Gjumi më i mirë dhe inteligjenca më e lartë mund të arrihet thjesht duke konsumuar peshk të paktën një herë në javë. Studimet kanë zbuluar se fëmijët e moshave 9 deri në 11 vjeç që hanë peshk të paktën një herë në javë kanë nivel më të lartë inteligjence dhe bëjnë gjumë më të qetë se fëmijët që hanë më pak peshk. Bashkautori i studimit Jianghong Liu, nga universiteti i Pensilvanisë, i ka publikuar zbulimet e këtij studimi në gazetën “Scientific Reports”.
Peshku është pjesë e rëndësishme e një diete të shëndetshme jo vetëm për faktin se ka shumë pak yndyra të dëmshme por edhe për faktin se është i pasur me proteina, vitamina dhe minerale. Peshku gjithashtu është një burim i mirë për acidet yndyrore Omega-3 e cila përmirëson shëndetin e zemrës duke ulur rrezikun e aritmisë dhe duke ulur presionin e gjakut.
Por për këtë studim Liu dhe kolegët e tij ishin më të interesuar për efektet që Omega-3 ka në inteligjencën dhe gjumin e fëmijëve. Ata vlerësuan sasinë e peshkut që kishin konsumuar 541 fëmijë të moshave 9 deri në 11 vjeç duke përdorur një pyetësor.
Më pas ata përdorën teste të çertifikuar për të matur inteligjencën e fëmijëve dhe vlerësuan cilësinë e gjumit të tyre duke patur parasysh kohëzgjatjen, frekuencën e zgjimeve natën dhe nëse fëmijët ndiheshin të lodhur gjatë ditës.
Nga testet rezultoi se fëmijët që hanin peshk të paktën 1 herë në javë kishin një nivel inteligjence 4.8 pikë më të lartë se fëmijët që nuk hanin asnjëherë peshk dhe 3.3 pikë më të lartë se fëmijët që hanin peshk shumë rrallë. Për më tepër fëmijët që hanin peshk të paktën 1 herë në javë kishin më pak probleme me gjumin, pra bënin një gjumë më të rehatshëm.
Burimi / https://www.pernenat.al/
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.