Marrëdhënie

January 3, 2017 | 11:57

Si të shpëtojmë marrëdhëniet afatgjata

 Cilën quajmë në ditët e sotme marrëdhënie afatgjata, sepse koncepti ka ndryshuar? Të rinjtë mendojnë se një marrëdhënie quhet e gjatë edhe për një vit, por le të flasim për konceptin klasik, atë që secili prej nesh sjell nëpër mend kur dëgjon terma të tillë. Një marrëdhënie që fillon herët në adoleshencë apo në rininë e hershme, vazhdon bukur duke u kurorëzuar me linjën e përcaktuar nga shoqëria: fejesë, martesë, fëmijë. Çifte të tilla janë mësuar gjithmonë me ndryshime, pra kalojnë nga një stad në tjetrin dhe ndoshta kapërcejnë dhe ndonjërin prej tyre: fëmijë akoma pa u fejuar dhe martuar.

Psikologe Hipnoterapiste Klinike Pedagoge pranë UET

Psikologe
Hipnoterapiste Klinike
Pedagoge pranë UET

Çifte të tilla kanë filluar një rrugëtim së bashku dhe e mendojnë gjithë rrugën bashkë. Ata, edhe nëse kanë ndonjë mosmarrëveshje, nuk e shikojnë dot veten të ecin vetëm, pasi janë mësuar për shumë kohë bashkë. * Një çift rreth fundit të ‘30-ve, me dy fëmijë, një ditë të bukur përballet me një nga situatat e vështira që askush nuk do të donte. Bashkëshorti ka një marrëdhënie jashtëmartesore dhe gruaja këtë gjë tashmë e ka identifikuar. Çfarë do të bëjnë këta dy njerëz në një situatë të tillë? Ata janë dashuruar që në shkollë të lartë, kanë punuar dhe ngritur gjithçka bashkë dhe nuk e mendon dot askush “ndarjen”. Por, nga ana tjetër, ai thotë se marrëdhënia është konsumuar dhe se hyri në këtë “valle” pa e menduar gjatë dhe pa menduar asnjëherë se do të ikte ndonjëherë nga familja. * Një tjetër çift, po të dashuruar në shkollë të lartë, me dy fëmijë, gjenden në të njëjtën situatë, por në këtë rast, bashkëshortja e di që “Ai” ka një marrëdhënie tjetër dhe se është gati të largohet prej saj dhe prej fëmijëve. Ajo e mban të fshehur prej tij, prej familjes dhe bën përpjekjet që të mund ta rregullojë këtë gjë.

Po flasim për raste kur meshkujt kanë marrëdhënie të tjera, pasi janë femrat ato që tregojnë më shumë në terapi për të tilla situata. Në një situatë akoma më të vështirë ndodhet një nënë, e cila është dashuruar që në shkollën e mesme me bashkëshortin e saj dhe tani është përsëri në dashuri me një mashkull tjetër, i cili nuk do të ndërmerrte asnjëherë guximin që të jetonte me të. Ajo çdo ditë përballet në luftë me veten, që dashuron fuqishëm dikë dhe se nuk do të tradhtojë bashkëshortin e vet, sepse ai s’e meriton. Të gjitha këto raste janë lidhjet dhe dashuritë e gjata, por kjo nuk do të thotë se nuk ndodhin edhe në marrëdhëniet e tjera që mund të jenë edhe shumë të shkurtra. Marrëdhëniet e tilla kanë shumë elementë pozitivë, që duhen vlerësuar. Ata, të cilët kanë kohë të lidhur, e njohin dhe e kuptojnë më së miri njëri–tjetrin; dinë pikat e dobëta dhe të forta; janë shumë të lirshëm me njëri-tjetrin në të gjitha aspektet; kuptojnë nevojat e njëri-tjetrit; pjesa seksuale është shumë më e lirshme sepse nuk ju duhet të “joshin” për të qenë bashkë; kanë qëllime të përbashkëta për financat, për fëmijët dhe për sigurinë e jetës; kanë rrethin e tyre social dhe shoqëritë e përbashkëta për socializim dhe për jetën sociale. Nga ana tjetër, marrëdhëniet e gjata kanë edhe konsumimin e tyre. Meqenëse janë bashkë, të dy partnerët nuk janë më aq të përkushtuar ndaj pasionit të fillimit; e marrin për të mirëqenë sigurinë se tjetri është aty; kanë zënë rehati seksuale, e cila u kthehet në rutinë; janë të programuar dhe e dinë se çfarë do të bëjnë më tej, gjë që, edhe pse sjell siguri, përsëri sjell edhe lodhje dhe mërzitje emocionale. Gjithsesi, marrëdhëniet e gjata, me shumë pak përkushtim prej të dy partnerëve, kanë më shumë përfitime se marrëdhëniet e tjera, të cilat të japin intrigim, pasion, adrenalinë, të ngrenë në qiell, por kur të duhet të zbresësh në tokë ose në skenarin më të keq të mundshëm, të lëshojnë të biesh nga lart dhe të përplasesh, atëherë ti kupton se ke nevojë për qetësi, përkujdesje. Është e vështirë, por jo e pamundur që të vendoset dhe të ruhet një ekuilibër i mirë si në të gjitha marrëdhëniet, sidomos në ato afatgjata, sepse e kanë më të lehtë, pasi e njohin njëri-tjetrin dhe dinë se si të intrigojnë. Shumica e rasteve të një çekuilibri në këto marrëdhënie ndodh rreth të ‘40-ve, sepse në këtë moshë ndodh edhe kriza e mesit të jetës. Të gjithë mendojnë se çfarë kanë bërë në jetë, se çfarë do të donin të kishin arritur. Në këtë tronditje mundet të gjendet diçka më e bukur dhe interesante se sa shpëtimin ta gjesh vetëm te një marrëdhënie tjetër. Nëse fillon dhe kupton veten, atëherë e ke më të lehtë për të kuptuar se gjithë forca fillon nga vetja dhe që, më pas, pasionin ta kalosh te marrëdhënia jote, te fëmijët, tek të tjerët. Kupton se sa e rëndësishme është të jesh në një marrëdhënie të qetë me veten dhe me partnerin.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top