Gjatë pubertetit dhe adoleshencës raporti i fëmijëve me prindërit ndryshon. Shpesh vajzat dhe djemtë në pubertet e adoleshencë mendojnë se prindërit janë të padurueshëm, të mërzitshëm dhe të vjetëruar. Po kështu edhe prindërit i shohin “fëmijët” e tyre fyes apo paedukatë dhe gjithmonë të nxehur. Pra duke filluar nga puberteti dhe përgjatë gjithë adoleshencës është një periudhë me potencial të madh për konflikt.
Adoleshenti fiton një lloj pavarësie, vërtetë jo ekonomike, apo strehimi, por ka arritur aftësinë për të vlerësuar, ka një opinion të vetin, ka ide të tijat, që mund të bien dakort apo jo me prindërit, por ai tashmë ka një opinion të vetin.
Është natyrale dhe e paevitueshme që të lindin tensione dhe diskutime ndërmjet prindërve dhe fëmijëve adoleshentë. Në fakt, mungesa e konflikteve duhet të shqetësojë më shumë prindërit, pasi kjo mungesë mund të “flasë” që djali apo vajza po fshehin problemet e tyre.
Kalimi nga adoleshenca në maturimin psiko- fizik, është një moment vërtetë shumë konpleks. Njeriu në adoleshencë është gjithë energji, dëshira dhe ide, por i duhet ende mbështetja e të rritutit që të mund t’i realizojë, sepse truri i tij (adoleshentit) është ende i papjekur. Është pa pjekuria e masës trunore që e pengon adoleshentin të menaxhojë veten.
Prezenca e të rriturit, toleranca dhe takti i tij, ndihmojnë për të ndërtuar “ura” bashkëpuni për t’i bërë realitet dëshirat dhe idetë. Madje bashkëpunimi, në rradhë të parë i bën mirë vetë të rriturit.
Të rritur, prindër apo mësues qofshi, mos shikoni vështirësitë që ka dhe të përball marrëdhënia me adoleshentin, por përpiquni t’i ndërtoni dhe mbani gjallë marëdhëniet me ta, për më tepër, e keni detyrë t’i gjendeni adoleshentit.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.