Gjithë jetën jemi munduar të kërkojmë se çfarë është lumturia, duke harruar shpesh atë që thotë Nënë Tereza: “Lumturia është një rrugëtim, jo një destinacion”.
Lumturinë mund ta gjejmë shumë lehtë te gjërat e vogla se sa në pritshmëritë e mëdha. Një sondazh i bërë nga një faqe interneti angleze mori në pyetësor një grup njerëzish të moshës mbi 40 vjeç, të cilët kishin takuar shokët e shkollës pas shumë vitesh. 7 persona të intervistuar nga 10 kujtojnë se periudha më argëtuese e jetës së tyre ishte kur ata ishin pikërisht 33 vjeç (53%) apo se ndiheshin më optimistë për të ardhmen (42 %).
Sipas psikologes angleze Donna Dason, kjo periudhë përkon me gëzimet familjare, gjetjen e partnerit apo ardhjen e fëmijëve në jetë. Gjithashtu është edhe periudha, gjatë të cilës hov të madh merr karriera: “33 vite janë një kohë e mjaftueshme për të tejkaluar naivitetin e fëmijërisë apo hovin e adoleshencës, pa humbur energjinë dhe entuziazmin e rinisë… Ndjenjat që kemi për realitetin përzihen me një ndjenjë të fortë shprese, me shpirtin për të bërë çdo gjë dhe me bindjen për talentin dhe aftësitë që kemi”.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.