FB

July 19, 2021 | 8:40

Kujtesa dhe Harresa / Metoda të dobishme për të mbajtur të freskët kujtesën dhe kur harresa ka të mirën e vet?

 

Kujtesa – mbijetesa e së kaluarës. E kaluara mund të mbijetojë thjesht në formën e zakoneve, por kujtesa është më e qartë në paraqitjen e së kaluarës. “Kujtesa na e pasuron jetën. Pa të, do ta humbnim fillin e vazhdimësisë dhe çdo mëngjes në pasqyrë do të na shfaqej një i huaj. Çdo ditë e ngjarje do të ishte pa lidhje; as do të mësonim nga e kaluara, as do të bënim plane për të ardhmen”. Libri ‘Misteret e mendjes’.

dr-ilia-larti

Nga Prof.Assoc.proc.Doc.Dr.Ilia S.Larti

 

Si ka mundësi, që disa zogj i kujtojnë edhe pas disa muajsh vendet ku kanë ruajtur farat për dimrin dhe ketrat mbajnë mend vendet ku kanë groposur arrat a lajthitë, kurse ne mund të harrojmë edhe se ku i kemi lënë çelësat para një ore? Po, shumë prej nesh ankohen se kanë kujtesë të dobët. Megjithatë, truri i njeriut, ndonëse i papërsosur, ka aftësi mahnitëse për të mësuar e për të mbajtur mend. Sekreti është se- kujtesa nuk vonohet nëse vëmë mendjen tonë plotësisht në punë.

I.Kujtesa

Kujtesa është një proces i ndërlikuar psikik me anën e të të cilit mbajmë mend, ruajmë, njohim dhe riprodhojmë përvojën tonë të së kaluarës. Kujtesa ka karakter  zgjedhës. Kjo do të thotë se në trurin  e njeriut fiksohen dhe ruhen kryesisht fakte, ngjarje e të dhëna që zgjidhen nga  një mori e tërë ngjarjesh e të dhënash që na rrethojnë.

Kujtesa përbëhet nga tre faza:

a.Hyrja-futja e informacionit të marrë nga shqisat

-Kodimi ka të bëjë me formën e regjistrimit të informacionit në kujtesë. Informacioni mund të ruhet në kode të ndryshme në formë:

vizuale (vetëm duke e parë), 

auditive,

verbale,

figurative.

1

-Hyrja e informacionit në kujtesë kushtëzohet nga përqendrimi i vëmendjes së subjektit në procesin e vëzhgimit, nisur  nga:

interesi dhe e motivet që e shtyjnë të merret me atë problem, 

gjendja shëndetësorë dhe emocionale.

b.Ruajtja-ose (magazinimi), i informacionit në kujtesë, që, varet nga kodi që është regjistruar dhe nga fakti si shndërrohet ky informacion për t’u mbajtur mend, para pra transferta e informacionit, riformulimi i tij me fjalët e veta.

c.Riprodhimi-kushtëzohet nga koha që ka kaluar nga çasti i hyrjes së informacionit në kujtesë deri në çastin që është kërkuar riprodhimi i tij. Në këtë proces rëndësi ka edhe interferenca-ngjashmëria e informacionit të marrë në fillim me informacionin e marrë gjatë intervalit….hyrje-riprodhim, gjë që sjell pengimin, ngatërrimin e ndërthurjen e kujtimeve me njeri-tjetrin.

Fazat e kujtesës kanë si bazë fiziologjike, gjurmët nervore, të cilat formohen në koren e trurit nga ngacmimet e ndryshme. Gjurmët nervore që formohen në zona të ndryshme të trurit, nuk mbeten të izoluara, ato bashkohen e organizohen në sisteme të gjera lidhjesh të përkohshme nervore, në sajë të inercisë dhe të plasticitetit të sistemit nervor.

Në kujtesë ndikojnë  katër grupe faktorësh:

1. Fiziologjikë – struktura e sistemit nervor, nga e cila varen ndryshimet individuale të  aftësisë së kujtesës:

gjendja  shëndetësore,

gjinia dhe

mosha.

2. Fizikë – temperatura e mjedisit ku punojmë dhe mësojmë, kur riprodhojmë atë që kemi mësuar:

koha,

vendi,

prania ose  jo e ngacmuesve kur mësojmë.

3. Karakteristikat e lëndës që përvetësohet:

vëllimi,

lloji i disiplinës

kuptimi i saj tej

4. Psikologjikë:

motivet

veprimtaria që kryen subjekti.

 

II.Harresa

Harresa ka të bëjë me procesin e kundërt e të mbajturit mend. Harresa shfaqet në formën e pamundësisë së subjektit për të njohur ose riprodhuar atë që ka përvetësuar më parë.

Me harresë kuptojmë të humburit e plotë ose të pjesshëm, të përhershëm ose të përkohshëm të asaj që kemi mësuar. Disa psikologë pohojnë se gjatë pushimeve verore nxënësit harrojnë gjysmën e lëndës që kanë mësuar vitin e kaluar shkollor.

Ende edhe sot psikologët nuk i japin nuk i japin përgjigje të plotë pyetjes: Harresa është paaftësi për të riprodhuar informacionin në  një çast të caktuar (kur ai kërkohet), apo është paaftësi e trurit për të ruajtur çdo informacionin që merr.

Shkurt: Harresa-proces i zhdukjes së  gjurmëve të informacionit në kujtesë

Sot njihen disa shkaqe që e ndihmojnë harresën, siç janë:

•Interferenca, e cila ka të bëjë  me përzierjen e informacioneve ndërmjet tyre si:

•Pengesa që has informacioni i ri nga më të vjetrit dhe anasjelltas,

•Të penguarit e ndërsjellë ndërmjet asaj që është mësuar më parë dhe veprimtarisë mendore të mëvonshme.

•Mungesa e aftësisë përqendruese dhe e teknikave të veçanta për ta nxjerrë informacionin nga kujtesa.

•Mungesa e dëshirës dhe e interesit për të mbajtur mend diçka…!

•Regjistrimi i dobët i informacionit ose informacioni është ekspozuar për një kohët të pa mjaftueshme, ose nuk është përvetësuar si duhet i informacionit.

•Mospërqendrimi i vëmendjes. Nuk dëgjohet me detaje apo hollësisht informacioni dhe si rezultat ai nuk mbahet mend dhe nuk riprodhohet dot.

2

Harresa shkaktohet shpeshherë edhe nga riprodhimi i menjëhershëm i informacionit (mësimit), fill pas përvetësimit të tij. Harresa menjëherë pas të mësuarit është shumë më e shpejtë se në periudhat e mëvonshme. Në rast se harresa do të rridhte me të njëjtën shpejtësi edhe më tutje, ne  për më pak se një  orë do të  harronim gjithçka që mësojmë.

Psikologët këshillojnë që për të zbehur harresën, është mirë të kalojë një periudhë e caktuar kohe para, se të bëhet riprodhimi i asaj që kemi mësuar. Kjo dukuri quhet reminishencë.

Harresa, por edhe me mosnjohjen e saktë të një ngjarjeje, objekti a dukurie që është përcaktuar më parë. Sipas Frojdit, shkaku kryesor I harresës është të përjashtuarit nga vetëdija jonë e përmbajtjeve që për ne, për këtë ose atë arsye, nuk janë të kënaqshme.

Ashtu si dhe kujtesa mund të jetë e vullnetshme ose e pavullnetshme

a.Harresa e vullnetshme-mund të realizohet me anën e mneomoteknikës.

b.Harresa e pavullnetshme-nuk është vetëm “armike”, e kujtesës, në  të njëjtën kohë ajo është e dobishme për funksionimin normal të trurit. Do të ishte fatkeqësi për njeriun që të ruante në kujtesë gjithë ngjarjet e kaluara.

Harresa lidhet dhe me emocionet, qofshin ato pozitive ose negative. Emocionet qofshin pozitive apo negative kur janë të forta, luajnë rol nxitës në kujtesë dhe e pengojnë harresën.

Emocionet negative e nxisin harresën. Është vërtetuar se gjatë gjumit njeriu harron shumë më pak se kur është zgjuar. Kjo përbën një argument tjetër që harresa shkaktohet nën ndikimin e veprimtarisë së mëvonshëm në kohë.

3

III.Si mund ta forcojmë kujtesën?

Kapacitet i jashtëzakonshëm i trurit

Shkurt: disa të dhëna

Edhe pse truri i njeriut peshon gati 1 kilogramë e gjysmë dhe është pak a shumë sa një portokall i madh, ai ka rreth 100 miliardë neurone ose qeliza nervore, të cilat krijojnë një rrjet pafundësisht të ndërlikuar. Vetëm një neuron mund të lidhet me 100.000 të tjera. Ky rrjet i jep trurit aftësinë të përpunojë e të ruajë një sasi marramendëse informacioni. Sigurisht, vështirësia është që njeriu të kujtojë informacionin kur i duhet. Disa janë fenomene në këtë drejtim, dhe shumë prej tyre kanë pak shkollë ose s’kanë fare.

Të marrim edhe rastin e dirigjentit të famshëm italian Arturo Toskaninit, të cilin e zbuluan në moshën 19-vjeçare kur e thirrën të zëvendësonte një dirigjent tjetër. Pavarësisht nga shikimi i dobët, ai arriti ta dirigjonte përmendësh të tërë operën Aida.

Këto arritje mund të na mrekullojnë. Gjithsesi, shumica e njerëzve e kanë kapacitetin të kujtojnë shumë më tepër nga ç’ua merr mendja. A dëshironi ta forconi kujtesën?

Sigurisht, kushdo do të thotë PO..!

Kujtesa përmbledh tri faza:

a.kodimin,

b.ruajtjen dhe

c.riprodhimin

Truri e kodon informacionin kur e kap dhe e regjistron. Ky informacion më tej ruhet për tu kujtuar ose riprodhuar më vonë. Kujtesa na lë në baltë kur ndonjëra nga këto faza nuk funksionon.

Vetë kujtesa është ndarë në disa lloje ato janë:

kujtesa ndijore,

kujtesa afatshkurtër dhe

kujtesa afatgjatë.

1.1.Kujtesa ndijore e merr informacionin nëpërmjet shqisave, si:

nuhatja,

shikimi dhe

prekja.

2.1.Kujtesa afatshkurtër ose imediate ruan pak informacione për një kohë të shkurtër. Ja pse mund t’i mbledhim numrat me mendje, të mbajmë mend një numër telefoni deri në momentin që do t’i biem dhe të kujtojmë gjysmën e parë të një fjalie teksa lexojmë ose dëgjojmë pjesën e dytë. Por, siç e dimë të gjithë, kujtesa afatshkurtër është e kufizuar.

3.1. Kujtesa afatgjatë. Nëse dëshiron ta ruash gjatë në mendje informacionin, duhet të përdorësh kujtesën afatgjatë (Kujtesa afatgjatë është e qëndrueshme, e pakufizuar dhe e dukshme për qëllime praktike). Si mund ta vësh në kujtesë informacionin? Parimet e mëposhtme do të të ndihmojnë.

Trego interes! Kultivo interes për një çështje dhe kujtoji vetes arsyet pse duhet të mësosh rreth saj. Siç mund ta dish nga përvoja, kur futen ndjenjat, gjërat të nguliten më thellë në kujtesë.

Kushto vëmendje! “Në shumicën e rasteve, kujtesa e dobët vjen nga vëmendja e dobët”,—thuhet në librin Misteret e mendjes. Ç’mund të të ndihmojë që të kushtosh vëmendje? Trego interes dhe, kur është e mundur, mbaj shënime. Mbajtja e shënimeve jo vetëm që ta përqendron mendjen, por edhe të ndihmon që ta rishikosh më vonë materialin.

Përpiqu të kuptosh! “Me gjithçka që fiton, fito kuptueshmëri”. Kur nuk e kupton një mësim ose koncept, zakonisht nuk e kujton mirë ose nuk e kujton fare. Kur e kupton mirë diçka, dallon lidhjen midis pjesëve dhe i ndërthur sipas një linje logjike. Për shembull, në rast se një student i mekanikës e kupton si punon motori, do t’i kujtojë më mirë hollësitë për motorin.

Organizo materialin! Ndaji në grupe konceptet e ngjashme ose idetë që lidhen me njëra-tjetrën. Për shembull, një listë ushqimesh mbahet mend më kollaj kur artikujt i ndajmë në grupe: mishrat, zarzavatet, frutat e të tjera. Veç kësaj ndaje informacionin në pjesë më të vogla, me jo më shumë se pesë deri në shtatë elementë. Numrat e telefonit në përgjithësi ndahen në pjesë, që të mbahen mend më lehtë. Së fundi, mund ta kesh më të lehtë po ta bësh listën sipas një rendi, mbase sipas rendit alfabetik.

Thuaje me zë! Kur e përsërit me zë atë që dëshiron të kujtosh (për shembull, një fjalë a shprehje në gjuhë të huaj), forcohen lidhjet nervore. Si ndodh kjo? Pikësëpari, kur i thua fjalët, kjo të detyron të kushtosh vëmendje. Së dyti, mësuesja mund të të japë menjëherë udhëzime. Dhe së treti, kur dëgjon, madje edhe veten, vihen në punë pjesë të tjera të trurit.

Përfytyroje! Imagjinoje atë që dëshiron të mbash mend. Ndoshta mund të bësh edhe një vizatim a skicë të saj. Ashtu si përsëritja me zë, edhe përfytyrimi aktivizon pjesë të ndryshme të trurit. Sa më shumë shqisa përdor, aq më thellë ngulitet informacioni.

Lidhe me atë që di! Kur mëson diçka të re, lidhe me atë që di. Lidhja e ideve të reja me atë që është ruajtur në kujtesë, e bën më të lehtë kodimin dhe riprodhimin e informacionit, sepse shërben si sinjal për trurin. Për shembull, që të mbash mend emrin e dikujt, lidhe me ndonjë tipar të veçantë të paraqitjes së tij ose me diçka tjetër që ta sjell ndër mend atë emër. Sa më humoristike a e çuditshme të jetë lidhja, aq më mirë e mban mend informacionin. Me pak fjalë, duhet të mendojmë për njerëzit dhe gjërat që duam të mbajmë mend.

Libri Në kërkim të kujtesës thotë: “Nëse shumicën e gjërave e bëjmë automatikisht dhe nuk reflektojmë për atë që ndodh përreth e për përvojat tona, çmimi që paguajmë është një kujtesë e turbullt për vendin ku kemi qenë dhe atë që kemi bërë.”

Ngulite në mendje! Lër kohë që informacioni të përpunohet a, si të thuash, të thithet. Një nga mënyrat më të mira është ta përsëritësh atë që ke mësuar, mbase duke ia thënë dikujt tjetër. Në rast se ke pasur ndonjë përvojë interesante ose ke lexuar diçka inkurajuese në Bibël a në ndonjë botim biblik, tregoja dikujt. Kështu do të përfitoni të dy: kujtesa jote do të forcohet dhe shoku yt do të inkurajohet. Jo më kot përsëritja është quajtur nëna e dijes.

4

 

Metoda të dobishme për të mbajtur të freskët kujtesën

Në Greqinë dhe në Romën e lashtë, oratorët mbanin fjalime të gjata pa pasur fare nevojë për shënime. Si ia bënin? Ata përdornin disa metoda për kujtesën. Këto metoda janë strategji ose marifete që na ndihmojnë ta ruajmë informacionin në kujtesën afatgjatë dhe ta sjellim ndër mend kur na duhet.

Një teknikë e tillë e përdorur nga oratorët e lashtë grekë ishte metoda e vendndodhjes, të cilën për herë të parë e përshkroi në vitin 477 p.e.s. poeti grek Simonidi që ishte nga Kea e sotme. Kjo teknikë ndërthur parimet e organizimit, përfytyrimit dhe lidhjes së materialit të ri me diçka të njohur, siç mund të jetë një pikë referimi në rrugë ose një objekt në dhomë a në shtëpi. Njerëzit që përdorin këtë teknikë bëjnë një shëtitje imagjinare dhe i lidhin pjesët e një informacioni që duan të mbajnë mend me disa pika referimi a objekte. Kur dëshirojnë të sjellin ndër mend informacionin, thjesht i rikthehen së njëjtës shëtitjeje imagjinare.

Studimet e bëra me njerëz që kanë zënë vendet e para në Kampionatet Botërore të Kujtesës, që zhvillohen çdo vit, kanë treguar se kujtesa e tyre fantastike nuk vinte falë ndonjë inteligjence të jashtëzakonshme. Për më tepër, shumica e pjesëmarrësve ishin 40-50-vjeçarë. Cili ishte sekreti i tyre? Shumë thanë se kjo zotësi vinte ngaqë i përdornin mirë këto teknika që ndihmojnë kujtesën.

Po, mund ta stërvitësh dhe ta forcosh kujtesën. Siç e kanë treguar studimet, kujtesa jonë i ngjan një muskuli. Sa më shumë ta përdorim aq më e fortë bëhet, madje edhe në moshë të thyer.

 

IV.Disa këshilla

▪Vëre në punë kujtesën duke mësuar gjëra të reja, si ndonjë gjuhë të huaj ose vegël muzikore

▪Përqendroje vëmendjen te gjërat më të rëndësishme

▪Mëso teknika që ndihmojnë kujtesën

▪Pi shumë ujë. Ç’hidratimi mund të shkaktojë pështjellim në mendje

▪Fli sa duhet. Gjatë gjumit truri ruan informacionet

▪Bëj pushime të shkurtra gjatë studimit. Stresi shkakton çlirimin e kortizolit i cili mund të prishë bashkëveprimin nervor

▪Mos abuzo me alkoolin dhe mos pi duhan. Alkooli e dëmton kujtesën afatshkurtër dhe alkoolizmi mund të çojë në mungesën e tiaminës, një lloj vitamine B, thelbësore që kujtesa të punojë siç duhet. Kurse duhani pakëson oksigjenin që shkon në tru

Bëj një shëtitje imagjinare

Si mund ta mbash mend një listë ushqimesh me disa artikuj, si bukë, vezë, qumësht dhe gjalpë? Me anë të metodës së vendndodhjes mund ‘t’i shohësh’ teksa bën një shëtitje imagjinare në dhomë.

Përfytyro sikur jastëku i karriges është buka

sikur në abazhur po ngrohen vezët

sikur peshku i akuariumit po noton në qumësht

sikur ekrani i televizorit është lyer me gjalpë

Sa më qesharake ose e çuditshme të jetë imagjinata, aq më mirë. Kur të shkosh në dyqan, bëje edhe një herë këtë shëtitje imagjinare.

Harresa ka të mirën e vet

Mendo si do të ishte jeta jote sikur të mbaje mend çdo gjë, e rëndësishme ose vogëlimë. Do të të bëhej koka lëmsh, apo jo? Siç thuhej në revistën New Scientist, një grua që kujtonte thuajse çdo gjë që i ndodhte në jetë “e përshkroi kujtesën e saj të vazhdueshme si ‘të pandalshme, të pakontrollueshme, tepër sfilitëse dhe si një barrë’”. E mira është që shumica prej nesh nuk e kemi këtë problem, pasi, siç mendojnë studiuesit, truri ynë ka aftësinë të heqë informacionet që s’vlejnë ose që janë vjetruar. Në revistën New Scientist thuhet: “Harresa e mirë është thelbësore që kujtesa të funksionojë plotësisht. Kur harrojmë diçka të dobishme, . . . kjo thjesht tregon se sistemi krasitës po punon më mirë se ç’duhet.”

 

Përfundime

Kujtesa ka pesë elementë:

Fiksimi i kujtimeve

Ruajtja e kujtimeve

Thirrja

Njohja

Lokalizimi

Turbullimet në kujtesë vinë si rezultat i:

•Fiksimit (emocion i vrullshëm…, të kuptuarit sa më qartë e në mënyrë të plotë…sepse të kuptuarit mirë do të thotë të kujtohesh më shpejt).

•Ruajtja në mënyrë të plotë e informacionit (prekja e celulave të kortekstit).

•Thirrja (përshkrimi i ngjarjes, ndodhisë..)

•Njohjes (përshtypjet se ke parë atë që se kishe parë ndonjëherë, pra ngjarja është analizuar në mënyrë të veçantë).

•Lokalizimi (mospërshtatje sociale, udhëtime, ndërrim shoqërie).

 

Harresa-mungesë apo zhdukje kujtesës. Harresa mund të ndodhë për shkaqe të shumta si nga:

•Pazotësia për të ngulitur kujtimet në mendje, individi harron herë pas here (shkaqe fiziologjike, tronditje të forta emocionale).

•Pazotësia për të sjellë ndërmend kujtimet që ruajmë në mendjet tona (kujtohen ngjarjet të hershme të tashmet nuk arrin t`i kujtojë).

•Paaftësia për t’i radhitur ngjarjet sipas kohës dhe vendit…).

•Harresa mbetet një mangësi për çdo përjetim ngjarje pozitive, krijimtari të vërtetë në rrafshin e kulturës, të arritjeve shkencore, arteve etj.).

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top