Posta

March 24, 2018 | 14:03

POSTA nga Denata Toçe / Si t’ia dal me fëmijët?

Jam një nënë e dy fëmijëve, një djali 9-vjeçar dhe një vajze 6-vjeçe. Që të dy i kam dobët me mësime. Përpiqem t’i mësoj por nuk mundem më me ta. Nuk kanë dëshirë për t’u përmirësuar. Problemi i dytë është se duan të rrinë gjithë kohën jashtë. Nuk e dëgjojnë fjalën time fare, madje as tek ushqimi nuk më dëgjojnë, as te gjumi. Më mërzi shumë kjo situatë. Pastaj, unë nevrikosem dhe ngre zërin. Nuk di si të veproj. Përpiqem edhe me fjalë të mira, ndonjëherë u jap dhe ndonjë shuplakë nga kofshët, por asgjë nuk ndryshon.

Nga Denata Toçe Psikologe Këshillimi

Nga Denata Toçe
Psikologe Këshillimi

E dashur nënë. Tashmë është krijuar një rutinë me fëmijët, të cilët duket se janë shpërblyer duke përfituar nga kjo situatë. Po, ka shpresë për të ndryshuar dhe ju nuk jeni e vetmja. Shumë prindër e kanë të vështirë të disiplinojnë fëmijët, sidomos kur vjen puna te shkolla. Fillimisht do të duhet të ndërmerrni disa vendime, të cilat bazohen në rregulla. Do t’i quani “rregullat e reja të familjes”. Do të duhet të ftoni edhe bashkëshortin tuaj të jetë pjesë e këtyre rregullave, pasi ai nuk mund të jetë një figurë e mënjanuar në këtë situatë dhe që ju t’ia dilni krejt e vetme.

Krijoni një kalendar dhe në të vendosni kohën se si do ta organizojnë ditën të dy fëmijët. Duke filluar me mëngjesin, i cili do të duhet të jetë për të gjithë familjen i unifikuar. Të çohen nga gjumi dhe të kryejnë higjienën e tualetit. Të uleni në tavolinë së bashku pasi janë veshur dhe nëse kundërshtojnë, do të duhet të shkojnë në shkollë edhe me pizhame po të jetë e nevojshme. Sigurisht që asnjë prej fëmijëve nuk e ka me qejf këtë gjë! Por ju duhet të jeni e vendosur!

Nëse nuk duan të hanë të gjithë në tavolinë, atëherë do të duhet që të shkojnë pa ngrënë dhe nuk mund të kenë para me vete për të blerë ushqim shtesë. Duket si shumë radikale, por veprimet kanë pasoja, dhe ata duhet ta mësojnë këtë gjë.

Ardhja nga shkolla do të shoqërohet me një 30 min pushim dhe më pas do të duhet që t’i nënshtrohen detyrave, të cilat jo domosdoshmërisht do të duhet të jenë pa ndalesë. Vëreni me vëmendje se cila është koha më optimale që fëmija qëndron i përqendruar në një detyrë: 10-15 minuta? Atëherë, post kësaj kohe, fëmija do të mund të bëjë një pushim prej 5 minutash. E zgjedh ai se si e shfrytëzon pushimin, por gjatë kësaj kohe nuk mund të ketë TV, Cel, apo iPad në dhomë.

 

Koha e detyrave mund të jetë 2-3 orë. Pas kësaj fëmija ka të drejtë të bëjë një pushim, qoftë edhe duke dalë përjashta. Nëse nuk arrin të ketë rendiment në bërjen e detyrave, atëherë do të duhet të humbasë kohë nga dalja jashtë. Nëse ka refuzim për të bërë detyrat, atëherë do të duhet të vuajë pasojat: “nuk mund të dilni jashtë, për dy ditë rresht”! Kështu do të duhet të veprohet nëse ka kundërshtim dhe mos impenjim për të bërë atë që është detyrë e fëmijës, të mësojë!

Edhe pse fëmijët ulen më pas të mësojnë, do të duhet të kuptoni që ata e kanë humbur mundësinë për të dalë jashtë me shokët për dy ditë, atë ditë dhe ditën tjetër! Kështu do të mësojnë të jenë koherent në bindjen për të bërë mësimet. Me të njëjtën filozofi do të veproni edhe në raste të tjera. Mos harroni të shpërbleni pozitivisht me lavdërime objektive dhe reale çdo përpjekje sado të vogël të fëmijës.

Vendosni në pah atë që fëmija bën mirë dhe jo ato që nuk bën apo s’i bën mirë. Gjeni mënyra motivimi për fëmijën dhe lehtësimi, që të kuptojë dhe të bëjë mësimet. Jam e sigurtë se ata janë fëmijë të zgjuar dhe do të mësojnë që të përmirësohen çdo ditë.

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 122

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top