FB

November 16, 2026 | 17:30

Koha e planifikuar për shqetësime dhe mendime të përsëritura

 

Si po ia kalon me mendimet e tepërta, shqetësimet dhe analizimin e vazhdueshëm të të njëjtave gjëra? A është kjo diçka që të duket e njohur? Këtë herë mendova të flasim pak për mendimet e përsëritura dhe shqetësimet që na mundojnë, si dhe të të prezantoj një ushtrim që përdoret shpesh në Terapinë Kognitive të Sjelljes (KBT).

aurora-pirraku1Siç mund ta kesh vërejtur, ankthi dhe gjendja depresive shpesh lidhen me mendimet e tepërta dhe shqetësimet e vazhdueshme. Kur nuk ndihemi mirë emocionalisht, ne priremi të mendojmë vazhdimisht për të njëjtat probleme. Mendojmë sa e vështirë është gjithçka dhe sa shumë dëshirojmë që gjërat të ishin ndryshe. Është sikur, përmes një dialogu të brendshëm të pandërprerë, përpiqemi ta DETYROJMË trurin të gjejë një zgjidhje, në mënyrë që të mos ndihemi më keq.

Fatkeqësisht, emocionet nuk janë probleme të zakonshme që truri mund t’i zgjidhë lehtësisht, si për shembull riparimi i një makine apo përgatitja e një ushqimi. Madje, studimet shkencore kanë treguar se mendimet e përsëritura dhe analizimi i vazhdueshëm i problemeve mund të bëjnë që emocionet e pakëndshme të zgjasin edhe MË SHUMË.

Të ndalosh mendimet e tepërta nuk është e lehtë. Në fund të fundit, mendimet tona lindin automatikisht dhe ne mund t’i kontrollojmë vetëm pjesërisht. Mendimet janë pak a shumë si frymëmarrja jonë. Frymëmarrja funksionon vetvetiu, në mënyrë automatike, por ne mund ta ndikojmë duke marrë frymë më shpejt, më ngadalë ose duke e mbajtur frymën për disa sekonda. E njëjta gjë ndodh edhe me mendimet. Ato vijnë automatikisht, gjatë gjithë kohës, pavarësisht nëse duam apo jo. Megjithatë, në momente të caktuara, ne mund ta drejtojmë vëmendjen tonë dhe të ndikojmë mënyrën se si merremi me to.

Një mënyrë për të mësuar t’i menaxhosh mendimet e përsëritura është të caktosh një kohë të veçantë gjatë ditës vetëm për shqetësimet dhe mendimet që të mundojnë.

koha-planifikime-mendime

Si realizohet ushtrimi?

1.Cakto një kohë të përditshme për shqetësimet

Fillimisht, cakto një orar të përditshëm që do t’ia kushtosh vetëm mendimeve dhe shqetësimeve të tua. Kjo kohë duhet të zgjasë të paktën 30 minuta. Zakonisht është më mirë të zgjidhet një orar pasdite ose herët në mbrëmje, por kjo mund të ndryshojë sipas nevojave të tua.

2.Vëreji mendimet gjatë ditës, por shtyji për kohën e caktuar

Gjatë ditës, sa herë që e vëren se ke filluar të shqetësohesh ose të mendosh vazhdimisht për të njëjtën gjë, ndalu për një moment. Përpiqu ta dallosh se çfarë mendimi shqetësues të ka ardhur në mendje. Mund t’i vendosësh edhe një emër mendimit, në mënyrë që ta kujtosh më lehtë. Për shembull:

-Mendimi se nuk vlej asgjë.

-Mendimi se si mund të ndihem më mirë.

-Mendimi se çfarë nuk shkon me mua.

-Mendimi se diçka e keqe mund të ndodhë.

Nëse dëshiron, shkruaji këto mendime në një fletore. Pastaj, në vend që të vazhdosh të merresh me atë mendim, vendos ta shtysh për kohën e planifikuar të shqetësimeve. Ndërkohë, përpiqu ta kthesh vëmendjen te aktiviteti që je duke bërë. Në fillim, mund të të duhet ta përsërisësh këtë shumë herë gjatë ditës. Madje, i njëjti mendim mund të të vijë dhjetëra herë. Nëse e ke shkruar një herë, nuk ke nevojë ta shkruash përsëri.  Mund t’i thuash vetes në heshtje:

“Aha, ja ku erdhi përsëri mendimi im se si mund të ndihem më mirë. Me këtë mendim e kam takimin sonte, në kohën që kam caktuar për shqetësimet.”

3.Kur të vijë koha e planifikuar, lejoje veten të mendosh dhe të shqetësohesh

Kur të vijë koha që ke caktuar për shqetësimet, ulu në një vend të qetë dhe shiko shënimet që ke bërë gjatë ditës. Merri mendimet një nga një dhe përqendrohu te secili prej tyre. Gjatë kësaj kohe, qëllimi është pikërisht që TA LEJOSH VETEN të mendosh, të shqetësohesh dhe t’i përjetosh emocionet e tua. Kjo do të thotë se gjatë kësaj periudhe i jep vetes leje të ndiesh gjithçka që po ndien, pa u përpjekur t’i ndalosh ose t’i largosh emocionet. Shqetësimi është pjesë e natyrshme e jetës njerëzore.

Përmes këtij ushtrimi, ti ke mundësinë të njohësh më mirë se si përjetohet shqetësimi në trupin tënd, në ndjenjat dhe në mendimet e tua. Kur të përfundojë koha e caktuar, shiko nëse ka mbetur ndonjë mendim që nuk ke arritur ta trajtosh. Nëse po, mund ta lësh për seancën e ardhshme të shqetësimeve. Vazhdo ta praktikosh këtë ushtrim çdo ditë, për të paktën një javë.

 

Çfarë duhet të kesh parasysh?

Ashtu si çdo ushtrim tjetër psikologjik, edhe ky mund të jetë i vështirë në fillim. Ndonjëherë mund të habitesh kur kupton se i njëjti mendim shqetësues të është kthyer ndoshta qindra herë gjatë një dite. Shumica e njerëzve zbulojnë gjithashtu se ndonjëherë është pothuajse e pamundur ta shtyjnë një mendim për më vonë. Por kjo është krejtësisht e pritshme. Pikërisht këtu qëndron edhe qëllimi i ushtrimit.

Ne po ushtrohemi të mësojmë diçka që në fillim është e vështirë: të mos përfshihemi menjëherë në çdo mendim shqetësues që na vjen në mendje. Me praktikë, mund të mësojmë ta drejtojmë më mirë vëmendjen dhe të krijojmë një marrëdhënie më të shëndetshme me mendimet tona.

Qëllimi nuk është t’i zhdukim mendimet apo emocionet, por të mësojmë të mos lejojmë që ato të na kontrollojnë gjatë gjithë ditës. Dhe pikërisht për këtë arsye, ushtrimi i kohës së planifikuar për shqetësime është një mënyrë shumë e mirë për t’u praktikuar.

Mbaje mend: Ti nuk mund të zgjedhësh gjithmonë cilat mendime të vijnë në mendje, por mund të ushtrohesh të zgjedhësh se si do të reagosh ndaj tyre.

 

*Aurora Pirraku Nika

Psikoterapiste e licencuar në Suedi

Magjistre në Psikologji

Magjistre në Studimet Policore

Magjistre në Lidership dhe Shkencat e Sjelljes, me specializim në Psikologjinë e Shëndetit dhe Psikologjinë e Punës

Kriminologe

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top