Posta

January 3, 2017 | 11:03

Kujdes nga kurthi i trekëndëshit vjehrrë-djalë-nuse…

Unë i vuaj gjërat psikologjikisht dhe për këtë gjë qaj shumë, se nuk mbaj dot brenda. Unë jetoj në shtëpi me vjehrrin dhe vjehrrën. I kam të dy shumë të këqinj, po më shumë vjehrra, sepse ndërhyn në çdo gjë, bën sikur di çdo gjë dhe dëshiron të komandojë çdo gjë, përfshirë këtu mua dhe vajzën time. Unë se duroj dhe ja kthej në çdo gjë dhe për këtë kemi sherr burrë dhe grua, saqë këto kohët e fundit flejmë të ndarë, sepse e përzura nga krevati, meqë më shau, ofendoi dhe qëlloi rëndë. Dhe e gjithë kjo, sepse unë po zihesha me të ëmën. Ai nuk më beson asnjëherë mua, gjithmonë beson mamanë e tij. Asnjëherë nuk ka ardhur të më kërkojë llogari, apo të më kërkojë shpjegim se çfarë ndodhi, pse u zutë, apo çfarë? Gjithmonë besonte çfarë i thoshte ajo, sepse gjithmonë sa herë zihemi ajo me vrap i tregon atij në mënyrën e saj. Apo kur ka faj djali i saj asnjëherë se gjykon, apo ti thotë e ke gabim. Gjithmonë më shan dhe më kritikon mua, më thote ti i ke fajet flet shumë, je llafazane . Burri im e dëgjon shumë atë në lidhje me çdo gjë. Ajo po të dojë ka shumë në dorë, që ta afrojë burrin me mua, ta këshillojë, të sillet ndryshe dhe madje ja kam kërkuar këtë gjë dhe se ka bërë. Më ka thënë që ai s’më dëgjon mua! Por, është krejt e kundërta. Ai në vend se të bisedojë me mua, flet me atë, mua s’më merr asnjëherë në telefon,  kurse atë orë e sekondë. Ka dy vjet kështu. Kohët e fundit ka marrë tatëpjetën fare. Çdo fund muaji na kurdis nga një sherr, sepse ajo bën komandë dhe vjehrrin e ka bërë të kërcejë me një këmbë, dhe më e keqja nuk e lejon burrin tim që të shkojmë në shtëpinë tonë, sepse i thotë rri këtu të të mbledhë mamaja lekë. E kam diskutuar me burrin shumë herë. Dhe me ka thënë unë prindërit e mi nuk i braktis për ty, ti po të duash ik në Shqipëri. Puna tani është se më ka zënë shumë ngushtë, sepse kam vajzën e sëmurë dhe ka nevojë për përkudesje këtu në Greqi. Gjithashtu, nuk më kanë dalë akoma letrat dhe s’kam ku të lëviz. Çfarë të bëj, gjendja psikologjike është zero, saqë rrah dhe vajzën shumë, ngaqë nuk ha? Kam frikë se i gjithe ky sherr dhe nerva mos i kalojnë vajzës!

Nga Msc.Adelina Pjetra Psikologe Klinike

Nga Msc.Adelina Pjetra
Psikologe Klinike

Përgjigje:

E kam lexuar letrën dhe ankesën tuaj me shumë vëmendje. Probleme të tilla janë të shpeshta në familjet shqiptare, nga bashkëjetesa e dy apo më shumë kurorave nën të njëjtën çati. Nuk është e lehtë të ndërveprosh dhe të komunikosh, pasi kemi përplasje të brezave të ndryshëm, që janë rritur në kushte dhe mënyra të ndryshme. Aq më tepër kur ju jeni rritur në një familje tjetër  dhe tani po jetoni në një tjetër. Në letrën tuaj ju keni parashtruar shumë ankesa dhe kërkesa njëkohësisht , por më lejo që unë të fokusohem tek ajo që është më e rëndësishmja dhe ju e keni shkruar në fund të letrës tuaj. Vajza… Në çdo rast apo problematikë familjare, interesi më i lartë dhe më i rëndësishëm është një fëmijë . Është e vetmja që ka nevojë për mbrojtje dhe kujdesje. Ju po shkarkoni stresin e akumuluar dhe problematikat familjare tek një fëmijë i pambrojtur, ndërkohë që ju jeni nëna dhe duhet ti ofroni fëmijës tuaj dashuri dhe siguri në familje. Për një moment ndalo së menduari për vjehrrën , rreth vjehrrës apo bashkëshortit tënd , dhe fokusohu tek vajza jote… Dhe në këtë moment pyet veten : A po sillesh me vajzën më mirë? Ku po gabon? Dhe si mund ta rregullosh këtë gjendje? Gjithashtu e kuptoj që do të thuash : Jam e lodhur , nuk ja dal dot , kam shumë stres dhe nuk e kontrolloj dot veten… E besoj , dhe vërtet ashtu mund të jetë gjendja jote në këto momente. Por, njëkohësisht ti po kërkon që të tjerët të ndryshojnë për ty. Të jenë më të kuptueshëm, më të dashur dhe më komunikues. Të gjithë e duam këtë. Por ne nuk mund të ndryshojmë askënd, e vetmja gjë që mund të bëjmë është të ndryshojmë dhe të përmirësojmë veten tonë . Kjo është e vetmja mënyrë për të arritur ndryshimin e dëshiruar nga të tjerët, ose edhe më mirë kjo është e vetmja mënyrë për të mos u fokusuar gjithë kohën në gabimet e të tjerëve. Në tërësinë e letrës tënde ke vendosur në qendër vjehrrën tënde, duke i krijuar një hapësirë të madhe në jetën tënde dhe duket sikur e gjithë jeta jote sillet rreth qënies së saj.Me këtë dua të të bëj të kujtosh, që ti që je fokusuar rreth sjelljeve , mendimeve dhe fjalëve të vjehrrës , duke i dhënë më tepër fuqi dhe vlerë. Në vend të kësaj duhet të përpiqesh më shumë ti krijosh një vend të denjë vetes tënde në familje, duke i kushtuar shumë vëmendje vajzës, vetes dhe bashkëshortit tënd. Mos e lejo veten të futesh në një trekëndësh aspak të këndshëm djalë-nënë-nuse, pasi ky lloj trekëndëshi sjell gjithmonë shumë konflikte të padëshiruara . Për sa kohë do të jetoni së bashku, mundohu të jesh më komunikuese me vjehrrën, të kuptosh se çfarë ajo realisht dëshiron dhe si ( keni shkruar se ajo drejton gjithçka), pse jo mund të mësosh prej saj. Është e lehtë të japësh këshilla dhe ide kur je jashtë situatës në të cilën gjendesh, por jam e sigurtë se në qoftë se do të fokusohesh më tepër tek vetja duke kërkuar disa përgjigje brënda vetes tënde, do t’ja dalësh ti japësh një zgjidhje mjaft të kënaqshme kësaj situate që nuk do të lëndojë askënd.

Në fund të fundit secili nga ne, e ka çelësin e zgjidhjeve të jetës në dorën e vet.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top