Informacionet për vlerat shëndetësore të mjaltit dhe kosit janë të panumërta. Por kombinimi i të dyjave së bashku është shembull i besimit se bashkimi bën fuqinë. Si kosi, ashtu edhe mjalti kanë shumë përfitime për shëndetin e njeriut…
Mjalti, përdorimet dhe vlerat
Mjalti ka një përdorim të gjerë dhe jo vetëm si ëmbëltues. Përpara shpikjes së antibiotikëve, mjalti përdorej gjerësisht për të trajtuar plagët apo djegiet e lëkurës. Ai është përdorur edhe për të zbutur kollën ose si maskë lëkure.
Që në lashtësi, mjalti konsiderohej si një ushqim i rëndësishëm për atletët dhe njerëzit që kryenin aktivitete fizike. Por nga ana tjetër, nënat e dinë se mjalti është i rrezikshëm për fëmijët nën moshën 1 vjeçare, sepse shkakton botulizëm.
Mjalti përmban sasi të vogla proteine, folati, vitamine C dhe vitamina të tjera të rëndësishme. Vlerat më domethënëse të mjaltit vijnë nga mineralet që ai përmban. Të dhënat për mjaltin provojnë se në 28 gramë mjaltë gjendet 14% e dozës së rekomanduar të manganit (bazuar në nivelin e ushqyerjes prej 2000 kalorish në ditë) dhe 8% të hekurit. Mangani dhe hekuri janë dy mineralet thelbësore, për të cilat trupi ka nevojë, në mënyrë që të luftojë sëmundjet dhe të funksionojë mirë.
Kosi, përdorimet dhe vlerat shëndetësore
Ekspertët thonë se kosi përmirëson tretjen. Ata kanë kryer një sërë studimesh për të vërtetuar përfitimet që sistemi tretës merr nga kosi. Shumë studime kanë provuar ndikimin pozitiv që kosi ka ndaj një sërë problemesh gastrointestinale, konstipacioni dhe inflamacioni i zorrëve.
Vlerat e kombinimit të kosit dhe mjaltit
Nuk ka asnjë dyshim që kosi dhe mjalti ofrojnë përfitime të shumta shëndetësore, si veçmas ashtu edhe kur kombinohen së bashku. Nëse hani kos me mjaltë, vlerat ushqimore dhe shëndetësore të këtyre dy produkteve shtohen ndjeshëm. Përmbajtja e lartë e glukozës nga mjalti në kombinim me proteinat e kosit është një zgjedhje optimale për forcën dhe rimëkëmbjen e muskujve.
Mjalti me kosin është një formulë ushqyese e shkëlqyer. Nëse nuk e teproni me të, mund të merrni pak kalori dhe një ekuilibër ideal mes karbohidrateve dhe proteinave. Duke përzier përmbajtjen ushqimore të mjaltit dhe aminoacidet e kosit, ju do t’i vini në ndihmë trupit, duke arritur një tretje ideale. Me tretjen, organizmi dhe të gjitha sistemet e tjera do të punojnë mirë së bashku, për të garantuar një shëndet optimal.
Burimi / AgroWeb.org
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.