FB

March 21, 2022 | 7:45

Kontrolli i tepërt i eprorëve sëmur punonjësit

 

Presioni i lartë në punë shkakton sëmundje për punonjësit…

Puna, ose më mirë një epror shumë kërkues, arrogant dhe kontrollues për çdo gjë, mund të shkaktojë dëme të përhershme për shëndetin, me një sërë simptomash. Një studim i ri australian hedh dritë mbi efektet e dëmshme të ngarkesave të tepërta të punës dhe aq më tepër të mbikontrollit nga drejtuesit që janë të “përkushtuar” ndaj “mikromenaxhimit” të punonjësve.

Një studim i kryer nga psikiatri Sam Harvey nga Universiteti i New South Wales dhe nga Black Dog Institute, i cili asiston personat e prekur nga depresioni, i kryer me më shumë se 7000 persona të moshës së mesme dhe me shëndet të mirë, arriti në përfundimin se kush punonte në zyra ku niveli i stresit është shumë i lartë (kontroll i tepruar mbi oraret, mbikëqyrja para tryezës së punës, dhuna psikologjike dhe verbale, etj.) kishte nevojë për dy javë ose më shumë në vit për të ndenjur në shtëpi për shkak të simptomave si dhimbje në kraharor, pështjellim ose vështirësi në frymëmarrje.

Për shkak të dhunës psikologjike nga eprorët 1 në 15 persona merrnin raport për një kohë të gjatë, pra më shumë se dy javë. Sipas studiuesve, e gjithë kjo situatë mund të shmanget nëse eprori në punë e bën ditën më pak stresante.

“Për ta shpjeguar më thjeshtë: për një epror, është e rëndësishme që të kenë kontroll mbi punën nga dita në ditë, minutë pas minute, por nëse kjo gjë bëhet në mënyrë të ekzagjeruar dhe ushtron një tirani të mirëfilltë, merr në këmbim vetëm atë që punonjësit të kenë mungesë dëshire për punë, trysni dhe stres, gjë që çon në sëmurjen e tyre” shkruan Harvey në revistën Plos One. “Është mjaft e qartë: ata që punojnë shumë kohë nën një trysni të tillë, rrezikojnë të kalojnë atak kardiak ose të zhvillojnë depresion. Nga ana tjetër, ka prova të forta se një kombinim i presionit të lartë nga drejtuesit, bashkë me mungesën e empatisë, mund të shkaktojë sëmundje kardiovaskulare, depresion dhe ankth. Dhe më pas edhe për vetë punonjësit bëhet shumë më e vështirë të kthehen në punë, pasi kanë pasur probleme shëndetësore. Kjo gjë ndikon negativisht si në produktivitetin në punë, ashtu dhe në humorin e përgjithshëm të punonjësve të tjerë.”

Pas këtij studimi, Harvey dhe grupi i tij sugjeruan se kontrolli është i nevojshëm në punë, pasi eprorët duhet të jenë në dijeni të mbarëvajtjes së punës, por ata duhet të mos e ekzagjerojnë dhe në vend të kërkesës së madhe të llogarisë, duhet të ofrojnë mbështetje dhe zgjidhje të problematikave me një sjellje empatike dhe me ndjeshmëri më të lartë.

 

Përgatiti: Manjola EREQI   |   Burimi: PsychoWorld

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top