet dhe hallet…!

Çrregullime psikike: Ky çrregullim manifestohet te një individ kur për një kohë të gjatë ose përherë sillet në mënyrë jonormale dhe jo të dobishme. Këto çrregullime janë të llojeve të ndryshme, si  neurozat,  çrregullimet e rënda shpirtërore etj.

Dëshpërim: gjendje shpirtërore e njeriut që ka humbur shpresën, që ka rënë moralisht e është hidhëruar. Shkaktohet nga një fatkeqësi, mossuksesi, humbja e shpresës dhe e besimit në realizimin e qellimit, pakenaqësia, zemënimi etj., të cilat e çorientojnë subjektin.

Psikozë: çrregullim i rëndë psikik; personi nuk është në gjendje të ushtrojë profesionin e vet, ai kufizon (madje dhe shkeput) marrëdhëniet me realitetin, shpeshherë mund të bëhet i rrezikshëm përveten dhe per njerëzit që e rrethojnë, duhet të kurohet në institucione mjekësore të specializuara.

Tension: gjendje emocionale e shkaktuar nga mosplotesimi i nevojave ose nga sjellje tendencioze të bllokuara.

Tension psikik: është term i psikoanalizës që tregon një gjendjemenxitje të madhe, siç janë ankthi, shqetësimi dhe impulset e pakontrolluara. Përmbajtja e termit tension psikik i afrohet konceptit popullor të nervozizmit ose të tensionit emocional.

Sjellje: Mënyra si vepron njeriu në jetë, në shoqëri, në shkollë etj.; gjithashtu ka të bëjë me qëndrimin gjatë marrëdhënie me të tjerët ose kundrejt detyrave në rrethana të caktuara.

Dilemë: Arsyetim që qëndron në paraqitjen e dy propozimeve, ku njëra nga të dyja, njëra është e rreme dhe tjetra domosdoshmërish është e vërtetë. Shkurt: Detyrim për të zgjedhur midis dy mundësish, midis së mirës dhe të keqen.

4

Vetëvrasjet kanë ndikim me pasoja negative në shoqëri sepse humbet jetën një qenieje njerëzore, por dhe një plagë të paharrueshme për të afërmit që mund të çojë në drama të tjera shpirtërore si dhe tek komuniteti ku ka punuar e kontribuar një kujtim të hidhur. Nga ana tjetër, vetëvrasja përbën një rrezik shumë të madh sepse, jep një shembull të shëmtuar për rininë, ajo shfaqet si një gjetje apo mënyrë e lehtë, për zgjidhjen e problemeve.

Vetëvrasja në shumicën e shoqërive demokratike perëndimore është e ndaluar. Në përgjithësi të gjitha sektet fetare si:  Hebraizmi, Krishterimi dhe Islami e konsiderojnë vetëvrasjen si mëkat, ndërsa në përgjithësi sistemet shoqërore e dënojnë nga ana morale, por edhe si vepër penale.

Vetëvrasjet sjellin dhe dëme ekonomike, duke pasur parasysh që ata që vetëvriten janë më të shumtit meshkuj, të cilët janë kryefamiljarë dhe burimi kryesor i të ardhurave. 

Në ndërtimin dhe zhvillimin e kësaj kumtese zë vend mbledhja e të dhëna vetë cila ka për bazë, njohjen e studimeve, hulumtimeve të studiuesve, sociologëve, psikologeve etj., duke i  interpretuar nisur nga kushteve, faktorët dhe ngjarjet në vendit tonë. Njëkohësisht ju jam referuar burimeve të sigurta statistikore në lidhje me vetëvrasjet si të organizmave botërore dhe atyre të vendit tonë, e deri studimeve të kryera nga prokuroria. Sigurisht i jam referuar “Kodit Penal” dhe Kodit të Procedurës Penale”, të Rep. Shqipërisë, tej., për të parë shkallën e dënueshmërisë si dhe për të evidentuar, shkaqet, ndodhitë e si mund ta minimizojmë këtë fenomen të shëmtuar.

 

I-Motivet e vetëvrasjes

Në studimin e parë bashkëkohor lidhur me vetëvrasjen, sociologu i njohur francez Emil Durohemi ka theksuar tri motive të vetëvrasjeve, ku gati të gjitha janë të lidhura ngushtë me mënyrën se si një person e gjen vendin e tij në shoqëriduke i quajtur:1-anomike, 2-egoiste, 3-altruiste, 4-fataliste. 

1/1.Vetëvrasja anomike karakterizohet me:

Çrregullime të rënda dhe shpërthime të cilat vijnë nga prishja e marrëdhënieve së individit me shoqërinë ku ai është antar i saj si: humbja e vendit të punës, vështirësitë ekonomike, depresionit social, diskriminimi shoqëror etj. 

1/2.Vetëvrasja egoiste ndodh atëherë kur:

Personi ka shumë pak lidhje me shoqërinë e tij. Kërkesat  e tij janë shoqërore dhe kryesisht  për t’i jetuar me egoizmin e tij nuk i arrin dot.

1/3.Vetëvrasja altruiste është:

Vetëvrasje që kërkohet nga shoqëria, nga grupi social ku individi është i integruar. Individi e jep jetën e vet në mënyrë që shoqëria e tij të përfitojë. Harakiri është një lloj prej vetëvrasjeve altruiste. Murgët budistë që dogjën veten e tyre deri në vdekje si shenjë e protestës ndaj padrejtësive të luftës së Vietnamit janë përkujtues të atyre individëve që bëjnë vetëvrasje altruiste. Ka edhe kulte të ndryshme (disa sekte sataniste, “Tempulli i Davidit” etj.) të cilat si pjesë të ritualeve të tyre kanë vetëvrasjet. 

1/4.Vetëvrasja fataliste:

Kjo lloj i vetëvrasjes, karakterizohet me një mënyre të rregulluarit e shtuar apo të tepërt. Këto janë shumë të rralla dhe ndodhin atëherë kur individi i vlerëson rrethanat në të cilat ai jeton janë bërë të papërballueshme. Kështu p.sh. shërbëtorët dhe skllevërit të cilët nuk mund të përballojnë rregullat e imponuara mund të vetëvriten.

Mendimtarët bashkëkohorë shohin edhe tre motive të tjera fondamentale që shtyjnë në vetëvrasje:

a-Dhënia fund (mbarimi)

b-Manipulimi

c-Të kombinuara (Dhënia fund (mbarimi) dhe Manipulimi)

a/1.Dhënia fund (mbarimi), përfshin atë gruppersonash që motivohen për vetëvrasje me shuarjen e jetës, pra,  dëshirojnë mbarim, ose më thjeshtë ata dorëzohen. Shtrëngimi/vuajtja e tyre emocionale është e pa tolerueshme dhe ata nuk shohin asnjë zgjedhje tjetër. Vdekjen e shohin si përfundim të të gjitha problemeve të tyre. 56% të tentativave të vetëvrasjes të shqyrtuara në studime sistematike janë klasifikuar se si këta persona kishin tentuar të arrijnë një ndalje/ fund (angl: surcease). Këto tentime të vetëvrasjes kanë qenë të përcjella me depresion, pesimizëm të madh dhe gjithashtu viktimat kanë qenë të prirë që të jenë më vdekjeprurës se sa të mbeten vetëm në tentim-vetëvrasje (Beck, 1976). 

b/1.Manipulimi ka për objekt motivimin për të realizuar vetëvrasje (apo për të tentuar vetëvrasjen), sikurse është edhe dëshira për të manipuluar njerëzit e tjerë me tentim-vetëvrasjeje. Disa dëshirojnë të manipulojnë botën që mbetet pas vdekjes: të kenë fjalën e fundit si argument, t’i hakmerren dikujt për shkak të dashurisë së refuzuar, t’ia shkatërrojë jetën ndonjë personi etj. Zakonisht me anë të vetëvrasjes së manipuluar, personi ka për qëllim të mbetet gjallë, mirëpo përmes seriozitetit të dilemës së tij, ai thërret në ndihmë ata të cilët janë të rëndësishëm tek ai. 13% e tentativave të vetëvrasjeve janë vetëvrasje manipulative; këto vetëvrasje janë të përcjella me më pak depresion, me më pak pesimizëm dhe më me pak metoda vdekjeprurëse se sa tentativat tek vetëvrasjet me motive të dhënies fund apo mbarimit (surcease) (Beck 1976). Vetëvrasjet manipuluese qartazi janë thirrje për ndihmë, por duhet pasur të qartë se jo të gjitha vetëvrasjet janë njëkohësisht edhe thirrje për ndihmë. Ata persona që dëshirojnë të ikin ngaqë jeta nuk është diçka që ia vlen për të jetuar, janë persona që nuk thërrasin për ndihmë, por për t’i dhënë fund telasheve të tyre.

c/1.Te disa persona vetëvrasja realizohet me kombinimin e dy motiveve vetëvrasëse (a-Dhënia fund (mbarimi) b-Manipulimi). Sipas studimeve, 31% e tentativave të vetëvrasjeve janë “të kombinuara”; kombinim i motiveve për të dhënë fund dhe i qëllimeve manipulative. Këtu personi nuk është i sigurt se a dëshiron të jetojë apo të vdes, a dëshiron “surcease” apo ndryshim në botën e tij. Në këtë grup të pavendosur, sa më shumë pesimizëm dhe depresion që e godet personin aq më të forta do të jenë motivet “surcease” për të tentuar vetëvrasje (Beck, Rush Shaw dhe Emery; 1979).

3

II-Vetëvrasjet aktive dhe pasive

Për disa njerëz zgjedhja e mënyrës për të kryer vetëvrasjen është një vendim i shqyrtuar me kujdes, ndërsa disa të tjerët marrin vendimin spontanisht duke shfrytëzuar mjetet më të afërta kur mbërrijnë në pikën e dëshpërimit të skajshëm.

Bazuar në mënyrën e kryerjes së tyre, shpesh përmendet një ndarje e vrazhdë e vetëvrasjeve në dy kategori që janë emërtuar:

a.“vetëvrasje aktive”

b.“vetëvrasje pasive” 

Metodat aktive të vetëvrasjes konsiderohen:

e shtëna me armë zjarri,

kërcimi nga lartësitë etj.,

Metoda këto, që priren të jenë të rrëmbyeshme (të shpejta) dhe efektive, sikurse lejojnë fare pak hapësirë, për ndonjë ndërprerje apo kohë për rishqyrtim. 

Metodat pasive përfshijnë:

mbi dozimin,

gazimin (helmimin me gaz),

mbytja në ujë etj.

Metoda këto, të cilat janë më pak të tej dhunshme dhe të cilat mund të lejojnë hapësirë për intervenim, apo kohë për rikonsiderim.

 

III-Faktorët dhe zgjidhja e Dilemave në mjaft raste ndikojnë në vetëvrasjen e të rinjve

A.Faktorët e vetëvrasjeve

Vetëvrasja e të rinjve është një problem në rritje në shoqërinë bashkëkohore. Ka shumë faktorë që kontribuojnë dhe shumë mënyra që mund ta ndalojnë vetëvrasjen. Nëse shoqëria mundohet të parandalojë, atëherë numri i vetëvrasjeve do të zvogëlohet shumë. Ka shumë faktorë që kontribuojnë në vetëvrasjen e të rinjve.

Disa prej këtyre faktorëve janë çrregullimet psikologjike, varësia në substanca kimike, dhe pasiguria në identitetin seksual. Është vërtetuar se: tek të rinjtë të cilët kanë çrregullime psikologjike dhe që tentojnë të vetëvriten, numri i tyre është shumë më i madh se i atyre që kanë probleme të tjera. Gjithashtu është gjetur se: të rinjtë që tentojnë vetëvrasje vijnë nga familjet jo funksionale të cilat kanë pësuar trauma të vazhdueshme. Këta të rinj janë në depresion të vazhdueshëm dhe ekstrem dhe kanë probleme të sjelljes. Tek të rinjtë që kanë përjetuar abuzim fizik dhe seksual është gjetur se numri i vetëvrasjeve është shumë më i madh se i atyre që nuk kanë përjetuar këto abuzime. Të rinjtë që kanë elemente vetëvrasjeje në veten e tyre shumë shpesh kanë notë mesatare të ulët ne shkollë. Para disa kohësh është bërë një studim për nxënësit e shkollave të mesme dhe është vërtetuar se  të rinjtë me tendencë pozitivë nga ana sociale ka qenë shumë e ulët edhe në përgjithësi vija e sjelljes kanë qenë pesimiste dhe e pa shpresë. Në këtë kontekst, është konstatuar se, prindërit e këtyre fëmijëve kanë probleme bashkëshortore, probleme në lidhje me profesionin e tyre dhe probleme me të që nurit prind. 

Shkencëtarët A.F. Henry dhe J.F. Short kanë ardhur në një konkluzion interesant: se vetëvrasja ndodh tek ata persona të cilët nuk janë të lumtur, pa pasur ndonjë burim të jashtëm për fajësim. Ata dallojnë nga personat të cilët kanë ndonjë burim të jashtëm, siç është varfëria, për ta fajësuar. Këta të fundit tentojnë të jenë agresivë ndaj forcave të jashtme sesa të mendojnë për vetëvrasje. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë gjithnjë duhet ta kemi parasysh se krahasuar me të kaluarën të rinjtë e sotëm kanë shumë më pak faktorë të jashtëm që t’u shkaktojnë vuajtje. Zvogëlimi i varfërisë, edukimi më i mirë, ruajtja e bërthamës familjare dhe shpenzimet për mirëqenien e për shërbimet e fëmijëve që janë rritur dukshëm, janë disa prej këtyre faktorëve. Edhe përkundër këtyre, numri i vetëvrasjeve tek të rinjtë është rritur. Disa ngjarje shpesh ndodhin në jetën e të riut të cilat kanë potencial të çojnë personin jashtë arsyes racionale. Si në sytë e ndonjë të riu shqiptar, imazhi i heroit të epokës moderne është i ngulur si gozhdë në trurin e tij të komercializuar,  i cili duhet të jetë ose “Rambo amerikan” ose “Kamikaz  arab”. Në këto ngjarje numërohen humbjet personale, nga problemet në shkollën, e deri te konfliktet me familjen. Në humbjet personale nënkuptohet; vdekja e prindit, humbja e shokut, mbarimi i lidhjes romantike. Këto ngjarje mund të jenë shkatërrimtare për keqësimin e gjendjes emocionale të një të riu duke e çuar atë në depresion të thellë. Konflikti mes familjes dhe të rinjve përkatësisht konflikti midis gjeneratave është një problem i shoqërisë moderne. Shpeshherë adoleshentet do t’i keqkuptojnë këto konflikte dhe do ta ndiejnë veten vazhdimisht të poshtëruar. Kjo ndjenjë konstante e të qenit i poshtëruar ka tendenca që ta çojë adoleshentin në një gjendje vetëvrasjeje.

B.Zgjedhja e dilemës

Të rinjtë kur ndodhen përpara dilemës, jetë apo humbja e saj të hutuar s’dinë të zgjenin në rastësi:

Janë të tejmbushur dhe të përfshirë prej pakënaqësive, mosmarrëveshjeve dhe kontradiktave të pazgjidhura (me prindërit, mësuesit, shokët dhe shoqet etj,).

Kur nuk gjejnë mbështetje si dhe nuk u jepet ndihmë efikase  dhe sidomos në momentin më kritik.

Kur rri i mbyllur dhe pranon vetminë për një kohë relativisht të gjatë, i krijohet mendimi se ndodhet në udhëkryq  dhe krejtësisht i çorientuar.

Në këtë moment çrregullimet psikologjike arrijnë në një pikë kulminante se për të ka marrë çdo gjë fund dhe nuk shikojnë asnjë dritë jeshile në fund të tunelit.

Kjo situatë e bën personin që të arrijnë në një shpërqendrim i cili  midis jetës dhe vetëvrasjes e ka të vështirë të zgjedhë….?!

Pra, dilema si Detyrim për të zgjedhur midis dy mundësish, midis jetës dhe vdekjes…, jetesa ju duket e vështirë, ndërsa humbja e jetës duke u vetëvrarë ju duket më e lehtë, se  pret më shkurt.

Ja ky është momenti, për të ndërhyrë, ndaj këtij personi, që të shohë dritën jeshile.

Kështu krijohet dhe motivi, që midis të mirës dhe të keqes të zgjedhë të mirën.     

2 

C.Disa faktorët  të tjerë që ndikojnë për  motivin e vetëvrasjeve

Hulumtimi i parë shkencor për vetëvrasjen është kryer nga Emil Dyrkemi (Emil Durohemi 1858-1917). Në vitin 1897 ai botoi njërin nga librat më të rëndësishëm në sociologji, “Vetëvrasja: një studim në sociologji”.

a.Faktorët kryesorë të rrezikut për vetëvrasje

1.Serioziteti mjekësor i tentativave të mëparshme 

2.E kaluara me tentativa vetëvrasjeje

3.Ideacioni akut suicidal 

4.Atraksioni/ngazëllimi ndaj vdekjes 

5.Ndjenja e humbjes së shpresës 

6.Historia familjare e vetëvrasjeve

7.Mbi dozimi me alkool

8.Humbja/Ndarjet

b.Faktorë të rrezikut për vetëvrasje te të miturit

1.Tentativat e mëparshme për vetëvrasje

2.Depresioni ose abuzimi me substancat

3.Prania e hershme e çrregullimeve mendore

4.Situata stresuese apo humbja e dikujt

5.Vetëvrasjet në familje

c.Faktorët e riskut për vetëvrasje

Arsyeja pse një individ kryen vetëvrasje, shpesh është e vështirë të përcaktohet. Nga shtysat madhore më të shpeshta janë:

dëshpërimi,

humbja e shpresës,

sëmundja,

papunësia,

humbja e një marrëdhënieje,

vdekja e një personi të dashur,

faji dhe zhgënjimet psikike.

Vetëvrasjet janë tentativa pas pësimit të një depresioni apo ankthi, dhe sidomos i çrregullimeve të shpeshta si rezultat i stresit akut ose, siç e quajnë mjekët, mllefit të momentit pas një situate me ngarkesë të fortë emocionale.

IV-Disa nga mjetet me të cilat realizohen vetëvrasjet

a.Me armë zjarri

b.Vetëvrasje me mbytje në Litar

C.Vetëvrasje me armë të ftohta

D.Vetëvrasje duke u hedhur nga lartësi të mëdha

E.Vetëvrasje me mbytje në ujë

F.Vetëvrasje me përdorim medikamentesh apo helmesh të ndryshme

V-Parandalimi i vetëvrasjes

E vetmja mënyrë është përmes trajtimit të depresionit dhe çrregullimeve të tjera emocionale. Programe informative shkollore, masmedia dhe ndërhyrja e saj kanë treguar se nuk janë të efektshme. Një tjetër metodë mendohet të jetë vendosja e linjave telefonike dhe këshillimi urgjent në rast krize, por problemi në këto raste ka qenë fakti se jo të gjithë ata që kanë telefonuar ose telefonojnë janë duke tentuar vetëvrasjen, dhe shumë tentues janë aq të vetmuar sa s’marrin në telefon gjatë krizave të tyre. Programe informative shkollore, masmedia dhe ndërhyrja e saj kanë treguar se nuk janë të efektshme sa dhe si duhet. E vetmja mënyrë është përmes trajtimit të depresionit dhe çrregullimeve të tjera emocionale.

Shifrat janë alarmante (Janar, 2013). Brenda një viti, rreth 3000 persona kanë tentuar t’i japin fund jetës. Rreth 4000 të tjerë janë paraqitur në urgjencë në gjendje mjaft të rënduar shëndetësore. Diagnoza që u vendoset në spital është: helmim akut ose mbidozë. Për specialistët e Qendrës së Toksikologjisë në spitalin “Nënë Tereza”, këto statistika janë vetëm maja e ajsbergut.

Studiuesi Shneidman mendon se duhet të ndiqen disa hapa përsa i përket terapisë në rastet e vetëvrasjeve:

1.Vendosja e një marrëdhënieje pozitive

a.Besimi tek këshilluesi i cili duhet të jetë:

dëgjues

kujtues

i interesuar

jo paragjykues

i gatshëm me vullnet dhe i pa përtua

2.Kuptimi dhe qartësimi i problemit

3.Vlerësimi i potencialit (suicidal)

4.Vlerësimi dhe mobilizimi i anëve pozitive të personit

5.Formulohet gjithmonë një plan i detajuar për terapinë e tyre

Studim nga ana e prokurorisë, për të konstatuar, shkaqet dhe parandalimin e vetëvrasjeve
Vetëvrasja e parashikuar në Kodin Penal nen.99, përkufizohet si: shkaktimi i vetëvrasjes ose i tentativës së vetëvrasjes të një personi, si rrjedhojë e trajtimit të keq sistematik ose nga sjellje të tjera sistematike që prekin rëndë dinjitetin, të kryera nga personi që e ka në varësi apo nga personi me të cilin ka marrëdhënie familjare ose bashkëjetese, dënohet me burgim nga 3 deri në 7 vjet (përcaktimi i bërë në 2013).

Për të gjitha rastet, Prokuroria fillimisht ka ngritur akuzën e shkaktimit të vetëvrasjes, parashikuar nga neni 99 i Kodit Penal. Edhe pse akuzat janë ngritur dhe prokurorët kanë hetuar rreth tyre, duket se ngjarje të tilla janë të vështira të hetohen. Kjo sepse pjesa më e madhe e viktimave e tërheqin me vete shkakun e vërtetë të ngjarjes, duke u shkaktuar vështirësi hetuesve. Ata thonë se numri i rasteve kur të pandehurit janë dënuar për shkaktim vetëvrasjesh është simbolik. Në të gjitha rastet e regjistruara për hetim në Prokurorinë e kryeqytetit, vetëvrasjet për shkak të lidhjeve dashurore kanë pësuar rënie. Hetuesit ende nuk kanë një shpjegim për këtë fakt, por të dhënat e 20 vetëvrasjeve të regjistruara kanë treguar se një pjesë e vogël e këtyre ngjarjeve ka ndodhur për shkak të problemeve apo konflikteve në lidhjet dashurore. Sipas burimeve të Prokurorisë, pesë dosje nga 20 rastet e regjistruara në hetim nuk kanë asnjë shkak. Viktimat nuk kanë lënë shënime lidhur me veprimet e tyre, ndërsa të afërmit nuk kanë dëshmuar për shkaqet. Problemet e sëmundjeve të pashërueshme janë një tjetër motiv, i cili i shtyn personat me karakter të dobët të kryejnë vetëvrasje. Një i ri, 28 vjeç qëlloi veten me çifte për shkak se vuante nga sëmundja e diabetit. Ndërsa numri më i madh i këtyre ngjarjeve tragjike ndodh për shkak të varfërisë, mungesës së punës, xhelozisë dhe konflikteve në çift.

1

Roli i Policisë së Shtetit në parandalimin e vetëvrasjeve?

Policia ende nuk e ndien sa dhe si duhet si objekt pune parandalimin e vetëvrasjes. Është pikërisht ajo që e administron këtë vepër për të sqaruar shkaqet dhe rrethanat e kryerjes në kuadër të parandalimit të këtij fenomeni. Aktualisht, në polici mungon funksioni i specialistit për vetëvrasje, sistemi statistikor lë për të dëshiruar. Nuk ka punë të mirëfilltë, studimore, hulumtuese, as nga studiuesit dhe profesionistët nga radhët e policisë, po kështu nuk ka përfshirje të këtij fenomeni në modulet dhe kurrikulat e shkollimit të kursantëve dhe studentëve, sikurse edhe për kualifikimin, specializimin dhe trajnimin e punonjësve të policisë pothuajse mungojnë. Mundësia në këtë aspekt ekziston që këtë fenomen të bëhet dhe objekt i punës së shërbimit policor në komunitet. Gjithsesi, përpara ndodhive që po ndodhin me fenomenin e vetëvrasjes  nga ana e policisë, as që mund të flitet për punë të mirëfilltë (duke pasur specialistë të mirëfilltë të këtij fenomeni, siç janë ata të dhunës në familje) dhe angazhim serioz dhe të plotë për parandalim të vetëvrasjeve nëpër mjet shërbimeve policore. 

 

Në këtë kontekst Lind pyetja, a mund të parandalohen vetëvrasjet?

Po, vetëvrasjet mund të Parandalohen..!

Nëpërmjet Eksperimentit të kryer nga White dhe Gruper më 1982 zbulohet se rruga më e lehtë për t`i bërë njerëzit agresorë është tu japësh një shenjë  agresiviteti. Pra nëpërmjet konkluzionit të këtij eksperimenti, secili qytetar, specialist, intelektual, mësimdhënës, politikan e kushdo tjetër duhet të ndjehet i përgjegjshëm dhe reagues që të mos shfaqi shenja agresiviteti, vulgariteti dhe sjellje kërcënimi, se s`bën gjë tjetër veçse krijon një “model”, te ata persona të prirur për t`i bërë vetes dhe të tjerëve më të keqen..!

Vetëvrasja  në vetvete nuk është sëmundje, por një çrregullim mendor që ndodh shpesh te ata njerëz, te të cilët ndikon  një apo disa faktorë shumë madhorë, ku personi nuk gjen dot rrugë zgjidhje, pas kësaj bie në  stres të fuqishëm e deri në depresion. Në këto kushte kuptohet vjen apo përjetohet çrregullimi  multidimensional.  Sipas studiuesve të kësaj fushe vetëvrasja vjen si rezultat i ndërveprimit psikologjik, sociologjik dhe ambiental.

Nisur nga këto zhvillime dhe çrregullime shtrohet pyetja që a mund të parandalohet vetëvrasja.!?

Sigurisht që po.!

Në këtë sens,  një nga mënyrat më efikase sipas studiuesve të kësaj fushe është:Prindërit, pjesëtarët e familjes që kanë diktuar se fëmija i tyre (nxënës, student), shfaq çrregullime dhe përmend shpesh vetëvrasjen, duhet të bashkëpunojnë ngushtësisht me  shokët/qet, mësuesit, pedagogët, drejtuesit, për ta mbajtur vazhdimisht nën vëzhgim dhe për t’i qëndruar sa më afër, deri dhe dhënie këshillash.

Po kështu prindërit dhe pjestarët e familjes, duhet të bashkëpunojnë me mjekun e familjes si dhe mjekun specialist (psikiatrin). Për të gjetur rrugë dhe forma sa më efikase që personi me premisa vetëvrasjeje të heqë nga kujtesa e tij se: vetëvrasja nuk është zgjidhja;

Sikurse prindërit dhe pjestarët e familjes, mjeku i familjes si dhe mjeku specialist (psikiatri), duhet të gjejnë rrugët e bashkëpunimit me psikologun klinik dhe  atë  këshillimor si dhe me sociologun.

Një detyrim të tillë bashkëpunimi duhet të ndjejnë dhe mësuesit, pedagogët,  nxënësit dhe studentët, kur arrijnë të zbulojnë se një nxënës,/se, student/te, e klasës apo grupit mësimor të tyre ka tentuar të vetëvritet. Format parandaluese janë nga më të ndryshmet, duke filluar që nga të qenit i shoqëruar me të, i bërjes së bisedave me objekt, jetën dhe vlerat e  saj, krijimin e motiveve se ai është si gjithë të tjerët dhe duhet të luftojë dhe të fitojë si dhe gjithmonë nuk duhet humbur shpresa, ndaj duhet guxuar dhe treguar vullnet për të arritur më të mirën e jete sa më normale të larmishme dhe të gëzuar. Finaliteti i çdo njeriu është angazhimi për të qenë sa më lumtur.

 

VI-Përfundime, Rekomandime, Detyra

A.Përfundime në lidhje me vetëvrasjen

Vetëvrasja nuk është mishërim i forcës dhe shpesh vjen pas një periudhe të gjatë depresioni. Vetëvrasja duket sikur të jetë zgjidhja e problemeve kur personi mendon se tani nuk ka zgjidhje për problemet e tij. Nga pikëpamja juridike, kryerja e vetëvrasjes në vendin tone sipas “Kodit Penal” nen.99 dënohet nga tre deri shtatë vjet burg. Në mjaft vende  të botës nuk konsiderohet si krim. Ndërsa, ndihma që jepet për shkaktimin e vetëvrasjes, në shumë vende konsiderohet si krim për të cilin parashikohen dënime deri me 15 vjet burgim.

Shkencëtarët A.F. Henry dhe J.F. Short kanë ardhur në një konkluzion interesant se:

Vetëvrasja ndodh te ata persona të cilët nuk janë të lumtur, pa pasur ndonjë burim të jashtëm për fajësim. Ata dallojnë nga personat të cilët kanë ndonjë burim të jashtëm, siç është varfëria, për ta fajësuar.

Edukimi më i mirë për këta persona që mendojnë se zgjidhja është vetëvrasja është:

  • Zvogëlimi i varfërisë, ruajtja dhe forcimi i familjes. Rritja e kujdesit për ndihmë shëndetësore. Ndërhyrja dhe ndihmesa këshillmore e psikologut, sociologut etj.
  • Në Shqipëri më shumë vetëvriten femra sesa meshkuj. Këto statistika bëhen të ditur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, (Gjenevë), e cila në javën e luftës kundër kësaj sëmundjeje ka publikuar një raport të detajuar. Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2012 autoritetet shqiptare kanë raportuar 205 vetëvrasje; ku 112 janë femra dhe 93 meshkuj.
  • Numri më i lartë i viktimave është në grup moshat mbi 70 vjeç, ndërsa vihet re fenomeni i rritjes së rasteve edhe të grup moshat 15-20 vjeç apo edhe mbi 50 vjeç.
  • Në nivel global situata është tejet kritike. Çdo 40 sekonda i jep fund jetës një person.
    •Më shumë se 800 mijë persona i japin fund ditëve të tyre çdo vit dhe përpjekjet për vetëvrasje janë rritur 20 herë”  thotë Organizata Botërore e Shëndetësisë, në raportin e saj të parë të plotë mbi këtë çështje të publikuar në Gjenevë. Këto të dhëna janë raportuar zyrtarisht ndonëse të gjithë thonë se ka një rritje të frikshme të vetëvrasjeve apo tentativave për vetëvrasje.

B.Rekomandime për parandalimin e kësaj dukurie

Vetëvrasjet mund të reduktohen ndjeshëm me anë të zbulimit të hershëm dhe trajtimit efektiv të shkaqeve të tij. Në Shqipëri nuk ka struktura shtetërore apo dhe jo shtetërore që synojnë parandalimin e vetëvrasjeve. 

Trajtimi i dukurisë së vetëvrasjes konsiston në:

Identifikimi i personave me tendenca vetëvrasëse

Ndihmë psikologjike dhe sociale

Përmirësimi i kushteve ekonomike

Rehabilitimi i personave që kanë tentuar vetëvrasjen

Duhet pasur parasysh se asnjë përpjekje për vetëvrasje nuk duhet anashkaluar dhe nënvlerësuar!

Rreth 30-40 % e këtyre viktimave kanë bërë më parë një tentativë dhe rreziku i një vetëvrasjeje të suksesshme për këta persona është 100 herë më i lartë në vitin e parë pas tentativës. Këto të dhëna duhet të shqetësojnë specialistë, psikologët, sociologët, punonjësit socialë e të tjerë, por sidomos këtë gjendje duhet ta vlerësojnë dhe marrin masa konkrete dhe efikase, institucionet kompetentët shtetërore, OJQ-të pse jo dhe mbarë opinioni shoqëri.

Sot gjenden të arsimuar deri dhe me mastera profesionalë e shkencor të kryera si brenda dhe jashtë vendit me qindra psikologë, shkollash, këshillimi, klinikë, që janë pa punë, ose kryejnë punesa të pa përshtatshme për shkollimin që kanë bërë. Kur shkollat tona të të gjitha niveleve mbulohen nga një psikolog i cili duhet të kryejë punën e vet në jo më pak se 4-5 shkollat. Kur dihen problemet e nxënësve dhe mësuesi nuk ia del dot, sepse psikologu nuk mund të gjendet në atë moment kur shfaqen apo manifestohen veprimet jo normale të nxënësve dhe pastaj ndodhin ato që ndodhin, duke filluar nga grindjet, rrahjet, përdorimi i armëve të ftohta e deri ato të zjarrit. Mundësia është, për të intensifikuar masat për parandalimin e tyre, por duhet vullnet dhe vlerësim i gjendjes.

Pjesë e stafit të trupës pedagogjike duhet të jenë dhe sociologët, ku tani për tani s`njihet si duhet ky profesion, pa lëre pastaj për t`i vënë në punë, në interes, të studimeve, hulumtimeve për problemet që shqetësojnë shkollën. Sigurisht, nuk dihet dhe vlerësohet puna e sociologut, për socializmin e nxënësve për t`i bërë ata sa më socialë dhe humanë si qytetarë të ardhshëm të vendit.

Në këtë kontekst duhet vlerësuar dhe realizuar, futja e shërbimit të psikologut dhe asistentit social në sistemin shkollor. Kjo sigurisht duhet  shoqëruar dhe me trajnimin e mësuesve në fushën e psikologjisë së moshës së adoleshencës.

Gjithashtu, OBSH kërkon nga qeveritë e vendeve anëtare që ta bëjnë prioritet luftën ndaj këtij fenomeni i cili po merr përmasa gjithnjë e më shqetësuese edhe për shkak të gjendjes ekonomike dhe mos-trajtimit të sëmundjeve të shëndetit mendor.

  1. Disa detyra

Mendoj se janë të vlefshme  dhe disa detyra  e veprime për të parandaluar dramën e vetëvrasjeve.

Për anëtarët e familjes

Të afërmit, miqtë, shokët/qet  duhet të jenë vigjilentë ndaj personit që shfaq tendencë për vetëvrasje dhe për ta kuptuar këtë duhen pasur parasysh disa shenja paralajmëruese, si:

Kërcënimet verbale si “Do ishe më mirë pa mua” apo “Mbase unë nuk do jem më…”

Shprehje e mungesës së shpresës apo zhgënjim 

Tentativa të mëparshme për t’u vetëvrarë. 

Sjellje e guximshme dhe e rrezikshme për vetë personin 

Ndryshime në personalitet (mbyllje në vetvete, agresivitet, ndryshime të gjendjes shpirtërore). 

Depresion. 

Shpërdoron thyen, prish gjërat e tija me vlerë 

Mungesë interesi për të ardhmen. 

b.Veprimet  më të mundshme  nëse një i afërm apo shok/qe shfaq tendenca vetëvrasëse?!

Besoji instinktit tënd dhe beso se personi është në gjendje të kryejë vetëvrasje. 

Fol me personin për këtë shqetësim dhe siguroje për mbështetjen dhe ndihmën tënde. 

Drejtoji pyetje të drejtpërdrejta. Sa më i hollësishëm të jetë plani i tyre, aq më imediat është rreziku që ta realizojnë.

Ki parasysh se gjëja më e rëndësishme është të dëgjosh. 

Drejtohu te një specialist – edhe nëse personi e kundërshton një gjë të tillë.

Mos e lër vetëm atë person. 

Mos u beto se do ta mbash sekretin e tij. 

Mos reago i tronditur dhe mos e gjyko personin. 

Mos jep këshilla çdo çast, sepse mund të krijosh distancë mes teje dhe atij. 

 

“Përpara se të reagosh, MENDO! Përpara se të flasësh, DËGJO! Përpara se të kritikosh, PRIT! Përpara se të lutesh, FAL! Përpara se të pretendosh, DHURO! Përpara se të dorëzohesh, TENTO!” Nënë Tereza

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top