Në fokus

March 24, 2018 | 14:17

Koha ikën e nuk kthehet më… të mësojmë të jetojmë të tashmen është detyrim!

 

Kujdesuni për veten, për marrëdhëniet, për atë çka ju pëlqen dhe hidheni të shkuarën pas krahëve. Të mësojmë të jetojmë të tashmen është detyrim.

Përse ndodh që të kuptojmë rëndësinë e diçkaje, vetëm kur e kemi humbur atë?

Shpenzojmë pothuajse gjithë kohën tonë duke programuar të ardhmen ose duke u ankuar për të kaluarën, duke u bërë kështu pengesë për të parë realisht të ardhmen. Madiha Naseem, doktoreshë dhe drejtore e “Women in Cancer”, ka thënë: “Kur shoh pacientët e mi të largohen nga kjo botë dhe t’i thonë jetës lamtumirë është gjëja më e vështirë për mua. Disa prej tyre lënë pas një familje, miq të dashur dhe një mori ëndrrash të parealizuara.

Shpesh më thonë ‘do të doja të punoja më pak, do të doja të kaloja më shumë kohë me familjen time’. Përvoja me pacientët më ka bërë të reflektoj mbi jetën time: po sikur të largohem nesër nga kjo jetë? Për çfarë do të ndjeja keqardhje? Kaloj kaq shumë kohë duke programuar të ardhmen, duke u shqetësuar për shpenzimet apo për takimet e punës…” – shkruan Naseem në librin e saj Thrive Global.

Në këtë stereotip, me shumë gjasa, do ta gjejë veten pjesa më e madhe e lexuesve: gjithmonë të ngarkuar me punë, me vrapin e vrullshëm për t’ia dalë mbanë në çdo gjë, shqetësimet, stresi… E megjithatë, nuk duhet të harrojmë kurrë se koha që ikën, nuk kthehet më. Doktoreshë Madiha ka përshkruar një listë të “qëllimeve të mira”, deri sa të mund të kujtojmë që koha është e rëndësishme e nuk duhet shpërdoruar.

Gjeni objektivin tuaj

Mendoni për diçka që ju pëlqen të bëni, diçka që e keni qejf, që ju stimulon. Kultivojeni, si të ishte një bimë në ballkonin e shtëpisë. Ushqejeni me ujë e dashuri dhe bëni të mundur që të rritet. Të keni një qëllim, një objektiv në jetë, është hapi i parë për të shfrytëzuar kohën që keni në dispozicion.

Kultivoni marrëdhëniet

Marrëdhëniet e dashurisë, ato familjare e miqësore, janë çelësi për të qenë të lumtur. Nuk ka rëndësi se sa orë duhet të punojmë apo nëse kemi takime me dentistin e më pas me noterin: kohën për ata që i duam e i kemi për zemër duhet ta gjejmë gjithmonë. Një telefonatë, një mesazh për t’i thënë se e kemi në mendje, një akullore të shtunën pasdite, një darkë, një drekë… duhet t’i kushtojmë kohë nga jeta jonë këtyre marrëdhënieve. Çdo vogëlsi është një gjest i madh, sepse të kujdesemi për marrëdhëniet, garanton një jetë më të lumtur. Këtë tregojnë edhe studimet psikologjike.

Qeshni dhe shijoni gjërat e vogla

Bëhet fjalë për gjëra të vogla që ju ndodhin çdo ditë. Qeshni e vlerësojini, sepse një ditë me këto gjëra të vogla mund t’ju duket shumë e madhe. Një gjest i sjellshëm ndaj një të panjohuri, një përqafim nënës, një buzëqeshje një miku, por edhe kënga e preferuar në radio, dielli i ngrohtë në lëkurë, një surprizë e këndshme… janë dhurata të vyera. Qeshni, qeshni shumë, pasi do të kultivoni ndjenjën e humorit, do të ruani shëndetin e trupit dhe do të mbani mendjen sa më të re.

Mos e shpërdoroni kohën

Mund të duket banale, por është shumë e vërtetë që mediat sociale na bëjnë të shpërdorojmë shumë nga koha dhe energjitë tona: sigurisht Whatsapp-i, Facebook-u, Instagram-i e shumë rrjete të tjera sociale na ndihmojnë të lidhemi me botën, por në vend që të rrimë me orë të tëra duke kontrolluar profilet e të tjerëve, mund të organizojmë një darkë me miqtë e vjetër të shkollës apo të shkojmë të shohim një ekspozitë interesante. Të mundoheni të harroni për një çast telefonin dhe kompjuterin, çdo ditë, është një mënyrë e shkëlqyer për të mësuar të shijoni momentin dhe të mos shpërdoroni kohën.

Mësoni të falni veten

Nuk mundet asnjëherë të shijoni të tashmen, nëse vazhdoni të mendoni për të shkuarën. Hidheni atë pas krahëve. Jepini vetes të drejtën për të qenë një qenie njerëzore. Falini gabimet tuaja. Mos jetoni më në të shkuarën. Ndjenjat e fajit, pendesa apo keqardhjet  nuk do t’ju ndihmojnë të ktheni kohën pas, ajo kohë ka ikur një herë e përgjithmonë, por mund të jetoni të tashmen dhe ta ktheni atë në një periudhë të çmuar.

Kujdesuni për veten

Tregoni kujdes jo vetëm për marrëdhëniet me të tjerët, por edhe për atë me veten. Jepini kohë vetes, edhe vetëm 15 minuta në ditë, për të shëtitur, për të dëgjuar muzikë, apo edhe për të ndenjur në heshtje e për të medituar. Hani shëndetshëm dhe jo sepse duhet të dobësoheni, por sepse ushqyerja e shëndetshme, ushqen edhe shpirtin, sigurinë në vetvete dhe gjallërinë.

Përgatiti: Manjola Ereqi / Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr.122

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top